Të rrëzojmë Edi Ramën!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

 

Te sheshi…

Pse kësaj here do të kthehen ‘te sheshi’, prapë si dikur? Ka disa arsye:

Se jeta e fosileve është gjithë jetën ‘si dikur’; mbetet atje e koracohet, nuk ndryshon e nuk ecën përpara. Sa shumë njerëz kemi rrotull, që edhe pse kanë parë botë me sy, edhe pse kanë mbaruar shkollë, prapë mbeten ‘si dikur’. Ne ndodhemi në kapërcellin e një periudhe politike kur bota jonë ndahet mes asaj që quhet ‘si dikur’ dhe kësaj që aspirohet nga shumica dhe nga përparimi. Sapo na u shfaq një video ku kryetari i opozitës ngiste një makinë pa belt, dmth., si dikur. Në një shtet të dominuar nga kjo specie, gjithçka bëhet si dikur: Ligji- tjetër për fisin e tjetër për qytetin; polici- tjetër për këta pa rrip dhe tjetër për ata me rrip; financat- shumica për fisin dhe familjen; vrasja për kundërshtarët; qyteti i ndotur për të gjithë deri në dritaren e katit të dytë; folklor dhe tallava gjithandej…

Ky është sheshi.

Presidenti i Republikës shkoi sot te eshtrat e Skënderbeut dhe u lut për ‘rrëzimin’ e Edi Rimës. Këta që, me çdo kusht, duan ta rrëzojnë maxhorancën ‘te sheshi’  janë ata që as e njohin as e duan sallën…, as shandanët, as ligjin, as shtetin, as procedurën, as parlamentin. Prej dy vjetësh këta kishin braktisur parlamentin dhe kishin dalë ku di se ku. Ka të dhëna se tani janë bërë gati për një sulm nga jashtë parlamentit. Ditën e zgjedhjeve nuk do t’i njohin zgjedhjet dhe do të vrasin njerëz si në 1996. Ose presidenti do të caktojë si maxhorancë minorancën dhe aty plas. Ose do t’u bëjnë thirrje terroristëve që zakonisht aktivizohen në kohë të egra, dhe do të rrethojnë qytetin… Por ditën e zgjedhjeve, mbi 3000 trupa amerikane dhe trupa ushtarake shqiptare të NATO-s këtu do të nisin manovrat nga toka, qielli dhe deti. Të mos ishte Amerika, kësaj here zor se do t’u bënim ballë këtyre vulgarëve që kërkojnë sheshin.

Pse ‘te sheshi’?, ka edhe një arsye tjetër:

Arsyeja është se Edi Rama, kryeministër, duhet rrëzuar sa më shpejt. Duhet rrëzuar sot, mundësisht dje…, nesër është vonë, ose aq vonë sa s’ke ç’e do më. Nuk i dëgjoni kush ulërin se puna e parë që na duhet është ‘të rrëzojmë Edi Ramën’. Është jo vetëm puna e parë, por e para, e dyta, e dhjeta…, madje nuk ka punë tjetër përveç kësaj.

Nesër do të jetë vonë, madje edhe dje ka qenë vonë.

Nëse kësaj here nuk rrëzohet Edi Rama, atëherë këta kot që janë këtu. Presidenti i Republikës Ilir Meta e tha qartë: Nëse nuk rrëzohet ai, atëherë në 26 prill ‘unë nuk do të jem më ‘, president. Si Meta, Monika, Berisha, Basha…, kanë krijuar një ‘Edi Rama’ që tani u duhet ta rrëzojnë në barkun e tyre. Në bark u rri frika, aty kanë krijuar edhe shkaktarin e  frikës. Frika e vetme e tyre është ‘gryka e thesit’, një psikozë që u zhvillohet të gjithë mëkatarëve të mëdhenj të kësaj bote. Këtyre kur u vjen një moment, njësoj si çdo frymor që trembet nga  fundi, u feksët para syve thesi; thesi që mban mëkatet  dhe që po i mbyllet gryka. Këtu janë bërë shumë ‘name’, qysh nga korrupsioni, vjedhja e pronave të të zotëve dhe e pronave të publikut; është hapur  disa herë gropa e ferrit për njerëzit; kanë humbur jetë të pafajshme; janë vrarë njerëz të pafajshëm dhe ‘fajtorë’ pse janë dëshmitarë… Nami që ka bërë shteti tani po mblidhet në thasë, një nga një. Drejtësia e re ka hapur gojën dhe do të përpijë të gjithë thasët. Këtej u është krijuar këtyre fobia e ‘frikës në bark’, ku mendojnë se rri Edi Rama si roje: ‘Ti për në ferr, ti tjetri dil në rrethin e shtatë’. SPAK ka marrë në dorë  dosje të rënda kriminale. Këta që kërkojnë rrëzimin e Ramës ‘tani, se nesër është vonë’, këta mendojnë se Rama dhe amerikanët janë Një dhe janë Drejtësia. Frika i bën të mendojnë… Presidenti Meta tha dje se ‘amerikanët e Ramës do t’i kap për veshi’. Domethënë është keq puna nëse Rama nuk rrëzohet tani. Nesër këta shkojnë në burg; e burgjet kanë regjim tjetër, ndërsa në kohën e tyre kishte shumë pleshta e këta atë kohë mbajnë mend.

Lexo edhe :  Qerrata Gjekmarkaj

Koha ndodhet në kapërcell, vërtet. Po nuk u rrëzua Rama tani, më vonë është tepër vonë. Sepse shoqëria po vjen duke u përsosur dhe i harron vulgarët. Po vjen edhe një brez e mentalitet i ri shtetëror që kanë nisur të tremben kur shikojnë fotot e këtyre që vijnë nga e shkuara. Për katër vitet e ardhshëm, nëse nuk rrëzohet tani, do të rritet shpejtësia. Shpejtësia është armiku i këtyre. Po rritet shpejtësia e lëvizjes, shpejtësia e ideve, shpejtësia e shijeve dhe e qytetarisë. Vendi ynë, që mbeti këndej nga bregu i bllokut socialist, vuajti uljen e shpejtësisë dhe u zhyt në varfëri e në prapambetje. Pas komunizmit lindor, lidershipi ynë u zhyt në anadollakllëk. Këta tani që duan të rrëzojnë Edi Ramën, e duan ’te sheshi’ ku mblidhen dembelët dhe shakllabanët.

Po nuk rrëzuan Ramën, kjo ka lidhje me lakun. Duket se po u ngushtohet laku, por po u ngushtohet ‘prej vetes’.  Pse e lidhin ‘lakun’ me ekzistencën e Edi Ramës? Pse ia bëjnë gjithë këtë nder?

Të fundit

Njëra është aseksuale dhe tjetra e dashuruar, motrat siameze rrëfejnë marrëdhënien e tyre

Motrat binjake 22-vjeçare të bashkuara, të cilat janë të ngjitura në bust dhe ndajnë një sistem riprodhues, kanë zbuluar...

Balluku në Lushnje: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës

Çmimi i energjisë për furrat e bukës do të vijojë të mbetet i pandryshuar, duke mos rritur kostot e këtyre subjekteve. Sistemi i ri i...

Të mungon dikush? Si ta përballosh ndjesinë e vetmisë

Njerëzit janë nga natyra krijesa shoqërore. Shumica e njerëzve dëshirojnë intimitet, shoqëri dhe lidhje të qëndrueshme me të tjerët. Megjithatë, në anën tjetër të...

Doganat greke paralajmërojnë grevë 48-orëshe/ Paralizohet lëvizja në pikat kufitare

Doganat greke kanë paralajmëruar një grevë 48 orëshe nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit dhe deri në 04 prill në 08.00...

Dita e gjyqit për “portalet”/ Rama: Komision për dezinformimin!

Shqipëria do të ngrejë një Komision Parlamentar për dezinformimin. Ky Komision i Posaçëm parlamentar vjen pas marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, rekomandimet e BE-së...

Lajme të tjera

Web TV