Derbi i kryeqytetit nuk ka fitues. Një takim që pati vetëm luftë sportive dhe u mbyll 0-0, ndërkohë që do të vazhdojë beteja Tirana-Partizani edhe jashtë fushe, për shkak të një rasti të dyshimte për penallti në minutën e 90-të. Në fakt vendimi i arbitrit është i gabuar dhe kjo do konfirmohet edhe nga specialistët e gjykimit. Ky rezultat i shkon më shumë për shtat të kuqve, që kryesojnë kampionatin dhe Tirana vijon pa fitore prej 5 javësh.
NDESHJA – Partizani, me komoditetin e vendit të parë, e nisi lojën i tërhequr, duke tentuar të shfrytëzojë hapësirat që do të linte Tirana pas. Bardheblutë e Nevil Dedes, me një modul 3-4-3 befasues, ishin më kërkues edhe prej faktit që u mungojnë pikët prej rezultateve të javëve të fundit.
Gjithsesi dëshira ishte e pamjaftueshme, pasi rastet e krijuara munguan. Ernest Muçi ishte i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës, kurse ai që binte në sy ishte Danso me dëshirën e tij dhe presingun lart. Pavarësisht se Tirana drejtonte lojën, rastin më të mirë e kishte Partizani.
Visar Bekaj shpëtoi portën e tij, pas një tentative të Bardhit me kokë dhe në vijim nuk pati më raste dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Në të dytën ritmi në fillim ishte i lartë, por panorama e njëjtë. Pasimi i fundit mungonte dhe kështu edhe rastet. Në disa momente Tirana kishte pretendime për gjykimin.
Kulmi arriti në minutat shtesë, kur Ernest Muçi u rrëzua në zonë pas një dueli dhe stafi teknik i kampionëve në fuqi desh u fut në fushë. Pamjet janë të qarta, por arbitri Juxhin Xhaja mendoi se nuk ishte penallti. Minutat e fundit ishin të luftuara, por gol nuk kishte dhe derbi i kryeqytetit u mbyll në barazim 0-0.
l.m/Fjala.al