Duka: Organizimi i finales së Conference League në Tiranë do jetë i shkëlqyer!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një video-konferencë me gazetarët pas vendimit historik të UEFA-s, që ia besoi qeverisë së futbollit shqiptar pritjen e finales së parë të turneut më të ri për klube Conference League.

Në fillim të këtij bashkëbisedimi Presidenti Duka tha se ky është një lajm shumë i rëndësishëm, jo vetëm për futbollin, por për të gjithë Shqipërin, teksa shpjegoi edhe procesin e gjatë që është ndjekur që nga aplikimi e deri te plotësimi i të gjitha kritereve që duhen për të bindur UEFA-n të marrë në vendim të tillë.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi edhe të gjitha autoritetet dhe institucionet vendase që ndihmuan në këtë arritje të madhe.

“Për ne ky është një lajm i rëndësishëm dhe jo vetëm për ne, jo vetëm për futbollin por për të gjithë Shqipërinë. Sjellja e një finaleje të kompeticionit europian në Shqipëri nuk është vetëm një benefit i stadiumit “Air Albania”, nuk është një e mirë për futbollin shqiptar, është një e mirë për të gjithë Shqipërinë.

Është një lajm pozitiv që uroj t’i hapë rrugën lajmeve të tjera pozitive për Shqipërinë, pasi jo vetëm në periudhën që po kalojmë, e cila edhe tani na detyron që mos të jemi fizikisht për të komunikuar me njëri-tjetrin, por në mënyrë virtuale, por edhe për të gjithë peripecitë që kemi kaluar. Jo vetëm tërmetin e nëntorit 2019, por edhe të gjithë peripecitë që ne kemi kaluar për të ardhur deri këtu.

Mendoj që është një lajm i mirë dhe bën mirë për Shqipërinë në përgjithësi dhe për Tiranën në veçanti. Rruga për të ardhur deri në organizimin e kësaj finaleje apo në arritjen e këtij vendimi të djeshëm të Komitetit Ekzekutiv, nuk ka qenë një gjë e lehtë. Nuk ka qenë një gjë që ndodhi në një mbledhje apo në një mini-lobim për të votuar këtë apo atë, por ka qenë një përgatitje serioze e Federatës, e administratës së saj, e grupit të punës që është marrë më përgatitjet.

Ne nuk kemi përgatitur apo aplikuar për herë të parë një garë për të organizuar një finale. E kemi bërë këtë edhe më parë, për finalen e Superkupës së Europës, në të cilën nuk ia kemi dalë. Kemi rivazhduar prapë, kemi plotësuar thuajse të gjithë kriteret. Kemi pasur padyshim edhe dashamirësinë e administratës së UEFA-s për të na ndihmuar dhe është miratuar dje nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që finalja e Europa Conference League të jetë në Tiranë.

Është kompeticion i ri, është hera e parë që zhvillohet në histori. Kjo na bën ta pëlqejmë akoma edhe më shumë, sepse do të jetë historike që finalja e parë e këtij kompeticioni u bë në Tiranë. Kompeticion në të cilin do të marrin pjesë të gjithë skuadrat e Europës, të niveleve jo të Champions League apo Europa League, por gjithsesi formula është e tillë që mund të ketë dhe skuadra të mëdha brenda dhe për të shkuar në finalen e 2022 në maj në Tiranë.

Unë jam i sigurt dhe dua t’iu garantoj juve, publikun dhe të gjithë që ne jemi të aftë dhe do ta organizojmë shumë mirë këtë finale. Kemi një partneritet shumë të mirë me autoritetet vendore dhe qendrore të qeverisë shqiptare. E kemi pasur këtë edhe në përgatitjen e dokumentacionit, na janë përgjigjur me shpejtësi.

Do ta kemi edhe në organizim sepse organizimi i ndeshjes nuk do të thotë thjesht organizimi i 90 minutave të lojës, por fillon që nga aeroporti, infrastruktura, transporti urban nëpër qytet, hotele, etj., me radhë. Unë besoj se ne do t’ia dalim, do ta bëjmë shumë mirë dhe do të rikonfirmojmë edhe njëherë që Shqipëria e futbollit është pjesë e Europës”, – tha Presidenti Duka në hyrje të bashkëbisedimit, për të vijuar më pas me pyetjet e gazetarëve.

– Thatë që ishte një garë e gjatë për të mbërritur deri te zgjedhja e stadiumit të ri të Tiranës. Si mikëpritësi i finales së Conference League-s së parë, pati ndonjë skepticizëm nga ana e anëtarëve të KE apo strukturave të tjera që u morën me këto kandidatura?

– Si procedurë, jo vetëm në këtë kompeticion, por në të gjitha kompeticionet, gara për të organizuar një event final apo turne final të kompeticioneve europiane, paraqitet dokumentacioni në administratën e UEFA-s, që i rekomandon KE-së nëse është apo nuk është i mundshëm, a i plotëson kriteret. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, kështu që rekomandimi ka qenë pozitiv nga administrata e UEFA-s, siç ka qenë pozitiv edhe në rastin e finales së Superkupës. Duhet të dini që një vit më parë, ose më shumë se një vit më parë, kur është diskutuar në KE për finalen e Superkupës, ne e kemi tërhequr kandidaturën për të qenë një kandidaturë akoma më e fortë sot.

– Meqë e prekët edhe kandidaturën për Superkupën e Europës, do të kemi mundësi që së afërmi, rrjedhimisht jo në 2022 por më tej që të kandidojmë për këtë turne, për arsye se kapacitetet e stadiumit e lejojnë?

– Padyshim. Tashmë infrastruktura sportive në Shqipëri ka ndryshuar. Ka ndryshuar infrastruktura e stadiumeve që mund të organizojnë kompeticione ndërkombëtare dhe e fushave që duhet të përgatiten ekipet që arrijnë Shqipëri apo në çdo vend organizator. Kështu që, në objektivat tonë të ardhshëm, më shumë do të isha për të kërkuar një turne final të moshave të reja në Shqipëri, që nuk është me një skuadër, por me 8 skuadra. Për shembull, U-19 do të ishte një event shumë i rëndësishëm, shumë i bukur, i cili nuk është në një ditë, por është në shumë ditë, pra me 8 skuadra dhe në katër stadiume. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do ta plotësojmë edhe për Superkupën.

– Ju thatë që keni aplikuar edhe më përpara dhe kjo është e vërtetë. Është aplikuar edhe duke qenë impianti, projekti pa bërë gati. Megjithatë unë jam pak skeptik të besoj që pa prezencën tuaj në Komitetin Ekzekutiv, UEFA do t’i akordonte Shqipërisë diçka të tillë, përpos punës voluminozë të administratës së Federatës. Për vetë faktin se lobimi aty është shumë i rëndësishëm në të tilla gjëra, nuk e di se sa dakord jeni ju.

– UEFA është një institucion serioz që nuk mund të ndikohet apo të ndryshojë opinionin apo rregullat për faktin e të qenit anëtar i KE-së. UEFA e ka vlerësuar punën e Federatës së Futbollit ndër vite, e ka besuar atë si një partner serioz për të organizuar, ka vlerësuar ndryshimin e infrastrukturës në Shqipëri, pa ka vendosur që të zhvillohet kjo finale. Nuk është një ndikim i anëtarit të KE-së, por është një fryt i punës së vazhdueshme të Federatës së Futbollit që ka bindur një autoritet kaq të lartë. Për mua është institucioni më i organizuar dhe më i mirë në Europë që ka bindur dhe ne kemi bindur që ne mund ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe ne kemi bindur që mund të bëjmë jo vetëm finale të Conference League, por edhe aktivitete të tjera që do të ketë në Shqipëri në vitet në vazhdim.

– Ju bën përshtypje kjo qasje e stand-by e deritanishme e qeverisë president? Në lidhje me Ligën Profesioniste. Jam shumë i interesuar dhe kurioz të di sepse po rrini dhe ju në një stand-by dhe duket sikur ishte thjesht një lojë sa për të filluar garën.

– Nuk dua ta besoj se është kështu siç e mendoni ju. Dua ta besoj që të jetë ndryshe. Megjithëse që pas rikthimit në fushë dhe rikthimi në fushë u bë me kontributin e Federatës, me kontributin tim dhe me kontributin e kryeministrit të Shqipërisë, të rikthehemi në fushë dhe të zgjidhim problemet si partnerë, siç i kemi zgjidhur gjithmonë. Unë dua të besoj që akoma ka ditë, deri në 31 dhjetor, për t’i plotësuar ato kërkesa që ka sporti shqiptar në përgjithësi dhe jo vetëm Liga Profesioniste e Futbollit. Ato kërkesa janë normale, janë një minimum jetik për zhvillimin e sportit në Shqipëri, të cilin kryeministri i ka pritur mirë dhe ka thënë që pse jo, duhet ta ketë këtë fond Shqipëria. Në fund të fundit ligji për sponsorizimin apo fondi për sportin që ne kemi kërkuar nuk është ndonjë shifër që do ta cenonte buxhetin shqiptar. E cenon shumë më pak se gjërat e tjera që ne dëgjojmë përditë në planifikimin e buxhetit. Uroj gjithmonë dhe kam shpresë deri në 31 dhjetor. Shenja nuk ka pasur. Le të mendojmë sikur qeveria ka pasur shumë halle, por do të fillojë të mendojë edhe për ne prapë.

– Me këtë lloj ftese që po i bëni në një farë mënyre qeverisë, me zhvillimin e kësaj super finaleje të Conference League, është edhe një lloj treguesi kjo se çfarë arrin të përfitojë vendi nga sporti? Dhe është një lloj nxitje apo rikujtuese për qeverinë dhe duhen plotësuar gjithmonë e më shpejt ato kërkesa? Dhe si ka qenë bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës dhe qeverinë qendrore në plotësimin e këtij dokumentacioni të nevojshëm? Ka një numër hotelesh të përfshira? Bëhet fjalë për gati 22.000 veta që do të jenë në 2022 në Tiranë.

– Lëvizja fillon që nesër pasi në momentin që përcaktohet eventi, fillon dhe konfigurohet mënyra e organizimit të tij. Kështu që lëvizja Gjenevë-Tiranë apo nga destinacione të tjera do të jetë e vazhdueshme deri në ditën e finales. Ajo që shihet ditën e finales është vetëm maja e ajsbergut por volumi i punës deri në atë ditë do të jetë goxha i madh. Pa dyshim që në përgatitjen e dokumentacionit ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë, me institucione private, shtetërore, me shoqëri të ndryshme në Shqipëri, duke filluar nga aeroporti që është një kompani jo shtetërore por private, me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Turizmit; të gjithë na kanë mbështetur për të plotësuar dhe na kanë mbështetur sepse e kanë kuptuar shumë mirë atë që thoni ju, ky është një event jo për futbollin por është një event për Shqipërinë, një event që i sjell benefite Shqipërisë. Dhe Shqipëria ka mundësi të ketë akoma më shumë benefite.

Ne do të jemi në një komunikim tjetër për t’iu thënë në gjuhë ekonomike se sa para përfiton buxheti i shtetit shqiptar nga ky futboll që kemi sot dhe sa mund të përfitojë akoma më shumë nga futbolli akoma më i zhvilluar. Por që të zhvillohet akoma edhe më shumë duhet t’i krijojmë një shtrat ligjor, duhet t’i krijojmë kushte të përshtatshme jetese dhe zhvillimi. Dhe thashë, unë kam pasur mirëkuptimin e kryeministrit, premtimin e tij që do ta bëjë dhe unë kam besim që do ta bëjë. Duhet të kishte sinjale përpara, duhet të kishin punuar të gjithë levat apo inspektorët që dolën në xhiro gjatë ditëve të krizave që presin kur ka kriza apo bojkote të punojnë në kohë paqeje dhe ta zhvillojmë sportin dhe Shqipërinë në kohë paqeje.

– President, pak më parë përmendët grupet e punës por në një farë mënyre sigurisht që tregoheni modest për lobimin tuaj që keni bërë për arritjen e kësaj gjëje. Në kaq vite që merrem me futbollin, me sportin di që keni pasur shumë objektiva personalë, që nga ndërtimi i stadiumit, ndërtimi i zyrave të reja të Federatës, kualifikimi në Europian. Një objektiv tjetër personal kush është, pas zhvillimit të finales së UEFA Conference League?

– Në fakt, që kur ka filluar projekti i stadiumit, ka qenë objektiv që ne të sjellim në Tiranë një finale të rëndësishme europiane siç u vendos dje nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s. tashmë, nëse arrihen objektivat, patjetër që vendosen objektiva të rinj. Ne kemi shumë gjëra për të bërë përpara. Ne i kemi mundësitë në futboll që të arrijmë shumë gjëra. I kemi mundësitë që të rikthehemi përsëri dhe ta shijojmë akoma më shumë një Europian siç shijuam 2016 dhe të kemi nivele të tjera të klubeve tona në kompeticionet europiane. Por e përsëris edhe njëherë që të kemi ne nivele më të kënaqshme të klubeve tona në kompeticionet europiane, duhet një shtysë dhe këtë shtysë e ka në dorë qeveria ta bëjë.

Lexo edhe :  I kritikuar nga legjenda e Milanit, reagon Lautaro: “Nuk të mjaftoi goli në Champions?”

– Padyshim që futbolli ka treguar se është në avangardë, na ka futur jo për herë të par në Europë, ndërkohë që futbolli vendas mbetet pak mbrapa, jo për fajin e vetë këtij sporti. Thatë që prisni deri më datën 31 dhjetor lëvizje apo sinjale konkrete nga qeveria. Çfarë do të ndodhë më pas në qoftë se këto sinjale nuk do të vijnë deri atëherë, ashtu sikurse nuk erdhën edhe herën e kaluar kur klubet u detyruan që të shkonin deri te bojkoti i kampionatit?

– Unë personalisht nuk kam qenë për bojkot as kur filloi dhe as në të ardhmen. Jam padyshim që të sensibilizojmë çdo individ, qeveria apo parti politike që të bëjë detyrën e vet. As personalisht, as institucioni i futbollit, as loja e bukur e futbollit kurrë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë lëmoshë, por u kërkon aktorëve, në rastin konkret qeverisë, që të ushtrojë detyrën e vet, të bëjë atë që duhet të bëjë, për të cilën ne i kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë çelësat për të na administruar.

Vërtetë jemi në kohë të vështira, vërtetë jemi në kohë pandemie, vërtetë kemi një mijë e një halle, por ja që e duam sportin dhe sportin nuk është thjeshtë e vetëm një pasion, por është shëndet dhe është një nga degët e ekonomisë që mund t’i japë shumë edhe buxhetit të shtetit. Ne do të jemi në një komunikim tjetër për t’iu bindur me shifra se sa shumë i jep futbolli buxhetit të shtetit aktualisht. Ajo që ne kemi kërkuar apo ato kërkesa të bërë që kanë objektivin kryesor atë ligjin për sponsorizimin apo fondit kombëtar të sportit nëse mund ta quajmë ndryshe, nuk do të thotë që ne do ta çojë në një nivel maksimal të menjëhershëm. Por ama do t’i sigurojë sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, një mbijetesë, një të ardhme më të mirë për shkuar pastaj patjetër në projekte të tjera, zhvillime të tjera edhe në bashkëpunim me qeverinë.

– Folët për një punë kolosale të bërë për zgjedhjen e kandidaturës së Shqipërisë për finalen e Conference League 2022. Padyshim që puna është e tillë, prej kohësh në fakt ne ishim të bindur që prej momenti që u shpall ky turne i ri, që Shqipëria mund ta kishte këtë finale realisht. Së fundmi ka ardhur një akuzë në Greqi, janë hapur polemika nga zv.ministri i Sportit atje, sipas ët cilit Federata Greke e Futbollit ia falë këtë finale Shqipërisë sepse hoqi kandidaturën e stadiumit të Kretës, duke paraqitur stadiumin e AKE-ut, që është në ndërtim e sipër. Do të kishit një përgjigje për aq kohë sa edhe opinioni këtu e besonte se kjo finale historike do të vinte në Shqipëri?

– Në fakt, nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë është thënë dje në Greqi, por nuk besoj se ka të drejtë ai që e ka thënë. Ne kemi aplikuar me kandidaturën tonë, kemi qenë seriozë në atë që kemi thënë, kemi qenë seriozë në atë që kemi bërë në gjithë këto vite. Kemi demonstruar që dimë ta bëjmë mirë këtë gjë dhe na është besuar që ta bëjmë. E përsëris edhe një herë, garantojmë që vërtetë do ta bëjmë shumë mirë, do ta bëjmë shkëlqyer çdo gjë, sepse ne jemi shqiptarë. Ne kemi dëshirë kur a vijnë miq dhe ne do ta theksoj edhe një herë, jemi të gëzuar që miqtë do të vizitojnë vendin tonë.

– Sigurisht që për të pritur një finale kaq të madhe duhet të kemi një fushë shumë dinjitoze. Është folur gjatë për gjendjen aktuale të fushës së stadiumit “Air Albania” dhe është thënë po ashtu që do të ketë së shpejti një fushë të re hibride. Kur do të nisin punimet dhe kur pritet të përfundojnë?

– Kushtet atmosferike që ofron një stadium i mbyllur janë këto. Ne kemi insistuar që nga fillimi megjithëse kishim një lloj parashikimi që nuk do të shkonte mirë bari natyral, por duke pasur parasysh që klima në Shqipëri është e mirë dhe dëshira e madhe që ne të mos kishim tapet artificial në stadiumin e Tiranës, ne e provuam me bar natyral, gjë që nuk rezultoi e suksesshme dhe nuk mund të jetë në parametrat e duhura as për kampionatin shqiptar, as për ndeshjet ndërkombëtare dhe aq më pak për një finale të tillë, që kërkon 10 me yll. Kështu që duke nisur nga java tjetër do të fillojmë punën për përmirësimin e fushës.

Masat e para do të nisin me vendosjen e një impianti të ri ndriçimi që ndihmon ose zëvendëson në një farë mënyre rrezet e diellit dhe ndihmon zhvillimin e barit natyral. Do të vendoset një impiant ventilimi, sepse stadiumi duke qenë i mbyllur nuk ka një ventilim normal. Do të provojmë këtë impiant deri në mars sa e mundur do të jetë që ta suportojë e ta mirëmbajë barin natyral dhe nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të kalojmë në fushën me bar hibrid. Ka qenë i parashikuar që në ndërtimin e stadiumit ky lloj eksperimenti që në vitin e parë do të bëjmë të gjitha tentativat për të qëndruar në barin natyral. Çfarëdo lloj shpikje që të bëjë bota, bari natyral është akoma më i këndshëm dhe akoma më i mirë për sportistët, prandaj ne do të vazhdojmë të insistojmë deri në mars. Nëse nuk do t’ia arrijmë atëherë do të kalojmë në hibrid.

– Kandidatë për këtë finale kanë qenë edhe Irlanda e Veriut po ashtu edhe Finlanda, dy vende shumë më të zhvilluara se ne në infrastrukturë, jo vetëm në atë sportive. Çfarë mendoni se avantazhoi Shqipërinë në këtë garë për të marrë këtë finale kaq të madhe?

– E thashë që UEFA është institucioni më i organizuar, më i mirë mendoj unë që ka Europa dhe një gjë nuk është se vjen apo buron nga Komiteti Ekzekutiv apo thjesht nga liderët e Europës, por të gjithë anëtarët e saj kanë një ndjenjë të zhvilluar solidariteti dhe e ndjejnë për detyrë që të kontribuojnë për promovimin dhe zhvillimin e lojës në çdo cep të kontinentit europian. Kështu që më shumë do ta cilësoja si një solidaritet për të promovuar futbollin edhe në vende si Shqipëria se sa të thoja që ne kemi kushte më të mira se Irlanda apo Finlanda. Thjeshtë një solidaritet dhe në besim që ne arrijmë ta plotësojmë e ta bëjmë të mundur organizimin e kompeticioneve apo ndeshjeve të tilla.

– Duke ditur kushtet jo normale që po imponon pandemia në të gjithë futbollin botëror, ndoshta i trembeni pak faktit që mund të kushtëzohet prania e tifozëve në stadium për finalen e 2022-shit edhe pse jemi 1 vit e gjysmë larg?

– As që dua ta mendoj që vërtetë do të ndodhë kjo, që ne deri në vitin 2022 të vazhdojmë të jetojmë të kufizuar. Jemi të informuar tashmë që vaksina pothuajse ka nisur qarkullimin, ka nisur të përdoret dhe unë besoj që vitin tjetër ne do të rikthehemi, jo vetëm në futboll, por në çdo fushë në jetë normale. Nuk besoj se do të zgjasë më shumë se marsi që stadiumet të enë sërish me tifozë. Gjithsesi, nuk jam unë ai që e përcaktoj, por duke qenë të gjithë të interesuar për shëndetin tonë dhe të gjithë shoqërisë, jemi goxha të informuar dhe të gjitha informacionet na çojnë në këtë konkluzion.

– A e ka vendosur në vështirësi pandemia futbollin shqiptar dhe një informacion nëse mund të na e jepni për gjendjen shëndetësore të Etrit Berishës?

– Pandemia padyshim që ka sjellë problemet e veta, na ka vendosur në vështirësi direkte dhe indirikete duke cenuar të ardhurat e futbollit shqiptar, duke munguar tifozët në shkallët e stadiumit nëse marrim parasysh sidomos nivelin e lartë që do të kishte prania e tifozëve në stadiumin “Air Albania”. Sot ne kemi derbin dhe vetëm shifrat e derbit janë të frikshme për buxhetet e futbollit shqiptar, pra ndihet shumë mungesa e tyre. Padyshim që është cenuar direkt, që nga mungesa e të ardhurave nga spektatorët, nga mungesat e të ardhurave nga sponsorët apo reklamat apo nga burime të tjera të shitjes së të drejtave. E gjithë ekonomia e ka ndjerë pandeminë dhe futbolli shqiptar në një lloj mënyre financohet nga presidentë apo nga kompani, që po kalojnë ditë jo të mira. Kështu që uroj të mos e përjetojmë më ne dhe brezat që do të vijnë një situatë të tillë, që nuk ka lënë fushë të jetës pa prekur. Mendoj që tek ne më pak, por globalisht ekonomia e prekur më shumë është ajo e futbollit.

Përsa i përket Etritit, e para uroj që ai të shërohet sa më shpejt. Në fakt, ka pasur një prekje nga virusi me simptoma, jo si të gjithë futbollistët e tjerë, të cilët në 90% të rasteve kanë qenë asimptomatikë, por gjithsesi gjendja e tij sot është e mirë, me pak temperaturë dhe pa asnjë shqetësim tjetër anësor. Është vetëm në ditën e tetë dhe besoj që në javën e ardhshme do të rikthehet dhe do ta kalojë si të gjithë të tjerët. I uroj, jo vetëm unë, por i gjithë komuniteti i futbollit shqiptar, shërim sa më të shpejtë dhe një rikthim në fushën e lojës me klubin e tij SPAL dhe me kombëtaren në muajin mars 2021.

– Krahas prestigjit dhe benefiteve financiare që do ta na sjellë organizimi i finales së UEFA Conference League në vendin tonë, a mund të na thoni përfitimet që do të kenë klubet shqiptare, pasi në vija të trasha nuk do të përfaqësohemi në Europa League, por do të kemi një zhvendosje në kompeticionin e tretë për nga rëndësia? A mund të na thoni diçka më shumë duke qenë se ju jeni edhe anëtar organit drejtues të qeverisë europiane të futbollit?

– Conference League ku marrin pjesë tre ekie shqiptare pak a shumë formati fillestar është me fazë para-eliminatore dhe më pas eliminatore, të jep më shumë shanse për të qenë pjesë e grupeve dhe ka më shumë shanse që klubet shqiptare të luajnë futboll europian minimumi deri në dhjetor. Kështu që klubet tona, në mos në kompeticionin e parë besoj në vazhdim, do të jenë pjesë e grupeve të Conference League dhe të na rikthejnë në atë futbollin europian deri në dhjetor siç na mësoi Skënderbeu dikur.

Në mbyllje, dua t’ju uroj një ditë të këndshme dhe ta shijojmë derbin e Tiranës përmes ekranit të televizorit! Uroj që të kemi një ndeshje të bukur dhe uroj që të kalojë sa më shpejt kjo situatë dhe të jemi të gjithë në aktivitet normal!/Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV