Atalanta mposht Napolin 3-1 dhe siguron vendin në finalen e Kupës së Italisë përballë Juventusit. Ka qenë një derbi shqiptarësh ndeshja e kthimit të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Italisë, por në fund ka qenë Berat Gjimshiti ai që ka dalë fitues ndaj shokut të tij të skuadrës në Kombëtaren kuqezi, Elseid Hysaj, por edhe ish-futbollistit kuqezi, tashmë kapiten i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmanit.
Atalanta e Gjimshitit ka fituar të mërkurën në mbrëmje me rezultatin 3-1 ndaj Napolit të Hysajt dhe Rrahmanit, duke siguruar kështu vendin në finalen e madhe, ku do të përballet me Juventusin. Takimi i parë, i zhvilluar në Napoli, ishte mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërkohë që Gjimshiti dhe Rrahmani e nisën dhe e mbyllën si titullarë takimin, për Hysajn kanë qenë në dispozicion vetëm 42 minuta lojë të pjesës së parë, pasi ai është zëvendësuar nga Mario Rui.
Në fakt, Atalanta nuk ka humbur kohë, duke e gjetur dy herë golin brenda 16 minutave të para, me anë të Zapatën dhe Pesinës. Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, pavarësisht një goli të Lozanos në minutën e 53-të, që i jep shpresë përkohësisht Napolit, Pesina do të godasë sërish për vendasit 12 minuta para fundit, duke vulosur fitoren e Atalantës 3-1 ndaj Napolit dhe vendin në finale.