Plator Nesturi: Kreu i PD-së nuk është i qetë, por i pafuqi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekskluzive

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të këtyre 30 viteve, është ende e vështirë të përcaktohet qartësisht se nga do të anojë pushteti pas 25 prillit. Taktikat e opozitës dhe mazhorancës për të maksimalizuar votat dhe shtimi i elektoratit gri që mund të jetë përcaktues qoftë edhe me mospjesëmarrje në votime. Si po e shfrytëzojnë metodën e re të fushatës elektorale Rama dhe Basha për shkak të pandemisë. Flet për gazetën “Fjala” analisti Plator Nesturi.

Jemi katër muaj para zgjedhjeve dhe në traditën tonë 30-vjeçare, mes tentativës për demokraci dhe anarkisë, përgjithësisht kuptohej disi qartë se nga do anonte pushteti. Përse në zgjedhjet e ardhëshme është ende e vështirë të parashikohet qartësisht se cila forcë apo bllok politik është më pranë marrjes apo mbajtjes së pushtetit?

Çdo zgjedhje elektorale është një betejë e cila ka një datë të përcaktuar që më parë dhe një vend të cilësuar e që dihet nga të gjitha palët, dhe kjo është kutia e votimit. Periudha paraprake është veç një shpalosje e performancës për ditën e përballjes. Natyrshëm sot, katër muaj përpara zgjedhjeve ne mund të gjykojmë se si paraqiten palët, ku kanë përparësi dhe cilat janë pikat e dobëta, e mbi këto mund të ngremë parashikimin mbi rezultatin e pritshëm.

Por gjithësesi, përderisa ky është një proces i gjatë dhe që natyrshëm ka dhe të papriturat e veta në vijimësinë e fushatës, rezultati i takon veç ditës së fundit. Nisur nga kjo, parametrat e gjykimit mund t’i bëjmë vetëm nga performanca e sotme se si prezantohen lojtarët në betejë dhe sa vërtet e kërkojnë fitoren e zgjedhjeve. Përgjithësisht sytë e uritur për fitore apo revansh duhet të vijë nga apozita, sidomos nga një opozitë që ka 8 vite në minorancë, dhe që natyrshëm mezi do të priste ditën e zgjedhjeve për të përmbysur balancat.

Por çuditërisht, këtë nuk po e vëmë re deri më tani me opozitën tradicionale në vend. Opozita ende është e shpërqëndruar, pa ide të qarta dhe duket se i mungon këmbëngulja për tu ndeshur politikisht, me ide, me frymë dhe me rezonancën që duhet të kish krijuar në elektorat. Nëse e shohim me sy të ftohtë duket sikur opozita PD-LSI, kanë ngatërruar datat duke menduar se kishin edhe një vit tjetër kohë për zgjedhje. Dhe në këtë mënyrë ndihesh i papërgatitur për betejë, pa sens orientimi dhe pa strategji, i parrestuar për beteje ku secili e di vendin e vet, ku është ushtari dhe ku komandanti, dhe ku boritë e pakoordinuara, më tepër e çorientojnë sesa e disiplinojnë lëvizjen e trupave, për sulm apo për tërheqje.

Është fakt që PD ende nuk ka arritur të ngrejë stukturën e vet elektorale, të përcaktojë kandidatët dhe komandantët e qarqeve, apo të ngreje dhe grupet e ndërhyrjes së shpejtë, me ekspertë dhe të profilizuar politikisht, për të përballuar problemet që dalin gjatë një fushate e cila nuk është e lehtë.  Deri më tani, nëse marrim parasysh termat ushtarakë të një beteje, në atë që quhet ushtri e rreshtuar nga PD, nuk dallohen kohortat, kompanitë e repartet nga njëra-tjetra, duke qenë kjo në kontrast të dallueshëm me organizimin që ka nxjerrë përballë PS, që është e strukturuar dhe e displinuar ndaj liderëve të vet. Kjo sa i përket mënyrës së organizimit të dy partive të mëdha, pasi LSI që do kandidojë me listë më vete, ka flamurin e saj dhe pavarësisht se shpallet aleat me PD, sheshgrumbullimin e ka në tjetër vend, u bindet të tjerëve komandantë dhe që jo gjithmonë interesat e tyre përputhen me atë të kryekomandantit të PD.

Ndërkohë, ka dhe veçori të tjera. Nëse PS është qartësisht vetëm në këtë betejë dhe e mat fitoren në forcat e saj, opozita në vetvete ka segmente të saj që janë armik të betuar dhe me vetë PD. Partitë e reja që kanë dalë nga rradhët e demokratëve, nuk është çudi ta godasin anash e nga pas për të marrë pjesë nga vetë PD, për t’i marrë drejtues e ushtarë të pakënaqur. Ndaj, për sa shohim, dita e zgjedhjeve pritet të jetë me shumë mjegull e ku mund të humbë rrugën në krahun e opozitës, çka sjell më shumë mundësi të përsëritjes së një dështimi.

Ndërkohë maxhoranca është jo vetëm e qartë në atë që synon, por natyrshëm do të shfrytëzojë të gjitha këto dobësi që ka opozita, për të maksimalizuar fitoren e vet dhe për të bërë një tris pushteti.

Lideri i opozitës Lulzim Basha deri më tani po ndjek një “politikë të lexueshme”, me denoncime kundër qeverisë dhe me mbajtjen e një konference për shtyp një herë në javë për çështje të ndryshme. Përse kjo qetësi e tij?

Ajo çfarë duket si qetësi e kryetarit të PD, më tepër duket si pafuqi e tij. Pafuqi për t’ë përballuar një situatë ku duhet ndeshur me votë, me ide dhe me ngjallje besimi te elektorati. PD duket se është ende peng i aventurës që nisi me djegien e mandateve. Ishte një rrugë e rrezikshme dhe që synonte që nëpërmjet presionit të rrugës dhe të protestave të impononte zgjidhje ekstraparlamentare.

Lexo edhe :  Skënder Minxhozi: Antiberishisti i fundit Lulzim Basha

Që synonin dorëheqje nën trysni të qeverisë dhe në këtë mënyrë, në zgjedhjet e parakohshme që do zhvilloheshin, opozita të hynte me optimizmin e fitores dhe nën inersinë e presionit të rrugës. Kjo skemë nuk funksionoi. Qeveria nuk ra, zgjedhjet e parakohshme jo e jo, megjithë protestat e zhvilluara. Pas gjithë këtyre protestave PD është ende e drobitur nga energjitë e humbura. Gjithçka e investoi tek presioni i rrugës, porse me këtë as nuk ngjiti dhe veçse drobiti dhe qytetarët të cilëve sot u kërkon votën.

E gjithë koha e pushimit nga pandemia duket se nuk i mjaftoi PD për të gjetur një rrugë të re e për tu ngritur me frymë dhe opsione të reja. Në të kundërt, në vetë PD nisën të kërkohen fajtorët nga ky dështim dy vjeçar të rraskapitjes së partisë. Fakti i defaktorizimit të PD, humbja e besimit të saj tek ndërkombëtarët, lënia e betejes për zgjedhjet vendore ku tashmë PS qeveris dhe ato bashki që ishin bastione të PD, do kërkonin të gjenden përgjegjësit.

Por duke lënë kryepërgjegjësin që është vetë Basha, gjyetia e shtrigave u bë në figurat e nivelit të dytë të lidershipit të PD. Ndaj sot në PD nuk ka kohezion, por përkundrazi, pakënaqësi e qejfmbetje, çka do të bëjë që shumë prej tyre ose do të rrinë mënjanë duke mos dhënë ndonjë kontribut për zgjedhje, ose do të kërkojnë një rrugë tjetër të afirmimit të tyre, e jo domosdoshmërisht tek PD e Bashës. Nisur nga kjo qetësia e kreut të PD është e shtirë.

Një kryetar opozite që mezi pret të vijë dita e zgjedhjeve për të ardhur në pushtet, nuk mund të rrijë as i qetë dhe as i sigurtë. Adrenalina e pushtetit të ardhshëm nuk mund ta lerë të qetë askënd. Ndaj kjo është pafuqi. Pafuqi për tiu përgjiur situatave. Pafuqi për të udhehqur një betejë ku e ka të qartë se gjithkush poshtë tij e ve në dyshim atë çka ai vendos.

Pandemia ka kushtëzuar edhe mënyrën e të bërit politikë, ku zakonisht pak muaj para zgjedhjeve mbaheshin fushata agresive dhe takimet e mëdha në mitingje, ndërsa tashmë ka kaluar në një tjetër formë fushate; siç janë rrjetet sociale për të dhënë mësazhet, apo mbajtja online e konferencave dhe takimeve. Kush po e menaxhon më mirë këtë formë të re të fushatës?

Pandemia po deyron të bëhet një fushatë e ndryshme nga më parë.  Ndonëse gjatë muajve të vjeshtës PS arriti të organizojë disa mitingje dhe takime elektorale, gjë që ishte gati nul nga ana e opozitës, tashmë fushata po vijon me kushte të reja. Vetë KQZ, duke iu përgjigjur dhe rregullave të vendosura nga ekspertët, ka vënë traun për çdo miting apo takim elektoral. Në këtë mënyrë merr përparësi fushata propagandistike.

Deklarime të shpeshta, konferenca on line, dhe padyshim shfrytëzimi i rrjeteve sociale. Jemi ende në mes të fushatës dhe gjithshka është në proces, por nga sa konstatohet deri tani maxhoranca po e shfrytëzon më mirë këtë hapësirë të re. Është e natyrshme që një pjesë të vëmendjes mediatike, përveç mesazheve, e merr dhe çështja se si po përballohet pandemia nga organet e shtetit, si po operohet me zbutjen e pasojave të tërmetit, ngritja e shtëpive të reja, të shkollave etj, që ndonëse nuk janë pjesë direkte e fushatës, transmetojnë energjinë e punës të maxhorancës e çka nuk është pak në ndikimin te elektorati.

Ndërkohë opozita thelbin e komunikimit e ka kryesisht në akuzat për korrupsiondhe goditjen e segmenteve të veçantë të qeverisë, por ndërsa ngre probleme jo gjithmonë di të japë zgjidhje mbi to. Në këtë aspect, vihet re një mungesë strategjie tek opozita se si duhet të komunikojë dhe shpesh ato janë spontane dhe më së shumti si reagime për atë çfarë ndodh.

Sfidat kryesore të çdo vendi të prekur nga pandemia lidhen me vaksinimin sa më shpejt të qytetarëve dhe me masat ekonomike që merren si ndihmë për biznesin dhe për të ruajtur edhe balancat e punësimit, në gjykimin tuaj si po menaxhohet nga qeveria kjo krizë dhe a do të ndikojë pandemia edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021?

Pandemia padyshim që ndikon, si në mënyrën se si e menaxhon gjithë situatën me të, por ndikon dhe në aspektin e ekonomisë. Në gjithë vendet e prekura, ekonomia është goditur dhe natyrisht edhe ekonomia shqiptare. Në rast se qasja dhe masat e marra do të jenë efikase për zbutjen e pasojave, askush nuk mund të fajësojë maxhorancën se ekonomia ka ka rënë. Por në rast se masat janë jo efikase dhe rënia ekonomike mund të prevalojë mbi problemet e tjera, atëhere kjo kthehet në një problem që do të ndikojë dhe në fushatë. Në këtë aspekt them se masat e marra për pandeminë e shndërrojnë ditën e zgjdhjeve dhe në një votëbesim për maxhoarancën nëse e ka bërë detyrën e vet apo jo.

Të fundit

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Lajme të tjera

Web TV