25 prill 2021/ Katër muaj para zgjedhjeve, pikëpyetjet se nga do të anojë pushteti

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të këtyre 30 viteve, është ende e vështirë të përcaktohet qartësisht se nga do të anojë pushteti pas 25 prillit. Taktikat e opozitës dhe mazhorancës për të maksimalizuar votat dhe shtimi i elektoratit gri që mund të jetë përcaktues qoftë edhe me mospjesëmarrje në votime. Si po e shfrytëzojnë metodën e re të fushatës elektorale Rama dhe Basha për shkak të pandemisë. Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.

Nga Fernada Cenko

Për partitë politike, por edhe një elektorat disi militant, numërimi ka nisur së prapthi, kur kanë mbetur vetëm katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare të 25 prillit 2021. Dilema është e madhe, pavendosmëria gjithashtu. Rezultatin final askush nuk e lexon dot qartësisht. Në një gjykim të ftohtë, pakënaqësia popullore për qeverisjen është e madhe, e nxitur edhe nga problematikat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe pandeminë e coronavirusit që ka ndikuar në rënien ekonomike, por kjo lloj pakënaqësie nuk po përkthehet “automatikisht” në mbështetje për opozitën, e cila ka kaluar vitin e shtatë pa asnjë pushtet, përfshi edhe atë lokal.

PD po tenton të ngrejë strukturat e saj, por duket se ka lënë tërësisht pasdore krijimin e një fryme ndryshimi, apo dhënie shprese. Elektorati gri mbetet i madh dhe ajo që sot lexohet qartësisht është vota abstenuese, që duket se do të jetë përcaktuese në rezultatin final të zgjedhjeve të 25 prillit, duke ia lënë në dorë pjesës së angazhuar politike. Alternativat ndryshe, që zakonisht pas tetë vitesh qeverisje ofroheshin nga opozita, nuk po ngjisin dhe koha po tregon se është e vështirë që të imponohen në katër muajt e mbetur. Nga ana tjetër, pandemia ka kushtëzuar edhe formën e të bërit fushatë, pasi nuk ka më mitingje të mëdha, as takime nëpër lokale ku ftohej elektorati burrëror me ndonjë gotë birrë përpara.

Sot fushata po bëhet nëpërmjet medias dhe akoma më dendur në rrjetet sociale, ku aksesi qytetar është i madh. Në këtë formë qeveria është më e avatazhuar pasi prej kohësh e ka ndezur makinën elektorale dhe përcjelljen e propagandës politike. Nga ana tjetër opozita ka mbetur në formën standarde me denoncimin ndaj nismave të qeverisë dhe “bërtitjes” se ata po qeverisin keq, por pa dhënë shkëndijën tek vetja se pas zgjedhjeve nëse marrin pushtetin do të jenë ndryshe. Pikërisht këto detaje të dukje të vogla mund të bëjnë diferencën e madhe në rezultatin zgjedhor.

 

Leonard Karaj: Rama po keqqeveris, PD-ja ‘paguan’ gafat e së shkuarës

Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe në traditën tonë 30-vjeçare, mes tentativës për demokraci dhe anarkisë, përgjithësisht kuptohej disi qartë se nga do anonte pushteti. Përse në zgjedhjet e ardhshme është ende e vështirë të parashikohet qartësisht se cila forcë apo bllok politik është më pranë marrjes apo mbajtjes së pushtetit?

Nëse do të niseshim nga një logjikë e ftohtë, duke parë vetëm mënyrën sesi jemi qeverisur gjatë këtyre 7 viteve në përgjithësi dhe pas 2017-ës në veçanti, atëherë asnjë shqiptar me të drejtë vote nuk do të duhej të mendohej dy herë përpara kutisë së votimit: votë kundër Edi Ramës dhe “Rilindjes”. Arsyeja është e pastër si në dritë të diellit: korrupsion galopant, PPP kriminale për xhepat e shqiptarëve, sistem gjyqësor totalisht të rrënuar, me krimin që pas mbështetjes që ka gjetur tek pushteti ka sofistikuar ndjeshëm vetveten, në pak fjalë me një shtet brenda shtetit, ku të pasurit janë stër-pasuruar, të mesmit janë varfëruar dhe këta të fundit janë zhytur në mjerim. Kaq.

Nëse do të shikoje me optikën e një votuesi të thjeshtë, pa militantizëm dhe mllef politik, adresimi i fitores të zgjedhjeve të ardhshme, do të ishte fare i thjeshtë për tu kuptuar, dhe peshorja në këtë rast do të anonte ndjeshëm nga opozita. Por, ajo çka vë në dyshim këtë lloj qasjeje qëndron tek një tis fals propagande që qeveria është munduar, vijon dhe me gjasa do ta shtojë së tepërmi në muajt në vijim, duke “i shitur” votuesit/qytetarit një Shqipëri që nuk ekziston as në ëndërrat më të bukura. Gjë, që nga krahu tjetër nuk gjen ekuivalencën e opozitarizmit. Thënë më qartë, nëse do ti vlerësonim me një notë, propaganda e stisur e “Rilindjes” do të ishte për “10”, ndërsa opozitarizimi me zor do të merrte notë kaluese.

Shkak për këtë gjë është besueshmëria që ka treguar gjatë këtyre viteve PD-ja e Bashës dhe ca më pak LSI e Metës dhe Kryemadhit. Të gjitha nismat opozitariste të ndërmarra gjatë këtyre viteve të Ramës në pushtet, kanë nisur si risi shumë të mira, por më pas janë zbehur si flaka e qiririt. Hiq, reformën e dekriminalizimit, e cila ishte dhe është një fitore e padiskutueshme e PD-së, të gjitha nismat e tjera, janë sfumuar keqazi. Futja në çadër në 2017 dhe më pas mospasja e një ideje konkrete për daljen nga ajo dhe për me tepër me një marrëveshje vetëvrasëse si ajo e 17 majit, e cila solli më pas edhe humbjen spektakolare në zgjedhje; djegja e mandateve më pas dhe qasja kontradiktore (nuk mbajti dot presionin e ndërkombëtarëve) dhe më keq akoma bojkoti i zgjedhjeve vendore, ishin një autogol për opozitën. Opozita, ndoshta nuk ka kuptuar se votuesi shqiptar nuk është më ai i 2005-ës dhe ca më pak ai i 1992-it.

Nuk ka më idealistë dhe militantë që vrapojnë pas “frymës së një lideri”. Votuesi është bërë më shumë se kurrë më parë pragmatist, një person që i lodhur nga premtimet e mbajtura, tanimë nuk beson as atë çka sheh, dhe ca më pak atë çka i thua se do bësh. Në këtë kuptim, ndonëse ka një mazhorancë të madhe njerëzish që duan sa më parë rrëzimin e Edi Ramës, po aq e madhe është edhe besueshmërtia e paktë e po këtij votuesi ndaj kësaj opozite, kjo për shkak të veprimeve dhe kundërveprimeve që ajo ka ndërmarrë sidomos gjatë viteve të fundit.

Lideri i opozitës Lulzim Basha deri më tani po ndjek një “politikë të lexueshme”, me denoncime kundër qeverisë dhe me mbajtjen e një konference për shtyp një herë në javë për çështje të ndryshme. Përse kjo qetësi e tij?

Nuk e shoh me këtë sy liderin e opozitës. Në kushtet aktuale, teksa vendi është nën thundrën e COVID-19, askush nuk mund të bëjë më shumë sesa kaq. Basha nuk mund të dalë të bëjë mitingje apo takime të gjera me qytetarët, pasi një gjë e tillë është më e pakta e palejueshme ose aspak e këshillueshme. Nga ana tjetër, unë probolemin nuk e shoh më shumë te Basha sesa tek baza e PD-së.

Ajo çka kam vërejtur vijimësisht është fakti se jo vetëm ish-deputetët por edhe drejtuesit kryesorë në qarqe janë në një gjumë letargjik. Nuk i shikon të punojnë në elektorat, paçka se kjo do duhej të ishte, puna e tyre kryesore, ndoshta edhe për shkak të një ideja vrastare që është përhapur prej disa kohësh, kryesisht në kampin opozitar se në 2021 PD-LSI do të viojnë në pushtet, “se u ka ardhur koha”.

Ky është gabimi më i madh dhe një zhgënjim me kosto për këto parti. Në pushtet nuk vjen se “të ka ardhur radha”, por sepse duhet ta meritosh një gjë të tillë. Dhe nëse PD-LSI nuk fitojnë as tani (në 2021) kundër Ramës, me një keqqeverisje për “guinness”, atëherë do të thotë që problemi nuk është Rama por vetë opozita. Një opozitë që mbjell besim në elektorat do ta kishte mundur Ramën që në 2017-ën.

Pandemia ka kushtëzuar edhe mënyrën e të bërit politikë, ku zakonisht pak muaj para zgjedhjeve mbaheshin fushata agresive dhe takimet e mëdha në mitingje, ndërsa tashmë ka kaluar në një tjetër formë fushate; siç janë rrjetet sociale për të dhënë mësazhet, apo mbajtja online e konferencave dhe takimeve. Kush po e menaxhon më mirë këtë formë të re të fushatës?

E thashë edhe më lart, se PS-ja është mjeshtre e propagandës. Ndaj këtu nuk ha diskutim pyetja se kush e menaxhon më mirë apo më keq. “Rilindja” në përgjithësi ka ditur ta shesë edhe një kasolle për pallat 20 katësh. Madje, duke i bërë njerëzit që ta besojnë realisht një gjë të tillë, ndaj dje, sot dhe me gjasë edhe deri më 25 prill, PS-ja, për mendim tim do jetë shumë herë më aktive dhe agresive në rrjetet sociale përkundrejt opozitës. Dhe të mendosh që gjithë fushata me shumë gjasa për shkak të gjendjes së pandemisë do të jetë online, kjo të bën shumë të mendosh se ajo që do i shitet votuesit do të jetë veçse një gënjeshtër e bukur, por e besueshme deri në marrëzi.

Sfidat kryesore të çdo vendi të prekur nga pandemia lidhen me vaksinimin sa më shpejt të qytetarëve dhe me masat ekonomike që merren si ndihmë për biznesin dhe për të ruajtur edhe balancat e punësimit, në gjykimin tuaj si po menaxhohet nga qeveria kjo krizë dhe a do të ndikojë pandemia edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021?

Me shumë gjasa, jo. Sigurisht Rama dhe “rilindasit” do të bëjnë të pamundurën që ta shesin vetëm si “shpëtimtarët” e këtij vendi, sa me gjoja rindërtimin pas tërmeteve sa me vaksinimin, por kush ka sy e shikon dhe kush ka vehë e dëgjon, se e vërteta është dhe do të jetë përtej propagadës leniniste të mazhorancës. Në gjykimin tim, situata e pandemisë do të ndikojë vetëm në qasjen e ndryshme që partitë do të kenë ndaj elektoratit, pasi zor se do të kemi mitingje të mëdha sikundër ishim mësuar më parë. Dhe kjo gjë, penalizon partitë tradicionale dhe u jep dorë të forcave të reja politike, të cilat edhe për shkak të buxhetit të paktë do të duket sikur do të jenë në njëjtin nivel fushatbërje me të mëdhatë.

 

Lorenc Vangjeli: Bashën nuk e pranojnë as ata që e duan, as ata që e kundërshtojnë

Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe në traditën tonë 30-vjeçare, mes tentativës për demokraci dhe anarkisë, përgjithësisht kuptohej disi qartë se nga do anonte pushteti. Përse në zgjedhjet e ardhshme është ende e vështirë të parashikohet qartësisht se cila forcë apo bllok politik është më pranë marrjes apo mbajtjes së pushtetit?

Ka shumë arsye se pse ndodh kështu dhe të numërosh secilën prej tyre do të thotë të hysh në botën e filxhanit të fallxhoreve, ku e njëjta shenjë mund të shihet edhe si haber i mirë që është duke ardhur, edhe si një kurrorë mes shtëpisë. Edhe si një rrugë e gjatë për të ardhur, edhe si një rrugë gjithashtu e gjatë, por për të ikur. Me opozitën shqiptare nuk po ndodh as njëra dhe as tjetra. Ajo nuk ka projektuar as “haberin” e saj të mirë elektoral, as nuk e ka demonstruar drejtuesin e saj si kryeministër dhe si alternativë e kryeministrit aktual. Ajo nuk ka rrëfyer për shqiptarët rrugën që do të bëjë bashkë me ta në katër vitet e ardhshëm, sepse është sërish e njëjta makinë, me të njëjtat rrota, telajo e motor, njëlloj si ajo që shqiptarët e rrëzuan tetë vjet më parë në 2013-ën.

Maksimumi i asaj që po thuhet ka të bëjë vetëm me atë sesa e keqe është qeverisja e Ramës, por jo sesa ndryshe apo më e mirë do të ishte një qeverisje eventuale e Bashës. Frutat nuk piqen sepse kështu e kërkon “mideja” e dikujt. Aq më tepër fruti i pushtetit që kërkon një qasje totalisht të ndryshme nga mënyra sesi është sjellë opozita deri më sot. Po kështu, deri në prill, opozita do të duhet të paguajë disa fatura të gafave të saj të jashtëzakonshme në këtë mandat. Duke nisur me djegien e mandateve, bojkotimin e zgjedhjeve lokale, paqartësinë në ndërtimin e bllokut opozitar, e deri në pritshmëritë absurd për të krijuar një ekip që të dalë në terren.

Sot opozita, në kohën kur largohej Lleshaj dhe vinte Çuçi, sa për të marrë një shembull, duhet të kishte të paktën dy portrete që shqiptarët t’i dinin si ministrant e brendshëm alternativë të saj. Në fakt, as vetë Basha nuk di se cila është lista e tij dhe jo më shqiptarët të kenë idenë e qeverisë hije të opozitës, që fitorja e zgjedhjeve mund ta nxjerrë në “selamet” veten e vendin.

Lideri i opozitës Lulzim Basha deri më tani po ndjek një “politikë të lexueshme”, me denoncime kundër qeverisë dhe me mbajtjen e një konference për shtyp një herë në javë për çështje të ndryshme. Përse kjo qetësi e tij?

Ndonjëherë duket sikur Bashës i bien të gjithë në qafë. Kur është i qetë, i thotë që fle. Kur është i dhunshëm i thonë që është kopje e origjinalit Berisha. Kur është në institucione e nxisin të dalë jashtë, kur është jashtë, i thonë që gabove, pse ike nga institucionet. Kur vijnë zgjedhjet i thonë bojkoto, kur bojkoton i thonë se ku do të shkosh pa asnjë bashki me vete. Kur e bën listën vetë i thonë more alienë, kur jua jep alienëve të bëjnë listën i thotë je i pavendosur.

Kur është Pranë Berishës i thonë dil nga hija e tij, kur i rri larg i thonë se është mosmirënjohës. Me përjashtim të faktit që Basha e di mirë sesa i rëndësishëm është roli i kryeministrit, ai nuk po di më asgjë më shumë sesi të bëjë një hap drejt atij roli. Ai ka demonstruar aftësinë e pabesueshme që nuk e pranojnë edhe ata që e duan, edhe ata që e kundërshtojnë. Nuk bind. Jo sepse të gjithë e pyesin sesa është ora, por sepse ora për të bërë politikë nuk kurdiset me stinë.

Lexo edhe :  Rama mbërrin në Fier, inspekton vendin ku do ndërtohet spitali rajonal

Është stil e stimë dhe jo sallatë qëndrimesh që përjashtojnë njëra-tjetrën. Më mirë një gabim i qëndrueshëm sesa paqëndrueshmëri ekstreme. Taktika e djalit të mirë që as të shtrëngoni dhe as të lëshon, mërzit edhe gurin në Sazan dhe jo grupin e uritur politik që ai la në rrugë prej gati dy vjetësh.

Pandemia ka kushtëzuar edhe mënyrën e të bërit politikë, ku zakonisht pak muaj para zgjedhjeve mbaheshin fushata agresive dhe takimet e mëdha në mitingje, ndërsa tashmë ka kaluar në një tjetër formë fushate; siç janë rrjetet sociale për të dhënë mesazhet, apo mbajtja online e konferencave dhe takimeve. Kush po e menaxhon më mirë këtë formë të re të fushatës?

Pak ditë më parë, një zyrtar i ri i opozitës kishte parë një zë në buxhetin e vitit 2021 dhe nga foltorja e konferencave thoshte me seriozitet se qeveria kishte vjedhur dhe grabitur të gjithë atë shumë që bëhej fjalë. Me një ton tollumbaceje dhe me një tollumbace që fuste brenda gjithë milionat e mundshëm, me të gjitha gjasat ai e besonte sinqerisht letrën që lexonte.

Ndoshta sinqerisht besonte se lekët që ende nuk kishin dalë nga dora e qeverisë, kishin hyrë të githa në xhepin e saj, por në krahun tjetër, Edi Rama dhe Erion Veliaj jepinin çelësat e shtëpive të reja të ndërtuara mbas tërmetit. Ca shtëpi njëkateshë, por që ishin të vërteta, të prekshme, reale dhe elektorale, edhe kur ato, me tendeciozitet i jepeshin më parë një drejtuesi fare perferik të PD-së.  Kjo është sa për të marrë një shembull, për të treguar me shembuj që sidomos për shkak të pandemisë, lëvizja më e mirë e opozitës ishte të qëndrointe pa lëvizur.

Do të ishte më mirë të rreshtohej me hallin e përbashkët, të tentonte unison dhe shkrirje me përpjekjet e qeverisë kundër pandemisë, të mbante heshtje plot respekt për qytetarin që vuan, sesa të zgjidhte të bënte antonimin dhe kundërshtimin e qeverisë në çdo hap të saj kundër pandemisë. Nesër, sido të vejë fati i vaksinës dhe vetë pandemisë, qeverisja është e avantazhuar qoftë duke cicërruar në darkë në rrjete sociale, qoftë duke zbritur në mënyrë kapilare në terren që prej muajsh.

Në terrenin që opozita e ka lënë në mënyrë tejet të pashpjegueshme bosh, duke u menduar se cilat do të jetë forma e koalicioneve dhe cila do të jetë lista e deputetëve. Sepse ndodh shpesh që ndërkohë që dikush tenton të lidhë këpucët, tjetri ka arritur në finish.

Sfidat kryesore të çdo vendi të prekur nga pandemia lidhen me vaksinimin sa më shpejt të qytetarëve dhe me masat ekonomike që merren si ndihmë për biznesin dhe për të ruajtur edhe balancat e punësimit, në gjykimin tuaj si po menaxhohet nga qeveria kjo krizë dhe a do të ndikojë pandemia edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021?

Përgjigja është e thjeshtë dhe meqënëse në Tiranë i kanë qejf krahasimet me më të zotët: ka fituar qeveria gjermane kundër pandemisë? Ka ndonjë qeveri tjetër që është shpallur diku gjetkë fituese? Pavarësisht cinikëve dhe kritikëve, Manastirliu tek shëndetësia dhe grupi i saj teknik, dhe mbi të gjitha, mjekët e Shqipërisë, kanë bërë shumë në kushtet e vendit. Sistemi edhe me pak fat në këtë fatkeqësi, ja ka dalë të mbijetojë. Ekonomia në përgjithësi ka ruajtur ekuilibret e saj dhe ndoshta infrormaliteti i saj ka bërë që të mbetet shpesh si qerpiç në këmbë, aty ku të tjerët janë rrëzuar.

Nuk është shumë ndryshe as gjetkë. Kush më shumë, kush më pak, kush me mençuri dhe kush me rrjedhje të lirë, të gjithë janë peng i një makthi të përbotshëm. Por që gjithsesi është më pak i rrezikshëm se budallallëku ynë lokal. Viruset shkojnë e vijnë, por epidemia e padijes është e përjetshme. Politika në vend, hiq një grusht shumë të vogël njerëzish që kuptojnë prej saj, në pushtet e në opozitë ka rënë në duar të paditura dhe ky fakt, e le edhe fatin e gjithë krizave, në dorë të perëndisë.

 

Plator Nesturi: Kreu i PD-së nuk është i qetë, por i pafuqi

Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe në traditën tonë 30-vjeçare, mes tentativës për demokraci dhe anarkisë, përgjithësisht kuptohej disi qartë se nga do anonte pushteti. Përse në zgjedhjet e ardhshme është ende e vështirë të parashikohet qartësisht se cila forcë apo bllok politik është më pranë marrjes apo mbajtjes së pushtetit?

Çdo zgjedhje elektorale është një betejë e cila ka një datë të përcaktuar që më parë dhe një vend të cilësuar e që dihet nga të gjitha palët, dhe kjo është kutia e votimit. Periudha paraprake është veç një shpalosje e performancës për ditën e përballjes. Natyrshëm sot, katër muaj përpara zgjedhjeve ne mund të gjykojmë se si paraqiten palët, ku kanë përparësi dhe cilat janë pikat e dobëta, e mbi këto mund të ngremë parashikimin mbi rezultatin e pritshëm.

Por gjithsesi, përderisa ky është një proces i gjatë dhe që natyrshëm ka dhe të papriturat e veta në vijimësinë e fushatës, rezultati i takon veç ditës së fundit. Nisur nga kjo, parametrat e gjykimit mund t’i bëjmë vetëm nga performanca e sotme se si prezantohen lojtarët në betejë dhe sa vërtet e kërkojnë fitoren e zgjedhjeve. Përgjithësisht sytë e uritur për fitore apo revansh duhet të vijë nga apozita, sidomos nga një opozitë që ka 8 vite në minorancë, dhe që natyrshëm mezi do të priste ditën e zgjedhjeve për të përmbysur balancat.

Por çuditërisht, këtë nuk po e vëmë re deri më tani me opozitën tradicionale në vend. Opozita ende është e shpërqendruar, pa ide të qarta dhe duket se i mungon këmbëngulja për tu ndeshur politikisht, me ide, me frymë dhe me rezonancën që duhet të kish krijuar në elektorat. Nëse e shohim me sy të ftohtë duket sikur opozita PD-LSI, kanë ngatërruar datat duke menduar se kishin edhe një vit tjetër kohë për zgjedhje. Dhe në këtë mënyrë ndihesh i papërgatitur për betejë, pa sens orientimi dhe pa strategji, i parrestuar për beteje ku secili e di vendin e vet, ku është ushtari dhe ku komandanti, dhe ku boritë e pakoordinuara, më tepër e çorientojnë sesa e disiplinojnë lëvizjen e trupave, për sulm apo për tërheqje.

Është fakt që PD ende nuk ka arritur të ngrejë strukturën e vet elektorale, të përcaktojë kandidatët dhe komandantët e qarqeve, apo të ngrejë dhe grupet e ndërhyrjes së shpejtë, me ekspertë dhe të profilizuar politikisht, për të përballuar problemet që dalin gjatë një fushate e cila nuk është e lehtë.  Deri më tani, nëse marrim parasysh termat ushtarakë të një beteje, në atë që quhet ushtri e rreshtuar nga PD, nuk dallohen kohortat, kompanitë e repartet nga njëra-tjetra, duke qenë kjo në kontrast të dallueshëm me organizimin që ka nxjerrë përballë PS, që është e strukturuar dhe e displinuar ndaj liderëve të vet. Kjo sa i përket mënyrës së organizimit të dy partive të mëdha, pasi LSI që do kandidojë me listë më vete, ka flamurin e saj dhe pavarësisht se shpallet aleat me PD, sheshgrumbullimin e ka në tjetër vend, u bindet të tjerëve komandantë dhe që jo gjithmonë interesat e tyre përputhen me atë të kryekomandantit të PD.

Ndërkohë, ka dhe veçori të tjera. Nëse PS është qartësisht vetëm në këtë betejë dhe e mat fitoren në forcat e saj, opozita në vetvete ka segmente të saj që janë armik të betuar dhe me vetë PD. Partitë e reja që kanë dalë nga rradhët e demokratëve, nuk është çudi ta godasin anash e nga pas për të marrë pjesë nga vetë PD, për t’i marrë drejtues e ushtarë të pakënaqur. Ndaj, për sa shohim, dita e zgjedhjeve pritet të jetë me shumë mjegull e ku mund të humbë rrugën në krahun e opozitës, çka sjell më shumë mundësi të përsëritjes së një dështimi.

Ndërkohë maxhoranca është jo vetëm e qartë në atë që synon, por natyrshëm do të shfrytëzojë të gjitha këto dobësi që ka opozita, për të maksimalizuar fitoren e vet dhe për të bërë një tris pushteti.

Lideri i opozitës Lulzim Basha deri më tani po ndjek një “politikë të lexueshme”, me denoncime kundër qeverisë dhe me mbajtjen e një konference për shtyp një herë në javë për çështje të ndryshme. Përse kjo qetësi e tij?

Ajo çfarë duket si qetësi e kryetarit të PD, më tepër duket si pafuqi e tij. Pafuqi për t’ë përballuar një situatë ku duhet ndeshur me votë, me ide dhe me ngjallje besimi te elektorati. PD duket se është ende peng i aventurës që nisi me djegien e mandateve. Ishte një rrugë e rrezikshme dhe që synonte që nëpërmjet presionit të rrugës dhe të protestave të impononte zgjidhje ekstraparlamentare.

Që synonin dorëheqje nën trysni të qeverisë dhe në këtë mënyrë, në zgjedhjet e parakohshme që do zhvilloheshin, opozita të hynte me optimizmin e fitores dhe nën inersinë e presionit të rrugës. Kjo skemë nuk funksionoi. Qeveria nuk ra, zgjedhjet e parakohshme jo e jo, megjithë protestat e zhvilluara. Pas gjithë këtyre protestave PD është ende e drobitur nga energjitë e humbura. Gjithçka e investoi tek presioni i rrugës, porse me këtë as nuk ngjiti dhe veçse drobiti dhe qytetarët të cilëve sot u kërkon votën.

E gjithë koha e pushimit nga pandemia duket se nuk i mjaftoi PD për të gjetur një rrugë të re e për tu ngritur me frymë dhe opsione të reja. Në të kundërt, në vetë PD nisën të kërkohen fajtorët nga ky dështim dy vjeçar të rraskapitjes së partisë. Fakti i defaktorizimit të PD, humbja e besimit të saj tek ndërkombëtarët, lënia e betejes për zgjedhjet vendore ku tashmë PS qeveris dhe ato bashki që ishin bastione të PD, do kërkonin të gjenden përgjegjësit.

Por duke lënë kryepërgjegjësin që është vetë Basha, gjyetia e shtrigave u bë në figurat e nivelit të dytë të lidershipit të PD. Ndaj sot në PD nuk ka kohezion, por përkundrazi, pakënaqësi e qejfmbetje, çka do të bëjë që shumë prej tyre ose do të rrinë mënjanë duke mos dhënë ndonjë kontribut për zgjedhje, ose do të kërkojnë një rrugë tjetër të afirmimit të tyre, e jo domosdoshmërisht tek PD e Bashës. Nisur nga kjo qetësia e kreut të PD është e shtirë.

Një kryetar opozite që mezi pret të vijë dita e zgjedhjeve për të ardhur në pushtet, nuk mund të rrijë as i qetë dhe as i sigurtë. Adrenalina e pushtetit të ardhshëm nuk mund ta lerë të qetë askënd. Ndaj kjo është pafuqi. Pafuqi për tiu përgjiur situatave. Pafuqi për të udhehqur një betejë ku e ka të qartë se gjithkush poshtë tij e ve në dyshim atë çka ai vendos.

Pandemia ka kushtëzuar edhe mënyrën e të bërit politikë, ku zakonisht pak muaj para zgjedhjeve mbaheshin fushata agresive dhe takimet e mëdha në mitingje, ndërsa tashmë ka kaluar në një tjetër formë fushate; siç janë rrjetet sociale për të dhënë mësazhet, apo mbajtja online e konferencave dhe takimeve. Kush po e menaxhon më mirë këtë formë të re të fushatës?

Pandemia po deyron të bëhet një fushatë e ndryshme nga më parë.  Ndonëse gjatë muajve të vjeshtës PS arriti të organizojë disa mitingje dhe takime elektorale, gjë që ishte gati nul nga ana e opozitës, tashmë fushata po vijon me kushte të reja. Vetë KQZ, duke iu përgjigjur dhe rregullave të vendosura nga ekspertët, ka vënë traun për çdo miting apo takim elektoral. Në këtë mënyrë merr përparësi fushata propagandistike.

Deklarime të shpeshta, konferenca on line, dhe padyshim shfrytëzimi i rrjeteve sociale. Jemi ende në mes të fushatës dhe gjithshka është në proces, por nga sa konstatohet deri tani maxhoranca po e shfrytëzon më mirë këtë hapësirë të re. Është e natyrshme që një pjesë të vëmendjes mediatike, përveç mesazheve, e merr dhe çështja se si po përballohet pandemia nga organet e shtetit, si po operohet me zbutjen e pasojave të tërmetit, ngritja e shtëpive të reja, të shkollave etj, që ndonëse nuk janë pjesë direkte e fushatës, transmetojnë energjinë e punës të maxhorancës e çka nuk është pak në ndikimin te elektorati.

Ndërkohë opozita thelbin e komunikimit e ka kryesisht në akuzat për korrupsiondhe goditjen e segmenteve të veçantë të qeverisë, por ndërsa ngre probleme jo gjithmonë di të japë zgjidhje mbi to. Në këtë aspect, vihet re një mungesë strategjie tek opozita se si duhet të komunikojë dhe shpesh ato janë spontane dhe më së shumti si reagime për atë çfarë ndodh.

Sfidat kryesore të çdo vendi të prekur nga pandemia lidhen me vaksinimin sa më shpejt të qytetarëve dhe me masat ekonomike që merren si ndihmë për biznesin dhe për të ruajtur edhe balancat e punësimit, në gjykimin tuaj si po menaxhohet nga qeveria kjo krizë dhe a do të ndikojë pandemia edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021?

Pandemia padyshim që ndikon, si në mënyrën se si e menaxhon gjithë situatën me të, por ndikon dhe në aspektin e ekonomisë. Në gjithë vendet e prekura, ekonomia është goditur dhe natyrisht edhe ekonomia shqiptare. Në rast se qasja dhe masat e marra do të jenë efikase për zbutjen e pasojave, askush nuk mund të fajësojë maxhorancën se ekonomia ka ka rënë. Por në rast se masat janë jo efikase dhe rënia ekonomike mund të prevalojë mbi problemet e tjera, atëhere kjo kthehet në një problem që do të ndikojë dhe në fushatë. Në këtë aspekt them se masat e marra për pandeminë e shndërrojnë ditën e zgjdhjeve dhe në një votëbesim për maxhoarancën nëse e ka bërë detyrën e vet apo jo.

Të fundit

I morën jetën në derë të shtëpisë/ Flet babai i 10-vjeçares: Ishte me gjyshen për dore, shoferi e përplasi dhe iku!

Detaje tronditëse dalin në dritë nga vdekja e 10-vjeçares dje në Tiranë, e cila u përplas nga një makinë....

Aurela Hoxha shtatzënë/ Rrëfen edhe mbi partnerin: Është shumë xheloz për çdo person që më afrohet

Aurela Hoxha është në pritje të fëmijës së saj të parë. Modelja e njohur, e cila prej vitesh është zhvendosur për të jetuar në...

Si asnjëherë më parë/ Messit nuk i mbahen nervat, godet kundërshtarin dhe e plas përtokë (Video)

Atletiko Bilbao tronditi Barcelonën duke i rrëmbyer të dielën mbrëma trofeun e super Kupës së Spanjës. Një ndeshje dramatike, e cila shkoi në shtesë. Koha...

Deklarata bombë: Vaksina anti-covid mund t’i kthejë njerëzit në homoseksualë

Jemi në një periudhë kur vaksina kundër covid-19 po kërkohet nga të gjitha vendet e botës. Mirëpo, një rabin ortodoks  ka shokuar me deklaratën e...

Zgjedhjet e 25 Prillit/ Lulzim Basha zgjedh Mark Markun përfaqësues politik për Lezhën

Ish-deputeti dhe pedagogu i njohur Mark Marku është zgjedhur drejtuesi politik i PD-së për Lezhën. Më herët, Basha ka zgjedhur drejtuesit politikë për disa qarqe....

Lajme të tjera

Web TV