Stalinizmi shqiptar në sytë e mprehtë të dy  francezëve

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Shpendi Topollaj

(Rreth librit “Bulevardi Stalin Nr 57”)

Kur çifti Elisabeth dhe Jean – Paul Champseix (Shanse) erdhën në Shqipërinë e viteve tetëdhjetë si mësues të gjuhës dhe letërsisë frënge, natyrisht që e kishin lexuar librin e Pierre Gilliardit i cili shumë dekada më parë, kishte shkuar në Rusi me të njëjtën detyrë, ku e kishte njohur nga afër përvojën e urryer paradoksale komuniste të pushtetit të Leninit.

Ata, sido që të ishte, qenë përgatitur shpirtërisht për realitetin e trishtuar që do të gjenin këtu. Por kurrë nuk do ta kishin besuar se ky realitet do ishte akoma më i hidhur se ai i Bizantit, për të cilin W.E.H.Lecky më 1869 te libri i tij “Hystori of European Morals” vëren se “Historia e perandorisë është një rrëfim monoton intrigash… helmimesh, komplotesh plot mosmirënjohje dhe vrasje të pafundta.” Jo or jo! I paskeshin rënë në qafë pa të drejtë Luigjit të XIV – të, Mbretit Diell që vërtetë sundoi plot 54 vjet nën slloganin autoritar “Shteti jam unë!” dhe në statujën e Jupiterit në kopshtin e Versajës vendosi fytyrën e vet, ama koha e tij, mirë a keq, hyri në histori si “Shekulli i Artë.”

Kurse Shqipëria e Neronit Enver Hoxha që shtriu telat me gjemba anë e kënd, duke e kthyer të gjithë vendin në burg, që i shpronësoi, i pushkatoi, i varfëroi dhe i tmerroi derisa i shndërroi në skllevër shtetasit e vet të rreckosur, u mbylli gojën atyre, u kufizoi mendimin dhe i bëri hipokritë në emër të krijimit të njeriut të ri, gënjeshtrës më të madhe që ishte artikuluar ndonjëherë, a mund të quhej tjetërsoj, veçse “Koha e Mjerimit”? Ne edhe na gënjenin, se aq e kishim mundësinë e njohjes dhe të krahasimit.

Por jo ata dy francezët e mirë e të mençur që vinin nga zemra e perëndimit demokrat, të begatë, të qytetëruar e të kulturuar. Gjithmonë e kanë vizituar të huaj Shqipërinë dhe shumica i kanë shprehur me shkrim përshtypjet e tyre. Për kushtet tona ne u mbetemi përherë mirënjohës atyre, se fundja na e kanë ndriçuar rrugën nga kaloi historia jonë. Nuk u jemi zemëruar atyre edhe kur me vërtetësi e kanë pikturuar tabllonë reale të vobegtësisë. Se fundja asnjëherë nuk kanë ngurruar të evidentojnë edhe vlerat e virtytet tona, me të cilat përherë jemi ndier krenar para kujtdo.

Atyre u ka lënë përshtypje të veçantë bujaria dhe mikpritja e shqiptarve që për mikun ditë e natë e kanë mbajtur derën të hapur. Sikurse kanë konstatuar sinqeritetin, çiltërsinë dhe respektin e jashtëzakoshëm për ta. Dhe për këtë ne jemi ndier mirë dhe aspak të turpëruar. Kurse teksa lexon librin e këtyre pedagogëve, sepse të krijohet një boshllëk brenda vetes dhe të rishfaqen skena nga absurdi i madh i asaj kohe të cilat jo vetëm të bëjnë të skuqesh, por edhe të kërkosh përgjegjësitë e tua që lejuam të përkuleshim deri në kufijtë e të pabesueshmes dhe si naivë besuam në broçkullat e kriminelëve injorantë komunistë. Këtë syleshllëk e ka shpjeguar fare mirë përkthyesi i Stalinit Valentin Berezhkov i cili te libri i tij me kujtime arrin në përfundimin se “Kam qenë një vjeç e gjysmë, kur u shemb Perandoria Cariste. Nipi im po mbush aq, kur u shemb perandoria sovjetike.

Mos dhëntë Zoti të përjetoi dhe ai ato që iu desh të kalonte brezi im!..” Se këtu te ne, jo vetëm rruga ku ata banonin mbante emrin e atij njeriu të urryer, jo vetëm statuja e tij dominonte dhe sfidonte mendjet e qytetarëve, por dhe ideologjia që ai eksperimentoi me popullin e tij, mbisundonte dhe zbatohej pa vrasjen më të vogël të ndërgjegjes për dëmet që sillte. Kuptohet lehtë se autorët e kanë dashur vendin tonë, popullin shqiptar dhe e kanë ndier veten misionarë të përparimit.

Por ata nuk kanë mundur t`i mbyllnin sytë para zymtësisë zherminaliste, para hipokrizisë të njerëzve me të cilët i lidhte puna apo që rastësisht takonin kudo që shkonin. Si të mos u bënte përshtypje survejimi i përhershëm dhe shpesh qesharak nga ana e sigurimit të shtetit? Si të mos i shqetësonte syçelësia e drejtuesit politik të fakultetit ku ata jepnin mësim dhe ajo e virgjëreshave vigjilente, siç i quanin ata sekretaret e rinisë. Kudo, ata njerëz miqësorë, të etur për biseda, diskutime e debate, rrethoheshin vetëm nga dyshime, aq sa deklarojnë: “Nuk ia arrinim dot të largonim mosbesimin e të tjerëve dhe pas një farë kohe njeriu e ndien veten të poshtëruar në kërkim të kontakteve me të tjerët.

Nuk na ngelej tjetër: ose ta shpërfillnim këtë vend ose ta zbulonim me mjetet tona pa e ndryshuar vetveten.” Dhe ata zgjodhën dhe e realizuan mësë miri këtë rrugën e dytë që paradoksalisht shmangu edhe atë të parën; shpërfilljen. Të kufizuar siç ishin, pa kontakte me të tjerë, pasi askush nuk u hynte dhe askush nuk i ftoi ndonjëherë në shtëpi, kuptohet nga frika, ata me një shqisë të çuditshme dhe me një mëndjemprehtësi të rrallë, arritën të shohin gjithçka dhe të analizojnë çdo fenomen e ngjarje të sotme, të retrospektivës apo dhe të perspektivës.

Mure dhe rrugë të mbushura me parrulla, ngado fusha të mbjella me bunkerë, rast e pa rast fjalime pompoze e parada “suksesesh”, gazeta, radio dhe televizorë mbushur me propagandë që flisnin për skamjen e vendeve borgjeze e revizioniste dhe lumturinë e shqiptarëve, luftë lirisë së ndërgjegjes dhe të besimit, kthimit të objekteve të kultit në reparte ushtarake dhe magazina zarzavatesh, një arkitekturë mizerabël, radha të pambarim për diçka sa për të mbajtur shpirtin gjallë, mungesa gjithmonë në rritje, pa rrugë e pa komunikacion bashkëkohor, kufizime nga më të pabesueshmeve deri edhe te filmat e literatura, ku autorët e huaj përzgjidheshin me saktësi pontifikësh, plenume me shpallje armiqsh që s`mbaronin kurrë dhe që përfundonin me koka të prera si dikur në Francën e Robespierit, vrasje djemsh të rinj për tentativë kalimi kufijsh, dhe vite të gjata burgimi për një fjalë goje – ja aspektet mbi të cilat pikturohej në sytë e tyre vendi ku qenë caktuar të punonin për gjashtë vite me radhë. Kur kalonin në rrugë, si mund të mos u binte në sy habija e përgjithshme dhe zilia e kalimtarëve për këpucët që këta të huaj kishin veshur, apo shikimi i përvuajtur i fëmijëve që kërkonin ndonjë stilolaps a çamçakëz.

Lexo edhe :  Sanitarja i zhvati 8 mln lekë në spital/ Publikohen mesazhet rrëqethëse që e ndjera i dërgonte të bijës: Mos më lër të vdes! Nuk më dhanë bukë

Është e kuptueshme, se në të gjithë këtë mozaik karikature, do zgjedhësh si mjet përshkrimi edhe ironinë edhe sarkazmën, ndaj shpesh duke lexuar nuk e mban dot të qeshurën. Edhe pse është për të qarë. Të mbetet në mendje rasti i punonjësit të ambasadës italiane që fëmijë dhe ushtarë bashkë i kërkonin llogari se ç`donte tek ajo gëmusha, ku ai i ziu kishte defekuar nga halli dhe i duhej birit të ulkonjës të justifikohej me gjuhën e Dantes se nuk kishte bërë ndonjë spiunllëk apo ai i sigurimsave që natën teksa ruanin pallatin ku banonin të huajt, mbulonin kokën dhe rrëmonin për ndonjë leckë në kazanët e plehrave kapitaliste.

Të gjitha këto e plot e plot të tjera, çifti francez i dallonte menjëherë, kurse udhëheqësit trumykur komunistë vazhdonin me kokëfortësi të bënin sikur s`i shihnin. Ka nota keqardhjeje dhe pikëllimi kur ata tregojnë sesi ushtarët vrasin teksa peshkonte bashkëatdhetarin e tyre Zhan – Mari Maselen, organizator i kompanisë Club Mediterranee të Korfuzit. “Vetëm disa kilometra e ndajnë vendin ku ndodhet klubi, i cili ka për moto kënaqësinë, dhe Shqipërinë psiko – të ngurtë që pret ndonjë sulm me pushkën në sy. Është e natyrshme që takimi mes këtyre dy botëve të krijojë shkëndija.”

Ndesh në libër përshtypje për ciganët, pakicat në jugë, kosovarët dhe problemin kombëtar, vëllezërit Popa që shënuan çarjen e parë të “Titanikut” shqiptar, por më së shumti aty zenë vend marrëdhëniet dhe mentalitetet e studentëve, se me ta i lidh profesorët direkt puna. Ata janë të etur për dije, të kulturuar, kurreshtarë, por ende të pa përgatitur për ta parë të vërtetën në sy dhe për të menduar si të pavarur. Edhe kur flasin, ata ruhen dhe duan të komunikojnë pa pasur të tjerë aty rrotull.

Pyetjet që bëjnë janë interesante dhe tregojnë pakënaqësinë e tyre. “Studentë – pohojnë autorët – duan të konsiderohen si evropianë. Vuajnë kur marrin vesh se vendi i tyre për shumë të huaj është një pikëpyetje e madhe në hartë.” Por ata njohin intelektualë tërësisht evropianë si Vedat Kokona, Misto Treska, Jusuf Vrioni, Tedi Papavrami e deri tek Ismail Kadareja, analiza e veprës të të cilit ze në këtë libër me shumë të drejtë, një vend të rëndësishëm, pasi është ashtu sikurse thotë shkrimtari ynë Visar Zhiti: “Gjithmonë sipas meje, në Shqipëri ka ndodhur “fenomeni Kadare”, i pangjashëm në letërsinë e vendeve të tjera, i çuditshëm, i bukur dhe qëndrestar. Letërsia e Kadaresë vërtetë bashkëjetoi gjatë me diktaturën, të dyja në kulmin e fuqive të veta, por nuk u bë e saj e as u mposht prej saj. U bë vlerë ndryshe, mbivlerë, për të gjithë shqiptarët, ushqim i vërtetë shpirtëror, dhe arriti të çajë izolimin, duke u bërë dhe pjesë e kulturës botërore, sipërane, nga më e mira.”

Njohës të mrekullueshëm të letërsisë, autorët e shohin veprën e Kadaresë dhe antikomunizmin e tij me gjakftohtësi dhe pa anësi, për të mos thënë me admirim për talentin gjenial dhe prirjen absolute ndaj perëndimit. Ata me kënaqësi shkruajnë: “Paradoksi është i madh: në Shqipërinë e mbyllur antiperëndimore dhe shumë nacionaliste, është suksesi i tij jashtë vendit, më saktë në Francë, që do e bënte Kadarenë në krye të herës shkrimtar kombëtar.”  Dhe eseja e gjatë mbi Kadarenë mbyllet me analogjinë që ai bën me nënkuptim me Eskilin i cili “… thellë vetvetes e ndiente se Greqinë e kishte të tërën mbi shpatulla dhe, sado që të shkumëzonte, sado që të lëvizte supet me tërbim; atë nuk e shkundte dot kurrë. Ishte e thënë që ta mbartnin njeri – tjetrin nëpër mijëvjeçarë.

Ai Greqinë dhe Greqia atë. E ndiente se kjo ishte një lidhje fatale, por kishte në atë fatalitet edhe zi, edhe dritë, edhe brengë, edhe lumturi, edhe humbje, edhe ringjallje…” Me përjashtim të faktit se ai nuk kishte lindur rreth 25 shekuj më parë në Eleuzinë dhe nuk kishte marrë pjesë në betejat e Maratonës dhe Salaminës a nuk ngjet tragjizmi dhe lirizmi madhështor i Eskilit me vetë veprën kolosale të Kadaresë? A nuk ka ai rolin e padiskutueshëm të ndërgjegjësimit të njerëzve për domosdoshmërinë e ndryshimit të madh?

Të atij ndryshimi ku na çoi kopjimi i carizmit stalinist rus që po sipas Berezhkovit, erdhi dhe iku me faqe të zezë, njësoj si këtu te ne: “Varfëria, dëshpërimi, radhët e pafundme për gjërat më të domosdoshme, humbja e besimit në “të ardhmen e ndritur”, boshllëku, mungesa e plotë e shpresës, si dhe frika, që mbushën shpirtrat e njerëzve, të gjitha këto shpërthejnë jashtë në skajet më të ndryshme të ish B.R.S.S. – së nëpërmjet çehres së frikshme të dhunës dhe në çdo çast rrezikojnë të kthehen në luftë të përgjithëshme vëllavrasëse civile.” I vetmi nxitim i autorëve, për mendimin tim, është cilësimi i të ndjerëve D. Agollit, të cilit nuk ia mohojnë talentin, si Cerber dhe A. Uçit si inkuizitor i estetikës!

Ata mbeten dy nga intelektualët tanë të shquar që asnjëherë nuk kanë shfaqur hezitim në dëshirën e sinqertë që Ismail Kadareja e meriton çmimin Nobel. Dhe ka një domethënie shumë të madhe fakti që kohë më parë, vetë Presidenti i atëhershëm I Francës i akordoi Ismailit tonë çmimin më të lartë. Ne të gjithë i jemi mirënjohës Francës, ashtu sikurse duhet t`i jemi mirënjohës dhe të vlerësojmë zyrtarisht punën plot përkushtim e largpamësi të çiftit francez Elisabeth dhe Jean – Paul Champseix për sa bënë gjatë kohë qëndrimit në atë apartamentin e ngushtë të bulevardit Stalin (që mos ju dëgjoftë më emri) në Shqipërinë e asaj kohe dhe për këtë libër me të vërteta tronditëse që kurrë nuk duhen harruar. Se sot që gjërat kanë ndryshuar për të mirë edhe ne pa frikë se do të na keqkuptojnë si dikur atë sekretarin e partisë, mund t`u themi me plot gojën atyre: “Tani keni marrë tamam hije shqiptari!”/Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Ndodh mrekullia/ Foshnja i mbijeton transplantit të mëlçisë dhe Covid-19

Një mrekulli ka ndodhur me Kasen Donerlson , të voglin 1 vjeçar i cili arriti ti mbijetojë sëmundjes të...

Kosovë/ Sërish viktima dhe shumë raste të reja me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit 5  persona të infaktuar me COVID-19 kanë vdekur...

‘A ke foto e video të gocave tjera që mund t’ua shkatërrosh jetën?’/ Arjoni: Kam 36 minuta material

Arjon Luli një nga ish-konkurrentët më të komentuar të emisionit “Përputhen”, i cili u përjashtua nga reality show pasi theu një nga rregullat kryesore,...

Inxhinieri turk fejohet me vajzën nga Mamurrasi/ Rama bëhet ‘kumbar’ dhe e këshillon: Llokumin jepja vjehrrës se…

Kryeministri Edi Rama është bërë sot ‘kumbar’ i dashurisë së një çifti që sapo zyrtarizoi lidhjen. Bëhej fjalë për një djalë turk, me profesion inxhinier,...

Fatjoni i dënuar për prostitucion? Zbardhet mesazhi: Jam një vajzë nga Fieri dhe…

Fatjoni është fieraku më i përfolur i momentit në "Përputhen". Që prej fillimit ai dalloi jo vetëm për pamjen por edhe tipin e tij. Ai...

Lajme të tjera

Web TV