Pse preket Franca nga një fjalë?!

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

Ambasada e Francës nuk e kishte me Edi Ramën. Ashtu sikurse vetë Rama mund të mos ‘e prekte’ Francën në këtë kohë kur të gjithë i kanë nervat jashtë.

Ambasada e Francës në Tiranë u shfaq me një nervozizëm të rrallë, aq sa nuk i shkon ‘finesës’ së kulturës franceze…, përmes një deklarate publike. Nuk ka ndodhur që diplomacia franceze t’i drejtohet brutalisht kryeministrit të vendit ku ka selinë, duke përdorur fjalët se ‘sulmon Francën’. Rrallë, madje edhe në kohë luftërash.

Por edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, me sa duket e preku Francën në plagë kur tha se do të bënte mirë ‘t’i kishte dhënë disa vaksina’ për vendet e Ballkanit, në vend që i ‘mban aty stock’.

Ja pra që kishte të drejtë Franca dhe vetë ambasada t’i hidhej në grykë Tiranës, edhe sikur ta dinte se do ta mbyste në atë moment.

E si të mos i hipte gjaku në kokë?

Franca e madhe, e kulturës dhe artit, e Lui Pasterit (Louis Pasteur), e qytetërimit, e urtësisë, e mbretërve më të fuqishëm e gjakatarë…, përballohet me luftën e fundit botërore, që është lufta kundër pandemisë, në një nivel mizerabël. Mes shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit në OKB, Franca është i vetmi vend që nuk ka zhvilluar akoma asnjë vaksinë kundër koronavirusit. Ndërsa shtetet e tjerë ortake në KS të OKB, kanë këto rekorde: Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar dy vaksina; Mbretëria e Bashkuar- një vaksinë dhe po punon për të dytën; Rusia- një vaksinë; ndërsa Franca nuk ka asnjë pikë…

Ky ishte momenti kur kryeministri i një vendi të vogël këtu në Ballkan nuk kishte pse përmendte ‘të mbyturin në atë shtëpinë’ botërore!

A po dështon Franca e vetme, apo vetë Unioni ndodhet para një dështimi në luftën kundër pandemisë?

Presidenti i Francës, Macron, është ‘mbreti’ në jug të kontinentit që ka marrë mbi shpatulla: o sukseset o arritjet e Unionit Evropian. Kjo është ‘pagesa’ që po ndjen tani Franca, e cila- sipas mediave në kontinent- është kthyer në ‘tallje të Evropës’ përballë pandemisë. Vetë BE, që i jep shumë kosto qeverisë së Macron, ndodhet para disa dështimeve në rolin e saj të ‘liderit’ kundër pandemisë. Në këto momente, bash për këtë arsye, Franca i ka ‘nervat jashtë’, dhe ‘gabimi’ i Edi Ramës ishte pse e preku.

Ja edhe dështimet e Unionit, që rëndojnë më së shumti Parisin:

Performanca e Brukselit mbi prokurimin e vaksinave është e ulët, edhe pse po bëhen disa manovra për ta mbuluar situatën. Për shembull, BE tregon shifra entuziaste mbi prokurimin e vaksinave, por që të nesërmen e asaj dite lëviz datat e dorëzimit nga sot në një afat që nuk dihet. Vaksinë nuk ka, vetëm shifra. Media e ‘mere fact’ në shtetet e BE po dëshmon për të mijtën herë se ‘burokracia e rënduar e BE’ po vendos vetëm baste dhe, akoma më zi, politikën e vaksinës e ka bazuar më shumë në politikë se në mjekësi.  Francezët dështuan me vaksinën e tyre Sanofi (në fakt nuk është vetëm e tyre por është Sanofi-GSK, ndërmarrje franko britanike). Megjithëse mori porosi në një masë prej 300 milionë dozash, Sanofi- GSK, nuk mund ta japë këtë sasi para fundit të vitit 2021. Për këtë shkak, ka mbetur ‘në baltë’ në radhë të parë Gjermania- pika më e lartë e BE. Shteti gjerman, pas falimentit të vaksinës franceze, u detyrua të negociojë marrëveshje direkte me BioNTech për 30 milionë  doza. Edhe një anëtar tjetër i BE, Qipro, u detyrua të negociojë direkt me Izraelin për vaksinën… Ku mbeti Brukseli, që në fakt në këtë rast mund të quhet ‘Macroni i Francës’?! Shtetet anëtare u hallakatën secili për vete.

Lexo edhe :  Beteja e programeve ekonomike, sa real është zbatimi i tyre dhe ngjarjet e paparashikuara

Atëherë a nuk i paska Franca nervat të hapura?

Franca e gjendur para disa dështimeve, tash po kapërcen nëpër degët e veta të madhështisë dhe politikës ‘zëmadhe’, duke harruar luftën e ditës. Veç vaksinës, Franca ndodhet në radhët e para të shteteve me borxh të lartë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse Greqia për vitin 2020 e kishte shifrën më të lartë, 205,2 për qind, Franca është në vend të tretë me 122 për qind të borxhit.

Atëherë, me çfarë do të mbushet ‘gropa’ në Paris?

Presidenti Macron ka menduar ta mbushë me politikë dhe lavdi. Vijën e lavdisë e nisi që në mbarim të vitit 2019, duke e shpallur vitin 2020 si ‘Viti i De Golit’, 50 vjet pas vdekjes së tij. Por kjo nuk e çoi askund gjatë vitit 2020, aq më tepër që De Gol është fytyra e potencialeve ekonomike e ushtarake dhe Franca e sotme jo. Atëherë presidenti francez ‘i ra vizë De Golit’ dhe nisi vitin 2021 me parullën ‘2021, Vit i Miteranit’, edhe ky, një një president tjetër i lavdishëm francez. Por në fund të vitit nuk u duk asnjë shenjë nga trashëgimia e Miteranit, as ulja e papunësisë, as ulja e borxhit kombëtar, as rritja ekonomike. Pas dështimeve me ‘De Gol’ dhe me ‘Miteran’, presidenti Macron u kap pas paraardhësit tjetër, Zhiskar Desten (Valéry Giscard d’Estaing), i quajtur edhe ‘babai i BE’. Ky ka vdekur para një muaji e ca, dhe u varros në heshtje- sipas dëshirës së tij. Por Macron ka vendosur ta fshijë atë dëshirë; në 2 shkurt ka shpallur se do të rindezë axhendën e d’Estaing mbi projektin BE. Me këtë po i bën një nder vetes.

Por a do ta nxjerrë tutje Francën anija e instrumentalizimit të historisë? Këtu është puna. Në janar të 2022 Franca merr kryesimin e BE, ndërkohë është edhe viti kur Macron përballet me zgjedhjet e reja presidenciale…

Prandaj janë nervat të zbuluara.

Në këtë  betejë kundër pandemisë si virusit, çuditërisht, Franca nuk e prek fare lavdinë e Lui Paster (Louis Pasteur), mikrobiologjisti i famshëm francez, që zbuloi vaksinën e antrakseve. Ka shumë pikëpyetje para se të shkojmë te nervozizmi.

 

 

Të fundit

Temperaturat rriten ne mesditë, parashikimi i motit për sot

Deri në mesditë moti paraqitet me alternime kthjellimesh dhe vranësira kalimtare, ku më të dukshme vranësirat do jenë në...

Horoskopi ditor, 3 shkurt 2021

Njihuni me parashikimin e astrologut italian Paolo Fox, për punën, shëndetin dhe ndjenjat, si do të ecë dita për të lindurit e çdo shenje. Dashi Do...

Dhunon dhe dhuron përqafime/ Pasagjeri i dehur humb kontrollin në bordin e avionit (Video)

Pasagjerët e linjës ajrore Ryanair shpërthyen në brohoritje kur një i ri i dehur u arrestua pasi goditi me kokë një anëtar të ekuipazhit...

BE: Nuk po i themi Kosovës çfarë të bëjë, por të rreshtohet me ne

Bashkimi Evropian ritheksoi të martën qëndrimin për statusin e Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve, ndërsa keqardhjen për vendimin e Kosovës që të...

Vaksina e Oksfordit besohet se mund të parandalojë përhapjen e COVID-19

Vaksina kundër koronavirusit, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZenenca, mund të rezultojë me rënie “të konsiderueshme” të përhapjes së virusit, kanë...

Lajme të tjera

Web TV