Është më e rrezikshme heshtja!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tmerri më i madh për mua është justifikimi i dhunës. Sidomos nga persona publik e politikanë. Sepse ata vetë për çdo kundërshtar të tyrin, përdorin shpesh fjalë pezhorative dhe ofenduese për tjetrin. Me vinë në kokë me dhjetëra shembuj, e fundit ishte “flokë të gjata e mend të shkurtra”, që iu tha një lideri partiak. A s’ishte ofendim ky? Ç’të ndodhte? Të plasnin grushtet

Nga Nazim Rashidi

Po më ndodh shpesh, dhe jo më larg se para disa ditësh, por para ngjarjes që dua ta marr si shembull, më pyeti dikush, se çfarë duhet bërë, dhe a mund të bëhet diçka për gjithë atë gjuhë urrejtjeje dhe ofendime që derdhen në rrjetet sociale?

Në fakt ka disa hapa ligjore që mund të ndërmerren, mund të ngrihet padi, nëse personat kanë bërë thirrje për dhunë fizike, nëse kanë keqtrajtuar me fjalë, nëse kanë shpifur, nëse ushtrojnë dhunë psikike. Vlejnë një sërë ligjesh të caktuara, por do të duhet të angazhohet një avokat, dhe ai të ndjekë procedurën, e nëse shkelësi i ligjeve kërkon falje procesi gjyqësor mund edhe mos të fillojë.

Por nëse as kjo nuk ndodh pastaj gjithçka është në dorë të gjykatësit. Gjithçka vështirësohet nëse komentuesit ofendues janë jashtë shtetit ku ju veproni. Interneti krijon një hapësirë globale. Në këtë rast jo domosdoshmërisht ligjet e vendit tënd vlejnë në vend tjetër. Dhe ajo çfarë ndodh është që gjithçka mbetet në botën virtuale me gjithë shëmtinë e saj të shpërfaqur me fjalët më ofenduese të mundshme. Të më falin juristët për shpejtësinë e shpjegimit të procedurave, por në këtë rast qëllimin e kam veç të jap idenë se si do të zhvillohej një proces gjyqësor.

Por ç’duhet bëre? E thjeshtë në esencë. Që mos të ofendohemi, s’duhet as të ofendojmë. Në asnjë mënyrë kjo s’do të thotë se s’duhen dhënë mendimet. Por fjalët mund të zgjidhen. E kjo vjen plotësisht nga vetëdija juaj. Këtë pjesë se kontrollon asnjë ligj e asnjë rregull. Prandaj dhe shfaqen dilemat, çdo bëjmë, do ndalojmë vullgaritetin dhe ofendimet? E bëjmë dot këtë? Gjithashtu jo më larg se disa ditë më parë, në një forum me institucione tejet konservatore, ku gjithashtu flitej për rrjetet sociale dhe jetën digjitale, një pjesëmarrës sugjeroi të vendoset një censor. I parafrazuar mendimi i tij, sugjeronte se prapa internetit, faqeve të ndryshme, të rrije dikush e të vendosë se çfarë komenti të shfaqë e çfarë jo.

Sigurisht ideja ishte me qëllim të mirë, që mos lejohet vullgariteti apo dhe konfliktet verbale, por a arrihet kjo? Sigurisht është e pamundur. Por përveç asaj është edhe e rrezikshme, sepse ata që do rrinë prapa internetit gjithmonë do kenë fuqinë të ndalin ata që duan dhe të shfaqin ato që iu intereson. Dhe sado që të ketë ofendime e sharje, në fakt do dale veç një ide dhe një qasje, ajo e censorëve dhe të gjithë do mbytemi në një ideologji.

Por vërtet e duam këtë?

Ose pyetja duhet bërë edhe ndryshe, nga lodhja dhe shëmtia që shfaq interneti, a do pranonim censurën? A do ishte më mirë të jetonim në një botë ku dikush do shfaqte realitetin e tij/saj pa e ditur se çfarë ndodh në të vërtetë? Kjo për mua do ishte tmerri më i madh. Mbase edhe se kam jetuar një pjesë të jetës time në sistem monist, ku e vërteta ime, e jona si shqiptarë asnjëherë nuk dilte në sipërfaqe, por edhe për shkak të bindjeve dhe lirisë që kam brenda vetes, dhe e cila nuk më lejon të pranoj iluzionin si realitet.

Realiteti jonë është i shëmtuar, i vrazhdë, i pazhvilluar, por nëse se pranojnë çdo gjë që do ndërtojmë do jetë mbi kulla rëre dhe jo themele të forta, e pastaj gjithçka do shembet, e këtë gjë nuk e dua. Prandaj të gjithë, ju që me aq pasion e dëshironi kontrollin, autoritarizmin, sundimin, kujdes, se e gjitha do t’ju kthehet kokës, me aq dramë e vullgaritet sa shprehni për të tjerët, ngaqë liria është e shenjtë.

Çdo mbështetje e kontrollit, autoritarizmit, sundimit kalon pastaj në trysni e dhunë. Mund të jeni në një moment sunduesi por fatet shpesh ndryshojnë, dhe çështja është përherë çdo ndodhë me ju kur do jeni i mposhtur? Madhështia është të pranohet e ndryshmja, sa do që në disa raste mund të vijë e shfaqur edhe vulgare, edhe e padëshiruar por edhe si ofendim.

Dhe kjo ka rëndësi. Shumë. Se humori, satira, cinizmi, mund të merren po aq ofenduese, nëse ata të tjerët si perceptojnë me këtë sens. Janë vija e hollë që ndan poshtërimin dhe thirrjen për dhunë me sensin kritik dhe nxitjen e debatit. Këtu është dallimi në qasje. Dhe kur e them këtë, dua të shpalos me ju rastin Valon Sylës, gazetarit nga Prishtina që u sulmua nga një person në mes të rrugës, për siç u tha se sulmuesi ishte ofenduar nga një opinion i tij i shprehur në rrjetet sociale. Ja statusi i tij që shkaktoi reagime: “Qenka nisë diaspora për Kosovë.

Po e proklamojnë si inekcion ekonomik… edhe kishe po vinë me na majtë; Ngoni gërrnaça. Me pas efekt ekonomik, duheni me kriju punësim. Për ka 200 euro që ja u leni plakave bashkë me korona-virus, kurrfarë efekti ekonomik s’është. ‘Xhamadani vija-vija ështê korona, trus te shpija’. Është dhuratë për familjet e juaja, është ndihmesë, por sështë esenciale për Kosovë. Merrne vesh se për veti e keni çdo shpenzim dhe çdo dhuratë që ja bëni familjeve të juaja dhe njerëzve që i doni, por se keni për ne, për Kosovë. E keni për më të afërmit tuaj.

Lexo edhe :  Berisha me zë Gazi!

Edhe mos rreni… se jeni bo të gërditshëm

A e dini se 1 njeri me majt në Kosovë kushton minimumi 320 euro për muaj, ose 3840 euro në vjet. Kosova i ka 1.7 milionë banorë, për me majtë Kosovën duhen 6.5 miliardë e 280 milionë euro. Nga ju vinë vetëm rreth 400 milionë remitenca, tjerat bleni banesa, konzumoni e tjerë, që i afrohen 900 milionshit. Pra nja 5.5 miliardë i prodhojmë e i harxhojmë ne këtu, na që sjemi diasporë. Paratë e juaja janë konzum ma i vogël se kosovarët që së bashku i harxhojnë në Shqipëri çdo verë, përafërsisht 3 miliardë euro. Kush si permend se marre është. Pra nalnu, pak. Se ky është llafi fugareve budallë. Andaj dhuratat e familjeve të juaja mos na përmendi neve se marre është. Ecni tash, pini red bulla, makiato, pak qebapa. Dhe ngoni tallava e leni naj bakshish qaty. Knaqnu e mos na teshni se për veti jeni ardhë. Gërrnaça, mirë se vini”. Lexojeni mirë. Këtu vetëm fjala “Gërrnaç” është fendim. Krejt tjetra është një opinion. Me të cilin mund të pajtohemi, e mundet jo.

Por ja kthehuni dhe lexoni edhe një herë!

Tmerri më i madh për mua është justifikimi i dhunës. Sidomos nga persona publik e politikanë. Sepse ata vetë për çdo kundërshtar të tyrin, përdorin fjalë pezhorative dhe ofenduese shpesh për tjetrin. Me vinë në kokë me dhjetëra shembuj, e fundit ishte “flokë të gjata e mend të shkurtra”, që iu tha një lideri partiak. A s’ishte ofendim ky? Ç’të ndodhte? Të plasnin grushtat. Por këto politikanë tani i ngjiten debateve se janë popullore, sepse prirjen e debatit e shohin si mundësi për të vjelë vota.

Sepse është jo popullore të mbrosh një qëndrim që kritikohet. Kjo është edhe më e shëmtuar. Sepse edhe vetë e dinë, se shprehja e mendimit, që disa herë ka tone provokuese, kundërshtuese, por edhe ofendim, është gjuha që ata e përdorin në vazhdimësi. Por jo, tani meqë duan vota, i ngjiten rrymës. Ndërkohë e mendojnë të kundërtën. Kjo është tmerr. Sepse, ata e dinë që është më e rrezikshme të krijohet një kulturë ku do ketë frikë për të shprehur mendimin, i cili edhe mund të ofendojë, se sa mos shprehet mendimi. E dinë, se imagjinoni pushtetin të rrahë sa herë opozita kritikon e ofendon.

Për ata e di pse e bëjnë. Por më tremb justifikimi i dhunës nga njerëzit e zakonshëm, sepse tregon se shoqëria jonë nuk ka tolerancë, nuk njeh kufijtë e etikës, as kulturën e debatit. Tregon se demokracia dhe liria e shprehjes ende perceptohet si forcë, e atij që ka pushtetin, forcë e shumicës dhe jo si gëzim i lirisë. Sepse shumica e gjithë atyre që kundërshtuan ofendimin e bënë këtë me fjalë edhe më ofenduese. Jo, jo s’ka rëndësi kush filloi i pari, nëse ke parime kundër ofendimit, do e kundërshtosh atë pa ofenduar tjetrin. Ku është parimi këtu? Prapë do them, kujdes, sidomos ju të politikës, se po nxisni idenë se për çdo perceptim si ofendim, të merret e drejta për të ushtruar dhunë.

Fjalët e Valon Sylës askush nuk i analizon më, reagimet janë a ia bënë mirë ose jo që e rrahën. Nëse e pranon këtë, për çdo reagim tuajin kundërshtues e provokativ, me tone ofenduese për tjetrin, apo çdo humor e satirë për një person, ti jep të drejtën për dhunë ndaj teje. Prandaj kujdes!

Dhe tani një sqarim personal për rastin në fjalë:

Arsyeja se flas për rastin në fjalë është se nga raste të tilla që kanë aq vëmendje ne të gjithë mësojmë. Debati dhe shprehja e opinionit është baza e zhvillimit, ku bën pjesë dhe mospajtimi. Ajo që e shoh është se mospajtime do ketë përherë, por duhet pasur kujdes me çfarë fjalësh e shprehim. Dhe shumë mirë, sepse tashmë është e qartë se Valoni, kishte ofenduar njerëzit, e kjo duket nga reagimet. Për këtë ai duhej të kërkojë falje. Vlera e opinionit është tek provokimi i debateve jo i ofendimeve.

Statusi mund të kishte qenë pjesë e një debati për rolin e diasporës, dhe si qëndrim i tij ai nuk duhej ndaluar të shprehet. Por nëse është shprehur në formë që ka zemëruar aq shumë njerëz, është korrekte të kërkohet falje. Falje për fjalët ofenduese pra, për atë që është marrë si ofendim, jo për qëndrimin. Nëse pranojmë që mos shprehim qëndrimet, nëse pranojmë që mos dëgjojmë qëndrimet që s’na pëlqejnë atëherë pranojmë mos ketë debat, e kjo s’është e dobishme.

Por paralelisht nuk e pranoj dhe s’do ta pranoj që për çdo opinion për të cilin s’pajtohemi të lejojmë e justifikojmë dhunën si përgjigje. Nëse e pranojmë këtë, dhe jini të sinqertë me veten, do përfundojmë me grushta pas çdo debati. Kjo s’do ishte në rregull. Kur e them këtë, as mbështes ofendimet, as mbështes fjalorin e urrejtjes, as mbështes thirrjet për dhunë, as mbështes shpifjet. JO. Liria e fjalës nuk do të thotë liri për të thënë gjithçka. Liria e fjalës është përgjegjësi. Sepse, kur njeh lirinë tënde s’ka se si mos e respektosh dhe të tjetrit. Frika në raste të tilla është se kur sundon dhuna do shkaktohet heshtja. Heshtja sjell autocensurë, e si rrjedhojë s’ka debate. Është më e rrezikshme heshtja!

Të fundit

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Lajme të tjera

Web TV