Lojë me maska

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Për shkak të inteligjencës, e cila në evolucionin e viteve e ka rritur gamën, raca njerëzore ka pasur gjithmonë nevojë për të mbajtur një maskë në fytyrë. Sepse vetëm maska nuk do tregonte emocionet tona të vërteta. Nuk do na tradhtonte. Nuk do të na tregonte më të dobët para tjetrit, nuk do ta tregonte lumturinë e epërme. As trishtimin e tepruar. Sepse tjetri nuk e do lumturinë tënde. Sepse tjetri do të të shohë vetëm duke vuajtur.

Por si i bëhej për t’i mbuluar të gjitha këto?

Vendoset një maskë.

Dhe njeriu e gjeti mënyrën si ta ndërtonte maskën, me të cilën në fakt nuk e kishte pajisur krijuesi i tij. Por i kishte dhënë inteligjencën. Dhe maska nuk ishte  prej pambuku, as plastike, madje as si ato të kirurgjisë abdominale. Por gjithsesi, ishte një maskë e cila ta mbulonte mirë fytyrën aq sa askush nuk mund të depërtonte për të parë se cili ishte fytyra e vërtetë e tjetrit.

“Sepse siç më thotë nga njëherë, ai i ka shtyrë gjithmonë që të kenë një maskë, një maskë hipokrizie që Beni nuk e duron dot”, do të shprehej personazhi Fredi i filmit “Hije që mbesin pas”, i cili shpjegonte për dhëndrin Agron marrëdhënien e Adnanit baba me të birin Beni, ku mospërputhja midis tyre kishte një shkak thelbësor: mbajtjen e “maskës”. Dhe Adnani baba, si burrë i mençur e me përvojë që ishte, kërkonte që Beni aguridhe dhe i pamësuar me jetën ta mbante maskën, se do t’i duhej për t’u ngjitur në atë që ai e cilësonte si “karrierë zyrtare”.

Viti 20 i mijëvjeçarit të ri tregoi se ne u futën në epokën e maskimit. Dhe ky është një maskim i trashë, pa shumë elegancë dhe pa përdorur fare inteligjencën.

Sot ne kemi vënë të gjithë nga një maskë. Është e detyruar, duam apo nuk duam. Madje na thuhet se është për të mirën tonë. Dhe për këtë ka një vendim qeverie. Një vendim i thjeshtë fare, por që të penalizon fort. Po e hoqe maskën merr një gjobë për të cilën do të thartohesh mirë. Kështu që më mirë i nënshtrohesh fatit dhe e mban, paçka se ajo s’ka asnjë vlerë, dhe pse trumbetohet se është pikërisht ajo që po na mbron nga viruset; nga ky fort i rrezikshmi Covid, por dhe nga një seri virozash, që për të thënë të vërtetën prej një viti u janë harruar emrat dhe simbolet.

Ndërkohë që fytyra jonë e vërtetë, pa maskë inteligjente dhe pa maskë artificiale, ka të bëjë me individualitetin e secilit prej nesh. Sepse të gjithë e kemi nga një fytyrë të ndryshme, dhe kur ajo nuk është e bukur. Dhe gjenialiteti i krijuesit është pikërisht këtu, që na ka bërë të gjithëve në këtë botë, nja 7-miliardë e kusur njerëz, të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po ashtu si dhe shenjat e gishtërinjve. Ndërsa maska e humbet atë dhe i bën njerëzit të njëtrajtshëm. Si në ata filmat me robotë, ku mekanizmat bëjnë të njëjtat veprime të urdhëruara nga ordinatori qendror. Dhe në këtë mënyrë, çdo njëri prej nesh mbetet vetëm si një numër në databazën e të dhënave. Pa identitet.

Ne nuk e tregojmë sot fytyrën tonë. Një i huaj nuk e di se me kë ka të bëjë kur të ndalon në rrugë për të të bërë pyetjen më bazike: “ku është “filan” rrugë? Ai nuk shquan dot plastikën e bashkëbiseduesit, mimikën e tij. Nuk ia ndjen dot as skuqjen prej mashtrimit dhe dhe as zverdhjen e saj prej frikës.

Maska na vjen në ndihmë, pikërisht atëherë kur ne për shkak të paaftësisë nuk e realizojmë dot një maskë natyrale e cila na mbron nga ballafaquesi.

Maska tanimë është bërë pjesë e gardërobës tonë. Shumëkush kujdeset që të ketë disa syresh, me dizajnë e masa të ndryshme. Për verë dhe për dimër. Për xhiron e paradites dhe për atë të darkës. Dhe të dalësh pa maskë sot është njëlloj si të dalësh… pa pantallona fjala vjen. Dhe nëse nesër do ta heqim maskën, por me vendim qeverie, do të na duket vetja nudo e s’do kemi me çfarë ta mbulojmë lakuriqësinë tonë.

Lexo edhe :  Françeska: Kam gënjyer, nuk i kam kryer studimet e larta

Ne të gjithë mbajmë maska dhe mbulojmë fytyrën deri tek sytë.

Po çfarë duam të mbulojmë me to???

Kapuletët dhe Montagët, armiq të betuar, u ngatërruan fort midis tyre në një ballo me maska, pikërisht se nuk po kuptonin kush ishte miku dhe kush ishte armiku. Përfitoi vetëm një çift të rinjsh nga e gjitha kjo: Romeo dhe Zhuljeta.

Volfgang Amadeus u trondit kur pa babain e tij Leopold të hiqte nga koka një maskë me të cilën ishte mbuluar gjatë gjithë kohës së një mbrëmjeje festive. Besoj se e mbani mend këtë sekuencë të filmit “Amadeus”. Dhe ky vizion nuk iu shqit Mozartit gjithë jetës, gjë që e bëri ta vendoste si personazh skene në një nga operat e kompozuara prej tij që titullohej “Don Zhuani”.

Novela “Ëndërr” e shkrimtarit Arthur Schnitzler frymëzoi regjisorin Stenley Kubrick për të realizuar filmin e shumëpërfolur “Eyes wide shut” i cili në metrazhin e tij kulmonte me një ballo erotike maskash, nëpërmjet të cilave, të ftuarit, për shkak të anonimatit, vëzhgonin të pa emocionuar një orgji ku dhe vetë ishin të përfshirë si lojtarë të dorës së parë.

Eh… çfarë bëjnë maskat.

Ushtarët e Hamasit gjithashtu mbanin maska në fytyrë. Ata të ISIS-it po se po. Gjithfarë banditësh në vitin e mbrapshtë 1997 mbanin maska e të grabisnin në mes të rrugës apo në qendër të qytetit. Maskat janë mbajtur gjerësisht edhe nga hajdutë ordinerë të cilët mundoheshin të mos linin gjurmë njohje në kamerat e sigurisë së lokaleve, teksa thyenin ndonjë bravë për të vjedhur sende me pak vlerë.

Pra maskat nuk janë dashur vetëm për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, por janë përdorur dhe për të mos u njohur në një ambient publik. Kjo të jep mundësinë të bësh ç’të duash. Dhe nuk është nevoja për të vendosur atë maskën e tejdukshme të hipokrizisë. Sepse kjo e detyruara, është shumë më e thjeshtë. Ka kosto të ulët dhe ta mbulon krejtësisht fytyrën. Dhe nëse deri dje për t’u identifikuar policia të kërkonte të të shihte surratin, sot ka gjithë të drejtën ligjore të të dënojë pse e mban zbuluar fasadën.

Të themi që bota është rrotulluar mbrapsht…?

Maskat në fytyrë tanimë janë kthyer në trend. Me gjasa ato nuk do t’i mungojnë më procesionit të veshjes sonë. Dhe nesër kur Covidi të mos ekzistojë do të mbahet përsëri me sebepin e ajrit të ndotur, të viruseve sezonale. Dhe njerëzit sërish do të fshehin fytyrën pas një cope.

Nëse nuk do të takosh njeri, mbaj një maskë në fytyrë. Askush nuk do të të përshëndesë dhe askush nuk do të të ndalojë në rrugë për të të të bërë pyetjet klishe të shëndetit dhe të mbarëvajtjes në punë. Nëse nuk do të njihesh e të jesh më i shpenguar për të bërë gjithfarë “bëmash” të cilat as mund t’i imagjinoje më parë, mbaj gjithashtu një maskë.

Ne sot po mbajmë të gjithë maska. Po fshehim të keqen tonë. Kjo po na kthehet gati organike. Ne nuk do të mund të bëjmë dot pa maskat, nëse detyrimi për t’i mbajtur ato do të zgjasë dhe pak në kohë. Ndoshta ky është dhe qëllimi i OBSH-së, i vetë qeverive që e aplikojnë me kaq zell të tepruar.

Ne sot të gjithë kemi nga një maskë, ata që duan ta kenë një të tillë me se s’bën, dhe ata që nuk e kanë të nevojshme një koperturë pëlhure të zezë.

Jetojmë kohë të çuditshme.

Të fundit

Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku, ja sa do të jetë shtesa

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga...

Gazetari bën paralajmërimin e frikshëm: Serbia është gati të sulmojë Policinë e Kosovës

Gazetari Venhar Isufi tha në një intervistë televizive se grupi që po trajnohet nga xhandarmëria serbe në Rashkë janë një grup më profesional, me...

Plas skandali, okulistja i ngatërron numrin e syve qytetares tek “Iraniani”

Një qytetare u ankua në Fiks Fare se, pasi bëri një vizitë te një okuliste te Poliklinika e Specialiteteve Nr.1, ‘Iraniani”, shkoi dhe bëri...

Albano Bogdo ‘thumbon’ Robert Berishën për Nora Istrefin, moderatori habit me përgjigjen

Konkurrentët e “Ferma VIP” janë vënë përballë disa pyetjeve pikante në sfidën “E vërtetë ose Dënim”. “Ne të dyve na pëlqen shumë kënga  “Ana” të...

Ndahet nga jeta në moshën 82 vjeçare ish-senatori amerikan

Ka ndërruar jetë Ish-senatori amerikan Joe Lieberman, i cili ishte shumë pranë postit të Nënpresidentin kur kandidoi me demokratin Al Gore në zgjedhjet e...

Lajme të tjera

Web TV