Lorenc Vangjeli: Shqiptarët në Evropë, Shqipëria jashtë!

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive

Për të shtatën herë radhazi, Bashkimi Evropian refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Cilat janë arsyet dhe përse është rritur euroskepticizmi nga vendet anëtare të BE-së. Sjellja e politikës shqiptare për çështjen e integrimit dhe a do të ndikojë mos hapja e negociatave në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Flet për gazetën “Fjala” analisti Lorenc Vangjeli.

-Refuzimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, a do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve në vend?

Ende duhet pritur, ende duhet shpresuar që të shmanget ajo çfarë është një kontradiktë mes dy skajesh që duhet se nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin: shqiptarët janë në Evropë, Shqipëria është ende jashtë saj. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rreth një të tretën e popullsisë së vendit që jeton prej vitesh jashtë dhe ka jo vetëm qytetarinë, por edhe mendësinë e një evropiani. Jo thjesht për brezin e dytë të emigracionit modern shqiptar, që madje flet gjuhën e huaj, më mirë se gjuhën e vendit të nënës, që është lindur, shkolluar dhe ka dashuruar në gjuhë të huaj, që njeh më mirë këngëtarët, artistët, sportistët apo edhe politikanët e atdheut të dytë sesa ata që vijnë nga dheu i babës.

Është shumë më shumë se kaq. Është edhe një shtresë e mesme, kryesisht në Tiranë dhe në ca pak nga qytetet e mëdha, që fitojnë mirë, që jetojnë mirë, që i acaron zhurma e sherri në ekranet e televizorit, që përpara se të merren me dramat e politikës në lajmet politike të vendit, zgjedhin dramat e Netflix-it. Janë edhe ata që pak ju intereson ngjyra e kravatës së Ramës apo teritali korrekt i Bashës, që janë gjithashtu evropianë. Të jesh qytetar i kontinentit, sado cinike të duket, nuk duhet të jesh i varfër. Kjo është një e vërtetë që askush nuk e thotë në Tiranë edhe kur bën festë për integrimin, edhe kur mban zi se integrimi është një kapele që nuk po vjen në Tiranë.

Shqipëria nuk është Evropë de facto. Ajo ka një klasë politike tragjikomike, një mulli absurd që rreket të bluajë dhe të ribluajë jo drithin e dobishëm, por vetëm ujin që i hyn dhe del nga lart-poshtë, ka zhurmë që rreket të shitet si muzikë. Po kështu, nuk është Evropë Shqipëria e njerëzve me mendësi komuniste, që pretendojnë të takohen me “shtetin” vetëm një herë në katër vjet, kur në këmbim të votës, pretendojnë se nuk duhet të paguajnë as drita dhe as ujë. Gjithashtu nuk është shtet evropian Shqipëria, drejtuesit e të cilës që dalin nga kjo marrëdhënie me votën, për hir të pushtetit falin edhe pagesa dritash, edhe detyrimet për ujë të pijshëm.

Pa kuptuar se Evropa nuk është porta ku hyjmë siç dalin në tufë delet nga shpella e Polifemit, por është pragu ku trokitet së pari individualisht, atëherë torba e shpresës do të mbetet bosh. Aq më shumë kur në këto kushte, kur edhe sikur Tirana të ishte si Berlini, do ta kishte shumë të vështirë të bindtte Brukselin se vlen si yll i verdhë në flamur blu. Për fajin e saj, Shqipëria ka humbur shumë kohë në rrugëtimin e saj kaotik e shpesh edhe qesharak e dramatik drejt Evropës. Sot, i vetmi ngushëllim është që mëkati për këtë martesë të dëshiruar, por gjithherë të dështuar, nuk është vetëm shqiptar. Për t’ju kthyer mullirit që nuk bluan drithë, edhe nëse ekziston vullneti i mirë, prej tij nuk mund të kërkohet të hyjë në pistën e Formula 1.

Parë nga kjo pikpamje, pak përkitje duket se do të ketë raporti i Tiranës me Brukselin në fatin e 25 prillit. Për fatin tonë të keq dhe për fatin e mirë të një grushti njerëzish që shkëmbehen me njëri-tjetrin, për ta vlen më shumë ta kenë mirë me “Kavajën, Shijakun e rrethinat sesa me Berlinin dhe Parisin, qoftë dhe pa rrethoinat e tjera të Evropës”. Ndikimi pozitiv apo negativ në zgjedhjet e ardhshme, varësisht vendimit që do të merret për Shqipërinë, do të jetë afër zeros. Në mos qoftë zero vetëm fakti që të gjithë, pavarësisht faktit, do të brohorasin fitoren në studio televizive.

Për një Shqipëri në BE a do të ketë një bashkëpunim politik mes dy forcave të mëdha për të ngritur institucionet e rëndësishme, apo politikës nuk i intereson fare ky integrim?

Edhe nëse supozohet se forcat kryesore politike do të bëhen bashkë një ditë, së paku në këtë çështje madhore; edhe nëse shmanget realisht gëzimi i lig i opozitës – të njëjtin gaz e kanë pasur dje edhe socialistët – për çdo dështim të qeverisjes; edhe nëse, nëse, nëse… e kështu pafund, pra, edhe nëse vjen një qeveri gjermane në Tiranë, siç ka qejf të supozojë shpesh Rama, situata pak do të ndryshojë. Madje edhe aspak.

Lexo edhe :  "Mund të kenë halle të mëdha"/ Robert Ndrenika i kthehet Edmond Budinës: Deri dje mbante një golf leshi të zi dhe të pa larë...

Një palë këpucë që kanë shkuar shumë shpesh tek këpucari, vlen më mirë të hidhen sesa t’u jepet shansi që të riqepen sërish. Ka një proverb të pabesueshëm në shqip që e demonstron dramatikisht një gjë të tillë dhe “promovon” dëshirën lokale: atë që zgjedh më mirë të jetë i parë katundi se i fundit në qytet. Me disa përjashtime fare të rralla, ata që paguhen për politikë në Tiranë, as ja kanë idenë Evropës dhe as kanë dëshirë e nevojë për Evropën. Janë bretkosa që jetojnë vetëm në moçalin që ngrohet vetvetiu në diell dhe që i sëmur uji që rrjedh. Janë si personazhe telenovelash turke që edhe një shikues i vëmendshëm nuk e kupton se pse janë dhe çfarë roli ka në jetën publike të vendit ajo shumicë dëshpëruese tipash që firmosin në bordero’ shtetërore dhe kapin ç’të mundin nga sisët e financave publike.

Përfaqësues të BE-së e konsiderojnë si tre pika kryesore, kusht për vendin tonë: krijimin e Gjykatës Kushtetuese; luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjet politike për çështjen e zgjedhjeve. A mund ti plotësojë vendi ynë deri në marsin e vitit të ardhshëm kur është lënë vendimi?

Pak ndryshim do të ketë edhe nëse qofshi tre apo tridhjetë e tre pikat e kushteve evropiane për Shqipërinë. Na kërkohet të ndryshojmë, në kohën kur vetë Evropa është në dinamikë ndryshimi për arsye e shkaqe shumë më madhore se halli që vjen nga vende të vogla, por që shkaktojnë telashe të mëdha siç është gjithë Ballkani. Pavarësisht megalomanisë që prodhon Gadishulli i trazuar, mendjemadh e vanitoz, i gjithë ky rajon në Berlin, për shembull, projektohet e zvogëlohet thjesht tek fraza: sa Mercedesë mund të shesim aty? Kurse në Paris, pyetja këmbehet me llogarinë sesa vota mund të fitojnë populistët në presidencialet e radhës, po të bëhet hapi i radhës drejt rajonit.

Gjithë Ballkani në përgjithësi, por edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në veçanti, duhet të heqin dorë nga iluzioni i deri djeshëm se mund të hyjnë në Evropë me gjithë dhembjen e kokës që ato shkaktojnë. Ka disa vjet që po bëhet e qartë se nëse kjo gjë ndodh, duhet të qasen me modesti dhe krenarinë e kokuljes. Edhe pa to, ka shumë zhgënjim në Perëndim dhe në qendrën tradicionale të Evropës për demokracitë postkomuniste që edhe mbas tre dekadash pluralizëm, kanë demonstruar se dinë të gjejnë defekte, të çara dhe dobësi të sistemit për hir të pushtetit.

Po kështu, këto demokraci të korruptuara, me politikanë vulnerabël ndaj dëshirës për të qenë në pushtet dhe vetë pushteti në vijimësi, kanë dëshmuar aftësi të pamenduar më parë deri edhe në lëvizjen e koordinatave gjeopolitike të vendeve të tyre. Lojërat me yjet e Evropës përballë yllit komunist kinez, ariut pa gjumë rus apo edhe mëdyshjeve euroaziatike turke, janë një dhembje reale koke nga brigjet e Atlantikut, në zemër të Evropës dhe në skajin verior të saj. Më shumë se ngushëllim për dy vendet tona, duhet kuptuar edhe sesa e rëndësishme është tradita për demokracinë si sistem. Çfarë do të lemeriste një gjerman, për shembull, për një hungarez apo polak do të ishte një akt normal.

Gjithashtu edhe për një çek, sllovak apo dhe grek, t’ia hedhësh ligjit të shkruar, shpesh është zotësi dhe jo krim; të ndash të mirat publike sipas dëshirave private është një gjë e keqe vetëm nëse nuk mbulohet dot dhe se mes të thënës dhe të bërës, edhe në Tiranë e Shkup, ka më shumë se një det në mes përtej Qafës së Thanës. Fiks aty nga ku thonë se erdhi, por u rikthye sërish në Anadoll mbi gomar Nastradini i vjetër, duke na lënë të qajmë Nastradinët tanë modernë bredna Benz-ash.

Nga ana tjetër në Evropë ka një skepticizëm të theksuar kundër zgjerimit. Ne dhe Maqedonia e veriut jemi “peng” i politikave të brendshme të BE-së, apo nuk kemi plotësuar kriteret?

Pak nga të gjitha. Për fat të keq!

Të fundit

Presidenti i FSHF-së, Duka, letër publike përpara Asamblesë së KOKSH

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar...

Një raketë e vërtetë/ Mediat zviceriane jehonë super golit të futbollistit shqiptar (VIDEO)

Kastriot Imeri është treguar vendimtar në fitoren e Servettes në transfertë ndaj Zurich. Skuadra e lojtarit shqiptar po fitonin 2-0, por kundërshtarët i vunë ata...

NATO, kërkesë zyrtare Shqipërisë: Vaksinimi i Ushtrisë të bëhet vetëm me Pfizer!

Ndërsa procesi i vaksinimit po vazhdon në Shqipëri, NATO u ka dërguar një kërkesë autoriteteve shqiptare dhe Forcave të Armatosura, duke kërkuar që vetëm vaksina...

“Jam njohur me bashkëshortin që në moshën 15 vjeçe”, ish-ministrja Klajda Gjosha rrëfen historinë e dashurisë

Historitë e bukura të dashurisë janë shumë frymëzuese për të gjithë. E tillë është edhe historia e Klajda Gjoshës. Është njohur me bashkëshortin në...

Trafikanti i drogës ekzekuton policin në SHBA, publikohen pamjet

Një trafikant droge qëlloi për vdekje një oficer policie në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ishte ndaluar për kontroll. Polici, i...

Lajme të tjera

Web TV