Çfarë mendonin për Shqipërinë dhe shqiptarët Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive

Nga Adrian Civici

Shqiptarët e kanë nderuar dhe adhuruar Karl Marksin, Engelsin, Leninin dhe Stalinin, ndoshta më shumë se popujt e tjerë të vendeve ish-socialiste të Europës qëndrore dhe lindore. Po Marksi dhe Engelsi, megjithëse ka jetuar në periudhën 1818-1883 dhe 1820-1895, a i njihnin shqiptarët dhe problemet e tyre në gadishullin ballkanik? Po Lenini dhe Stalini çfarë mendonin për Shqipërinë dhe shqiptarët?  

 Në vitet kur jetoi Marksi, “problematika shqiptare” në ballkan dhe në Perandorinë otomane ishte akoma e zbehtë. Nga mesi i shekullit të XIX-të Perandoria turke ishte në ethet e “Çështjes Lindore”, në kohën që Ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët, kërkonin të plotësonin ëndrrën e tyre kombëtare. Greqia e fitoi pavarësinë e saj në vitin 1821, Serbia në 1878, në të njëjtin vit që shqiptarët krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por pavarësinë e fituan vetëm në vitin 1912. Por, historia dhe kultura shqiptare, sidomos epoka e Skënderbeut, ishte e njohur dhe prezente në literaturën dhe kulturën europiane.

Në këtë këndvështrim, duke patur parasysh përpjekjet dhe natyrën erudite e poliedrike të Karl Marksit, në veprën, punimet e ndryshme apo pasionet e tij, për aq sa është hulumtuar dhe publikuar deri tani, gjenden, megjithëse të pakta, vetëm në tre raste, dhe disa shkrime apo vlerësime “direkte” për shqiptarët, për gjuhën, foklorin, historinë dhe sjelljen e tyre.

Informacionin e parë për vlerësimin e Marksit për shqiptarët e kam lexuar në një artikull të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi në vitin 2016, në të cilin shkruhej se “Interesimin e Marksit për historinë dhe për karakterin e popullit shqiptar e ndeshim qysh herët. Në vitet e rinisë, gjatë përpjekjeve që bënte për formimin e tij shkencor, ai do të studionte e konspektonte historinë e disa vendeve, duke filluar nga historia e Francës e deri te “Historia botërore” e Shloserit. Rëndësi të veçantë për ne kanë shënimet e nxjerra nga studimi i historisë së Perandorisë Osmane.

Në to ai përmend shqiptarët dhe flet me simpati e vërtetësi për ta. “Midis kombeve të tjera, – shkruan Marksi i ri, – po ndalemi para së gjithash tek shqiptarët. Ky është një popull trim malësor, i cili përbën popullsinë autoktone të vendit që shtrihet në shpatet e brigjeve të Adriatikut; ai flet gjuhën e tij të veçantë që bën pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoeuropiane”. Në historinë shqiptare vëmendjen e Marksit e tërheqin në radhë të parë epoka e luftërave të Skënderbeut dhe personaliteti i tij. Për të, vepra e Heroit tonë Kombëtar i ka shërbyer objektivisht progresit të njerëzimit. Duke e vlerësuar lart luftën antiosmane të popullit shqiptar, ai e cilëson atë si “Një goditje kundër të vetmit shtet me të vërtetë ushtarak të mesjetës, i cili i kundërvihej zhvillimit historik që po lindte dhe përparimit botëror”.

Informcioni i dytë i interesit dhe trashëgimisë së Marksit për kulturën shqiptare lidhet me “një album foklorik” të përgatitur nga Marksi në kohën e rinisë së tij, album që nuk u hartua me qëllime botimi duke mbetur thjesht dorëshkrim, por u hartua si një koleksion këngësh popullore të popujve të ndryshëm, të cilat Marksi i përmbledh enkas dhe ia dhuron më 1839 të fejuarës së tij Zheni Vestfalen në Berlin.

Sipas Nasho Jorgaqit, në krye ai ka këtë kushtim: “Këngë popullore gjermane, spanjolle, greke, letone, estone, shqiptare etj., të mbledhura e të kopjuara nga përmbledhje të ndryshme për Zhenin tim të shtrenjtë. K. Marks, Berlin 1839”. Këtu gjendet dhe një këngë popullore shqiptare që mban titullin “Këngë shqiptare” dhe është shoqëruar me fjalët: “E bërë e njohur në shënimet e Lord Bajronit te “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, Shtegtimi 30-të”. “Kjo këngë nuk është zgjedhur rastësisht nga Marksi por, së pari, sepse i ka pëlqyer dhe, së dyti, sepse është nxjerrë nga një burim serioz i garantuar, siç është poema e njohur e Bajronit”.

Fatkeqësisht, rasti i tretë ku Marksi flet për shqiptarët (arnautët), sllavët, grekët dhe ballkanin është qëndrim mjaft negativ e përcmues, aq më tepër i bërë në një nga momentet më delikate dhe decizive të historisë së ballkanit dhe shqiptarëve, momentin e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 i cili kishte në rendin e ditës rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe rikonceptimin territorial e politik të popujve e shteteve të ballkanit, Kongresi ku luhej dhe fati i popullit shqiptar dhe territoreve të tij.

Përtej qëndrimit dhe shprehjes denigruese e cinike të kancelarit gjerman, Otto Bismark, se “nuk ka një komb shqiptar … se Shqipëria është thjesht një shprehje gjeografike”, apo mospërfilljes së cështjes shqiptare nga Kongresi i Berlinit, duket se edhe Karl Marksi është rreshtuar në krahun e qëndrimeve dhe opinioneve negative për shqiptarët dhe të drejtës së tyre për tu vlerësuar dhe njohur si shtet i pavarur në territoret e tyre shekullore.

Në një artikull të publikuar nga studiuesi shqiptaro-amerikan Marash Mali në Florida USA, “Shqipnia Etnike nga e vërteta në andërr”, (që evidenton si burim: Kongresi i Berlinit, 1878, botim i plotë, Curcio, 1934, vëllimi VII), gjendet një vlerësim i Marksit për shqiptarët drejtuar Kongresit të Berlinit në vitin 1878, në të cilin shkruhet se “Arnautet (Shqiptarë) janë pjesërisht të krishtërë të ritit orthodoks-grek dhe, pjesërisht muslimanë, ku duke gjykuar përsa i njohim janë pak të përgatitur për t’u qytetëruar. Prirja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinjë ti mbajë ata nën trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendët fqinjë të mos u sigurojë punë atyre, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quajti “Turki Europjane”. “Është pasuri natyrore e trashëguar nga stërgjyshrit e rracës sllave të jugut. Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnaut dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarë më të egër të qytetrimit e përparimit, përkundrazi sllavët janë të vetmit bartës të qytetrimit”.

Nga Friedrih Engelsi nuk egzistojnë të publikuara qëndrime apo komente specifike e direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, por vetëm analiza indirekte për popujt e ballkanit, ku indirekt nënkuptohen dhe shqiptarët.

Në një shkrim të Fatos Lubonjës “Shqiptarët dhe nacionalizmi” botuar në revistën “Përpjekja, 2011”, thuhet se “Në shekullin e XIX-të, duke trajtuar çështjen e nacionalizmit, Engelsi flet për popuj historikë dhe popuj johistorikë. Sipas tij të parët, ku ai fuste shtetet më të mëdha të Evropës perëndimore dhe qendrore, kishin ditur të ndërtonin shtete viabël dhe prandaj do të tregoheshin të aftë për të ndërtuar të tillë edhe në të ardhmen.

Kurse të dytët, ndër të cilët Engelsi fuste sllavët e jugut, disa minoritete të Evropës perëndimore si dhe disa vende të tjera të botës së tretë, të cilëve u kishte munguar aftësia dhe energjia, duhej të zhdukeshin, sipas tij, nga skena e historisë për të lehtësuar zhvillimin e kombeve historike”. Në kontekstin dhe periudhën historike të analizës së Engelsit, në popujt dhe shtetet e destinuar që të zhdukeshin nga skena e historisë bëjnëpjesë dhe shqiptarët.

Lexo edhe :  Balla: PS, shtëpia e brezit të ri të politikanëve

Ndikimi i Leninit në historinë dhe fatet e Shqipërisë është shumë i madh. Kjo i dedikohet denoncimit publik që Lenini i bëri “Traktatit të Londrës” të vitit 1915, sipas një marrëveshje të fshehtë e nënshkruar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e Italisë në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Sipas pikës 5 të Traktatit bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6, Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonte Italisë. Sipas pikës 7, Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë. Denoncimi i këtij traktati nga Lenini dhe kundërshtimi nga Presidenti i SHBA, Thomas Woodrow Wilson i kompromisit anglo-franko-italian (1920) zgjuan ndërgjegjen atdhetare të shqiptarëve.

Në shenjë respekti e vlerësimi për këtë gjest pro-shqiptar, më 4 shkurt 1924, Parlamenti i Shqipërisë mban 5 minuta zi për vdekjen e Leninit i cili ishte një figurë e dashur për shqiptarët dhe shpresën për shtrirjen e Shqipërisë në kufijtë natyrorë të saj. Denoncimi nga Lenini i traktatit të fshehtë të Londrës që kishte për qëllim të copëtonte Shqipërinë midis fqinjëve, ngjalli te patriotët shqiptarë e populli i thjeshtë dashuri e mirënjohje për Leninin. Një grupim deputetësh në Parlament në drejtimin e Avni Rustemit këmbëngulën dhe e detyruan Parlamentin të mbante 5 minuta zi për Leninin që ata e konsideronin mikun e shqiptarëve.

Duke ju referuar studiuesit Ergys Alushi është interesante të evidentohen qëndrimet e dy deputetëve shqipëtar ndaj Leninit: Z. Jashar Erebara: Para se të hyjmë në bisedime, propozoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin se në qoftë se Vilsoni do të fliste për të mirën e Shqipërisë ma tepër do të fliste Lenini për një Shqipëri të madhe. Z. Avni Rustemi: Më vjen shumë keq Z. Kryetar që kur përmendet emri i Leninit dëgjohen qeshje nga ana e disa përfaqësuesve të Kombit…po për principet e larta njerëzore duhet që me një respekt të zihet në gojë emri i tij. E dini fare mirë zotërinj se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzve e, se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. (Bisedimet e Kuvendit Kushtetues V. I Nr.5 mbledhje e VII 4 shkurt 1924 ora 3 m.d. faqe 64.).

Ndërkohë, qëndrimet dhe opinionet e Stalinit për Shqipërinë dhe shqiptarët janë negative dhe mjaft poshtëruese. Në tërësinë e tyre, dëshiroj të evidentoj vetëm dy prej tyre që kanë të bëjnë me vlerësimet dhe mendimet e Stalinit për shqipërinë.

Duke ju referuar historianit Agim Zogaj,  pjesëmarrës në takimin e 10 shkurtit 1948 midis delegacionit jugosllav dhe atij sovjetik, të cilave ju prinin Eduar Kardeli dhe Josef Stalini, u shtrua çështja e zhvillimeve në Shqipëri. Ja si e përshkruan Zogaj këtë takim : “ Si zakonisht, kah ora nëntë në mbrëmje më dërguan në Kremlin, në zyrën e Stalinit. Aty ishin Stalini, Molotovi dhe Zhdanovi … Pas përshëndetjes së zakonshme, Stalini menjëherë kaloi në temë: “Juve në Shqipëri po ju vriten anëtarët e KQ-së! Kjo është shumë keq, tepër keq”! Unë fillova të shpjegoj: “Nako Spiru iu ka kundërvënë lidhjes së Shqipërisë me Jugosllavinë, është izoluar në Komitetin e tij Qendror”. Mirëpo, as nuk kisha mbaruar, kur Stalini në befasinë time tha: “Ne nuk kemi kurrfarë interesash të veçanta në Shqipëri. Ne pajtohemi që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”!

Me atë rast ai i tuboi gishtat e dorës së djathtë dhe duke i bartur kah goja, bëri me ta gjestin e gëlltitjes. Mua më befasoi, ajo mënyrë e shprehjes së gjestit të gëlltitjes nga ana e Stalinit … Përsëri shpjegova: “Nuk është fjala për gëlltitje, por për bashkim”! Mirëpo, me këtë rast ndërhyri Molotovi: “Po, kjo është gëlltitje”! Kurse Stalini, sërish me atë gjestin e tij: “Po, po, gëlltitje. Mirëpo, ne me atë pajtohemi. Ju duhet ta gëlltitni Shqipërinë, sa më parë aq më mirë”.

Ndërsa ish ambasadori shqiptar në Moskë, Shaqir Vukaj, në librin “Rusia dhe Kosova”, boton një dialog autentik të Stalinit me disa udhëheqës të lartë Jugosllavë, gjatë të cilave duket qartë qëndrimi dhe vlerësimet negative e cinike të Stalinit për shqiptarët dhe shqipërinë: STALIN – Po si i keni punët me shqiptarët? Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata e dobësojnë disiplinën, apo jo; E. KARDELI – Kjo është gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë; STALIN – Cila është origjina e shqiptarëve?; E. KARDELI – Ata janë pasardhës të ilirëve; STALINI – Më kujtohet se Tito më ka thënë se ata janë si puna e baskëve; E. KARDELI – Kjo është e vërtetë; S.SIMICI – Ka të dhëna që thonë se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim; STALINI – Ky popull ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim; POPOVICI – Shqiptarët janë shumë trima dhe njerëz besnikë; STALINI: Po, ata mund të jenë besnik si qentë. Ajo është karakteristikë e popujve primitivë. Tek ne, ashtu besnik kanë qenë çuvashët. Carët e Rusisë i mbanin për roje personale; E. KARDELI – Tek ne, në territorin e Kosovës dhe Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë se sa serbë. Ne mendojmë, që më vonë, kur të vendosim lidhje më të ngushta me shqiptarët, këto territore tua japim atyre; STALINI – Po si janë ndodhur shqiptarët në këto territore?; E. KARDELI – Janë vendosur në këtë krahinë në kohën e turqve. Ndërsa një pjesë e popullsisë është asimiluar; STALINI – Po si ka mundësi që një popull me nivel më të ulët zhvillimi, ka mundur të arrijë një gjë të tillë? Si shpjegohet kjo?…

Besoj se kaq mjafton për të kuptuar se cfarë figurash “të famshme të marksizëm-leninizmit” por mjaft negative në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët kemi adhuruar apo jemi detyruar ti adhurojmë e ngritur në piedestal për rreth pesë dekada.

Të fundit

Myslimanë dhe të krishterë luten bashkë për të sëmurët me COVID-19

Në qytetin bregdetar të Afrikës së Jugut, Kejp Taun, janë bërë bashkë myslimanë dhe të krishterë, krah për krah,...

Provat e inaugurimit të Bidenit u pezulluan pas një alarmi zjarri

Forcat e sigurisë amerikane evakuuan pjesëmarrësit gjatë një prove për inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, para Kongresit pasi u raportua për shpërthimin...

IPPR: OBSH dhe Kina mund të vepronin më shpejt kundër COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Kina kanë mundur të reagojnë më shpejt, menjëherë pas paraqitjes së sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i...

Horoskopi javor, 18-24 janar 2021

Dashi Puna Do të gjeni mundësi, edhe nëse nuk doni të përfitoni menjëherë, por do të keni të gjitha fakultetet e nevojshme për të pasur sukses...

VIDEO/ Ja si degradoi në të shara dhe ofendime sherri mes Fationit dhe Erisit

Një situatë jo e zakontë ka ndodhur në puntatën e kësaj të hëne në emisionin ‘Për’Puthen’, ku Fatjoni dhe Erisi janë përfshirë në një...

Lajme të tjera

Web TV