Enveri, si u rrëzua në mes të Tiranës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ai qëndronte atje dhe qenia e tij e murosur në një bronx të verdhë vazhdonte të ishte po aq dominuese. Një kalorës mesjetar në të djathtë ishte krejt në miniaturë, ndërsa dukej sikur aksi kryesor i qytetit vazhdonte të kontrollohej nga po ai. Diku më poshtë turma agresive tentonte t’i afrohej me një mundim të sforcuar. Përballë dy ekstremeve, kufiri që i ndante nuk kishte të bënte me asnjërën palë, as me kundërshtarët dhe as me atë vetë. Ky “kufi” edhe pse në mendjet e gjithsecilit ravijësohej si të ishte një vijë milimetrike dhe jo fort e rëndësishme për nga këndvështrimi fizik, ishte tepër i largët, absurd dhe krejt i paimagjinueshëm. E megjithatë ata vendosën ta preknin “kufirin” edhe pse shumica absolute e tyre kishin rendur nga periferia për të qenë pjesë e spektaklit në qendër të qytetit…

…Krejt e pabesueshme, por ai u lëkund. Turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra “qen kufiri” dhe zjarrfikësja e blinduar mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit që ndodheshin në sheshin “Skënderbej” tentuan sërish drejt shkallëve të mermerta. Ishte çasti ku thirrjet frenetike u solidarizuan dhe po aq solidar ishin trupat e Ndërhyrjes së Shpejtë me uniforma laramane e skafandra në kokë që mbuloheshin me mburoja plastike. Trysnia që krijonte turma 100 mijë vetësh kishte arritur kulmin. Monumenti gjigand që kishte zënë pamjen kryesore të sheshit u anua në të majtë të tij dhe që nga ai çast askush s’kishte fuqi të përmbante dufin e turmës që u çlirua me një britmë therëse gëzimi kur të tetë tonët e bronxit që himnizonin udhëheqësin komunist u përplas me një zhurmë shurdhuese në syprinën dhe shkallët prej mermeri që rrethonin përmendoren. Përplasja ishte fatale. Krejt papritur vepra solide u nda në dy pjesë, trupi në njërën atë dhe koka që u rrokullis më poshtë, çuditërish pa shkaktuar asnjë viktimë këtë herë. Miti kishte rënë përfundimisht… Ose vetëm kështu ishte besuar…

Ngjarja

20 shkurti i vitit 1991 ka hyrë në kujtesë si dita kur u rrëzua monumenti i diktatorit në qendër të kryeqytetit. Ndërsa në dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri u lejua pluralizmi politik, në qendër të kryeqytetit, me një lartësi prej 7 metrash, e derdhur ne bronz, shtatorja e Enver Hoxhës ishte ende në këmbë. Byroja Politike kishte nxjerre një urdhër për të mbrojtur me çdo kusht monumentet. Dekreti numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve” u firmos me 22 janar te vitit 1991 nga Ramiz Alia. Lëvizja antikomuniste e dhjetorit te vitit 1990 dukej sikur i përgjumur disi, derisa një iniciativë e studenteve të Universitetit të Tiranës rindezi atmosferën. Me 18 shkurt ’91-shit, 723 studentë e pedagogë hynë në grevën e urisë, duke kërkuar, në kuadër të depolitizimit, heqjen e emrit të Enver Hoxhës universitetit. Komisioni i grevës, i përbërë nga Arben Lika, Arian Manahasa,  Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, kërkoi veç të tjerave anulimin e dekretit që mbronte monumentet e diktatorit dhe lirimin e të burgosurve të fundit të ndërgjegjes që mbaheshin ende ne qelitë e Spaçit e Burrelit. Ndërkaq drejtuesit e opozitës kishin firmosur me Ramiz Alinë paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri ne zgjedhjet e ardhshme.

Përshkallëzimi

Shqipëria rrezikohej nga një luftë civile. Shoqata me emrin “Vullnetarët e Enverit” kishte filluar të vringëllonte armët, duke deklaruar se “Enveri duhej mbrojtur, qoftë edhe me gjak”. Njerëz të armatosur të ekstremit të majtë e të djathtë shiheshin përditë në rrugët e qyteteve shqiptare. Më 20 shkurt, përpjekjet e pushtetit për të thyer rezistencën e studentëve kishin dështuar. Me gjithë problemet shëndetësore që u shfaqën, grevistët ishin të vendosur të mos tërhiqeshin. Jo vetëm kaq. Sindikata e Pavarur e Shqipërisë kishte kërcënuar me një grevë të përgjithshme, e cila mund të paralizonte gjithë vendin. Mijëra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve të afërta mbërrinin çdo ditë në Qytetin Studenti, duke inkurajuar grevistët dhe duke organizuar demonstrata me pjesëmarrje gjithnjë e më masive. Në këto kushte, pakti i stabilitetit mes qeverisë dhe opozitës dukej tepër i brishtë për të përballuar një lëvizje të tillë popullore dhe shumë prej politikaneve të rinj filluan të bënin lëvizje individuale, duke u rreshtuar përkrah të ngujuarve. Turma fryhej çdo minute, derisa rreth mesditës filloi të drejtohej për në qendër të kryeqytetit. Turma theu barrikadat policore të vendosura në rrugën e Elbasanit dhe gjatë bulevardit kryesor, duke mbushur sheshin “Skënderbej”. Një numër i madh policësh ishin vënë në mbrojtje të statujës prej bronzi. Policia reagoi, duke bërë të tërhiqeshin demonstruesit e parë, por pas tyre turma rritej gjithnjë e më shumë. Për minuta të tëra turma u përpoq të rrezonte masivin e bronztë, derisa në ndihmë erdhi një kamion. Në kujtesën e shqiptareve do të mbeten çastet kur monumenti i Enver Hoxhës filloi të lëkundej, derisa ra. Demonstruesit i hodhën monumentit një kavo çeliku dhe e tërhoqën për ta çuar në “Qytetin Studenti”. Kështu ishte dhe fundi.

NEW  YORK  TIMES 21/ 02/ 1991

Ramiz Alia: “Do të “gatuaj” një qeveri tjetër”

Duke ju përgjigjur gjendjes së vështirë të krijuara në të gjitha qytet e vendit Presidenti i Shqipërisë ka theksuar sot se do të emëroj një tjetër qeveri. “Kam vendosur të marr në duart e mia frerët e qeverisë dhe të krijojë një qeveri tjetër” , ka deklaruar Presidenti Ramiz Alia në një deklaratë të bërë në televizion shtetëror shqiptarë. Ai ka deklaruar se “ndryshimi ishte i domosdoshëm për paqen dhe për demokracinë. Duke theksuar se vendi ishte në një “pikë shumë kritike” ai ka kërkuar më shumë qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe nga partitë e sapo legalizuara opozitare. Studentët, të cilët vazhdojnë të protestojnë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Reiz Malile, të Ministrit të Drejtësisë Enver Halili dhe shumë të tjerëve. Zoti Alia nuk ka deklaruar se kush do të ishte pjesë e Këshillit të ri të Ministrave, por ka theksuar se ka pasur një takim me të gjithë krerët e partive: “Duhet të punojmë të gjithë së bashku që të dalim nga kjo situatë”, është shprehur ai. Protestat janë përkeqësuar duke thyer të gjitha statujat e Enver Hoxhës, themeluesit të  Partisë Komuniste. Punonjësit e policisë, disa të shoqëruar nga qenë kanë lëshuar breshëri armësh në ajër ndërkohë që mijëra qytetarë i drejtoheshin monumentit të Hoxhës, i cili dominonte sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Sipas shfaqjeve vizive në televizionin shtetëror një pjesë e policisë më pas është bashkuar me turmën për rrëzimin e monumentit. Turmat i drejtonin qiellit gishtërinjtë në formën e “V” dhe ulërinin slogane të partisë opozitare. Monumenti i rrëzuar në Tiranë dhe në Durrës simbolizonte rënien e shtypjes represive të dekadave të komunizmit, për rreth 3.2 milionë banorë. Njerëz të kontaktuar në Tiranë, të cilët nuk donin të identifikoheshin janë shprehur se të njëjtin fat me monumentin në Tiranë ka pasur dhe ajo e Korçës. Zoti Hoxha ka vrarë të gjithë kundërshtarët politikë gjatë 41 viteve që ishte në krye të vendit. Udhëheqja e tij ka përfunduar në vitin 1985, që është viti në të cilin ka vdekur. Duke prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe me Kinën në vitin 1970, ai e udhëhoqi Shqipërinë drejtë një izolimi total ekonomik dhe social. Megjithatë Hoxha është i dashur prej një pjese të madhe të popullsisë. Ndërkohë që zoti Alia hodhi poshtë 46 vite komunizmi dhe rregulli totalitar pas katër ditësh protesta. Ndryshimet përfshinë dhe zgjedhje të lira në mars të këtij viti. Një tjetër protestë ka përfunduar pasi Kryeministri Adil Çarçani deklaroi se do të riemëronin Universitetin “Enver Hoxha” të Tiranës, kjo si rezultat i kërkesës së 700 studentëve.

Nga rrëfimi i Shaban Hadëri:

Lexo edhe :  Përse nuk ngjit protesta para Bashkisë?

Monumenti i Enver Hoxhës 8 ton bronx special

Shaban Hadëri gjatë një interviste për gazetën “Telegraf” ka rrëfyer: “U bë një konkurs kombëtar. Morën pjesë rreth 140 piktorë dhe skulptorë. Ishte një konkurs, ku çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Një konkurs që zgjati kohë. Ishte një impenjim i madh. Në fund fitova unë dhe piktori Vilson Kilica. Pra bashkuam idetë, mendimet. Ndërsa për punimet u bëmë një grup i tërë. Punë në grup. Të gjithë punonin me përkushtim. Nuk luhej dot në atë kohë me figurën e Enver Hoxhës. Pyesnim pafundësisht njeri-tjetrin për çdo gjë të vogël. Derdhja bustit të Enver Hoxhës u bë në Tiranë, por bronxi u ble në Itali. Pra kanë qarkulluar shumë zëra se derdhja është bërë në Itali. Jo. Aspak. Unë shkova vetë posaçërisht në Itali për të blerë bronxin, pasi duhej i cilësisë më të mirë. Shkova në disa vende dhe së fundi blemë 8 ton bronx të cilësisë më të mirë. Pikërisht në Romë shkova në disa uzina prodhimi. Pastaj derdhjen e bëmë në Tiranë. Lartësia e bustit ishte parashikuar 7 metër. Ishte një punë kolosale. Pra lartësia pa bazamentin ishte 7 metër. Bazamenti ishte një tjetër punë e vështirë. Duhej përshtatur sipas idesë së portretit dhe vendit ku do të vendosej. Nuk numërohen skicë-idetë edhe për këtë rast”.

 

Intervista e vitit 2001

Ilia Terpini: Si e filmova kokën e prerë të Enverit

Ashtu si disa qindra mijë qytetarë të tjerë të Tiranës edhe Ilia Terpini, operatori veteran i kinostudios “Shqipëria e Re” atë të mërkurë shkurti ishte nisur për të parë zhvillimet e nxehta në Qytetin Studenti, ku një mbi 700 studentë ishin ngujuar, me motivin e vetëm që Universitetit të Tiranës, t’i hiqej emri “Enver Hoxha”.

Ju ishit me detyrë atë ditë?

Jo, nuk kisha marrë asnjë urdhër për të filmuar. Kur pashë se situata u nxeh shumë, mendova se çaste të tilla duhej të mbesnin në një film. Vendosa të shkoja në Kinostudio, mirëpo të shkoja e të vija duhej shumë kohë. Në turmë pashë dhe një djalë me një motorçikletë. I thashë të më ndihmonte e të më çonte në Kinostudio për të marrë kameran. Ai u tregua i gatshëm dhe kështu për një kohë rekord unë u ndodha sërish në qytetin e studentit.

Ç’po ndodhte në kohën kur mbërritët ju?

Në atë kohë turma kishte filluar të lëvizte poshtë për nga Rruga e Elbasanit. Me shpejtësi u futa në godinën e Liceut Artistik dhe filmova nga lart. Një nga mësuesit, ndoshta dhe Drejtori i kësaj shkolle më bëri fjalë, por dhe unë iu ktheva me të egër, të më linte të qetë të bëja punën time.

Si arritët të filmonit mes asaj turme njerëzish?

Në shesh xhiroja unë dhe një operator i TVSH-së, Fatmir Çepani, i cili kishte qenë duke regjistruar një aktivitet në një nga sallat e Pallatit të Kulturës. Mua më mbante mbi supe një burrë i panjohur, por që pranoi me kënaqësi që unë të filmoja mbi qafën e tij. Kur e pyeta në ishte lodhur ma ktheu: “Mos u shqetëso, unë kam bërë 15 vite burg e nuk pyes të të mbaj ty në qafë”. Unë filmova në shesh dhe në Qytetin Studenti, ku monumenti i Enver Hoxhës u çua në dy pjesë koka dhe trupi. Filmova gjithsej 300 metra.

Ku ndodhet tani ky film?

Atë e mbajta tre muaj në kabinën time në Kinostudio dhe në fund e dorëzova në laborator, megjithëse disa njerëz m’i afruan për ta blerë. Nxora disa foto dhe ua lashë porosi shokëve të laboratorit të më bënin një kopje. Por kjo punë mbeti pas dore dhe unë nuk e kam më filmin tim. Më pas ky film është marrë dhe është shitur për llogari personale nëpër televizonet e Evropës.

Intervista e vitit 2002

Urdhri i drejtorisë, Bujar Kore: Xhironi rrëzimin e Enverit

Bujar Kore, operatori emblemë i Televizionit Shqiptar, ka xhiruar jo vetëm kronika pa fund e dokumentarë, por edhe portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të pas-Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mori karakteresh, ai ka regjistruar që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia e deri te Sali Berisha, Fatos Nano, Leka Zogu e Ilir Meta… Ja çfarë thotë ai për ditën e rrëzimit të monumentit:

Çfarë mbani mend nga regjistrimet për Enver Hoxhën?

Po kujtoj hedhjen e monumentit të tij në shkurt 1991. Mëngjesin e asaj dite na thirrën në drejtori e na thanë se ne, 4 operatorë, unë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima, Gaspër Shllaku, të vendoseshim në 4 pika të ndryshme të sheshit dhe të regjistronim atë që do të ndodhte, sepse atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës.

Këtë jua thanë në mbledhjen e mëngjesit…?

Natyrisht. Me sa duket, një gjë e tillë ishte e parapërgatitur. Shefat tanë mund të dinin më shumë, por neve na u tha kaq. Dhe ne zumë pikat tona. Vendi im ishte poshtë monumentit të Skënderbeut. Po në të njëjtën kohë grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator, Fatmir Çepani, i cili në katin e tretë të Pallatit të Kulturës kishte shkuar së bashku me gazetaren Amalia Dhamo për të regjistruar një intervistë. Duke qenë se ai ndodhej në pikën më dominuese nga ne të gjithë, ku kamera merrte të gjithë sheshin, regjistroi edhe pamjet, të vetmet që kanë mbetur në arkiv, pasi të katërt ne që ishim caktuar në atë detyrë, nuk arritëm ta merrnim pastër rrëzimin e monumentit. Unë regjistrova lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha, më fluturonin gurë nga të gjitha anët, plus dhe të shtënat me armë nga ana e policisë dhe nuk arrija ta stabilizoja dot kamerën. Përveç këtyre, edhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado, nuk më lejonin të kryeja detyrën.

Çfarë ndodhi pas rrëzimit të monumentit?

U ktheva më shpejtësi në TVSH. Në korridor u mblodhën 7-8 veta, Virgjil Kule si drejtori i televizionit, Alfons Gurashi, Amalia Dhamo, Timo Luto, Fiqëri Sejdia e po diskutonim nëse duheshin transmetuar pamjet apo jo. Virgjil Kule na tha: “Po shkoj të bisedoj me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot me telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte edhe një herë mendimin tonë në duheshin transmetuar pamjet në ato kushte. Të gjithë ishim dakord që pamjet të bëheshin të njohura për popullin. Atëherë ai vendosi transmetimin e pamjeve ku shihej monumenti i Enver Hoxhës që rrëzohej dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kjo kronikë pati shumë jehonë, sepse për herë të parë edhe TVSH transmetonte një kronikë që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtuesit komunist.

Ndërkohë, zhvillohej edhe greva e studentëve. Cila ishte situata atje?

Kam regjistruar grevën e shumë intervista që gazetari Fiqëri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por jo të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne. Për më tepër ato ditë Kryeministri Adil Çarçani deklaroi se greva ishte e paligjshme. Por ne si ekip u futëm sërish, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në grevë, me të cilët e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë. Më kujtohet takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve. Ne shkuam dy grupe xhirimi: gazetarët Engjëll Ndocaj e Gëzim Gjyrezi si dhe Gaspër Shllaku dhe unë si operatorë. Gaspri ishte fokusuar te Ramiz Alia, ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve. Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë i dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit e të lëvizte mikrofonin atje ku e kërkonin studentët. Veç Azem Hajdarit, aty ishin edhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta etj.

Të fundit

Njëlloj sikur të mundë miza, elefantin

Nga Artur Ajazi Po të dëgjosh Gazin, Këlliçin, Nokën, apo dhe ndonjë këshilltar të Bashkisë së Tiranës mbrëmjeve në emisionet...

Do përjashtojë Kryemadhin nga partia?/ Meta: Kemi vuajtur pasojat e nepotizmit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi mbrëmjen e djeshme se do të lufojë nepotizmin në parti, duke ngritur aludimet se do të...

Ndryshimet klimatike po kontribuojnë në një rritje të goditjeve në tru

Ndryshimi i shpejtë i kushteve të motit, si dhe çekuilibri i temperaturave globale, për shkak të ndryshimeve klimatike, kanë një ndikim të rëndësishëm në...

Pse Berisha nuk u fut në grupin e PD? Kuvendi i përgjigjet Gazment Bardhit

Kërkesa për rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar të Partisë Demokratike trazoi jo pak ujërat në politikën në fund të javës së shkuar. Gazment...

Zbulohet lëvizja e radhës e socialistëve

Pasditen e së martës, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, do të mbledhë drejtuesit politikë të qarqeve në kuadër të procesit të...

Lajme të tjera

Web TV