Në portin e peshkimit në Durrës është kryer për herë të parë instalimi i pajisjeve të lokalizimit satelitor të anijeve të peshkimit “Blu Box” që kryejnë menaxhim dhe kontrollin satelitor të vendndodhjes së anijeve.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha se, “nga ky projekt kanë përfituar deri tani 108 anije peshkimi. Transmetimit të tyre satelitor, do t’i bashkohen shumë shpejt edhe anijet e porteve të tjera.”- deklaroi Ekonomi.
Gjeoreferenca do të lidhet në mënyrë të menjëhershme nga e- Albania dhe shërbimi që ajo ofron, duke nisur kështu funksionimin e këtij sistemi.
Sistemi “Blu Box” kontribuon në modernizimin e hapësirës ujore me një teknologji të zhvilluar e të sigurt, që sjell performancë të lartë të cilësisë në menaxhimin e burimeve të peshkimit.
“Blu Box”, ka si qëllim rritjen e nivelit të sigurisë përsa i përket anijeve të peshkimit në rast rreziku, si dhe ruajtjen e burimeve të peshkimit.
Kjo është një risi tjetër mbështetëse në sektorin e peshkimit, krahas zerimit të TVSH-së, për të gjitha elementet që i duhen peshkimit, ndërsa vijon deri në fund të muajit janar aplikimi në skemat e mbështetjes me grante nga BE për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe materialeve bazë të këtij sektori.