Lorenc Vangjeli: Bashën nuk e pranojnë as ata që e duan, as ata që e kundërshtojnë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Ekskluzive

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të këtyre 30 viteve, është ende e vështirë të përcaktohet qartësisht se nga do të anojë pushteti pas 25 prillit. Taktikat e opozitës dhe mazhorancës për të maksimalizuar votat dhe shtimi i elektoratit gri që mund të jetë përcaktues qoftë edhe me mospjesëmarrje në votime. Si po e shfrytëzojnë metodën e re të fushatës elektorale Rama dhe Basha për shkak të pandemisë. Flet për gazetën “Fjala” analisti Lorenc Vangjeli.

– Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe në traditën tonë 30-vjeçare, mes tentativës për demokraci dhe anarkisë, përgjithësisht kuptohej disi qartë se nga do anonte pushteti. Përse në zgjedhjet e ardhëshme është ende e vështirë të parashikohet qartësisht se cila forcë apo bllok politik është më pranë marrjes apo mbajtjes së pushtetit?

-Ka shumë arsye se pse ndodh kështu dhe të numërosh secilën prej tyre do të thotë të hysh në botën e filxhanit të fallxhoreve, ku e njëjta shenjë mund të shihet edhe si haber i mirë që është duke ardhur, edhe si një kurrorë mes shtëpisë. Edhe si një rrugë e gjatë për të ardhur, edhe si një rrugë gjithashtu e gjatë, por për të ikur. Me opozitën shqiptare nuk po ndodh as njëra dhe as tjetra. Ajo nuk ka projektuar as “haberin” e saj të mirë elektoral, as nuk e ka demonstruar drejtuesin e saj si kryeministër dhe si alternativë e kryeministrit aktual. Ajo nuk ka rrëfyer për shqiptarët rrugën që do të bëjë bashkë me ta në katër vitet e ardhshëm, sepse është sërish e njëjta makinë, me të njëjtat rrota, telajo e motor, njëlloj si ajo që shqiptarët e rrëzuan tetë vjet më parë në 2013-ën.

Maksimumi i asaj që po thuhet ka të bëjë vetëm me atë sesa e keqe është qeverisja e Ramës, por jo sesa ndryshe apo më e mirë do të ishte një qeverisje eventuale e Bashës. Frutat nuk piqen sepse kështu e kërkon “mideja” e dikujt. Aq më tepër fruti i pushtetit që kërkon një qasje totalisht të ndryshme nga mënyra sesi është sjellë opozita deri më sot. Po kështu, deri në prill, opozita do të duhet të paguajë disa fatura të gafave të saj të jashtëzakonshme në këtë mandat. Duke nisur me djegien e mandateve, bojkotimin e zgjedhjeve lokale, paqartësinë në ndërtimin e bllokut opozitar, e deri në pritshmëritë absurd për të krijuar një ekip që të dalë në terren.

Sot opozita, në kohën kur largohej Lleshaj dhe vinte Çuçi, sa për të marrë një shembull, duhet të kishte të paktën dy portrete që shqiptarët t’i dinin si ministrant e brendshëm alternativë të saj. Në fakt, as vetë Basha nuk di se cila është lista e tij dhe jo më shqiptarët të kenë idenë e qeverisë hije të opozitës, që fitorja e zgjedhjeve mund ta nxjerrë në “selamet” veten e vendin.

-Lideri i opozitës Lulzim Basha deri më tani po ndjek një “politikë të lexueshme”, me denoncime kundër qeverisë dhe me mbajtjen e një konference për shtyp një herë në javë për çështje të ndryshme. Përse kjo qetësi e tij?

-Ndonjëherë duket sikur Bashës i bien të gjithë në qafë. Kur është i qetë, i thotë që fle. Kur është i dhunshëm i thonë që është kopje e origjinalit Berisha. Kur është në institucione e nxisin të dalë jashtë, kur është jashtë, i thonë që gabove, pse ike nga institucionet. Kur vijnë zgjedhjet i thonë bojkoto, kur bojkoton i thonë se ku do të shkosh pa asnjë bashki me vete. Kur e bën listën vetë i thonë more alienë, kur jua jep alienëve të bëjnë listën i thotë je i pavendosur.

Kur është Pranë Berishës i thonë dil nga hija e tij, kur i rri larg i thonë se është mosmirënjohës. Me përjashtim të faktit që Basha e di mirë sesa i rëndësishëm është roli i kryeministrit, ai nuk po di më asgjjë më shumë sesi të bëjë një hap drejt atij roli. Ai ka demonstruar aftësinë e pabesueshme që nuk e pranojnë edhe ata që e duan, edhe ata që e kundërshtojnë. Nuk bind. Jo sepse të gjithë e pyesin sesa është ora, por sepse ora për të bërë politikë nuk kurdiset me stinë.

Eshtë stil e stimë dhe jo sallatë qëndrimesh që përjashtojnë njëra-tjetrën. Më mirë një gabim i qëndrueshëm sesa paqëndrueshmëri ekstreme. Taktika e djalit të mirë që as të shtrëngoin dhe as të lëshon, mërzit edhe gurin në Sazan dhe jo grupin e uritur politik që ai la në rrugë prej gati dy vjetësh.

Lexo edhe :  Kryqëzata e Parë/ 15.000 ushtarë krishterë marshojnë në Jeruzalem

-Pandemia ka kushtëzuar edhe mënyrën e të bërit politikë, ku zakonisht pak muaj para zgjedhjeve mbaheshin fushata agresive dhe takimet e mëdha në mitingje, ndërsa tashmë ka kaluar në një tjetër formë fushate; siç janë rrjetet sociale për të dhënë mësazhet, apo mbajtja online e konferencave dhe takimeve. Kush po e menaxhon më mirë këtë formë të re të fushatës?

-Pak ditë më parë, një zyrtar i ri i opozitës kishte parë një zë në buxhetin e vitit 2021 dhe nga foltorja e konferencave thoshte me seriozitet se qeveria kishte vjedhur dhe grabitur të gjithë atë shumë që bëhej fjalë. Me një ton tollumbaceje dhe me një tollumbace që fuste brenda gjithë milionat e mundshëm, me të gjitha gjasat ai e besonte sinqerisht letrën që lexonte.

Ndoshta sinqerisht besonte se lekët që ende nuk kishin dalë nga dora e qeverisë, kishin hyrë të githa në xhepin e saj, por në krahun tjetër, Edi Rama dhe Erion Veliaj jepinin çelësat e shtëpive të reja të ndërtuara mbas tërmetit. Ca shtëpi njëkateshë, por që ishin të vërteta, të prekshme, reale dhe elektorale, edhe kur ato, me tendeciozitet i jepeshin më parë një drejtuesi fare perferik të PD-së.  Kjo është sa për të marrë një shembull, për të treguar me shembuj që sidomos për shkak të pandemisë, lëvizja më e mirë e opozitës ishte të qëndrointe pa lëvizur.

Do të ishte më mirë të rreshtohej me hallin e përbashkët, të tentonte unison dhe shkrirje me përpjekjet e qeverisë kundër pandemisë, të mbante heshtje plot respekt për qytetarin që vuan, sesa të zgjidhte të bënte antonomin dhe kundërshtimin e qeverisë në çdo hap të saj kundër pandemisë. Nesër, sido të vejë fati i vaksinës dhe vetë pandemisë, qeverisja është e avantazhuar qoftë duke cicërruar në darkë në rrjete sociale, qoftë duke zbritur në mënyrë kapilare në terren që prej muajsh.

Në terrenin që opozita e ka lënë në mënyrë tejet të pashpjegueshme bosh, duke u menduar se cilat do të jetë forma e koalicioneve dhe cila do të jetë lista e deputetëve. Sepse ndodh shpesh që ndërkohë që dikush tenton të lidhë këpucët, tjetri ka arritur në finish.

-Sfidat kryesore të çdo vendi të prekur nga pandemia lidhen me vaksinimin sa më shpejt të qytetarëve dhe me masat ekonomike që merren si ndihmë për biznesin dhe për të ruajtur edhe balancat e punësimit, në gjykimin tuaj si po menaxhohet nga qeveria kjo krizë dhe a do të ndikojë pandemia edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021?

-Përgjigja është e thjeshtë dhe meqënëse në Tiranë i kanë qejf krahasimet me më të zotët: ka fituar qeveria gjermane kundër pandemisë? Ka ndonjë qeveri tjetër që është shpallur diku gjetkë fituese? Pavarësisht cinikëve dhe kritikëve, Manastirliu tek shëndetësia dhe grupi i saj teknik, dhe mbi të gjitha, mjekët e Shqipërisë, kanë bërë shumë në kushtet e vendit. Sistemi edhe me pak fat në këtë fatkeqësi, ja ka dalë të mbijetojë. Ekonomia në përgjithësi ka ruajtur ekuilibret e saj dhe ndoshta infrormaliteti i saj ka bërë që të mbetet shpesh si qerpiç në këmbë, aty ku të tjerët janë rrëzuar.

Nuk është shumë ndryshe as gjetkë. Kush më shumë, kush më pak, kush me mençuri dhe kush me rrjedhje të lirë, të gjithë janë peng i një makthi të përbotshëm. Por që gjithsesi është më pak i rrezikshëm se budallallëku ynë lokal. Viruset shkojnë e vijnë, por epidemia e padijes është e përjetshme. Politika në vend, hiq një grusht shumë të vogël njerëzish që kuptojnë prej saj, në pushtet e në opozitë ka rënë në duar të paditura dhe ky fakt, e le edhe fatin e gjithë krizave, në dorë të perëndisë.

 

Të fundit

Policia gjobit mbi 1600 qytetarë brenda 24 orëve, nuk zbatuan masat anti-Covid

Policia e Shtetit vijon kontrollet në terren për zbatimin e masave anti-Covid. Gjatë 24 orëve të fundit, uniformat blu kanë...

Dëbora dhe acari do të “pushtojnë” vendin, temperatura deri në -10°C

Të gjithë menduam se dimri kaloi por muaji i fundit i dimrit meteorologjik ka rezervuar mot të acartë. Por pse kjo situatë? Rajoni i Ballkanit...

Dy të vdekur dhe 344 raste të reja me Covid-19 në Kosovë

Kosova gjatë 24 orëshit të fundit ka regjistruar vetëm dy të vdekur, si pasojë e Covid-19, një 63 vjeçar nga Skënderaj dhe një 85...

Mjekët demaskojnë videon që po shpërndahet në WhatsApp për t’i shpëtuar Covid

Mjekët paralajmërojnë njerëzit që të mos provojnë trendin që po përhapet me mesazhe në WhatsApp, sipas të cilit thithja e avullit të mbron nga...

Reshjet në Elbasan/ Balla: Investimet e bëra vitet e fundit na nxorrën faqebardhë

Moti i keq ka shkaktuar disa problematika dhe përmbytje edhe në qarkun e Elbasanit, fatmirësisht të vogla. Kështu ka deklaruar kreu i grupit parlamentar...

Lajme të tjera

Web TV