Tomas dhe Tim Brdariç, një “çështje familjare”/ Trajneri gjerman dhe i biri rrëfejnë jetën e tyre “shqiptare” dhe synimet me Vllazninë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

I zhvendosur në Shkodër që në gjysmën e parë të gushtit, Tomas Brdariç nuk e ka lënë për asnjë ditë Shqipërinë, duke vijuar ta udhëheqë Vllazninë e tij drejt vendit të parë në renditjen e Kategorisë Superiore, me 37 pikë të grumbulluara në dy fazat e para të këtij sezoni, 6 pikë të shkëputur nga ndjekësja më e afërt, Partizani, por edhe me vendin e siguruar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Deri më tani, ai ka një bilanc prej 14 fitoresh, 4 barazimesh dhe 3 humbjesh në 21 ndeshje gjithsej në kampionat dhe Kupë, ku skuadra e tij shënuar mesatarisht dy gola për ndeshje, 42 dhe ka pësuar vetëm 11. Teksa ai hap dyert e shtëpisë së tij për gazetën “Fjala”, 46-vjeçari mbetet i përqendruar tek puna që bën, edhe kur jep përshtypjet e tij për qytetin e Shkodrën dhe nisjen e punës me Vllazninë.

Tim Brdariç
Tim Brdariç

“Mua më pëlqen këtu, të punoj dhe të shoh shumë lumturi në fytyrat e njerëzve këtu, edhe sepse tani të gjithë na njohin dhe e shohin punën tonë dhe unë jam i kënaqur me situatën, – thotë Tomasi. – Siç ju thashë, në fillim, askush nuk e kishte mendjen tek ne, por tani na kanë të gjithë në fokus dhe mendoj se e kemi merituar… kaq e thjeshtë është.”

Me 102 gola të shënuar në afro 350 ndeshje në Bundesligën gjermane, por edhe 20 ndeshje të luajtur gjithsej me përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve dhe atë të të rriturve të Gjermanisë, Tomas Brdariç ishte një lojtar i njohur, por pastaj u tërhoq nga futbolli i luajtur në 2008-ën për t’u bërë trajner. E tanimë ai duket se po rigjen famën, sepse një gazetë prestigjioze si gjermania “Bild”-i i ka kushtuar vëmendje dhe e ka intervistuar së fundmi.

-Si po e shijon ai këtë moment dhe a e sheh suksesin tek Vllaznia si një bazë për të synuar një klub më të madh?

“Së pari, pas karrierës profesioniste si futboll nis ndërgjegjësimi për të qenë konkurrues edhe më pas, sepse ne e filluam nga zeroja, nuk kishim as edhe një fushë të denjë për të punuar, dhe dua të them që jam mirënjohës që jam pjesë e rindërtimit të këtij klubi të ndërmarrë nga donatori Alban Xhaferi, nga kryebashkiakja Voltana Ademi, dhe me mbështetjen e drejtorit sportiv, Matko Djarmati, dhe stafit tim teknik, ne kemi gjetur marrëdhënien e duhur për të nisur këtë bashkëpunim, – përgjigjet ai. – Dhe pas një gjysmë viti, ne kemi arritur të marrim vendimet e duhura, por na duhet të vazhdojmë, të mbetemi të përqendruar tek gjërat kryesore.”

Ndërkaq, duke filluar që nga 10-ditëshi i fundit i janarit, ekuacionit shkodran të trajnerit gjerman i është shtuar edhe një element tjetër, pasi atij i është bashkuar edhe i biri, Tim Brdariç.

-Po sa e ka kushtëzuar kjo trajnerin në trajtimin që i bën të birit dhe në zgjedhjet që bën?

Para së gjithash, ai është im bir, por, kur punojmë së bashku, ai është një numër, pra është si të gjithë lojtarët e tjerë, – sqaron Tomas Brdariç. – Unë jam këtu për ta mbështetur atë, ashtu siç jam këtu për të mbështetur të gjithë lojtarët e mi, dhe në stërvitje i trajtoj të gjithë në mënyrë të barabartë.”

“Jashtë stërvitjes, ne kemi shumë diskutime së bashku, sepse futbolli profesionist kërkon shumë punë të qenë i suksesshëm dhe duhet të bësh gjërat e duhura, – vijon trajneri i Vllaznisë. – Por unë jam këtu për të patur një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë lojtarët e mi, jam këtu për të punuar, për t’i dhënë gjithkujt mbështetjen që i duhet për të rritur nivelin e tyre.”

Tim Brdariç
Tim Brdariç

Në fakt, 20-vjeçari, i cili, ndryshe nga babai që luante si sulmues, ka zgjedhur rolin e qendërmbrojtësit, teksa me 1 m e 95 cm është 8 cm më i lartë se i ati, shihet si një futbollist i perspektivës dhe i është bashkuar skuadrës së Nën-21-vjeçarëve të Vllaznisë. Megjithatë, ai është stërvitur edhe me skuadrën e të rriturve, tek e cila ai ka parë një grup solid.

“Personalisht, mendoj që është një skuadër mjaft konkurruese, sidomos këtë sezon dhe unë mendoj që ajo që është ndërtuar këtu është diçka e veçantë, që nuk kishte ndodhur këto vitet e fundit dhe është gjë e mirë kur vëren se skuadra nuk kërkon të shikojë larg në të ardhmen, por ajo punon ditë pas dite, – thotë Timi. – Dhe besoj se ky është çelësi i suksesit, i asaj që po ndodh për momentin dhe suksesi nuk bie nga qielli, por është një punë e përditshme”

“Mendoj se kjo skuadër ka mjaft potencial dhe ky potencial u vu në punë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë”, – ka shtuar ai.

Një potencial që u ndërtuar dhe vu në efikasitet nga i ati, sidoqoftë. Brdariçi i ri e vlerëson këtë fakt, por thekson ajo që është arritur deri më tani nuk mjafton: “Sigurisht suksesi nuk vjen nga zeroja, madje këtu vjen nga më poshtë se aq, sepse disa prej kushteve mund të mos jenë aq të mira sa diku tjetër. Mendoj se im atë ka bërë një punë të madhe, por kjo nuk mund të mjaftojë, sidomos këtu, ku njerëzit kanë pritshmëri të mëdha dhe mendoj që për t’i përmbushur këto pritshmëri, duhet të japësh më tepër se 100 %.”

-Po a është e vështirë të jesh i biri i Tomas Brdariçit? Futbollisti i ri është krenar, por synon identitetin e tij.

“Në përgjithësi, njerëzit bëjnë krahasime, krahasohemi shpesh, – pohon i riu. – Por unë jam Tim Brdariç dhe ne të dy kemi të njëjtin mbiemër, por kemi emra të ndryshëm. Sigurisht që gjithmonë e kam parë si shembull, sepse ai është im atë dhe unë e di që ai ka arritur shumë gjëra në jetë dhe ka shumë përvojë dhe gjithmonë mund të mësoj prej tij në çdo rrethanë.”

Ndonëse ai është i ati, Tim Brdariç nuk pret trajtim preferencial nga trajneri kuqeblu.

Lexo edhe :  Chelsea shkatërron Evertonin në “Stamford Bridge”, Palmer realizon “Poker-in” e parë

“Mendoj se ai më njeh shumë mirë, sepse unë jam i biri, por ai më trajton si çdo lojtar tjetër, kështu që edhe unë e shoh atë si trajner dhe jo si baba në stërvitje, kështu që…”, – përfundon Tim Brdariç.

Nga ballkoni i apartamentit në qendër të Shkodrës ku banon bashkë me të birin, duken kullat e prozhektorëve të Stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku më së fundmi Vllaznia pësoi humbjen e 3-të në këto 18 javë kampionat, dhe të dytën përballë Laçit. Një humbje që nuk është kapërdirë lehtë nga Tomas Brdariçi, i cili teksa analizon atë që ndodhi përballë kurbinasve, ka filluar të mendojë për sfidën e radhës, atë ndaj Apolonisë po në “Loro Boriçi”, atje ku kuqeblutë do të synojnë rikthimin tek fitorja e munguar prej 3 ndeshjesh.

Shtëpia dhe gastronomia/ Dy gjermanë në Shkodër, si jetojnë dhe çfarë hanë babë e bir

Ndonëse babë e bir jetojnë me futbollin, ata prapëseprapë e shijojnë jetën në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. Por çfarë bëjnë ata kur nuk merren me futboll?

‘Është shumë e thjeshtë, punojmë fort çdo ditë dhe e shijojmë jetën, por edhe çlodhemi, – përgjigjet Tomas Brdariç. Po, po kalojmë një kohë të bukur me shumë njerëz këtu, kemi marrëdhënie të mira, edhe sepse njerëzit këtu në Shkodër janë mjaft të sjellshëm, miqësorë dhe sigurisht që po e shijoj këtë.”

Tomas Brdariç
Tomas Brdariç

Këtë ndjesi përcjell edhe Brdariçi i ri, i cili përgjatë dy viteve të fundit ka përshkuar një itinerar që e ka çuar atë nga Gjermania, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sërish në Gjermani e pastaj në Shkodër.

“Po, në këto vitet e fundit unë kam përjetuar kultura të ndryshme, por duhet ta them që kjo e këtushmja është më mikpritësja dhe më e ngrohta, pohon ai. – Që nga koha që kam ardhur këtu, kam takuar njerëz që janë më miqësorë, që përkujdesen dhe mendoj që kjo është diçka mjaft e veçantë.”

-Po cila është menuja shqiptare e gjysmës së familjes Brdariç? A gatuajnë ata vetë, apo zakonisht preferojnë të hanë jashtë…?

“Varet sesi ndjehemi dhe se çfarë kemi në frigorifer në vakte të caktuara, – përgjigjet Tomas Brdariç. – Ne kemi mundësi të hamë jashtë në restorantin e prenotuar për ne nga klubi, që mundëson edhe katering… Por, po ngandonjëherë gatuajmë edhe këtu së bashku, gjithnjë me synimin e të ngrënit shëndetshëm.”  Për trajnerin e Vllaznisë, edhe çështja e gjumit është një çështje relative. Hah (buzëqesh)… Varet, nëse kemi apo ndeshje, nëse është para ndeshjes apo pas ndeshjes, sepse fokusi ynë këtu është futbolli dhe unë kam shumë gjëra për të bërë dhe truri im është gjithmonë i ngarkuar, me shumë ide, me strategji apo me çështje për të zgjidhur dhe, ngandonjëherë, unë fle më mirë dhe herët e ngandonjëherë jo”, – përfundon trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.

Pikante nga intervista për “Bild”/ Brdariç: Tifozët shkodranë, të çmendur! Klop dhe Guardiola, modelet e mi

Është duke bërë një kampionat të shkëlqyer me Vllazninë e tij, Thomas Brdariç në një intervistë të botuar nga seksion sportiv i prestigjiozes gjermane “Bild” (“SportBILD”), ai ka rrëfyer për gjithçka, për Vllazninë të cilën e cilson si Bajernin e Mynihut, për Shkodrën, tifozët shqiptarë, djalin e tij, ku dhe citon se jeton në një apartament pranë qendrës së Shkodrës dhe deklaron dëshirat e tij: “Jam krenar dhe i befasuar nga euforia që rrethon ekipin tonë këtu në Shkodër, – ka thënë ai për të përditshmen gjermane në fjalë. – Ne zgjuam një qytet të tërë. Por është mënyrë e vështirë për ta mbajtur këtë gjendje deri në fund të sezonit. Nëse kemi sukses, do të ishte një çmenduri e pastër. Ne jemi figura e kampionatit për momentin, jemi duke u sulmuar si Bajerni në Gjermani.”

I pyetur për krahasimin e tifozëve shqiptarë me ata gjermanë, ai është përgjigjur: “Të ndryshëm. Një shembull, kur për herë të fundit fituam 1-0 ndaj Bylisit në Ballsh, tifozët na përshëndetën me 500 makina brenda qytetit dhe na shoqëruan përmes Shkodrës në stadium me brohoritje. Unë kurrë nuk kam provuar diçka të tillë, ishte e jashtëzakonshme.”

Tomas Brdariç
Tomas Brdariç

“Isha gati pak i parehatshëm sepse ende nuk kemi arritur asgjë, – ka vijuar trajneri i Vllaznisë. – Nga ana tjetër, unë jam i lumtur për momentin me njerëzit, veçanërisht tani në kohë të vështira të pandemisë. Ne përpiqemi t’u kthejmë atyre një pjesë të gëzimit, shpresës dhe entuziazmit.” Tomas Brdariç ka folur edhe për frymëzimin si trajner.

“Unë kam zhvilluar stilin tim, por jam gjithmonë i hapur për përmirësim, – ka rrëfyer ai. – Si profesionist i Bundesligës, kisha mësues të shquar si Ralf Ragnik në Hanover dhe Kristof Dom në Leverkusen. Aktualisht jam duke studiuar lojërat e Jurgen Klop të Liverpulit dhe Pep Guardiola të Mançester Sitit, ato më frymëzojnë. Unë gjithashtu do të doja të shikoja nga pranë të dy sesi stërvisin.”

“Lojtarët padyshim ndihen rehat me Klopin dhe Guardiolan. Dhe ata mund të arrijnë performancën e tyre maksimale vetëm nëse kanë një marrëdhënie të përsosur me trajnerin”, – ka përfunduar Thomas Brdariç në një intervistë të botuar nga seksion sportiv i prestigjiozes gjermane “Bild” (“SportBILD”).

Të fundit

Tërbimi i Metës-triumfi i SPAK-ut!

Nga Azgan Haklaj Ndonëse ndaj pikpamje thellësisht të kundërta politike e civile me Ilir Metën (Metajn) do ta suportoja nëse...

Bienalja ndriçon ‘natën’ e të burgosurve femra

Pavioni i Selisë së Shenjtë në shtëpinë e burgut femëror Guidecca Nga Roberto Nardi Dy këmbë të stërmëdha dhe të ndotura zbathura ishin pikturuar në murin...

Përkthimi psikologjik i magjisë së eventit Miss & Mister Durrësi 2024

Nga Fatmir Minguli     Të shkruash për ngjarjen e natës së 5 prillit 2024 që u zhvillua në Pallatin e sportit ‘Ramazan Njala” në Durrës  nuk...

Ramazan Hushi me një libër që të vë në mendime

(Rreth romanit “Përmendorja e Djallit”) Shpendi Topollaj Po të nisesh nga ngjarjet që rrokin jo vetëm një qytet tonin pas rënies së komunizmit, por krejt Shqipërinë...

Një “Engjëll” vdekje, ylli argjentinas që vriste gjithkënd me gjakftohtësi

Nga Leonard Veizi Atij i pëlqente aq shumë rreziku, sa mund të rrezikonte deri në fund pa iu dhimbsur asgjë. Nuk ish në peshore as...

Lajme të tjera

Web TV