Kosovës i ka ra bixha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekskluzive

Nga Leonard Veizi

 Kosovës i ka ra bixha. Kur them “bixha” nuk kam ndër mend ndonjë fjalë të keqe, se mos ma merrni për ters o të uruar. Por kjo fjalë e zhargonit popullor, që në një çast të caktuar euforie më doli nga shpirti, ka të bëjë me bixhozin. Është pak a shumë si me të thënë: Kosovës i ka rënë lotaria.

Po ç’është kjo lotari, do pyesni ju.

Po mundohem ta shpjegoj, ashtu siç e mendoj unë në fakt.

Po ja, me shumë gjasa Kosova mund të ketë shansin që të përfaqësojë për herë të parë në historinë botërore të futbollit, edhe shqiptarët, pikërisht në eliminatoret e një kampionati. Dhe bëhet fjalë për “Katar 2022”.

Hajde babam, hajde. Nam i zi.

Po si kështu?

Para ca ditësh në Zyrih të Zvicrës u hodh shorti i eliminatoreve të këtij Kampionatit për zonën e Evropës. Punë goglash mo. Përfaqësuesja e Kosovës u bë pjesë në Grupin B, me 5 skuadra. Lajmet që u shpërndanë me shpejtësinë e rrufesë thanë se kundërshtarët e “Dardanëve”, – po flasim me terminologjinë e vjetër, por që në fakt duhej futur si e re, –  janë Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.

Birinxhi.

Mirëpo nja dy portale, që prej ca kohësh janë bërë të njohura edhe për sensin provokativ, e cilësuan si: “grupi i ferrit”. Demek, futboll “strong”. Që do të thotë se pretendimet e dardanëve do të shkonin për dhjam qeni. E që në fund fare është njëlloj si me thënë: Po luajmë kot, se humbjen e kemi në xhep e të garantuar me noter.

Po pse kështu?

Topi vërtet i rrumbullakët është, por a bëhet shaka me Spanjën, po me Suedinë, po me Greqinë, po me Gjeorgjinë???

Meazallah.

Të gjithë do ta rrahin vençe, e do t’i fusin gola Dardanisë sa do të shqyejnë rrjetën. Kështu që… jemi të humbur që në fillim. Dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë t’i bëjmë rixha De Biazit që të paktën e futi Shqipërinë në eliminatoret e kampionatit Evropian.

Rrofsh o Xhan.

Edhe atëherë me tre pikët që i morëm në tavolinë Serbisë. Se kështu e kanë këto punë, punë tavolinash.

Mirëpo që në fillim të shkrimit paralajmërova se Kosovës i paska rënë bixha. Dhe ju sërish do pyesni: e ç’është kjo bixhë-lotarie në mes të kësaj fatkeqësie.

Epo medalja ka gjithmonë dy faqe, një të parme e një të prapme. Ja ta kthejmë rrotën një herë, të shohim çdo na dalë.

Në katër shtete të grupit “B”, me të cilët do të përballet përfaqësuesja e Kosovës, vetëm një prej tyre e njeh shtetin e ri të shqiptarëve. Tre të tjerët e kanë mohuar kategorikisht njohjen: Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia.

Epo… pushka top smirëzinjve. Meqenëse e kanë marrë me përpjetë e nuk bëjnë rrugë. Mirëpo ‘uthulla e fortë prish enën e vetë’, thotë populli. Dhe populli sentencat i ka mbështetur mbi përvojën.

Por gjithsesi jo çdo gjë e keqe vjen vetëm për keq. I duhet parë ana pozitive problemit. Ja që dhe kjo e ka të mirën e saj. Se kur nuk e njeh tjetrin do të thotë se dhe nuk pranon të luash me të. Po nuk pranove të luash ka penalitete. S’të fal FIFA. Qeveria me rregulla, shtëpia me tjegulla. Se na bie shiu brenda pastaj. Ndaj kjo do të thotë që këta inatçinjtë e këqij duhet t’i japin Kosovës tre pikë në tavolinë. Ja ta bëjmë llogarinë njëherë: Domethënë 3 pikë nga Spanja, i shtojmë dhe 3 pikët e Greqisë, na bëjnë 6 pikë, e po t’i shtojmë dhe 3 pikë që do japin gjeorgjianët na shkojnë plot 9 pikë. Llogari pa kalkulator elektronik. Nuk ishte problem i vështirësisë së lartë. E ç’na mbetet në fund? Suedia më duket. E në këto kushte nordikët mund ta rrahin për qejf Kosovën e t’i fusin gola sa t’u dojë qejfi, se kësaj të fundit s’kanë ç’i duhen më pikët e tjetra për të siguruar biletën e për të fluturuar drejt Katarit.

Ja kështu bëhen hesapet or tungjatjeta.

Dhe thoni pastaj se Kosovës nuk i ka ra bixha. Bixhë e çfarë bixhet se…

Mirëpo axhanset po thonë se iberikët, – domethënë spanjollët me nder jush, – paskan kërkuar që ndeshja të bëhet në një fushë neutrale, pasi qeveria vendase nuk do të lejojë simbolet kombëtare të shtetit të ri të shqiptarëve të valëviten në stadiumin e Madridit.

Lexo edhe :  “Je Papote”: Shqipëria magjeps me bregdetin dhe kulturën e pasur mesdhetare

Oooooo… këtu e shkeli Spanja. Po fare-fare. Kjo nuk ishte dëgjuar që nga koha e Frankos. Tani, o e njeh Kosovën o nuk e njeh. Dhe më ha dhe më kruhet. Edhe s’të njoh, por edhe do luaj futboll. Jo se dhe u çoroditëm nga mendja në këtë mënyrë. Kaq mban kapaciteti dhe duhet të fillojmë llogaritë nga e para. Se kështu si po veprojnë spanjollët e Iberikut do t’i hapet oreksi edhe Greqisë por edhe Gjeorgjisë jarebi.

Jo o vëllezër spanjollë, nuk bëhet kështu. Jeni apo s’jeni burra. Dhe burrat këtej nga gadishulli ynë e mbajnë fjalën. Ja, në shpresë të grekëve jemi. Nuk lëpihet ajo që ke pështyrë. Andej nga gadishulli juaj vetëm në qoftë se gjaku është bërë ujë. Se nuk bën burri për tre pikë. Dhe ne kemi shembullin tonë, heroik fare. Mund t’ua themi sërish po qe se dhe kujtesën e keni të shkurtër.  Kishim shokun Enver një herë e një kohë. Ai, si i pari i vendit nuk e njihte Izraelin. Se sipas tij ishte një shtet i tipit sionist e fashist dhe Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me të. Mirëpo kur një herë na ra bixha, apo goglat, që Shqipëria të luante me Izraelin, për llogari të një kampionati lokal, shoku Enver, si burrë që ishte, nuk e bëri llafin dysh. La pikët në tavolinë, pagoi dhe gjobën për thyerjen e rregullave, por as kërkoi bisedime diplomatike për të luajtur në ndonjë fushë neutrale, dhe as bëri pazare, “jo ne… jo ata”. Shqipëria nuk luajti me Izraelin dhe pikë. Shyqyr që Amerika asokohe vazhdonte të ishte në kontinentin tjetër, se po të na binte bixha te goglat, as me të nuk do luanim e do vazhdonim të paguanim gjobat.

Nejse… iku ajo kohë.

Tani jemi në kohë të tjera. Sa shumë ujë kanë rrjedhur. Edhe LGBT-ja ka bërë shoqatë që njihet zyrtarisht. Tani diplomacia bën të mundur që të kesh marrëdhënie artificiale me atë që s’e njeh e nuk do t’i shohësh bojën. Kjo nuk do të thotë se: meqenëse nuk të njoh po të jap dhe pikët e mija. Jo ore jo, do luajmë futboll… edhe pingpong po deshe. Domethënë: do të të njoh edhe pse s’të njoh.

Këtu mendja më bëhet dhallë në fakt, ordinatori më prishet e llogaritë nuk më dalin fare.

Po në djall le të vejë dhe kjo punë. Kur Spanjës, – padyshim kampione bote dhe i Evropës njëkohësisht, – i dhimbet aq shumë topi i futbollit sa është gati të bëjë ca lloj kompromisesh vetëm që të shkojë në Katar, epo në djall le të vejë. Se kësaj i thonë “me e hëngër burri fjalën si me hëngër një… salsiçe”. E po vazhdoj të perifrazoj shprehjen e aktorit të madh shkodran Bep Shirokës tek filmi “Çifti i lumtur”: “Më vjen keq që një shok i klasës tonë punëtore e dredh fjalën si tel. Po kjo është parimore mor shokë”.

Eh, ç’na gjet belaja me Spanjën. E nuk po humbas kohë këtu fare e të flas për Greqinë apo Gjeorgjinë, se helbete, kush e di çfarë surprizash na presin. Por deri tani këta nuk e kanë hapur zgurdullën. Po mendojnë e bëjnë plane konspirative si të hedhin hapin e radhës. Që, ‘edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet’.

Po çfarë mendoni ju, se grekët do ua japin tre pikëshin shqiptarëve? Nuk bën vaki or jo. Mos u gënjejë mendja. Edhe këtej burrat ikën me kohë, u vranë në luftë. Tani kanë mbetur vetëm politikanët. Dhe ata do ta gjejnë një zgjidhje. “Kosovën nuk do ta njohim, por për ngjyrat e Atdheut do luajmë futboll”.

Ja kjo është filozofia e ditëve të sotme, nuk do shumë mund për t’u kuptuar besoj.

Të fundit

“Javën e ardhshme miratojmë…”/ Meta jep lajmin: Do të rriten pagat për sektorin publik

Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e...

Vënia në pranga dhe dorëheqja e Goros, OMONIA ngre pikëpyetjet për pronat në Himarë

Komuniteti grek në Shqipëri, OMONIA ka reguar pas arrestimit dhe dorëheqjes së kryebashkiakut në detyrë të Himarë, Jorgo Goro. Në deklaratën e tyre, thuhet se...

Çfarë po ndodh? Një tjetër ish-kryebashkiak socialist paraqitet në SPAK (Emri)

Ish-kryetari i bashkisë së Sarandës Stefan Çipa është paraqitur sot në SPAK. Mësohet se ish-kryebashkiaku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e inceneratorëve. Zyrtarisht...

“Investimet e huaja janë rritur”/ Rama: Ekonomia shqiptare ka marrë një vlerësim të mirë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ka potenciale për të vjelë investime të huaja. Ai tha se kërkesa për Shqipërinë rritet në mënyrë eksponenciale. Sipërmarrja...

Kur do të pastrohet ajri nga pluhuri saharian? Flet sinoptikania Porja

Pluhuri saharian ka përfshirë të gjithë Shqipërinë, përshirë edhe kryeqytetin, duke shkaktuar probleme në frymëmarrjen e njerëzve. Sinoptikania Lajda Porja shpjegoi se pse ndodhi ky...

Lajme të tjera

Web TV