Epidemia e virusit korona vazhdon të pështjellojë kalendarin sportiv anembanë kontinentit të vjetër dhe ndeshja ndërmjet Benfikës dhe Arsenalit, e vlefshme për turin e 32-shes së Ligës së Evropës, do të zhvillohet në Stadiumin “Olimpiko” të Romës. Kështu ka bërë të ditur UEFA të martën në mbrëmje. Dueli do të luhet me 18 shkurt, 2021, duke nisur nga ora 21:00.
Ky do të jetë dueli i parë mes këtyre skuadrave në këtë fazë, kurse ai i kthimit do të luhet në Londër. Organizmi që qeveris futbollin ervopain i ka falënderuar të dyja klubet, Benfikën dhe Arsenalin për bashkëpunimin si dhe Federatën e Futbollit të Italisë e klubin e Romës për ndihmën që i kanë ofruar për të organizuar ndeshjen, që do të zhvillohet kështu në fushë asnjëanëse.
Po ashtu, sot gjatë ditës, UEFA njoftoi se ndeshja ndërmjet Real Sociedadit dhe Mançester Junajtid do të luhet në stadiumin e Juventusit në Torino. Këto vendime të UEFA-s vijnë pas masave kufizuese në Spanjë dhe Portugali për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, sidomos të variantit të ri britanik të “Covid-19”, që ka bërë që numër vendesh të tjera evropiane të miratojnë kufizime të udhëtimeve.