Pjetër Budi, prifti katolik që i donte ceremonitë fetare në gjuhën shqipe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Budi është poeti i parë i mirëfilltë i letërsisë shqipe; ai shkroi rreth 3 mijë e 500 vargje me karakter moral e fetar

Më dhjetor të vitit 1622 vdiq Pjetër Budi, shkrimtar i letërsisë së herëshme shqipe, autor librash në shqip. Ai është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. U përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare.

Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë, Mat, nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Njihet si organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë.

Të dhënat
Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij.

Formimi
Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe mungesën e dijeve të popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe. Më pas vendesete në Romë.

Krijimtaria
Vepra e tij e cila ka shumë rëndësi si letraro-artistike dhe gjuhësore u bë e njohur relativisht vone. Për herë të parë ajo u botua në Prishtinë në vitin 1986. Në Shqipëri, poezia e Pjetër Budit u bë e njohur nga botimi i studiuesit Behar Gjoka në vitin 2002.
Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi i literaturës kishtare latine, ai është munduar t’i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur. Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Lekë Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale.
Pas afro katër shekujsh, libri i tij i tretë “Pasqyra e të rrëfyemit” të cilin e botoi në Romë, një vit para se të vdiste në moshën 55 vjeçare, zbulon në faqen e katërt të tij një gravurë ku poeti prift jepet në një çast lutjeje. Gravura është një punim mjaft fin dhe gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë brenda “Pasqyrës së të rrëfyemit”, menjëherë pasi mbaron parathënia.

Projekti
Siç del nga letra që i dërgoi Gocadinit, misioni kryesor për të cilin ai shkoi më 1621 në Romë, ishte që të bëhej zëdhënës i kërkesave të shqiptarëve dhe të kërkonte ndihma. Letra e tij është një projekt i një kryengritjeje të armatosur që një klerik ia drejton një kardianli dhe organeve të administratës kishtare për të kërkuar ndihmë për popullin e tij, që të çlirohej nga zgjedha e huaj. Ndër të tjera shkruan: “Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m’u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslymanë, që t’ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t’u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t’u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë. Grushti që do të marrë Turqia këtu, do të jetë ndihmë edhe për polakët”.

Lexo edhe :  16 prill 1521/ Martin Luter nuk pendohet, mban fjalim në kuvendin e Vormit

Kundërvënia
Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut, Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre.
Budi është i pari nga klerikët që do të thotë se perëndia nuk e degjon atë që i lutet në gjuhë të huaj, atë që përsërit vetëm fjalë boshe pa i kuptuar ato që thotë.

Betimi
Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cënonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj.

Vdekja
Në dhjetor 1622 mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare.

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV