Mjekët e spitalit covid në Prishtinë do të vaksinohen në të njëjtën kohë me mjekët e spitaleve covid në Tiranë.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për median mesditën e sotme ku njoftoi se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës, dhe 10 mijë të parat do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit.
“Kosovës do i dhurohet një sasi për bluzat e bardha të spitalit Covid të Prishtinës. Ata do të vaksinohen në të njëjtën kohë me mjekët e spitalit covid në Tiranë”, u shpreh Rama.
BE dha shembull të keq
Shprehu hapur keqardhje për qëndrimin e BE-së karshi Ballkanit në këtë situatë të vështirë pandemie.
“Ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit, ne nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritje dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Padiskutim nuk ia zgjidhim krejt këtë hall të madh motrave dhe vëllezërve tanë përtej kufirit por nuk do të ngurojmë tua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi nisur të zgjidhim për vete“, tha Rama.