Inovacioni, ekonomia kuantike dhe kapitalizmi deflacionist

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dr. Florjan Bombaj

“Fati i pëshpërit luftëtarit: Një stuhi po vjen. Dhe luftëtari i kundër pëshpërit: Unë jam stuhia” (Leighton Dickson, 2016). Inovacioni si një luftëtar i progresit, i cili merr pjesë në procesin e shfaqjes graduale dhe laike të kapitalizmit, nuk filloi me revolucionin industrial. Nga momenti kur procesi i inovacionit u vu në lëvizje, ai kurrë nuk u ndal por përkundrazi u përshpejtua. Inovacioni ka qenë në zanafillën e rritjes ekonomike dhe mirëqenies sociale me anë të teknologjive të reja, formave të reja të organizimit të punës, mallrave modernë të konsumit si dhe mjeteve teknologjike të komunikimit.

Një lidhje e rëndësishme midis inovacionit dhe rritjes ekonomike është shtjelluar nga Joseph Schumpeter (1939). Sipas tij, inovacioni nuk ka të bëjë vetëm me proceset prodhuese, por edhe me organizimin e veprimtarisë ekonomike dhe trajtat e organizimit të institucioneve. Në thelb, sipërmarrja moderne është forma e organizimit e cila arrin të vërë në praktikë shpikjet shkencore dhe që është vetë rezultat i një serie inovacionesh organizative.

Për Schumpeter, kapitalizmi është një proces i evolucionit dhe një proces dinamik. Në zemër të këtij procesi është ai i “shkatërrimit krijues” të cilin ai e përcakton si një proces organik, domethënë ai që revolucionarizon vazhdimisht strukturën ekonomike nga brenda, duke shkatërruar vazhdimisht elementët e saj të vjetëruar dhe duke krijuar vazhdimisht elementë të rinj. Sot, ekonomistët janë të frymëzuar nga teoria e tij e cikleve ekonomike, të cilët shohin në progresin teknik zgjidhjen për defektet e kapitalizmit: stanjacioni, papunësia, pabarazitë shoqërore, inflacioni, deflacioni, etj.

Inovacioni.

Në artikullin e tij “Zhvillimet shkencore, risitë teknologjike, rritja dhe produktiviteti”, ekonomisti italian Paolo Sylos Labini analizon faktin se inovacioni është i lidhur ngushtë me ciklet ekonomike. Në të vërtetë, gjatë një faze depresive, shkalla e ulët e fitimit dhe ashpërsia e konkurrencës stimulon sistemin kapitalist të ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për inovacione radikale teknologjike në mënyrë që të dalë nga kriza dhe të arrijë përsëri fitimin. Shumë sipërmarrje dështojnë, por disa arrijnë të prodhojnë mjete teknologjike moderne që i lejojnë ato të rrisin shumë produktivitetin e tyre dhe të nxisin akumulimin e kapitalit.

Për shkak të suksesit të tyre të dukshëm, këto mjete u përhapën në të gjithë sistemin kapitalist modern, u vendosën si një paradigmë teknokratike brenda një regjimi akumulimi kapitalist dhe kështu kontribuan në rimëkëmbjen e ekonomisë (Ingolfur Blühdorn, 2017). Gjatë një faze të tillë të rimëkëmbjes së fitimit, ekziston një përhapje dhe një thellim i paradigmës teknike të sapo zhvilluar, deri në shterimin relativ të saj.

Në fakt, kapitali tenton të shtyjë kapacitetet e teknologjisë ekzistuese në kufirin e saj ekstrem, e cila gradualisht do të infiltrojë të gjithë procesin e prodhimit dhe shkëmbimit. Por gjatë këtij procesi, kjo teknologji humbet efikasitetin e saj dhe fitimet spektakolare të produktivitetit që mund të vërehen në fillim të fazës së ngritjes i lenë vendin një rritjeje më të dobët.

Kriza ekonomike dhe sanitare që po kalojmë është një moment i së vërtetës. Shumë kompani përballen me një ndryshim të papritur të mjedisit i cili i detyron ato të veprojnë sa më shumë me kostot e tyre, me menaxhimin e kapitalit të tyre ose me aftësinë e tyre për t’u përshtatur duke hedhur në treg produkte dhe shërbime të reja. Për të përfunduar me sukses këtë transformim jetësor, inovacioni është thelbësor. Pavarësisht nëse barten nga departamentet e kërkim-zhvillimit (R&D) ose të marketingut, ekipet e inovacionit kanë për detyrë të imagjinojnë, krijojnë dhe më pas të marketojnë produkte të rinj që do të kushtëzojnë performancën e ardhshme të këtyre kompanive. Në dekadat e ardhshme viti 2020 do të mbahet mend si viti i Covid-19.

Por rrethanat unike me të cilat është përballur sistemi kapitalist modern kanë nxitur gjithashtu inovacionet në fushat e teknologjisë dhe shëndetit. Inovacionet aktuale në kujdesin shëndetësor dhe trajtimin e të dhënave kërkojnë kapacitete informatike dhe logjistiko-teknologjike tepër të lartë. Gjithnjë e më shumë, të dhënat e mbledhura mund të ndihmojnë studiuesit dhe autoritetet zyrtare të identifikojnë patologjitë dhe të kuptojnë se si funksionojnë ilaçet. Përveç kësaj, fuqia e informatikës së përparuar dhe gjerësia e internetit po shfrytëzohen për kërkime mjekësore, ku sasi të mëdha të të dhënave duhet të përpunohen dhe testohen.

Në librin “The Age of Surveillance Capitalism” botuar në vitin 2019, autori Shoshana Zuboff trajton çështje etike, ekonomike dhe shoqërore që lidhen me privatësinë e të dhënave duke analizuar faktin se kemi një ndryshim thelbësor në kapitalizmin bashkëkohor pasi është bërë gjithnjë e më shumë “teknoshkencor” dhe gjithnjë e më i financuar. Sipas tij, “nëse civilizimi industrial lulëzoi në kurriz të natyrës dhe tani kërcënon të na kushtojë Tokën, civilizimi informacional i formuar nga kapitalizmi teknoshkencor do të lulëzojë në kurriz të natyrës njerëzore dhe kërcënon ekzistencën e njeriut”.

Sido që të jenë stimujt në origjinë të inovacioneve, ato zbatohen sistematikisht në veprimtarinë prodhuese nëse provojnë se janë ekonomikisht të qëndrueshme. Gjithsesi, ndikimi i tyre nuk ndalet në jetën ekonomike, por prek tërë jetën shoqërore. Është pranuar gjerësisht se nga natyra e modelit të tyre, formulimet e zhvilluara nga ekonomistët neoklasikë për të modelizuar ekonominë nuk arrijnë dot të shpjegojnë siç duhet krizat identitare të kapitalizmit.

Në kohën që po jetojmë ekonomia kuantike, siç  janë algoritmet dhe të dhënat personale, po organizojnë gjithnjë e më shumë jetën tonë, dhe jo thjesht duke ndërmjetësuar marrëdhëniet tona ekonomike por po konfigurojnë gjithnjë e më shumë sistemin kapitalist modern. A mundet që kjo ekonomi kuantike, si një fuqi e “shkatërrimit krijues”, të jetë një cikël inovacioni konvergues drejt një ndryshimi rrënjësor të sistemit kapitalist modern?

Ekonomia kuantike.

Ashtu si mekanika Newton-iane zvenitet kur shikojmë grimcat subatomike në pjesët përbërëse të universit tonë, ashtu edhe ekonomia neoklasike zvenitet kur shikojmë përbërësin e shoqërisë sonë pra individin. Në shkallën e grimcave subatomike, mekanika kuantike ofron baza të reja për të kuptuar botën fizike; në shkallën e sistemit kapitalist modern, ekonomia kuantike premton baza të reja e të kuptuarit të botës ekonomike dhe shoqërore.

Ekonomia kuantike motivohet nga besimi se proceset ekonomike të tilla si transaksionet financiare kanë shumë të përbashkëta me proceset kuantike, dhe mund të modelohen në mënyrë të përshtatshme duke përdorur formalizmin kuantik. Ajo aplikon idetë, metodat dhe modelet e zhvilluara në mekanikën kuantike për t’i zbatuar ato në fusha të reja të shkencave ekonomike dhe shoqërore.

Ndërsa mendimi neoklasik e sheh ekonominë si një sistem të ndërlikuar, ekonomia kuantike e shikon atë si një sistem kompleks në thelb probabilist dhe i drejtuar nga ndërveprimet luhatëse midis pjesëmarrësve. Që nga kriza globale financiare e vitit 2008 dhe kjo e fundit sanitare që po përjetojmë, është e qartë se mendimi ekonomik duhet të përditësohet. Ndërsa ekziston një konsensus në rritje që bazat e ekonomisë mbështeten në një model shumë të rafinuar të individit racional, ka pasur pak marrëveshje se si kjo situatë të rregullohet. Si pasojë, progresi ka qenë i ngadaltë.

Lexo edhe :  Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Në fakt ekonomia kuantike ofron mjete për të kapërcyer shumë nga dështimet e teorisë tradicionale ekonomike. Ekonomia kuantike fillon nga supozime që janë rrënjësisht të ndryshme nga ato të ekonomisë neoklasike dhe arrin në përfundime po aq të ndryshme. Karakteristika e saj përcaktuese është se vendos krijimin e parave, transaksionet monetare dhe vetitë dualiste të parasë në zemër të ekonomisë. Ekonomia kuantike e sheh ekonominë si një sistem jetese të lidhur ku individët dhe institucionet kanë përgjegjësi më të gjera ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj shoqërisë. Më në fund, ekonomia kuantike është e natyrshme pluraliste në kuptimin që është e hapur për ide të ndryshme në lidhje me llojin e zgjedhjeve që do të çojnë në një shoqëri më të mirë.

Në librin e tij “Quantum economics: the new science of money” botuar në vitin 2018 autori David Orell rrëfen se teoria tradicionale ekonomike, e cila përjashton paranë si objekt analize, është e gabuar. Sipas tij, paraja është çështje thelbësore, e cila kërkon diskutim të hollësishëm. Më tej, duke marrë hua nga fusha e fizikës kuantike, ai mendon se paratë po sillen më shumë si një objekt kuantik. Kjo rëndësi e parasë ka implikime të drejtpërdrejta dhe të rënda si për ekonominë ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Prandaj, të kuptuarit e natyrës së parasë është e një rëndësie të madhe për të korrigjuar kuptimin tonë të ekonomisë. Strukturat financiare, ekonomike, sociale dhe politike po tranzitojnë drejt një “ndryshimi sistemik laik”. Një zbatim i plotë i “teorisë monetare moderne” tani është në proces.

Një revolucion teknologjik po ndodh me ndërrimet e paradigmës të lidhura ngushtë në mënyrat e organizimit ekonomik, social dhe politik. Rendja drejt “teknologjizimit” të çdo aspekti të përpjekjeve njerëzore është jashtëzakonisht deflacioniste. Kërkohen gjithnjë e më pak njësi të inputeve të punës (njerëzore ose të mekanizuara) dhe gjithnjë e më pak njësi të inputeve të energjisë për të gjeneruar njësi më të mëdha të vlerës.

Këto prirje laike të pandalshme deflacioniste janë anatemë absolute për modelin e vendosur Keynesian të drejtuar nga borxhi. Thjesht nuk ka asnjë mënyrë themelore për paradigmën ekzistuese për të përjetësuar vetveten dhe ndryshimi i sistemit kapitalist laik është e vetmja mundësi që po vëzhgohet në horizont. Lind natyrshëm kurioziteti nëse kapitalizmi deflacionist është etapa e radhës e këtij ndryshimi sistemik.

Kapitalizmi deflacionist.

Çdo paradigmë e dhënë sistemike rrënjoset dhe buron nga baza e saj teknologjike. I gjithë organizimi socio-ekonomik buron nga mjetet teknologjike me të cilat prodhohet dhe shpërndahet “Vlera”. Kur ndodh revolucioni teknologjik, i nxitur nga një bashkim njohurish dhe domosdoshmërie, pasojnë ndërrime të lidhura ngushtë të paradigmës në mënyrat e organizimit ekonomik, social dhe politik. Por nëse po përjetojmë një revolucion kuantik në ekonomi, a është etapa e radhës një sistem kapitalist deflacionist?

Kapitalizmi i tregut të lirë kërkon një bazë vazhdimisht në zgjerim të prodhimit të vlerës ekonomike për të ruajtur rritjen në terma të shkallës dhe cilësisë së jetës. Është një sistem që has në telashe sapo ky ritëm i rritjes fillon të ngadalësohet. Sapo rritja ekonomike laike ndalon, vdekja e sistemit entropik është e pashmangshme pasi “Rritje ose Vdekje” është një ligj i njohur i kapitalizmit (Matthias Schmelzer, 2016).

Pra, çfarë ndodh kur kufijtë e rritjes së shëndetshme janë arritur dhe “forcat deflacioniste” fitojnë terren? Në fakt “teoria monetare moderne” dhe monetarizmi i borxhit në përgjithësi është bërë i mundur, dhe mund të thuhet edhe i domosdoshëm, nga forcat dërrmuese laike të deflacionit që janë teknologjia dhe demografia. Shqetësimet në lidhje me deflacionin – rënia e çmimeve për mallrat dhe shërbimet – janë shfaqur në diskutimet e fundit politike.

Debati dominohet nga paragjykimi i thellë që deflacioni, pavarësisht kontekstit, është një patologji ekonomike që pengon çdo zgjerim të qëndrueshëm dhe të fortë. Sepse deflacioni sinjalizon një mungesë të kërkesës totale e cila në të njëjtën kohë ul çmimet, të ardhurat dhe prodhimin. Por deflacioni mund të ketë një origjinë të kundërt, pra mund të jetë gjithashtu rezultat i një rritje të ofertës.

Në këtë rast, hyjnë në lojë përparimet në produktivitet, rritja e konkurrencës në tregjet për mallra ose inputet më të lira dhe më të bollshme. Deflacionet e drejtuara nga oferta ulin çmimet duke rritur të ardhurat dhe prodhimin. Periudha e viteve 2000-2020 ishte faza e shuarjes së paradigmës së vjetër të bazuar në Kapital si dhe një fazë tranzicioni drejt paradigmës së re të bazuar në Informacion. Kjo periudhë kohe përjetoi grumbullimin dhe theksimin e forcave themelore dhe të pandalshme që absolutisht mandatojnë një largim sistemik nga Kapitali. Impulsi themelor i “Financiarizimit” është Inflacioni, të cilin mund ta lexojmë si nxitje për të zgjeruar rrjedhën e kapitalit.

Forca themelore e kundërt është Deflacioni, të cilin mund ta lexojmë si tendencë përshpejtuese drejt degradimit të vlerës së kapitalit. Që nga viti 2009, normat e interesit kanë qenë praktikisht zero ose afër zeros, dhe deflacioni ka qenë rregull. Periudha 2009 – 2019 mund të përshkruhet si një periudhë e fortë deflacioniste. Që nga tremujori i parë i vitit 2020 situata për shkak të koronavirusit ka shkaktuar një episod të tkurrjes deflacioniste.

Në një mjedis të tillë, investitorët duhet të blejnë ose mbajnë bono thesari cilësore dhe të shesin asete të rrezikshme.

Ekonomisti liberal francez Charles Gave (2021) dhe themeluesi i Think Tank “Institut des Libertés” rrëfen se kapitalizmi po kthehet në rrënjët e tij deflacioniste të shekullit të 19-të duke përmendur tre tendenca kryesore.

Së pari, rënia e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga revolucioni teknologjik që lejon shfrytëzimin e “Shale Oil”, naftë e nxjerrë nga shkëmbinjtë argjilorë, dhe që prish ekuilibrin e tregjeve aktualë të naftës dhe gazit.

Së dyti, përparimet në automatizim dhe robotikë, të cilat shtrihen nga detyra të thjeshta dhe të përsëritura në funksione shumë herë më të avancuara dhe inteligjente, duke kërcënuar vendet e punës së klasave të mesme në vendet e zhvilluara. Sipas tij është “shkatërrim krijues” por këtë herë duke goditur profesionistë të kualifikuar.

Dhe së treti, shfaqja e teknologjive “shqetësuese”, të tilla si interneti ose stokimi i energjisë elektrike, të cilat tanimë kanë revolucionarizuar ose do të prishin ekuilibrin e sektorëve të tërë të aktivitetit industrial me një përqëndrim të lartë të kapitalit (industria e automobilave).

Pra, kapitalizmi ka njohur rrallë herë një kohë të tillë kur forcat e krijimit dhe shkatërrimit kanë qenë po aq të fuqishme sa sot. Si rezultat “shkatërrimi krijues” i gjeneruar nga mënyra kapitaliste e prodhimit, nga të cilat deflacioni i mallrave dhe shërbimeve është një nga simptomat kryesore, do të kërkonte të menduarit për një model rrënjësisht të ri të zhvillimit dhe organizimit shoqëror.

Kur stuhia inovative dhe teknologjike të ndalojë, një rrebesh inflacionist mund të shfaqet në horizont. A do të jenë bankat qendrore zbutësit e tij? In Omnia Paratus

 

 

Të fundit

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

“Plas lufta” në burgjet e Ekuadorit/ Shkaktohen trazira, qindra të vrarë në pak kohë

Ky lajm u njoftua nga qeveria, ku zëvendësministri i sigurisë Lyonel Calderon tha se numri ishte i përkohshëm, pasi do të bëjnë një shqyrtimi...

VIDEO/ Çmenduria në Tiranë, hyn kundravajtje, dhunon shoferin tjetër që s’i hapte rrugën

TIRANË – Një sherr ka ndodhur ditën e djeshme në në rrugën “Teodor Keko” në lagjen Astir, ku një shofer i cili kishte hyrë kundravajtje,...

Lajme të tjera

Web TV