Mëngjesin e sotëm është shuar në moshën 79-vjeçare poeti vlonjat Lefter Çipa, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.
Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare.
Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.
Ka qenë autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Lefter Çipa është edhe autor i papërsëritshëm i këngëve “Bejkë e Bardhë” apo “Këngët e atdheut tim, jam ilaç e janë sherim”, duke lënë pas një trashëgimni të madhe me poezi e këngë për dashurinë , atdheun, shqipërinë, vajzën, detin, apo edhe tokën.