Gjuha e lirisë dhe qeniet e munguara

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga PIRRO LOLI

Piro Loli
Piro Loli

“Çdo libër është riprodhimi i jetës sonë, ashtu siç është, por që ka si burim lirinë e njeriut”. Kjo tezë e Sartrit përmban esencën e objektit të artit, jetën e njeriut dhe lë hapur, pafundësisht, lirinë e shprehjes së tij. Gjuha është i vetmi mjet realizues i rrëfimit estetik, besnike e rendit të sendeve, faktologjisë dhe gjuha e sajesave, ose e trillimit, apo “rrëfimit të rremë”, ku uni i shkrimtarit, me anën e fantazisë, i prish lidhjet logjike, i thyen kornizat e njohjes empirike duke e pasuruar në pakufi shprehjen letrare..

Gjuha e sendeve

Gjuha e sendeve ose faktologjia i imponohet shoqërisë me vrazhdësinë reale të jetesës së njeriut dhe domosdoshmërisë së edukimit. Ajo shprehet edhe si nevojë utilitare. Shoqëria e konsumit është përditshmëria e kësaj gjuhe. Që bën llogari të përpikta lidhur me ekzistencën e ndërvarur nga nevojat e jetesës si puna, banesa, supermarketi, marrëveshjet, natyrisht në përshtatje me nivelin kulturor, shkollën, edukimin e që, të gjitha kanë promotor interesin, paranë. Në këtë vështrim poetët dalin jashtë loje sepse nuk prodhojnë të mira materiale.

Ky vështrim është i gabuar e empirik sepse përjashton artin, dhe letërsinë, botën e madhe të njeriut, nevojat shpirtërore të tij dhe domosdoshmërinë për dije të një njohjeje të veçantë. Fatkeqësisht libri tek ne matet me emrin e autorit( famën) dhe me vlerën e tregut. Të dyja të pasakta për të mos thënë, të gabuara. Realiteti faktologjik, për hir të traditave realiste dhe të nevojave kalimtare, kalon dhe në letërsi, madje sundon median e shkruar dhe elektronike shpesh në mënyrë spekulative, që krijoka një art konkret, realist për t’u çlodhur (apo për t’u lodhur) me libra pa vlera e një publicistikë aspak profesionale e, fatkeqësisht, edhe me një letërsi të varfër faktesh e ngjarjesh empirike, që synojnë edukimin e njeriut me anën e fakteve dhe shëmbëlltyrave saktësisht të kapshme e të njohura, që as ndezin as shuajnë, por veç tymojë.

Me sa duket funksioni regjistrues i fakteve e ngjarjeve dhe funksioni krijues i tyre ka qenë i njëjtë. Në fillesa letërsia ishte një rrëfim real, konkret i domosdoshëm “si thika, shkopi ose zjarri”, për ta ndihmuar bashkësinë në rregullimin e jetës. Në mesjetë letërsia kish për bazë moralin teologjik e në rrëfim, mbizotëronte këshilla e Biblës a Kuranit. Gjuha e rendit të sendeve ose realizmi, karakterizohet nga vëzhgimi empirik në përshtatje me psikologji politiko-ideologjike të imponuara.

Në regjimet totalitare gjuha e krijimit është direkte dhe synon edukimin e njeriut sipas platformave të diktuara e të njohura shoqërore. Krijuesi është i privuar nga influencat e estetikës moderne ku trillet e gjuhës nuk kanë kufi, në të kundërt shkrimtari shpallej qytetar i rrezikshëm. Nuk është e rastit që diktaturat e majta a të djathta, Staliniste a hitleriane, organizonin djegien e librave dhe persekutimin e shkrimtarëve.

(Ka një poezi Brehti ku bërtet: Pse, pse nuk po m’i djegin dhe librat e mia”. Është pozicioni i dhimbjes i diktuar nga pozicioni tij ndaj diktaturës.) Janë të freskëta dhe sot qëndrimet e dhunshme ndaj shkrimtarëve si në Ugandë, Iran, Indonezi, Turqi, Korenë e Veriut etj. Kujto talentet e mëdha si Selman Rushdi, apo nobelistin turk, Pamuk, të etiketuar si “non grata” nga të vetët. Letërsia e rendit të sendeve është e vjetër sa bota dhe ka të drejtën e qytetarisë edhe sot, tipike kjo për shkrimtarët e angazhuar e mediokër, që flasin me gjuhën tradicionale duke spekuluar me traditën, folklorin, vendlindjen, atdheun dhe idetë.etj…

Letrarizimi i historise

Edhe historia është rrëfim subjektiv. Gjuha e sendeve është më e përshtatshmja me ndodhitë dhe faktet historike. Dhe është kaq e afërt sa nobelisti Grous thotë se mbarë historia është historia e sotshme. Prandaj ajo duhet shkruar rishtas e rishtas nga çdo brez që vjen. Letrarizimi i historisë sipas fakteve duket sikur ka të drejtë dhe imponohet si një e vërtetë. Kjo nuk është e drejtë as e vërtetë, Historia është gëzhojë e ftohtë, e ndryshkur. Historiani nuk e ka parë plumbin e gëzhojës, flakën, personin, mbretin, Cezarin, ballistin a komunistin, pra, as vrasësin as viktimën.

Gjithçka shkruan, ai e ka me të dëgjuar, ose me të lexuar nga të tjerët. Kështu edhe traktati historik, dokumenti, është rrëfim subjektesh të ndryshme, pa iu shmangur ideologjive dhe imagjinatave. Kjo histori e letrarizuar ose rrëfimtare ujit rrënjët e fakteve që ato të kuptohen, të perceptohen si ndikim i mëvonshëm, por gjithnjë pa e zgjidhur kontradiktën midis fituesit dhe humbësit, xhelatit dhe viktimës, të cilët ndajnë të vërteta të ndryshme e të kundërta.

Edgar Doctoroë shkon edhe më tej kur thotë: “Faktet janë figurat e historisë po aq sa figurat letrare janë bazë e letërsisë artistike.” Vihen në pikpyetje kështu ,jo vetëm të vërtetat letrare(që s’janë të vërteta faktologjike), por dhe ato të historisë që imponohen si të tilla. Të urtët nuk thonë më kot se historia është mësues i keq, njëkohësisht as burimet letrare nuk mund të jenë busull drejtuese në veprimtarinë e njeriut. Në letërsinë e mirë nuk do të thotë pa tjetër të besosh në atë që rrëfen. Kjo ndodh vetëm tek fëmijët dhe lexuesit e rëndomtë që i besojnë gjuhës së sendit.

Lexuesi cilësor e dallon ngjarjen e vërtetë nga ngjarje estetike dhe i beson artit, që bëhet fakt tjetër estetik, jo faktologjisë. Ai e ndien se po lexon diçka iluzore, që s’është e tij por i krijon kënaqësi estetike. Në ndryshim me të, historiani gënjen në pasiguritë e tij duke vulosur “të vërteta historike” subjektive. Në letërsi koha nuk rrjedh vetëm në mënyrë lineare. Shkrimtari e krijon kohën, i trazon kahjet, prandaj rrëfimi letrar shpesh bëhet më i plotë se rrëfimi historik. Koha shpirtërore ndryshon nga koha e zakonshme.

Kritika çoroditëse

Janë të rrallë kritikët që depërtojnë në thelbin e veprës letrare dhe ia lehtësojë lexuesit rrugën e kuptimit. Dhe akoma më të rrallë kritikët që barazohen ose afrohen me autorin dhe e ndihmojnë atë të gjejë vetveten, atje ku i ka vlerat. Dikush tha kritikët janë xhuçmaxhuçë që rriten në sqetullat e shkrimtarëve… Kritiku shpesh merr përsipër pesha që nuk i mban dot. Kjo vjen kryesisht se kritiku njeh ose preferon gjuhën e rendit të sendeve, analizon pa e kuptuar fantazinë krijuese, në kundërshtim me frymëzimin poetik, pra, pa i provuar temperaturat dhe ethet e procesit krijues.

Kështu ata bëhen gjykatës amatorë që gjykojnë të pafajshmen. Me gjuhën e rëndomtë të inventarit të fakteve, bazuar në lidhjen logjike, kjo kritikë që mund të jetë dhe racionale, nuk e kupton metaforën dhe iluzionin, nuk futet dot në galerinë e florinjtë të simboleve; atë e tmerron “gënjeshtra krijuese”, imagjinata ose irracionalja. E shumta, ai, për traditë ,dhe për nivelin kulturor, dashuron faktin a trupin që drejtohet nga idetë, tematikat ose problemet shoqërore jo shpirtin si hapësirë e pafundme dhe e pa eksploruar e njeriut. Por faktet dhe dëshmitë të dëshpërojnë.

Nuk ka fakte në vetvete thoshte Niçja. Edhe në gjyq, nuk ka verdikt drejtësie pa subjektivitetin e gjyqtarit, le më, pastaj, kur kritika e paragjykon veprën me autorin, me shkallën e njohjes që ka për të. Kjo e bën që të anashkalojë vlerat ose dobësitë e veprës, sepse ndikohet nga qenia e autorit si njeri i mirë apo i keq. Kjo lloj kritike, në fund të fundit reklamon mediokritetin e vetvetes. Të kërkosh shkrimtarit pse kështu e ashtu, është farsë absurde. Subjektet janë të ndara e kurrsesi s’mund të kërkosh që shkrimtari të jetë si ty, si ju apo si të gjithë. Kjo është fjala që bie në boshllëk, që mjegullon atje ku ka diell e hedh trëndafila ose gurë në hava duke e çoroditur lexuesin.

Letërsia si majë e intelektit njerëzor, ka specifikën se hidhet nëpër këmbët e turmës, lehtësisht për ta shkelur. Por ajo është vetë pafajësia, sorkadhe e plagosur që pritet nëpër shtigje, jo për t’i shijuar bukurinë e lotëve që i rrjedhin, por për ta vrarë. Gjene, çka! Northrep Frajo i qetëson të dyja palët: “Artet janë memece, ndërsa kritika… le të flasë.” dmth, le t’i bjerë daulles…

Qeniet e munguara

Shkrimtari nuk duhet të shkruajë me paramendim për të kënaqur lexuesin e aq më pak shijet e bashkëkohësisë së njohur prej tij. Ndërkohë ai duhet t’i qepet lexuesit pa e ditur cili është e ku është. Nga ana tjetër vetë shkrimtari, i gjallë a i vdekur, është i padukshëm; një emër a një adresë. Ai shkon te lexuesi si një urë që mungon, por duhet të kalohet. Ai të ka falur një shportë me lule që lexuesi , jo vetëm ta shijojë por dhe ta mbushë me lulet (dhe gjëmbat)e përvojave të tij. Kënaqësia e leximit është çast i pakuptueshëm, imagjinar e imponues.

Shpesh me dhimbje si çdo lindje. Dhe një akt kulture si bregu i tejmë, që po e mbërrite, ta lartëson shpirtin. Shkrimtari është tekst që duhet kuptuar e plotësuar e, nëse flasim për shkrimtarë modernë, që provokojnë përvojat, ai s’mund të kalohet me një sy të shpejtë. Teksti që përmban vlera estetike është një sy që duhet parë brenda syrit. Kënaqësia e tekstit krijon e imopnon kultura paralele shpesh nëpër breza të tërë. Ndaj leximi është kënaqësi e ndarë, kulturë e këputur, por që nuk pushon së rrjedhë pikë pikë, është gjuhë që merr përsipër maja të tjera shprehjeje.

Kënaqësia estetike s’ka masë e peshë, ajo është veti psikoanalitike, gjendje e veçantë shpirtërore që ta jep teksti. Dhe teksti nuk ka zë, ai thërret së brendshmi nga thellësitë e tua, ai të detyron ta dëgjosh e, sa më tepër të shkurtohen distancat me të, aq më të qarta bëhen meloditë. Amatorizmi i ka sytë me mjegull dhe meqë nuk sheh dot larg i largon më tepër distancat dhe, ato që nuk i sheh e nuk i kupton dot, i mallkon si antivlera.

Lexuesi si bashkautor

Një autor modern i lashtësisë apo bashkëkohës, kërkon dhe një lexues të ngritur, të jetë në gjendje të kuptojë energjitë e fshehura te tekstit, të dallojë inventarin e thjeshtë të ngjarjeve nga imagjinata dhe krejt galerinë e mjeteve artistike. Shkrimtari e zbukuron ose e shëmton atë copë bote që fut në fokusin e tij duke u dashuruar me imazhet, përtej sendit. Të shijosh kënaqësinë e tekstit, duhet të kesh aftësinë e përfytyrimeve, në të kundërt ai (lexuesi ) nuk i dallon dot bukuritë e përveçme.

Mendimi njerëzor në mënyrë perfekte është në lëvizje e një krijim origjinal, besnik i ndryshimeve, ka të bëjë me asosacione të fuqishme, që krijon koherencën ndërgjegjsore të ideve të ndara. Kjo është dukuri intuitive e patrupëzuar, përfytyrim abstrakt, fakt tjetër, që provokon imagjinata e krijuesit e, sa më i fuqishëm të jetë si mundësi, aq më tepër merr efekte për të gjithë. Kjo sepse, shkrimtari është në gjendje të thërrasë në çdo çast mesazhe e ide asociative dhe t’i trupëzojë këto artistikisht me mjetet e nevojshme letrare. Kjo synon domosdoshmërisht krijimin intuitiv të ndjeshmërisë shpirtërore , pa të cilën edhe idetë më ë fuqishme, mbeten të vdekura.

Kur lexuesi lexon një roman( dhe një poezi), ai e krijon atë , “e shkruan” me mënyrën e vet, e plotëson me përvojat e veta. Falë ngacmuesve estetikë të tekstit, lexuesi bën romanin e vet paralel me gjendjet emocionale, njerëz, ngjarje, rrethana, imazhe paralele duke aprovuar, ose jo, ato që lexon. Përvojat personale, impulset e mendjes së tij, në këtë rast s’janë asgjë tjetër, veçse forma të miratimit të gjuhës që i ofron shkrimtari, ose i gjuhës së lirisë.

Lexo edhe :  Një vend dedikuar artit dhe kreativitetit, hapet Qendra e Artit dhe Inovacionit në Korçë

Kjo mundësi e mrekullueshme asociative realizohet me anën e imagjinatës dhe e shtyn njeriun nëpër skuta të largëta e misterioze. Por është autori primar. Është piloti që drejton avionin, jo pasagjerët që fluturojnë me të, por nuk e kanë idenë e teknikave të fluturimit. Kështu lexuesi udhëton kapur dorë më dorë me shkrimtarin, aprovon, dyshon, dialogon, kundërshton. Ai ia shton faqet romanit, madje, vazhdon ta shkruajë atë edhe pasi e ka mbaruar e, ndodh që një libër e mban mend tërë jetën.

Kjo pjellori e pakufishme e ndryshme në lexues të ndryshëm, është pasojë e tekstit origjinal, njëkohësisht hapësirë e këndshme subjektive, që të çon drejt thelbit të sendeve ose të ngjarjeve e ndërthurjeve të panjohura më parë. Por “romani” i lexuesit mbetet në ajër. Në fakt dhe lexuesi më i kualifikuar, i përjeton situatat që lexon në mënyrë të rrëmujshme, eklektike sepse impulset mendore të tij nuk janë të njëjta me të poetit i cili ka aftësinë e komunikimit figurativ. Shkrimtari i ruan ekuilibrat e rrëfimit dhe i ndez fuqishëm dritat, atje ku do ai.. Libri është një verdikt i imponuar i vullneteve të lira e të pavarura. Poeti i mirë krijon një rend të ri fjalësh, ai e kapërcen forcën e zakonit, i këput frenat, i shkel vijat e bardha, i tjetërson situatat duke u bërë kështu një pyetje e përhershme për botën dhe njeriun.

Arma primare e poetit është imagjinata, është ai veprues çudibërës i intelektit njerëzor, shkatërrues i mendjeve statike, prishje e rendit dhe gjuhës së rëndomtë të letërsisë faktologjike, opozitë shpirtërore dhe rebelim ndaj pushteteve dhe padrejtësive.. Kur kjo realizohet me mjetet e duhura artistike, me gjithë kompleksin e figuracionit, e bën aktin e krijimit akt magjik dhe poetin, “unë jam”. Është pikërisht imagjinata krijuese që i bën sendet dhe fenomenet empirike, të denja për t’u bërë tjetër gjë, enigmatike e misterioze, shpesh dhe të pakëndshme për bashkëkohësinë.

Këto të pavërteta ose ky rrëfim i rremë, bëhen kaq të vërteta sa më larg t’u qëndrojmë sendeve e sa më afër të depërtojmë në shpirtin e njeriut. Dhe është fjala, jo për afrime paralele, të afërta e të prekshme krahasuese, por për shkëputje, larg atyre që njohim. Realiteti artistik nënkupton mjetet e ndryshme stilistike, ngritjen e metaforës e të simbolit, në majat e shprehjes, ku fjala e zgjedhur gjen vetveten në situata të tjera , të ndryshme nga semantika e fillimit.

Ngjashmëria e rrëfimeve, kompozicioneve të stërnjohura e stampike, strofa, rima, ritmet e njohura, gjetjet nëpër gjetje, tashmë tregojnë varfërinë e shprehjes, ose bezdinë e një gjëje të stërnjohur. Më shqip, kjo tregon një fjalë artistike anemike., pa gjak … Dhe fjalës pa gjak, pa mushkëri nuk i bën dot analizën, ajo mbetet e lodhur, e zbetë, e errët, e ftohtë… Poeti zbret edhe në honet e njeriut, ku lexuesi nuk dëshiron të lexojë skutat e vetvetes, intimitete, gjendje të jashtëzakonshme shpirtërore, seksin, perversitetin..Por poeti e ka detyrë të të mësojë kush je.

Të gjitha rrugët ku shkojmë janë të mbushura me shpirtra, të shkelura, të zymta, të mjegullta. Ti thua të sundojë dashuria, por dashuria është e vogël sa ne, dhe urrejtja më e madhe se ne. Vetëm dhimbja është proporcionale me ne. Metafora është në gjendje të na japë dhimbjen e tokës. Dhe të gjuhës së keqkuptuar në liri, në lirinë që shpërfill njeriun. Njeriu i zakonshëm nuk e ndien dhimbjen e një bliri ndanë rrugës që i ka rënë sopata në trup. Poeti thotë: Ky bli qan me lotë të zinj, dhe nata shtyhet tutje e plagosur…

Qoka poetike që…

Aktualisht dukuria më tipike e mjediseve tona letrare është llustramania. Ose hipokrizia. Përmasat janë epidemike. Të përmbytura janë krejt trojet letrare dhe të merr malli të lexosh një kritikë të vërtetë për qindra vepra të dobta E qindra “qoka”. Pa përjashtuar askënd. As kreun as fundin. Rrezik tinzar ky i kritikës limonatë. Hidh e prit. Ti – unë – e Unë e ti. Tinzar sepse, nga miq, familjarë e interesazhinj. Pseudo kolegë. Hipokritë që nuk i besojnë as vetë ato që shkruajnë. Ose naivë e të paditur sepse i besojnë. Ose i përciptë si bejtexhi. Produkte serash këto në poezi dhe në prozë.

Kjo tepërmi miqësore në klane të mbyllura familjare, shoqërore e miqësore, mund të lexohet si patologji njohëse, aspak në kuptimin civilizues e artistik, që s’guxon të përballet me anti vlerat. Të gjithë shkrimtarëve dhe kritikëve, do t’u kujtoja fjalët e Niçes: “Shpesh kritika e lëvdatave bëhet breg me gjemba, që shpojë edhe kur hiqen”. Në të vërtetë, viktimat e para të lëvdatomanisë janë vetë krijuesit që mashtrohen nga perëndimi i bukur i diellit… kur (dielli) të gjithë arin e botës e derdh në det – dhe atij tej, peshkatarit të varfër, (bejtexhiut) i duket se edhe varka e tij e vogël, me gjithë lopatat primitive (i duket) se është e derdhur me ar… Me përjashtim të gjenive, të gjithë shkrimtarët e kanë provuar veten ta matin me hijen e mëngjesit. Përgjithësisht, babëzia për t’u lëvduar e reklamuar, pse jo dhe çmimomania, është në përpjesëtim të zhdrejtë me vlerat.

Këtij shpërpjesëtimi nuk i kanë shpëtuar as “bejlerët” tanë të letërsisë, as loxha as platea… Jam munduar në maksimum ta ruaj veten nga ky virus dhe nuk di saktësisht në kam shpëtuar. I sigurtë jam vetëm se rrugës për të gjetur të bukurën, kam humbur shumë miq. Jam munduar të evitentoj vlerat, tek autorët shqiptarë dhe të huaj dhe të të flas me gjuhën e argumentave estetike, herë herë edhe duke prishur protokollet e duke thyer tabutë. Parimi im: shkruaj e flas për atë që më pëlqen. Edhe për të panjohur. Edhe për ata të kreit të protokollit.

Dhe për kryeveprat që, nëse i pranojmë apriori pa vërejtje e analiza, nuk mund të jenë kryevepra. Vlerësimet populiste të bashkëkohësisë nuk janë jetëgjata dhe as kriter vlerësimi. Poetët, filozofët dhe estetët na mësojnë se antenat e vlerësimit duhet t’i drejtojmë jo vetëm nga lexuesi si slogan e si diktat opinionist, por sidomos nga elita profesioniste, kritika shkencore…

Por, qenkan të pashmangshme…

Qokat “letrareske”…

Në Tiranë, qarkullon fjala e çuditshme “qoka”. Do shkoj për qoka. Do shkoj në të tretën a të nëntën e të vdekurit; Këtu, qoka. dmth, për ngshëllime me ndonjë ndihmë simbolike. Bukuri njerëzore deri këtu. Por…, kjo fjalë që nderon të vdekurin, na është ngjitur edhe në punët e letërsisë. Plot me lajlelule për çdo libër të botuar. (Numuri i poetëve tek ne është qindrafishuar); boton, iksi, ypsyloni e zeta që nuk kanë haber nga letërsia e qoka, mbushur tullumbace shumëngjyrëshe, i ngre deri në talente ballkanike e evropiane. Shkruaj ti për mua e unë për ty.

Kryesisht servilë gazetash. Krijues dhe përkthyes tepër mediokër. Lëvdomë, të të lëvdoj. (Madje dhe parathënie librash(ose qoka të porositura me pagesë). Pse jo. Liri fjale, liri shkrimi, liri botimi, liri votimi). Shtëpitë botuese në vend që të të paguajnë dhe t’i dalin zot librit si kudo në botë, i falen parasë. I gjori kalë i poezisë, simboli i pavdekshëm, Pegasi, s’ka më krahë fluturues, por samar ngarkese, palldëm e kapistër e thundra të gjakosura nga gozhdët… Dhe po ta marrësh për të vërtetë të gjithë epitetomaninë e botuar nëpër gazeta, parathënie, a “facebooke”, ne paskemi qindra “mjeshtër të mëdhenj, me tituj kombëtarë, medalje ari e bakri, ndere fshati e ndere qyteti e pse jo, armatosur dhe me superlativa ushtarake, kemi nja dhjetë kandidatë për nobelistë e qindra talente yllsorë që mund t’i ketë zili edhe Evropa apo Amerika… Kësisoj, tepëria miqësore e familjare – shkurt – tepëria servilomadhe – po na kthehet në një terapi fiktive çamçakizash…

– Ngushëllime, pra! Të rroni vetë!

– Miqtë shëndoshë!

Shkrimtari e artisti si dhe çdo intelektual i fushave krijuese ka nevojë për t’u krahasuar. Ashtu i heshtur në heshtjen e vet, i vetmuar e i izoluar, shpellan në shpellën e tij, askush nuk e di ç’është, ku është e si është. Duhet të njohim të mëdhenjtë e botës letrare dhe eseistike, vetëm në këtë universitet mund të kuptojmë ku rreh çekani i artit të vërtetë, por dhe të kemi mundësi të krahasohemi me të mëdhenjtë për të kuptuar sa të vegjël jemi.

Gjuha e lirisë

Arti është misterioz që nga procesi krijues deri në konsumin e tij. R.Barthes: “Prej momentit kur një fakt tregohet me qëllim jo kalimtar, d.m.th., jashtë çdo funksioni tjetër përveç vetë ushtrimit të simbolit, kemi të bëjmë me shkëputje, zëri e humbet origjinën, autori i qaset vdekjes së vet, d.m.th., fillon shkrimi.”Forca e gjuhës së lirisë presupozon edhe frikën e njeriut se mund të bëhet ndryshe nga ai që është. Përvojat letrare janë të panumërta. Librat janë të mbushura me rrëfime të rreme, absurditete, befasi që ndezin imagjinatat.

Tek Homeri perënditë zbrezin nga Olimpi, ecin e vrapojnë paralel me ta dhe mbi gjykojnë e vendosin për ta. Fakti ndërthuret me trillimin dhe ikën, absorbon deri në mosnjohje nëpër ide të tjera të pa dukura. Njeriu, dhe me kulturë të cunguar, e kupton se Homeri “gënjen”, po gjithkush e beson ekzistencën e Homerit, të Trojës e të luftës, Akilin dhe Odisenë, Athinanë dhe Andromakën, Polifemin dhe derrat e Odisesë që Circja njëherë i kthen në derra e njëherë në njerëz. Njeriu e beson Biblën dhe Kuranin, ku njeriu ecën dorë më dorë me Perëndinë, ( se apostujt , me siguri, kanë qenë poetë).

Njeriu e beson dhe Dante Aligerin, që na pikturoi me aq magji jetën e përtejme, parajsën dhe Ferrin, që askush nuk i ka parë, njeriu beson dhe aventurat absurde të Don Kishotit dhe i dhimbet ajo madhështi shpirtërore e tij, guximi e sakrfica, që e kthen në qesharak e zheleman për të shpëtuar njerëzimin nga padrejtësitë ; njeriu e kupton se “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë nuk është i vërtetë, por i beson se ai e njeh mirë fytyrën e diktatorit e s’ka rëndësi në quhet sulltan, apo sekretar. Tregojnë se Shollohovi ishte pjesmarrës në një proçes hetimor kundër kulakëve dhe bjellogardistëve, që dyqenësia apokaliptike, Lenin-Satalin, i kishte qejf t’i shkonte në plumb e , ndërsa hetuesit ulërinin e kërcënonin viktimat, shkrimtari mbante shënime.

Më vonë, nisur nga këto fara të zeza të realitetit, ai shkroi të famshmin roman,”Donin e Qetë”. E ky rrëfim i rremë ishte më i vërtetë se proçesverbavet( paçavuret) e gjyqeve politike. Shkrimtari i mirë në “trillimin e rremë” e kapërcen vetminë dhe i jep gjuhës thinjat e urtësisë universale. Kështu bënë kryemjeshtrit: Servantesi, Defo, Xhojsi, Borgesi etj, etj. Është kjo, pra, GJUHA E LIRISE që ndërthur historinë me letërsinë, detajin faktik me hijen e vet, është ajo që bashkon realen me të mundshmen, ajo që ndërton trajta të ndryshme ligjërimesh, ajo që shkrin në një unitet shtresat empirike të njohjes me fiksionin.

Dhe estetët e mëdhenj të botës, që e ngrejnë gjuhën artistike në nivelin e qenies, konkludojnë se zhvillimi i qytetërimeve, bazohet në progresin e metaforës, e që barometër i zhvillimit të të gjuhe bëhet niveli ku e ngrejnë poezinë. Shkrimtarët e mëdhenj janë opozitë e sendeve, opozitë e republikës së ideve e cila shpesh të imponohet duke spekuluar me lirinë dhe ligjin.

Të fundit

A do të ketë reshje shiu? Surpriza e motit për ditën e sotme

Pellgu i Mesdheut tashmë po ndikohet nga një masë ajri e ftohtë, duke sjellë mot të paqëndrueshëm në vendin...

Horoskopi i ditës, e premte, 19 Prill 2024/ Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi Kohët e fundit nuk keni pasur shumë fat në dashuri, por tani mund të filloni të rikuperoheni, ndaj hapuni më shumë me të tjerët...

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale të Europa League falë suksesit...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Lajme të tjera

Web TV