Sipas CNN, FBI po monitoron raportet e “kërcënimeve të ndryshme për të dëmtuar presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden përpara ceremonisë së betimit” në 20 janar.
Sipas FBI-së, “informacionet e tjera, tregojnë për kërcënime kundër zëvendës-presidentes së zgjedhur, Kamala Harris dhe Kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi”.
Pasi mbështetësit e Trump, sulmuan Kapitol Hill javën e kaluar, tensioni në Shtetet e Bashkuara mbetet i lartë.
Sipas gazetës “New York Times”, mbi 150 persona u vunë në shënjestër nga FBI dhe Departamenti i Drejtësisë për sulmin ndaj Kapitolit javën e kaluar.
Gazeta flet për një “gjueti të vërtetë në nivel kombëtar” dhe analistët e inteligjencës po hetojnë gjithashtu përfshirjen e mundshme të organizatave terroriste kombëtare ose të huaja në sulmin që nga hetimet e para do të dukej “gjithnjë e më i koordinuar”.
Por Biden, nga ana e tij përpiqet të hedhë “ujë mbi zjarr”, duke konfirmuar se, “nuk kam frikë të betohem në ambient të hapur”, në Frontin Perëndimor të Kapitol Hill, vendi ku tradicionalisht mbahet ceremonia e inaugurimit presidencial.
Ai e bëri të qartë këtë gjatë administrimit të dozës së dytë të vaksinës Covid. “Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ka pasur një vëmendje të vërtetë dhe serioze për të ndaluar ata njerëz që morën pjesë në sulm dhe kërcënuan jetën e njerëzve, prishën pronën publike dhe shkaktuan dëme të mëdha,” shtoi ai.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se në funksion të betimit, presidenti Trump ka pranuar kërkesën e kryetares së Bashkisë së kryeqytetit, Muriel Bowser dhe miratoi një deklaratë të jashtëzakonshme për Uashingtonin. Ndihma federale u urdhërua nga sot, deri në 24 janar për të siguruar çdo gjë përpara betimit të Joe Biden.
Por diçka lëviz gjithashtu në një nivel social. Platforma “Twitter”, në fakt ka bërë të ditur se ka mbyllur “mbi 70 mijë llogari” të lidhura me teorinë e konspiracionit të ekstremit të djathtë “QAnon”, pas sulmit në Kapitol Hill./Bl.Ba/Fjala.al