“Policia është me ne”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Tek dëgjoja këshillën e gruas që të vendosja maskën mbi hundë, ende pa dalë nga dera e shtëpisë, si burrë zamani që më gënjente mendja se isha, ia ktheva nën zë: Hë moj se s’më gjen gjë!

Dhe vazhdova.

Po kush të lë të shkosh për dhjamë qeni?! Shyqyr shokë e miq kemi plot. Mos na lëntë Zoti pa ta! Ia pat një gjiton që më paralajmëron: “Ke policinë aty. Po s’pate maskë futu te kjo farmacia e bli një 300-lekëshe se ma hëngre 30-mijëshen”. U stepa. Jo ky është tamam mik pe vërteti. Të mbron krahët dhe buxhetin. Sidomos përballë strukturave të shtetit që jarebi nuk duan t’ia dinë se kush je, njeri publik apo jo publik.

Do bëhemi si Evropa apo jo???

Me shpejtësinë e rrufesë nxorra maskën e bezes nga xhepi dhe e ngjesha në fytyrë. Ku ka trimëri këtu.

Dhe me të drejtë, pak më poshtë një çift policësh, një femër dhe një mashkull demek, kishin ndaluar dy femra, pa maska, njëra që po nxitonte për në shkollë dhe tjetra që kishte ulur në tokë dy qese ushqimesh. Të dyja po e prisnin qetësisht vendimin për gjobë. Ç’t’i bësh, e përmban ligji. Dhe me tre gjëra nuk bëhet shaka në këtë jetë: me zjarrin, me ujin dhe sidomos me qeverinë.

Tek shihja skenën makabre të gjobvënies nuk di pse ishte gati të më dilte nga fyti shprehja: “Policia është me ne”. Si të doja t’i jepja një mesazh patrullës policore: “Merreni ca qetësisht vëllezër, nuk janë kriminelë…”

Pak më tutje situata u përsërit. Sërish policë me blloqe gjobash duke shkruar. Këtë herë viktimat ishin një djalë dhe një vajzë.

Ç’është kështu? Fushatë?

“Policia është me ne”!

Në vitin 1991, kur shqiptarët u sulën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës nga piedestali në mes të Tiranës, nisën dhe thirrjet: “Policia është me ne”. Ai që e tha i pari mbeti anonim, por shprehja në fjalë u masivizua brenda 30-të sekondash. Qëllimi ishte i thjeshtë, të mos hanin dru me shkopa gome, megjithëse këtej e andej gardhit e kishin qëlluar njëri-tjetrin me ç’të mundnin, armë të ftohta e mjete rrethanore. Por meqë policia kishte dhe ca vegla më shumë, u pa e arsyeshme të gjenin fjalën me njëri-tjetrin. Se dhuna pjell dhunën, thonë.

Ky ishte xhoinvenshëri i parë modern, ku populli kërkonte të “inkriminonte” dhe strukturat e shtetit në një veprimtari antishtetërore, siç ishte sulmi ndaj busteve e shtatoreve, të cilët kishin nisur të mbroheshin dhe me një ligj të veçantë.

Bashkë me sentencën “policia është me ne” nisën puthjet e përqafimet me djemtë e policisë që mbanin skafandra në kokë, por që u kishte ngrirë shkopi i gomës në dorë. Ca prej tyre i hoqën skafandrat e mburojat plastike, u çliruan nga djersët dhe u shkrehën.

Monumenti shkoi për lesh.

Në fund të fundit shqiptarë ishin të dyja palët: ca këndej hendekut e ca nga ana tjetër.

Asokohe policia e kishte dorën goxha të rëndë. Të fusnin ndonjë shkop në ndonjë qoshe pallati, por të rrihnin sa u hante palla e dorës kur të rrasnin brenda në qeli.

-Emrin…? – Vuuuu druri. – Si e ke emrin mor po të them?

-Aman ore mos gjuj dy herë me një vend…

-Emrin e babës?

Vuuuu druri sa të këputej kërbishtja e nga sytë të dilnin xixa.

-Ça emri do mor jahu… Unë s’mbaj mend emrin tem jo të babës…

Iku ajo kohë.

Në vite shprehja nisi të harrohej sepse dhe policia nisi të ndryshonte. Ndryshoi uniformën, ndryshoi sjelljen… Nisën reformat. Policët nisën të quheshin “ruajtësit e rendit”. Nuk ishin më në ruajtje të diktaturës së proletariatit.

30 vite më pas, në vitin 2021, është bërë imediate që thirrja “Policia është me ne”, të dalë përsëri në shesh. Gjatë gjithë këtyre viteve u kuptua se shqiptarit nuk ia del dot me të keq. Domethënë rrihe sa të duash, i është bërë kurrizi shollë e s’do t’ia dijë nga ajo anë. Ndaj nisi strategjie e re. Një strategji paneuropiane e panamerikane të marra së bashku. Nisi epoka e gjobave. Këtu po, të dhemb kurrizi dhe xhepi bashkë me të.

Lexo edhe :  Kritika për të dashurën e Jeff Bezos: Veshje e papërshtatshme për në Shtëpinë e Bardhë

Ca kohë, shoferë e drejtues automjetesh me nga një muaj kurs zunë tmerr.

-Pse s’e mban rripin e sigurimit? 10 mijë lekë të vjetra gjobë.

Si urdhëron! Jo me të drejtë se vihet në hesap koka.

Ca kohë policëve u lindi e drejta të mbanin një përqindje për çdo gjobë. Hajde ç’vinte, hajde. Kështu që… o burra kush të vinte sa më shumë gjoba. Kur u teprua u tha se ishte praktikë e gabuar.

Ta mbyllim vëlla, të shkuara e të harruara! Se këtu vetëm gabime bëhen.

Tani në periudhën e artë të pandemisë ka ndryshuar formula. Policia është dinjitoze. Nuk korruptohet më nga përqindje si bakshish kamerierësh.

-Ku e ke maskën? 30 mijë lekë të vjetra gjobë.

Dale o babam,,, bo, bo, sa dorë të rëndë paske. Se këto kohë s’kemi punu fare.

Epo kaq e ka ligji. Po e përsërite e ha më keq.

Recidivist, demek.

E drejtë në fakt, se mirë që e merr kovidin për vete, ngaqë nuk dihet ku e fut hundën, por ua çon edhe të tjerëve drejt e te rryli i fytit.

“Policia është me ne”, bramp paret nga xhepi. Aman o se jemi shqiptarë. Të paktën mos qëllo dy herë në të njëjtin vend se s’e mbaj më.

Por policia e ka marrë seriozisht detyrën.

Një ditë vendosa të numëroj sa gjoba do viheshin, përgjatë rrugës që shkoja për në redaksi. 30 minuta gjë ishte. Dita e parë: 6-të gjithsej. Çudi e madhe, 5 femra dhe 1 mashkull. Rastësi, besova.

Një ditë më pas raporti ishte 3 femra dhe një mashkull. Ore, vërtet çudi? Por jo aq e madhe. Të ishte një diskriminim seksist??? D.m.th, një polic mashkull ndalonte si të pamaskë një femër dhe niste t’i vinte gjobë…???

“Mjaft me dyshime gazetarësh” – i thashë vetes, – “policia është me ne”.

Ditën e tretë një patrullë po tentonte të hipte në makinën bardhë e blu me alarme ndezur një 18-vjeçar. Ai jo vetëm që s’kishte maskë, por nuk kishte as kartën e identitetit.

Ky meritonte ta hante sa krahu. Në Rajon e kishte vendin.

Me të drejtë. Se po e more në shtëpi edhe do ta sajdisësh. Ndërsa në Rajon një çapë buke e një gavetë supe do ai. Apo ndoshta është më mirë me i fut një gjobë e me këtë rast rregullon dhe bilancin e buxhetit, se sa të merresh me shkresurina.

Ha debat muhabeti.

Këto kohë policia është bërë po aq e frikshme sa dhe në vitet e arta të Diktaturës së Proletariatit. Tani s’di as nga të ruhesh, se mbi shpinë ke tre lloj policie: atë të rendit, policinë rrugore dhe policinë bashkiake. Të qethur e të hekurosur për merak, polici nuk nxjerr më shkopin e gomës nga milli, por bllokun e gjobave nga xhepi.

-Emrin…?

Vu gjoba

-Emrin e babës…?

Aman ore unë s’mbaj mend emrin tim tani. Duhet me punu tre ditë të shlyej gjobën. Apo s’jemi dhe në kohë pandemie. Osht tremb leku. S’ke ku e gje.

Tanimë gjëja e parë që kontrolloj para se të dal nga dera e shtëpisë është maska. Më mirë të dukem si hajdut pulash se sa të më rrasin gjobën ata të policisë. Se nuk ta zgjasin hiç. Në mbrojtje të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë, sigurisht.

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV