Rrëfimi i rrallë i Ramës pasi u dhunua nga SHIK-u: Deshën të më zhdukin

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Gazeta “Koha Jonë” ka rikthyer një intervistë të 6 shkurtit të vitit 1997 me publicistin Edi Rama, sot kryeministër i Shqipërisë. Sipas gazetës, rrëfimi bëhej pak ditë pasi Rama ishte dhunuar barbarisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror, I kontrolluar në atë kohë nga ish-presidenti Sali Berisha.

Intervista

Pyetje: Opinioni publik shqiptar e pa i tmerruar përmes disa gazetave joqeveritare portretin tuaj të masakruar nga krimi politik. Stacione të huaja televizive, veçanërisht kanalet më të njohura të medias elektronike amerikane, i shfaqën opinionit ndërkombëtar pjesë nga intervista juaj dhënë rrjetit televiziv anglez Channel Four. Si e ndjeni veten?

Edi Rama: Niçja thotë se dhimbja që nuk të vret, të forcon, dhe vërtet, pas dhunës shtazarake që Dorezat e Hekurta të Errësirës Demo(n)kratike ushtruan mbi mua mbrëmjen e së mërkurës 22 janar, ndihem më i fortë moralisht. Fizikisht jam ende larg formës më të mirë, por kjo është gjithsesi një çështje kohe dhe, falë ndihmës së paçmuar të mjekëve, të cilët janë pranë meje qysh prej çastit të parë, besoj se koha e rimëkëmbjes do të jetë shumë më e shkurtër se ç’parashihej në fillim. I falënderoj përzemërsisht mjekët, veçanërisht njërin prej tyre, fqinjin tim të vjetër Tritan Kalo, përkujdesjen e përditshme të të cilit nuk gjej fjalë për ta çmuar.

Përfitoj nga rasti të shpreh admirim e respekt të thellë për humanizmin dhe kurajën e madhe me të cilën këta profesionistë të zotë, që rasti e solli t’i njoh, nderojnë misionin e tyre fisnik, duke sfiduar gjithfarë sëmundjesh e plagësh njerëzore në kushtet skandaloze të spitalit të kryeqytetit. Do të doja të falënderoja një për një edhe qindra miq e të njohur që më vizituan e më shprehën solidaritetin e tyre, si edhe të gjithë ata të panjohur që më uruan shërim të shpejtë përmes telefonit. Dashamirësit që mbushin përditë dhomën time dhe lulet që vazhdimisht sillnin me vete e m’i dërgonin nga larg, më forcojnë bindjen se zëri im nuk ka qenë një zë në shkretëtirë dhe se në përgjithësi gjallesa ime e deritanishme nuk ka qenë krejt e kotë. Padyshim, në forcimin e kësaj bindjeje ndikoi edhe prania e përhershme, ditë-natë, e punonjësve të policisë sekrete në hyrje të shkallës, prani e cila më ka nxitur të shërohem me shpejtësi për të mos i sfilitur më kot në krye të detyrës ato krijesa të gjora të vigjilencës shtetërore, e për të mos i detyruar të flenë syhapur me javë të tëra në veturën e tyre të shërbimit. Përgjatë kësaj kohe më ka ligështuar pamasë lajmi i tmerrshëm i krimit që Dorezat e Hekurta të Errësirës kryen edhe ndaj mikut tim të shtrenjtë Ndre Legisi, duke thelluar skajshëm dyshimin tim për ekzistencën dhe funksionimin e një strukture shtetërore, ilegale dhe gjakatare, të pavarur nga policia e ndoshta edhe nga SHIK-u, krijuar enkas për kundërshtarët. Ankth për jetën e Ndreut dhe masakrimin e kundërshtarëve politikë në stilin e njohur të plot klikave famëkëqia që mbijetojnë sot në Azi, Afrikë e në Amerikën Latine!

Barbaria ndaj Ndreut pasoi atë të ca ditëve më parë ndaj Shahin Kadaresë, një personalitet i mjekësisë shqiptare që pasi mori pjesë aktive në themelimin e Partisë Demokratike iu kundërvu si shumë të tjerë procesit të transformimit të asaj partie në një parti të tipit fashist. Siç e dimë tashmë të gjithë, ai proces, i filluar me marshimin uzurpues të komunistit Sali Berisha në skenën e politikës shqiptare, u kurorëzua me grabitjen e Votës së Lirë, me ngritjen e Piramidave Iluzore të Parajsës Ekonomike dhe tash së fundi me nxjerrjen e ushtrisë në rrugë për të terrorizuar Popullin e Rimashtruar Shqiptar, të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm që kanë rënë e që, largqoftë, do të bien në të ardhmen e afërt pre e Terrorit Demo(n)kratik, rritet brenda meje bashkë me indinjatën ndaj Partisë-Shtet, e cila është dominuar përfundimisht prej Instinktit të Dhunës së një grupi individësh që, sipas të gjitha gjasave, nuk janë më ndër vete. Heshtja e plotë e këtyre njerëzve dhe e mjeteve të tyre të propagandës, e veçanërisht heshtja e Presidentit të Republikës karshi Akteve Kriminale ndaj meje, Ndreut dhe qindra shqiptarëve të keqtrajtuar jashtë çdo procedure ligjore në birucat e Demo(n)kracisë është një heshtje kuptimplotë që demaskon qoftë burimin e këtyre goditjeve mizore, qoftë karakterin gjithnjë e më fashist të këtij pushteti të korruptuar.

Në konferencën e tij për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike Tritan Shehu tha se ju duhet të ngrini padi për t’i hapur rrugë hetimit të çështjes, kurse krimin ndaj Ndre Legisit e quajti aksident automobilistik! Si do t’i komentonit këto thënie?

Është krejt e kuptueshme që në këto momente zoti Shehu të mos dallojë kallëzimin nga padia, terrorizmin politik nga aksidenti automobilistik apo prasin nga qepa e njomë. Takimi me miqtë lushnjarë thuhet të ketë qenë aq i ngrohtë sa që xholi inkandeshent i Berishës ka dalldisur krejt dhe ndoshta, ky është edhe shkaku që në Aktivin e Partisë Demo(n)kratike për rrethin e Tiranës, fill pas pasthirrmave të tij të sfazuara, gjëja e gjallë që mbushte sallën, me gishtat e këmbëve të para që tundeshin historikisht përpjetë, ulërinte e përndezur: “Vdekje Socialistëve”! Sa për “padinë” që zotëria në fjalë kërkon nga unë, sqaroj se qysh në orët e para pas krimit kam bërë një kallëzim formal në polici vetëm për t’u bërë qejfin familjarëve të mi, të cilët ende shpresojnë se policia mund t’i gjejë kriminelët. Nënvizoj këtu se mua personalisht nuk më duhet asfare nëse po bëhen hetime apo jo! Nuk më intereson gjëkundi të di se cilët janë emrat e përveçëm të Robotëve të Errësirës që prodhon Fabrika e Inkuizicionit Blu të Partisë Demo(n)kratike. Unë as merrem me ta dhe as ndiej urrejtjen më të vogël ndaj tyre. Kur e kam ngritur padinë time publike qysh në dhjetor të 1990-ës ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të asaj fabrike Prof. Dr. Sali Berisha (asokohe dhjak pardesy bardhë i Urdhrit Antinjerëzor Enverist), e kam marrë me mend edhe që mund të më rrahin, edhe që mund të më lënë sakat, edhe që mund të më vdesin fare. Lexoni a propos letrën e hapur që i kam shkruar vetë Shkëlqesisë së Tij pas Mashtrimit Kapital të 26 majit e që është publikuar e plotë në gazetën tuaj

Le të hyjmë më tej në brendinë e ngjarjeve të këtyre ditëve të fundit. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Televizioni Shqiptar! Nëse do të më kërkohej të jepja një shembull të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të Budallallëkut në shoqërinë ku jetojmë, unë do të zgjidhja pa hezitim Televizionin Shqiptar. Ekrani i tij është një shpërfytyrim i vazhdueshëm i fizionomisë së pushtetit aktual, një kapërcim i pareshtur nga Fytyra Idiotike e Delirit të Madhështisë te Surrati i Urryer i Mashtrimit, nga Pamja e Neveritshme e Gënjeshtrës te Çehrja e Frikshme e Arrogancës Provinciale, nga Vështrimi Cinik i Zbrazëtisë Shpirtërore te Vetullngritja Habitore e Injorancës, nga Shprehja e Papërmbajtur e Frikës te Manifestimi Eksesiv i Sigurisë. Sa herë më shfaqet përpara syve sigla TVSH më kaplon një mërzi e përzier me turp, me shumë turp. A mundet vallë Mendjecektësia Njerëzore të ndërtojë një spektakël më të turpshëm se sa intervistat televizive të këtyre ditëve të fundit me ca krijesa të surrufjasura që kanë dekantuar në realitetin e sotëm nga Turbullira e Pështirë e Enverizmit, e që i paraqiten popullit si koka të mëdha të kulturës e të intelektit shqiptar? Ndërkohë që masakrimi me leva e doreza hekuri i dy artistëve të njohur në botën e vogël shqiptare, të cilët janë edhe ndër pedagogët reformatorë të Akademisë së Arteve, nuk përbën kurrfarë lajmi për Televizionin Shqiptar, ndërkohë që edhe një protestë e heshtur e paqësore e studentëve të tyre kundër dhunës-protestë e nëpërkëmbur me përbuzje nga policia që zbarkoi në sheshin përpara Akademisë dhe, duke mos gjetur njeri për të rrahur, shqeu me epsh afishen gjigante të vendosur në hyrje të shkollës së artit pikërisht për të frymëzuar Tolerancën – kalon pa u vënë re prej Televizionit Shqiptar, ekrani bubërron nga fytyrat pa jetë të ca servilëve të stërplakur të diktaturave, të cilët, edhe sikur t’i kenë të dyja këmbët në varr do të vazhdojnë të prodhojnë Gëlbazën Kombëtare që i nevojitet klikës në fuqi për të pështyrë Fytyrën e Popullit. Lere pastaj shfrytëzimin mediatik të Zërit të Masës që vazhdon idenë si në kohë të Enverit! Një zot e di se ku i peshkon kamera e Televizionit Shqiptar ca nga ato fytyra që në gjuhën e Shvejkut quhen “debilë noterikë” dhe na i nxjerr në lajme për të na dhënë opinione rreth çdo teme të nxehtë që shfaqet në Defterin e Qeverisë, e natyrisht që këto opinione janë kurdoherë në unison me shqetësimet madhore të udhëheqjes. Nuk më hiqet këto ditë nga mendja buzëqeshja prej polici stalinist e një gazetari të revistës televizive dhe fraza që shoqëroi atë buzëqeshje të shfaqur në portretin e tij pas një shtrimi propagandistik të dhunës prej njëzet e ca minutash, “Duke uruar që ekstremistët e majtë të mos e çojnë më tej shkatërrimin e vendit, kalojmë në lajmet nga bota”! Si ka mundësi që gazetari i Televizionit Kombëtar, pra i televizionit të të gjithë shqiptarëve, të zgërdhihet sikur të ishte Tellalli i Burgut që përcjell me cinizëm satanik në veshët e të burgosurve mesazhin kërcënues të Komandës?! Si mund të tallet, të fyhet, të poshtërohet, të shkelet me këmbë, ditë-natë, një popull i tërë që kërkon nga Televizioni Kombëtar lajmin, komentin, analizën, shembujt e Tolerancës, Dialogut dhe Paqes Sociale? Si mundet pastaj që për këto qëllime të ulëta të manipulohen duke u montuar e përkthyer bythpërpjetë imazhet dhe komentet e ashpra të televizioneve e gazetave të huaja për gjendjen në Shqipëri dhe për vetë qeverinë shqiptare? Këtyre pyetjeve unë nuk mund t’u përgjigjem këtu, sepse duhet një libër i tërë për të analizuar shkaqet dhe pasojat e krejt asaj strukture të Budallallëkut Njerëzor që quhet RTSH, por mund të them vetëm kaq: RTSH-ja është një tumor malinj në trurin e shoqërisë shqiptare, një vatër e llahtarshme infeksioni që ushqen metastazat e frikshme të Urrejtjes, Dhunës dhe Nënshtrimit Popullor ndaj Gënjeshtrës Shtetërore. Rrugëdalja e shoqërisë sonë nga qorrsokaku i krizës së frikshme Morale, Politike dhe Ekonomike ku kemi hyrë kalon detyrimisht nga ndërhyrja drastike mbi këtë tumor. Në qoftë se Partia-Shtet do të vazhdojë ta përdorë RTSH-në për të helmuar gjakun e shqiptarëve dhe për të verbuar deri në fund shikimin e tyre atëherë është jashtë çdo dyshimi që do detyrohet të përballet me revolta shumë më të rrezikshme se sa ato të ditëve të fundit.

Të ndalemi një çast te shkatërrimet e ditëve të fundit, te komentet zyrtare dhe tek efekti bumerang i tyre. Si i përjetuat këto shkatërrime?

T’ju them të drejtën shkatërrimet në vetvete i përjetova shumë më lehtë se ç’kam përjetuar shkatërrimet e pandreqshme që i ka sjellë Shqipërisë në këto vite lirie Hovi Shkatërrimtar i Qeverisë Demo(n)kratike. Kamera e Televizionit bridhte me helikopter për të na treguar një urë të dëmtuar nga “ekstremistët e majët”, e teksa ura mezi shquhej për së largu, ekrani mbushej i tëri nga hija e shëmtimit që ka pllakosur Shqipërinë. Rrugët plot gropa dukeshin si vijëza të lojës “Mos u nxeh”, për të parë një pemë buzë rrugës, duhet të prisje sekonda të tëra, dhe, kur kamera afrohej, shquheshin dalëngadalë, deri në poret më të thella të natyrës e të portretit të njeriut shqiptar, gjurmët e Hovit të Shkatërrimit Demo(n)kratik.

Le të bredhin njëherë me kamera nëpër rrugët e kryeqytetit gazetarët mendjeshterpë të Televizionit Shqiptar, të cilët kërkojnë edhe mbrojtjen e Komitetit të Helsinkit për të përmbushur sa më rehat misionin e tyre të dezinformimit masiv, le të tregojnë njëherë se ç’i ka punuar mjedisit dhe urbanistikës së parë Shqipërisë së Re Sali Berisha, le ta drejtojnë pastaj po të duan objektivin e tyre rrugëve të qyteteve e fshatrave të Shqipërisë.

Lexo edhe :  Arben Tafaj: Tirana, sfida e sfidave për të gjitha partitë

Pamja që do të na shpalosej përpara do të ishte më shumë se ngjethëse, dhe për arkitektin në fjalë do të mendonim pa hezituar se është vetëm një student i keq i Shkollës së Arkitekturës Enveriste. Po sikur këta dezinformatorë të papërgjegjshëm te futeshin në shtëpitë e njerëzve, në jetën dhe mendjet e tyre dhe të përpiqeshin të nxirrnin prej andej të Vërtetën? Si do të ngjante vallë përballë dëshmive të hidhura e të panumërta të realitetit ku jetojmë Parada e Pështirë e Shifrave të Inflacionit dhe Sukseseve Botërore që propagandon pacipërisht Qeveria Demo(n)kratike?! Duke u kthyer tani te të ashtuquajturit “ekstremistë të majtë” do të thosha se, përjashto rastet e padiskutueshme të provokimeve të atyre ekstremistëve të majtë që sot i shërbejnë me zell Hovit të Shkatërrimit, të cilët, të futur mes turmës po njësoj si më 1991-shin, kanë derdhur bidonët me benzinë dhe kanë venë Flakën e Harresës mbi dokumentacione e shkresa, reagimi i dhunshëm i turmave të revoltuara është krejt i kuptueshëm. Për shembull, pashë me sytë e mi, natyrisht përmes televizioneve të huaja, qindra fëmijë katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetëvjeçarë që qëllonin me breshëri gurësh makinat e policisë! Rai 3 i pagëzoi këto imazhe të trishtueshme me përcaktimin “Intifada Shqiptare”, duke iu referuar kësisoj lëvizjes ultraviolente të fëmijëve palestinezë që dërrmuan me gurë ushtarët izraelitë të territoreve të okupuara. Ç’lidhje kanë këta fëmijë shqiptarë me Ekstremizmin e Majtë? Asnjë lidhje. Asnjë lidhje sepse ata nuk janë fëmijët e Enverit, si Sali Berisha, Tritan Shehu, Qemal Sakajeva e shokët me radhë në krye të partisë-shtet. Ata janë fëmijët e Lirisë së keqpërdorur nga grupi i zotërinjve të lartpërmendur, fëmijët e rritur mes pemëve të prera, fëmijët e mbetur rrugëve plot pluhur e gropa, fëmijët e shtëpive pa drita dhe shkolla pa xhama, fëmijët e mësuesve që, në vend se t’u mësojnë sesi të mendojnë me kokën e tyre, u mësojnë sesi të këlthasin në kor, “Do fitojmë apo jo?”  dhe se si të përgjigjen po në kor, “Po! Po! Po!”, ata janë fëmijët e demokracisë. Ata janë fëmijët e prindërve refugjatë që kanë punuar si kafshët në dhe të huaj për të financuar Piramidat e Mashtrimit dhe Koncertet Elektorale të Faraonit, janë fëmijët e prindërve demonstrues që kthehen në shtëpi të rrahur paq nëpër rrugët e protestës a nëpër Komisariatet e Rendit Publik, janë fëmijët e prindërve të përdhunuar psikologjikisht prej RadioTelevizionit Shqiptar, i cili, si në epokën shkretuese të shokut Enver, ashtu edhe në stinën pa gjethe të ish-shokut Sali, nuk ia hapi kurrë mikrofonin Diversitetit të Mendimit e nuk ia drejtoi kurrë kamerën Fytyrës së Tolerancës! Në gjashtë vjet lirie kurrkush nuk mendoi se si ta mbushë me ëndrra të bukura gjumin e këtyre fëmijëve, se si të mbjellë lule shprese në oborrin e tyre të përbashkët, se si të largoje gurët e dhunës nga rruga që do t’i nxjerrë ata në horizontin e së ardhmes! Në gjashtë vjet lirie gjithkush që mundi u vodhi atyre ditë, muaj e vite të tëra duke iu nxirë të tashmen dhe gjymtuar të ardhmen. “Intifada Shqiptare” është Revolta e Dëshpërimit, ajo qëlloi policin e thjeshtë e të pafajshëm sepse sheh tek ai figurën e Dhunës Shtetërore, ajo qëlloi xhamat e Bashkisë sepse kërkon komunikim dhe transparencë nga njerëzit e pushtetit të korruptuar lokal, ajo qëlloi ndërtesat e shëmtuara të gjykatave sepse kërkon drejtësinë e humbur prej kohësh, ajo qëlloi selitë Partisë Demo(n)kratike sepse kërkon që Kusarët e Votave dhe të Pasurisë Kombëtare të largohen nga Mexhilisi! Sali Berisha nuk ka pse e dyshon fare origjinën e “Intifadës Shqiptare”, ajo nuk është kurrsesi në selitë e partive të opozitës, por në Zemrën e Thyer të Popullit Sovran! Mua më pezmatojnë ato re gurësh jo sepse thyejnë xhamat e Pallatit të Kulturës! Për xhamat e palarë të atij farë Pallati të mbuluar nga Pisllëku e të asaj farë Kulture të mbytur nga Morrat e Mediokritetit nuk më ha fare meraku. Unë pezmatohem sepse ato re paralajmërojnë një furtunë dhune të verbër revolucionare, e cila duhet evituar e me çdo kusht, jo përmes dhunës fashiste të policisë e të Dorezave të Hekurta të Errësirës, as përmes zgjerimit absurd të kompetencave të Presidentit dhe vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, por përmes një kompromisi të shëndoshë politik. Pas Revolucionit të Baltës që na pruri mbi krye skotën e Sali Berishës, Shqipërisë nuk i duhet një Revolucion Gurësh, por një Pranverë Shpirtërore, një Rilindje e Vërtetë Kombëtare.

Ç’duhet bërë për ta sjellë këtë pranverë kaq të largët?

Ah, sa e lehtë do të qe sikur të mund të thuhej e tëra me fjalë! Duhet filluar sidoqoftë aty ku e ka filluar Kurt Kola, një simbol i rezistencës ndaj barbarisë totalitare të çdo ngjyre, dhe duhet shkuar sa më shpejt drejt artikulimit politik e të kompromisit historik midis të gjitha partive dhe forcave të tjera qytetare që kërkojnë të rivendosin demokracinë në Shqipëri, e që siç mora vesh me gëzim kanë hedhur hapin e parë në tryezën e organizuar mbi bazën e Interesit të Përbashkët Kombëtar. E rëndësishme është që Forumi i porsakrijuar për Demokracinë të mos mbetet një aleancë sterile tavoline e të mos përçahet në luftën tradicionale shqiptare për të rrëmbyer flamurin e prijësit.

Dhe në këtë pikë lind vështirësia e madhe, sepse, për të luajtur një rol vendimtar për zgjidhjen e krizës, Forumi duhet të funksionojë si një mekanizëm politik kompakt, e ç’është më e rëndësishmja, duhet të flasë me një zë të vetëm derisa të imponojë Zgjedhjet e Reja Politike ku secila forcë do të shkojë pastaj nga rruga e saj. Kur i njeh mirë shqiptarët dhe historinë e tyre zor se mund të jesh optimist për jetëgjatësinë e idesë së bashkimit, por, kur e do vërtet këtë, vendin dhe njerëzit e tij, ke një dëshirë të madhe të besosh se kjo çudi edhe mund të ndodhë: Forca politike me programe të ndryshme që ruajnë identitetin e tyre dhe ndërkohë gjejnë një zë të përbashkët për të shpëtuar demokracinë e përmes saj vetë identitetin e Shqipërisë! Treshja jashtëpartiake që është propozuar dhe miratuar nga vetë partitë e Forumit si treshe udhëheqëse dhe përfaqësuese e tyre, është një zgjidhje që në letër duket perfekte. Fatos Lubonja, Daut Gumeni dhe Kurt Kola, të cilët idetë dhe integritetin e tyre moral e kanë mbrojtur përmes një kalvari prej dhjetëra e dhjetëra vjetësh në Rrethin e Nëntë të Ferrit Komunist, janë vërtet maksimumi që Forca Morale mund të ofrojë për të luftuar Imoralitetin që dominon në çdo qelizë jetën politike të vendit. Le të shpresojmë që edhe rrjedha e ngjarjeve do të flasë në favor të këtij lidershipi, i cili duhet të bëhet arbitri i domosdoshëm për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm dhe për të garantuar integritetin moral dhe politik të Forumit në sytë e krejt opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Përndryshe, kam frikë se do të bëhej shumë zhurmë për asgjë dhe opinioni, veçanërisht ai ndërkombëtar, do të çorientohej përfundimisht duke humbur çdo shpresë te shqiptarët dhe duke na lënë të gjithëve nën mëshirën e Dorezave të Hekurta të Errësirës.

Nga ana tjetër, ekzistenca e këtij lidershipi të krijuar me figura jashtëpartiake më duket se nuk e ul aspak rëndësinë e krerëve të partive, sepse, në fund të fundit, konsensusi dhe mirëbesimi mes vetë krerëve janë kolonat jetike të këtij Forumi. E gjithë puna është të evitohet konfuzioni, të evitohen konferencat e shtypit me dhjetë krerë partish që pas pyetjes së tretë fillojnë e flasin secili për partinë e tyre, të evitohet moria e deklaratave të secilës parti, ndërkohë që në këto kohëra të gëlimit të Dhunës së Hapur Shtetërore deklaratat e së majtës dhe të djathtës ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën. Insistoj në idenë e një roli të vërtetë drejtues të lidershipit, sepse kam ndjesinë e fortë që ekzistenca e përkohshme e tij në krye të dhjetë partive të Forumit, do të përcaktonte jo vetëm fatin e këtij Forumi të Shumëpritur, por edhe vetë fatin e demokracisë në Shqipëri.

Propaganda qeveritare e ka filluar sulmin ndaj Forumit për Demokracinë duke e quajtur përputhje të ekstremeve?

Teoria e përputhjes së ekstremeve mishërohet në politikën shqiptare vetëm te Partia Demokratike, ku janë bashkuar në një trup të vetëm komunistët më fanatikë dhe më fanatikët e antikomunistëve, ithtarët e teorisë së diktaturës së proletariatit dhe antimarksistët që nuk e kanë lexuar Marksin, njeri ka qenë njëzetepesë vjet sekretar në Partinë e Punës dhe tjetri që ka prerë njëzetepesë vjet gozhdë në burgjet e Partisë së Punës. Fraza ngjethëse e Tritan Shehut, “Shumica do ta detyrojë pakicën të heshtë”, e shoqëruar me dhunën policore në rrugë dhe torturat çnjerëzore nëpër birucat e policisë tregojnë më së miri se si ideologjia e ekstremit të majtë është përputhur me veprimin shtypës të ekstremit të djathtë. Por gjithsesi, edhe pa hyrë fare në ledhin e teorisë, mund ta vërtetoj sa më sipër duke marrë shembull vetë kurmin e Sali Berishës, tek i cili jetojnë të shkrirë në një Komunisti me Antikomunistin, i Pafeja me Fetarin, Polici me keqbërësin, Mjeku me Kasapin. Me fjalë të tjera Zoti e ruajttë atë vetë dhe ne të gjithëve bashkë me të!

A e lexuat raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë dhe nëse po, ç’mendoni për konstatimet e atij raporti?

Klasa politike evropiane është përgjithësisht e traumatizuar nga periudha e Luftës së Ftohtë. Problemet e mëdha politike dhe ekonomike që kanë përfshirë vetë Perëndimin e që nuk po gjejnë dot kurrfarë zgjidhjeje që të garantojë të ardhmen e Kontinentit të Vjetër flasin qartë për këtë. Në këtë moment nuk mund të pritet ndonjë gjë e madhe nga politika evropiane, lufta e llahtarshme vëllavrasëse në Bosnje dhe impotenca e Komunitetit Evropian karshi saj përbëjnë një shembull kuptimplotë për sa më lart. Fatkeqësisht, sot për sot, evropianoperëndimorëve nuk u shkon për shtat një Evropë Lindore demokratike. Ata preferojnë stabilitetin fals të tipit shqiptar, mjaft që shqiptarët të mos ëndërrojnë hapjen e kufijve, paçka se Njeriu i Fortë që e garanton këtë “stabilitet” shkel me të katër këmbët parimet më elementare të demokracisë dhe të Drejtat e Njeriut! Ky është realiteti dhe duhet ta pranojmë si të tillë duke u kënaqur me ashpërsimin e avashtë të qëndrimeve karshi Sali Berishës dhe klikës së tij. Sidoqoftë, faktori vendimtar ndërkombëtar për demokracinë shqiptare nuk është as ajo asamble e nuk janë as pesë europarlamentarë të rrjedhur të krahut konservator që na paskan ardhur shpesh në Shqipëri, por qëndrimi i Departamentit të Shtetit Amerikan. Përderisa ky qëndrim është më i prerë dhe më i qartë se kurrë në favor të rivendosjes së demokracisë dhe në kundërshtim të hapur me Klithmat e Terrorit Demo(n)kratik, atëherë do të thotë se, herët ose vonë, Sali Berisha do të ulet në tavolinë me opozitën reale dhe do të firmosë dekretin për Zgjedhje të Parakohshme. Sa më herët që ai ta kuptojë këtë aq më mirë do të jetë për të gjithë shqiptarët, e në radhë të parë për vetë Sali Berishën që nuk ma ha mendja se do të rreket ta nënshtrojë edhe Amerikën me doreza hekuri dhe me leva të nxjerra nga vrima “Albania”.

Dhe tani një pyetje që e bën shumëkush: Çfarë do të bëjë Edi Rama, do të rrijë apo do të ikë nga Shqipëria?

Unë shpresoj të mos mungoj asnjëherë në Shqipëri, si për ata që më duan ashtu edhe për ata që deshën të më zhdukin. Dhe kjo ngase të parët i dua dhe kam nevojë për dashurinë e tyre, ndërsa të dytët nuk i urrej dhe nuk kam frikë nga urrejtja e tyre.

Të fundit

‘Deti’, Rama ‘shpërthen’ ndaj politikanëve shqiptarë: Maskarenj, po i fryni zjarrit!

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur ashpër akuzave për shitje të detit Greqisë nga qeveria shqiptare. Teksa i ka cilësuar...

39-vjeçari godet 5 herë me thikë policin në Peshkopi, arrestohet në Tiranë

Uniformat blu kanë vënë në pranga një 39-vjeçar me iniciale A.M, pasi janarin e vitit të kaluar pas një konflikti të çastit goditi 5...

Joe Biden i kërkon Vuçiçit të njohë Kosovën

Mediet serbe shkruajnë këtë të diel të alarmuara se Presidenti i SHBA, Joe Biden, i ka kërkuar homologut të tij në Serbi, Aleksandër Vuçiç,...

Elita Rudi shpenzon 5 mijë euro për një xhaketë

Elita Rudi, prezantuesja e njohur shqiptare, njihet në përgjithësi për stilin e veçantë që ka. Ajo në rrjete sociale është mjaft aktive, duke ndarë në...

Shkon në mbi 1500 numri i viktimave nga Covid-19 në Kosovë

Që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, 1 mijë e 520 persona kanë humbur jetën. Numri total i rasteve pozitive është...

Lajme të tjera

Web TV