“PS del në opozitë, më lehtë bashkohet Kore e Jugut me të Veriut sesa Meta me Ramën”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Karaj

Kryeministri ka kohë që po përplaset me Presidentin në akuza dhe kundërakuza: mendoni se kjo po kthehet në një “bumerang”, duke e kthyer Metën në krye të LSI dhe i duke i dhënë më shumë vëmendje si lider partie dhe jo si President?

Nëse sot do të më kërkohej të bëja një renditje në lidhje me presidentin më të mirë të 30 viteve të fundit në Shqipëri, për mua, Meta qëndron direkt pas Alfred Moisiut. Ky i fundit pati një karizëm dhe urtësi prej një burrë shteti në kuptimin e plotë të fjalës, por nuk pati problematikën që ka kaluar institucioni i presidentit gjatë katër viteve të fundit. Në këtë këndvështrim, unë gjykoj se, vetëm një personazh si Meta mund të përballonte urinë gati shtazarake të Edi Ramës për pushtet. Kështu që nuk mendoj aspak se Meta është bërë më shumë si një lider partie (kupto LSI-në), sesa president.

Akuzat e ndërsjellta Meta-Rama, sipas meje kanë ardhur specifikisht për shkak të uzurpimit të të gjitha institucioneve dhe megalomanisë së sëmurë, gati skizofrenike të Ramës. Është e pashpjegueshme sesi një kryeministër tenton me çdo kusht të vërë veton mbi çdo qelizë të jetës së këtij vendi, a thua se është “Mesia”.

Dhe në mungesë të një opozite jashtë institucioneve (kjo natyrisht vetëm dhe vetëm për faj të vet), deri diku edhe refraktare, Meta ka qenë, me të mirat dhe negativitetet që e shoqërojnë, një gur i rëndësishmëm në ruajtjen sadopak të demokracisë në këtë vend. Imagjinoni sikur edhe Meta të ishte “nën sqetullën” e Ramës(!!!!!)

Sot as krahasimi me Rusinë e Putinit apo Turqinë e Erdoganit nuk do na bënte punë, pasi do të ishim fiks një shtet diktatorial në kuptimin praktik dhe real. Dhe nëse shqiptarët janë nostalgjikë dhe duan rikthimin në diktaturë, atëherë mjafton të votojnë sërish më 25 prill “Rilindjen” e Ramës. Për mendimin tim do të ishte e paimagjinueshme, për të mos thënë, kriminale për një demokraci të brishtë si kjo e jona, nëse Rama do të mandatohej edhe për një mandat të tretë si kryeministër.

Dy ditë rresht Meta, Rama dhe Gjiknuri janë përfshirë në replika për vajtjen e Presidentit në Vranisht dhe Selenicë të Vlorës. Pse ky sulm kundër Metës dhe a po gabon ky i fundit?
Jo, absolutisht jo. Madje është qesharake deklarata e Ramës për faktin se Meta paskësh bërë vizitë në një, dy apo disa vende në Vlorë. Vizitat e presidentit, si kreu i shtetit dhe mbrojtësi i sovranitetit shtetëror, janë gjëja më normale.

Por sigurisht jemi në kohë fushate dhe jo vetëm në Vlorë, por edhe në gjithë Shqipërinë ndihet një lloj nerviozizmi i qeverisë, kur vëren popullaritetin gjithnjë e në rënie. Dhe këtu nuk qëndron problemi vetëm tek konsumimi prej dy mandatesh. Por tek fakti se ka një diferencë të frikshme midis asaj që u premtua nga Rama në 2013-ën (se në 2017-ën premtoi vetëm timon dhe tepsi) dhe çka është bërë në realitet. Asgjë nga ai program nuk është realizuar, as në masën mbi 50%. Kësisoj, çdo lëvizje e Metës, më së shumti në një zonë si Vlora, ku kryeministri ka qenë zgjedhur si deputet, shihet si një karshillëk që presidenti po i bën Ramës.

E kundërta, nëse qeveria do të kishte realizuar premtimet e saj, të paktën në qarkun Vlorë, atëherë nuk kishte asnjëlloj arsyeje që as Gjiknuri dhe ca më pak Rama, të shqetësoheshin për vizitën e Ilir Metës. E vërteta bën nervoz vetëm atë që ka gënjyer mbi atë të vërtetë.
Duke ju referuar historisë së Presidentëve në këto 30 vjet, Meta është më afër popullit apo më afër politikës (kur them politikës, e kam fjalën për LSI-në). A ka marrë ai pozicion për të rritur popullaritein e partisë që drejton bashkëshortja e tij?

Lexo edhe :  Kush fshihet pas projektit për Sazanin dhe çfarë duhet të bëjë opozita?!

Siç e thashë edhe më lart, Meta është një president i fortë. Personi më i duhur për të qenë në atë pozicion, kjo në referencë të të gjitha zhvillimeve politike të viteve të fundit në vend. Nuk guxoj të mendoj për një personazh tjetër, politik apo jo, që do kishte pasur fuqinë politike për të përballuar maninë ulëritëse të Edi Ramës për pushtet. Nga ana tjetër, të thuash se Ilir Meta është larguar totalisht nga LSI dhe nuk mendon fare për këtë forcë politike, do të ishte naivitet i plotë. LSI është pjella e tij. Është fëmija i Ilir Metës. Është partia që ekziston më së shumti për shkak të Ilir Metës.

Ndaj edhe sot që ky i fundit nuk është në krye të saj, asesi nuk duhet ti besojmë idesë apo edhe deklaratave boshe, kur Meta thotë se nuk ka lidhje më me LSI-në. Por të thuash se Meta është më larg popullit për shkak të LSI-së edhe kjo është një e pavërtetë e madhe. Gjatë gjithë kësaj kohe, presidenti ka tentuar të bëjë pupulizëm, madje heraherës gati deri në neveri (kujtoj këtu dekorimet pafund), çka e sjell atë teorikisht më afër sovranit sesa ish-partisë së tij. Por, a shfrytëzohet pastaj ky lloj popullizmi në favor të LSI-së, çka nuk do duhej të bëhej, unë besoj fort se po. Ndaj edhe gjithë “artileria e Ramës” është kthyer më shumë kundër Ilir Metës dhe LSI-së sesa kundër kundërshtarit të tij direkt dhe të vërtetë, që është PD-ja e Lulzim Bashës.

Si Meta ashtu edhe Rama kanë deklaruar se nuk do të ketë më kurrë koalicion mes PS-së dhe LSI-së. E konsideroni si një “ndarje përfundimtare”, apo sikurse ka ndodhur shpesh qëndrimet e ofertat zbuten për hir të pushtetit? A mund të ketë një koalicion PS-LSI pas 25 prillit në varësi të rezultatit zgjedhor?

Unë besoj fort se çarja mes Metës dhe Ramës, mes LSI-së dhe PS-së, këtë herë është aq e fortë sa politikisht, jo vetëm më 25 prill, por edhe më vonë, sahnset për një koalicion të ri mes tyre janë zero. Madje mes Metës dhe Ramës janë larguar tashmë edhe ata që deri para pak kohësh konsiderohehsin si “miq të përbashkët”, të cilët, thuajse në çdo rast bënin “zjarrëfikësit” kur ndizej lufta mes tyre. Kështu që për mendimin tim, më parë bashkohet Koreja e Jugut me Korenë e Veriut në një shtet të vetëm, sesa Meta me Ramën nën një qeveri. Por në në fund të fundit, nëse PD-LSI marrin më shumë se 70 deputetë së bashku, atëherë nuk do të kishte asnjë arsye që PS dhe LSI të bënin bashkë koalicion.

Ashtu sikundër edhe PS-ja nëse merr më shumë se 70 deputetë, gjë që, për mendimin tim, ka shumë pak gjasa (për të mos thënë zero shanse), që të ndodhë, nuk do të kishte asnjë arsye që të kërkonte koalicion me LSI-në.

Të fundit

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund...

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

Lajme të tjera

Web TV