Administrimi fiskal dhe politika e paqartë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduard Gjokutaj

Politika e mobilizimit të të ardhurave në shërbim të programeve buxhetore është detyra e parë e institucionit të financave publike. Në shërbim të maksimalizimit të këtyre të ardhurave, si dhe për të krijuar një ambjent më të mirë për biznesin vendas dhe të huaj ndodh që për çdo vit të miratohen politika që ndryshojnë legjislacionin tatimoir duke e servirur për publikun në formën e një pakete fiskale.  Këto amendime në vitet e fundit përfshijnë përmbledhtazi konsolidimin e modelit te taksave për burimet natyrore, si dhe përpjekjes për të reformuar administrimin e taksimit të pasurisë mbi ndërtesat private bazuar mbi vlerën e tregut dhe jo mbi sipërfaqen.

Në politikën fiskale në përgjithësi ka dominuar fryma e rritjes, uljes, zhvendosjes dhe përjashtimeve nga niormat tatimore, por që është shoqëruar në vijimësi nga paqartësi dhe kundërshtime nga biznesi, ekspertët, si dhe me rekomandime në formën e tërheqjes së vëmendjes nga ana e Fondit Monetar. Politika fiskale si fillim aplikoi rritjen e barrës (a) të taksave të punës për pagat e mesme dhe ato të larta, si dhe (b) të tatimit në burim për individin e paregjistruar si biznes duke ulur barrën për pagat e ulëta. Në fillimet e vitit 2014, u vijua me rritjen e normës së tatimit mbi fitimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha, rritjen e taksës për automjetet e luksit, rritjen e taksave ambjentaliste për naftën dhe benzinën.

Rritje u aplikua edhe për taksën kombëtare për lëndët e para dhe prodhimet e produktet e plastikës dhe rritja e rentës minerare për eksportin e kromit Për herë të parë u miratua një taksë e akcizës për gazin e lëngshëm për automjetet. Ndërsa u përfshinë me TVSH me normë të reduktuar nga norma standarte 20% furnizimet e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, shërbimi i mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me kapacitet 9+1 vende ose me shumë, si dhe furnizimi i librave të çdo lloji.

Në mënyrë po të paqartë u ndryshua edhe taksimi i të ardhruave të individëve që kryejnë më shumë se një punë. Të punësuarit në më shumë se një punëdhënës, pavarësisht se nuk e kalojnë kufirin vjetor të të ardhurave 2 milion lekë do të taksohen mbi të ardhurat gjithsej dhe me nivel më të lartë takes mbi pagën nga sa është taksuar. Ndërkohë, në gjithë këto vite janë aplikuar dhe lehtësira fiskale për segmente të caktuara takspaguesish dhe aktivitetesh ekonomike. Në vitet e para u ul taksimi mbi pagën për një segment punëmarrësish me paga më të ulëta se niveli minimal.

Nga viti 2014, biznesit të vogël me qarkullim nën 8 milionë lekë iu përgjysmua tatimi thjeshtuar mbi fitimin në 7.5%. Norma tatimore e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në 2016 u ul përsëri me 5% për segmentin e bizneseve të vogla me xhiro nga 5-8 milionë lekë në vit dhe u zerua për segmentin e bizneseve të vogla me xhiro nga 0-5 milionë lekë në vit.  Nga viti 2019, u ndryshua segmentimi i biznesit për efekt të aplikimit të normës së tatimit mbi fitimin. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë norma e tatimit mbi fitimin u bë sa 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin mbeti sa 15% e fitimit para tatimit. Në mes të vitit 2020, për taksapaguesit me qarkullim deri në 14 milionë lekë u zerua norma e tatim fitimit.

Në vitet në vijim u zerua për një periudhë 10 vjeçare tatim fitimit për kategorinë e hoteleve turistike me 4 dhe 5 yje, të cilëve ju reduktua edhe norma e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë. Ulje të tatimit mbi fitimin u miratua edhe për aktivitetin e prodhimit dhe zhvillimit të programeve informatike.

Ndër uljet e dy viteve të fundit janë ulja e tatimit mbi fitimin për fermerët. Në mënyrë jo të qartë u ul tatimi mbi dividentin me 47% për fitimet e pashpërndara të viteve fiskale përpara vitit 2018. Ndërkohë, që u ul norma e tatim fitimit, nisur nga ardhja e një investitori me aktivite në prodhimin e pjesëve teknologjike për autovetura. Një zerim i tatimit mbi vlerën e shtuar u aplikua në vitin 2019 për nënkontraktorët e regjimit të përpunimit aktiv (fasonëve). Në vitin 2019 u aplikua normë e reduktuar 10% TVSH në importimin e autobusëve elektrike dhe një normë më e ulët kompensimi për fermerët, por që për ta kjo do të thotë mosnjohje e TVSH-së së shpenzimeve për një pjesë të madhe të tyre. Përjashtimeve nga TVSH-ja ju shtuan furnizimi i makinave bujqësore, furnizimi i inputeve bujqësore, furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake, importimi i lëndëve të para për prodhimin e barnave.

Një politikë e paqartë është ajo që u lancua në mes të vitit 2020 në kontekstin e përfitimit nga bizneset duke përjashtuar nga TVSH bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milion lekë, të quajtur si biznese të vogla. Dy vite më parë qeveria mori vendimin që të ulte pragun e tatimit mbi Vlerën e Shtuar për segmentin e bizneseve të vogla duke e ulur pragun nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Kjo politikë e paqartë u kundërshtua nga ekspertë fiskalë, organizata biznesi dhe vetë bizneset, por zëri i tyre nuk u dëgjua.

Lexo edhe :  Raporti i "Standard and Poors", përmirëson për herë të parë vlerësimin për Shqipërinë

Ministria e Financave e argumentoi këtë politikë me arsyen e disiplinimit të zinxhirit të tregtisë dhe nxitjen e lëshimit të kuponave fiskalë dhe faturave tatimore me TVSH. Tashmë me politikën e përjashtimit nga TVSH e biznesit të vogël, përveç se argumentohet se do të lehtësojë qeverisjen fiskale për të qenë më mirë e shërbyer nga politika dhe administrata është harruar argumenti i dy viteve më parë se ulja e pragut të TVSH-së do të ndihmojë mirëadministrimin e saj nëpërmjet edukimit fiskal nëpërmjet faturimit.

Nisur nga kjo politikë e fundit, ku në realitet ka krijuar probleme në ambjentin e të bërit biznes, por edhe ka stimuluar korrupsionin nëpërmjet paqartësive që ka krijuar është një problem që lidhet me programin dhe viizionin e pakonsoliduar të qeverisë aktuale. Në fakt kjo është një sëmundje e çdo qeverie të tre dekadave të fundit. Të gjitha ato së bashku premtojnë tjetër gjë dhe në momentin e marrjes së drejtimit të qeverisë joshen nga politika momenti, që nuk kanë lidhje me strategjitë kombëtare, por as me gjithë kontekstin e marëdhënieve të parneritetit që ka ekonomia jonë si detyrim për marrëveshjet që ka nënshkruar.

Nisur nga kjo paqartësi e të kaluarës, ende politika fiskale nuk është distancuar nga krijimi i një ambjenti biznesi të paqëndrueshëm, të mjegullt dhe volunarist ndaj ofertave të lobeve të biznesve dhe ndërhyrjeve të politikës së ditës. Përpjekjet për të rritur kapacitetin tatimor duke e bërë administratën tatimore të funksionojë në mënyrë më efikase dhe duke zgjeruar bazën e taksave është thelbësore, megjithatë realizueshmëria e kësaj qasje shpesh varet nga konsiderata politikës për administrimin. Përjashtimet nga taksat synojnë të targetojnë për të përfituar një nëngrup i caktuar tatimpaguesish dhe zakonisht ato miratohen për të mbështetur një politikë të veçantë qeverisëse.

Në këtë kontekst, politikat që inkurajojnë bizneset të rrisin punësimin dhe investimet përmes uljes së taksave, duke ndërhyrë me raste edhe me garanci nga tregu financiar për kredi të buta, ose trajtime të tjera preferenciale përbëjnë një kategori kryesore të përjashtimeve nga taksat. Por, në të gjitha këto përjashtime nëse i analizon në kronologjinë e kohës shikon problemin e mbartur të adresimit jo të duhur drejt një segmenti të duhur taksapaguesish. Nga kjo qasje nëse lexon argumentet dhe qëndrimt e mbajtura nga qeveria në mbrojtje të ndryshimeve fiskale shikon edhe kundërshti.

Në ndryshimet që janë bërë për rritjen e taksave përgjithësisht perceptohet se buxheti ka nevojë për të taksuar më shumë ata që mund të mos jenë taksuar njësoj me nëngrupet e tjera të taksapaguesve në të kaluarën (p.sh. nga efekti i taksës së sheshtë). Ndërkohë, rritja është edhe një nevojë që ka vetë buxheti për të përballuar shpenzimet. Por, kjo politikë nuk shprehet dhe argumentohet në asnjë rast nga qeverisjet, pasi në radhë të parë për to vlen perceptimi i publikut se kujt krahu politik do ti japë meritën për taksat e ulëta. Ndërkohë, që koha që jetojmë ka nevojë për të edukuar publikun dhe biznesin për nevojën e taksave, qofshin këto edhe pak më lartë se më parë.

Me uljet dhe përjashtimet, paqartësia e politikës fiskale është shumë e madhe. Dukshëm vetë politika vit pas viti nuk e ka ditur as vetë se ku po e drejtonte administrimin e të ardhurave. Përjashtimet tatimore, në tërësinë e tyre kanë synuar të stimulojnë bizneset vetëm në akte ligjore, por pa konsideruar zbatimin e tyre dhe ambjentin ku aplikohen këto përjashtime. Në analizat e pakta dhe relacionet për buxhetin nuk përfshihet asnjëherë rrisku i evazionit fiskal. Programimi i të ardhurave ka probleme të mëdha.

Performanca e administrimit matet me realizimin e planit buxhetor, pa analizuar se në fakt problemi i planit përcillet si rrisk te administrimi. Ndërsa plani është një trashëgimni nga sistemi i kaluar, vendet përreth dhe ato të zhvilluara e kanë orientuar politikën e administrimit drejt ngushtimit të evazionit, pasi ai është korrozioni më i madh për buxhetin dhe ekonominë. Në vend të gjithë këtyre politikave me ulje dhe ngritje, me mesazhe të gabuara dhe ndonjëherë edhe të drejta problemi i politikës fiskale dhe qeverisjes së taksave duhet të orientohet dhe ti shërbejë me veprime biznesit dhe taksapaguesve. Ata kanë nevojë që të jenë të sigurtë, të qartë dhe të pangacmuar në çfarë duhet të paguajnë në formën e barrës fiskale.

Nga shumë studime dhe rekomandime për politikën fiskale dhe ekonominë rekomandohet se ndikimi i politikës së përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale mund të dobësohet ose të forcohet në varësi të një pakete stimuluese taksash ose politike për uljen e barrës tatimore, por kjo është me ndikim më të vogël dhe më pak të rëndësishëm se faktorët e tjerë, siç janë kostot e punës, informaliteti, korrupsioni dhe produktiviteti.

Të fundit

Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Monedha e eurozonës shitet sot me 104.8 lekë. Dollari amerikan këmbehet me 97 lekë. Paundi britanik kap sot vlerën e 121.5 lekëve. Dollari kanadez këmbehet në...

Disa mënyra se si të lehtësosh sikletin e alergjive në pranverë

Për shumë njerëz ardhja e pranverës është sinjali i parë i hyrjes në lojë të alergjive. Ata që i përjetojnë tashmë e dinë mirë...

Pluhuri afrikan, Guri: Duhet të ishte parashikuar, qytetarët të painformuar

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

A do rikthehet pluhuri saharian në Shqipëri? Sinoptikani zbulon çfarë pritet të ndodhë

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

Shembja e urës në Baltimore/ Gjenden dy trupa të pajetë në një kamion të zhytur në ujë

Trupat e dy personave të pajetë janë nxjerrë nga një kamion i kuq, i cili ra në ujë ku u shemb ura e Baltimores...

Lajme të tjera

Web TV