Çmimi i natyrës dhe ekonomia e gjelbër

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dr. Florjan Bombaj

Kultura është një pjesë e natyrës dhe natyra është shuma e të gjitha kulturave. Mendimi universal i Blaise Pascal (1623-1662) është i rëndësishëm në epokën moderne sepse në të gjithë botën ekonomistët kanë vërejtur që burimet natyrore, dhe në përgjithësi të gjithë elementët që kontribuojnë në cilësinë e jetës, po denatyrohen gradualisht. Llogaritja klasike ekonomike, e cila në shumicën dërrmuese të rasteve mbetet ende elementi i vetëm i vlerësimit, mund të përfshijë vetëm të mira që kanë një çmim.

Ky çmim realizohet gjatë një shkëmbimi të lirë midis shitësve dhe blerësve. Nëse nuk ka shkëmbim nuk ka çmim dhe të mirat që janë në këtë situatë thuhet se janë të patregtueshme. Fatkeqësisht këto të mira si ajri, uji ose peizazhet janë të mira të domosdoshme, të mira për të cilat trupi dhe mendja njerëzore nuk bën dot pa to. Rrjedhimisht lind pyetja: cili është çmimi i natyrës? Kjo pyetje nga njëra anë lidh kompleksitetin e natyrës me bashkë-evolucionin e saj që ndodh për një kohë të gjatë, dhe nga ana tjetër ekonominë dhe algoritmat e saj të afta për llogaritje me një shpejtësi që mund të arrijë nano sekonda.

Çmimi i Natyrës. Sipas teorisë ekonomike standarde, parandalimi i degradimit të natyrës kërkon krijimin e një tregu, domethënë lidhjes midis pronës private dhe çmimit. Që nga botimi i artikullit “Tragedy of the Commons” (Garrett Hardin, 1968) është krijuar ideja e monetarizimit të natyrës. Mirëpo t’i vendosësh natyrës një çmim do të thotë ose të vendosësh një shumë monetare për të ose t’a valorizosh atë. Natyra, e domosdoshme për njerëzimin dhe komunitetet, ofron shërbime thelbësore për aktivitetet ekonomike, të tilla si pastrimi i ajrit, filtrimi i ujit, fertilizimi i tokës dhe shumë më tepër.

Sistemi ekonomik dominant i sheh këto shërbime të natyrës si falas. Në shumicën e proceseve të vendimmarrjes ekonomike kjo vlerë e saj injorohet, dhe më konkretisht vlera e biodiversitetit. Kjo është arsyeja pse vlera ekonomike e biodiversitetit ka qenë objekt i shumë kërkimeve vitet e fundit, duke marrë parasysh se shoqëria njerëzore “nuk mbron mirë atë që nuk ka vlerë” (Georges Ribière, 2013). Por pjesa më e madhe e këtyre kërkimeve janë kufizuar vetëm në vlerën ekonomike, ndërsa ky aspekt, i vetëm, padyshim që nuk mund të merret parasysh kur flasim për biodiversitetin.

Kërkimet shkencore të fundit nxjerrin në pah dy tendenca kryesore: një vlerë instrumentale, e simbolizuar nga nocioni i “shërbimit të ofruar” (njeriut) dhe një vlerë të brendshme, duke e konsideruar biodiversitetin si një “qëllim në vetvete”. Kërkimet e kryera mbi vlerën instrumentale e kanë klasifikuar atë në kategori të ndryshme, prej të cilave mund të përmendim një sintezë rreth të ashtuquajturave vlerave “të përdorimit” dhe të ashtuquajturave vlerave “jo të përdorimit”. Për vlerat e përdorimit, ne mund të rendisim vlerat e përdorimit “të drejtpërdrejtë”, domethënë ato të shërbimeve të furnizimit: furnizimi i mallrave dhe produkteve nga ekosistemet (ushqimi, ujë, materiale dhe fibra, bioenergji), lëndëve të para për industrinë farmaceutike, kozmetike dhe shëndetësore, kulturave lokale dhe turizmit, të tilla si peisazhet dhe pyjet, etj. Vlera e jopërdorimit përfaqëson vlerën aktuale ose potenciale të një burimi në varësi të qëndrueshmërisë së tij, pavarësisht nga përdorimi i tij.

Metodat e vlerësimit ekonomik kanë si qëllim t’i atribuojnë vlera sasiore mallrave dhe shërbimeve të siguruara nga burimet, pra t’i atribuojnë çmime tregut sidomos të biodiversitetit dhe shërbimeve ekosistemike. Pra këto metoda përpiqen të kuantifikojnë vlerën e këtyre mallrave dhe shërbimeve. Sipas rrymës ekonomike të dobisë margjinale, shprehja monetare e vlerës së një malli ose shërbimi rrjedh nga tre faktorë: dobia e tij, mungesa e tij dhe preferencat individuale. Kjo teori e dobisë margjinale, thotë se çdo vendim individual rezulton nga një krahasim i kostove dhe kënaqësisë që rrjedhin nga konsumi i një të mire. Vlera e këmbimit e një malli matet kështu nga dëshira e individëve për t’a marrë atë. Secila e mirë mund të ketë vlerën e përdorimit të saj në përputhje me shijet subjektive të individëve dhe rrethanave, por në fund të fundit vetëm vlera e këmbimit mund të vërehet.

Prandaj nuk ka asnjë vlerë në vetvete, por vetëm një çmim, i cili është rezultat i shumës së preferencave rrethanore dhe subjektive. Pavarësisht gjykimit që mund të bëhet mbi këtë teori ekonomike, temë e debateve të shumta, mësimi i parë që mund të nxirret prej saj është se ajo mohon vlerën e brendshme të biodiversitetit dhe interesohet vetëm për vlerën instrumentale të tij. Gjithsesi ajo ka avantazhin e hapjes së një fushe pragmatike për vlerësimin e tij brenda një kuadri analitik ekonomik që është mbizotërues sot. Ky pragmatizëm është pa dyshim rruga më e sigurt për të përparuar në një botë të papërsosur, edhe nëse kjo strategji mund të shihet nga disa si një aventurë e rrezikshme.

Lexo edhe :  Mosha e përfitimit / Rritja e madhe që do të ndodhë me pensionet

Dhënia e një përgjigjeje pyetjes se cili është çmimi që i duhet dhënë natyrës, është jashtëzakonisht komplekse, për shkak të shumësisë së njësive matëse. Disa ekonomistë besojnë se është e mjaftueshme për t’i dhënë “çmimin” e duhur secilës specie, secilit ekosistem, secilit shërbim të ofruar nga biosfera. Të tjerë konsiderojnë, përkundrazi, se nuk duhet të biem në grackën e monetarizimit të natyrës, në të njëjtën mënyrë që nuk i japim një çmim trashëgimisë kulturore. Por në këtë rast, çfarë alternative duhet zgjedhur që përgjegjësit e eksternaliteteve negative të gjeneruara nga humbja e biodiversitetit të mbajnë përgjegjësitë e tyre?

Ekonomia e Gjelbër. Një përgjigje sistemike globale ndaj kësaj pyetjeje u formulua në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin në Rio de Janeiro në 1992, kur përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse përpunuan dhe miratuan një strategji për zhvillimin e qëndrueshëm. Thelbi i zhvillimit të qëndrueshëm është sigurimi i rritjes ekonomike, e cila bën të mundur harmonizimin e marrëdhënieve njeri-natyrë dhe ruajtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Një numër programesh afatgjata brenda kornizës së konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm po zbatohen në të gjithë botën. Në ditët e sotme, zhvillimi i ekonomisë së gjelbër është një nga shtysat kryesore të rregullimit të aktivitetit ekonomik për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.

Roli i shtetit në këtë proces po rritet me shpejtësi në të gjithë botën. Një zvogëlim i ndikimit të aktivitetit ekonomik në mjedis konsiderohet të jetë një nga hapat kryesorë drejt zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. Ekonomia e gjelbër si një mënyrë ekologjike e të bërit biznes, synon të bashkojë rritjen ekonomike me natyrën. Ekonomia e gjelbër është një model i ri antikrizë për ekonominë botërore me objektivat e saj strategjike. Eksperiencat e deritanishme tregojnë se të ashtuquajturat politikat të gjelbëra në të gjithë botën lidhen drejtpërdrejtë si me problemet urgjente mjedisore, të cilat janë më të rëndësishme në shumicën e shteteve, ashtu edhe me nivelin social, ekonomik dhe inovativo-teknologjik.

Por në cilat kushte Ekonomia e Gjelbër mund të bëhet paradigma e re e zhvillimit ekonomik e aftë që t’u përgjigjet krizave klimatike, ushqimore, financiare, etj., që po kalon bota? Cilat do të ishin rrugët e një modeli të prosperitetit ekologjik dhe të barabartë, si një alternativë ndaj kapitalizmit të globalizuar? Situata aktuale fakton që sistemi dominues i shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe mjedisit nuk mund të zgjasë më në format e tij aktuale. Kushtet për një tranzicion të vërtetë janë tani mesë të nevojshme për t’u zbatuar nga aktorët shkencorë, socio-politikë dhe ekonomikë.

Konceptet e “të mirave të përbashkëta”, “prosperitetit pa rritje”, të “qëndrueshmërisë”, të “tranzicionit ekologjik dhe shoqëror”, strukturojnë shumë prej këtyre kushteve. Përmes raporteve të ekuilibruara me mjedisin, të cilët favorizojnë vlerën e përdorimit mbi vlerën e këmbimit, pronën publike ndaj pronës private, rishpërndarjen ndaj akumulimit, proceset demokratike ndaj marrëdhënieve të dominimit, diversitetin dhe ndërkulturalitetin kundrejt standardizimit, duhet siguruar aksesi i të gjithëve për të mirat e përbashkëta. Sistemi aktual ekonomik dhe qeverisja globale bazohen në bashkëjetesën e sovranitetit shtetëror, fuqinë e plotë të forcave të tregut, të drejtën ndërkombëtare joadekuate si dhe krijimin e kushteve për papërgjegjshmëri të përhapur. Pavarësisht nga krizat e shumta, çdo pikëpyetje strukturore e një modeli të tillë deri më sot ka mbetur politikisht e paimagjinueshme.

Për dekada me radhë sasi të mëdha të kapitalit janë investuar në pasuri të paluajtshme, lëndë djegëse fosile dhe aktive financiare por relativisht pak në burimet e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, transportin publik, bujqësinë e qëndrueshme, mbrojtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit si dhe ruajtjen e tokës dhe ujit.

Sidoqoftë, kjo skemë investimesh trashëguar nga shekulli i 20-të shteron stokun e burimeve natyrore të botës, shpesh në mënyrë të pakthyeshme, dëmton mirëqenien e brezave të tanishëm dhe do t’i vendosë brezat e ardhshëm përpara rreziqeve dhe sfidave të shumta. Ekonomia e Gjelbër sugjeron qartë se kufizimet mjedisore bëhen një mundësi ekonomike, veçanërisht përmes zhvillimit të sektorëve të rinj të ekonomisë. Por, në mënyrë që mbrojtja e mjedisit të gjenerojë rritje për dekadat e ardhshme, ajo duhet të bazohet në një valë të re të inovacioneve teknologjike që duhet të vendosen në një shkallë të gjerë, duke krijuar vende pune dhe pasuri.

Të fundit

Mori në krahë djalin pasi ia rrëmbyen gjyshërit, nëna prek me deklaratën e saj

Nëna 23-vjeçare, Ile Gjuni, është bashkuar me djalin e saj tw mitur, Amarin pas më shumë se 1 jave....

Kina mund të përpiqet të marrë nën kontroll Hënën? Ja çfarë thotë NASA

NASA ka paralajmëruar se Kina mund të tentojë të marrë përsipër pjesë të Hënës brenda vetëm disa viteve. Administratori i agjencisë hapësinore Bill Nelson...

Mark Marku: Kërkova Rithemelimin e PD kur ishte në pushtet, më thanë ik na ler rehat

Ditën e sotme, gjatë një rrëfimi ndryshe në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, ka treguar se ka...

Tiranë/ Pamje tmerri, automjeti tërheq zvarrë qenin në rrugët e kryeqytetit

Një video e pazakontë është shpërndarë në rrjetet sociale. Një qytetar ka kapur përmes telefonit të tij, momentin teksa një automjet tërheq pas vetes...

Meta e Kryemadhi nuk janë Çausheskët e Tiranës, Berisha dhe leksioni Veliaj për të tre

Nga Lorenc Vangjeli Eshtë e pamundur t’i shpjegosh një “alieni” që vjen për herë të parë në Tiranë, se çfarë po ndodh me politikën në...

Lajme të tjera

Web TV