Nga premtimi në realizim, hendeku në tre zgjedhjet 2009-2017

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Partitë politike mes premtimit për “parajsë ekonomike” në fushatë, por përballë dështimit në realitet. Në një analizë të ALTAX janë marrë prem,timet në tre zgjedhje 2009-2017 ku rezulton se ka një diferencë të madhe mes premtimeve dhe realizimit.

Nga Eduard Gjokutaj

Shqipëria prej vitit 2020 zhvillon një sistem demokratik me mangësi, por që përbën një nivel të ndryshëm në raport me periudhat më përpara. Kjo do të thotë se Shqipëria është një demokraci përfaqësuese, por ka ende nevojë për një konsolidim të proceseve dhe institucioneve demokratike. Krijimi i një kulture të fortë politike demokratike është një detyrë e pandërprerë, që kërkon përfshirjen e të gjithë qytetarëve. Mënyra e funksionimit të partive politike, Kuvendit dhe Qeverisë, forma se si shoqëria civile është e përfshirë në proceset politike dhe të vendimarrjes, por dhe modeli si bëhet edukimi politik dhe qytetar janë ꞔështje po kaq të rëndësishme.

Fushatës elektorale 2009

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009 u parapri nga një zhvillim politik, i cili do të ndikonte në mënyrë vendimtare jo vetëm në rreshtimin e forcave politike por edhe në retorikën e tyre publike dhe programet elektorale. Në Prill 2008, Partia Demokratike (në qeverisje) dhe Partia Socialiste (në opozitë) u dakordësuan për të miratuar një paketë ndryshimesh në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndryshime të cilat ndër të tjera sanksionuan edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritar të korrektuar me proporcional në proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore. Ky pakt politik mundi të krijonte një atmosferë të relaksuar politike mes dy forcave kryesore në qeverisje dhe opozitë ndërsa thelloi ndarjen brenda kampit të majtë opozitar. Greva e urisë së deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim brenda sallës së Kuvendit nuk mundi të pengonte ndryshimet kushtetuese, por konfirmoi gjithësesi ndarjen e së majtës në dy koalicione zgjedhore në fushatën e vitit 2009. Partia Demokratike e Kryeministrit Sali Berisha regjistroi koalicionin “Aleanca e Ndryshimit” në përbërje të të cilit ishin 16 subjekte politike. Në betejën për të siguruar mandatin e dytë qeverisës, demokratët u përqëndruan tek bilanci i tyre i qeverisjes së mandatit të parë dhe nën sloganin “Shqipëria po ndryshon” kërkuan votat e qytetarëve shqiptarë duke ruajtur status quo-në. Retorika e përdorur nga Kryeministri Sali Berisha bazohej kryesisht tek mbajtja e premtimit për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, dorëzimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian, investimet në infrastrukturë e veçanërisht kantieri në zhvillim i asaj çka u konsiderua si Rruga e Kombit (Milot—Morinë) ishin “asat nën mëngë” të fushatës së demokratëve. Partia Socialiste e drejtuar nga Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama regjistroi koalicionin “Bashkimi për Ndryshim” në përbërje të të cilit ishin pesë subjekte politike. Katër vjet pas kalimit të socialistëve në opozitë dhe dy vjet pas rikonfirmimit të së majtës në zgjedhjet e pushtetit lokal, Edi Rama shpalosi vizionin e tij nën sloganin “Përtej të majtës dhe të djathtës”, në dukje një huazim nga “rruga e tretë” e Tony Blair dhe Anthony Giddens. Përmes turit “Dialogu me Shqipërinë” që parapriu fushatën e 2009-tës, Rama testoi elektoratin duke përpunuar edhe “brumin” e tezave politike. Gjatë fushatës, në cilësinë e kreut të opozitës, Rama mbajti një ligjërim misionar duke ju drejtuar elektoratit “refuzues” ndaj klasës politike. Rrjedhimisht, në këto shina ecën dhe “treni” i fushatës ku Rama pozicionet kundër të gjithëve, kundër qeverisjes së 20 viteve duke premtuar diçka ndryshe, të cilësuar “politikë e re” në kontrast me “politikën e vjetër”. Rama e përshkruan “politikën e vjetër” si politikë të urrejtjes dhe cinizmit, barrikadave partiake, klienteliste apo nepotike. Lëvizja Socialiste për Integrim udhëhoqi koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim” e përbërë nga gjashtë subjekte politike. Katër vjet pas krijimit të saj si subjekt politik, si dhe një beteje të egër përballë socialistëve në Korrikun e vitit 2005, por dhe një aleance me ta dy vite më vonë, LSI e kryesuar nga Ilir Meta rikthehej sërish përballë dy forcave të mëdha PS dhe PD. Me sloganin “Koha për Veprim”, retorika e fushatës së kësaj force politike shënjestron dy partitë kryesore. E pozicionuar si një forcë e ekstremit të majtë, LSI sulmon socialistët se nuk mbrojnë sa duhet këtë elektorat, ndërsa fokusi kryesor i saj mbetet retorika kundër Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisjes së tij. Gjashtë subjekte të tjera politike të djathta u regjistruan si koalicioni “Aleanca Poli i Lirisë”. Ky grup partish nuk arriti të kishte një hapësirë të qenësishme në debatin elektoral, ndikuar dhe nga profili jo i lartë i subjekteve politike përbërëse, por edhe pozicionimi i tyre përballë koalicionit të djathtë qeverisës. Gjithsesi, në këtë alternativë politike spikati angazhimi i ish-Kryeministrit demokrat, Aleksander Meksi.

Sipas rezultatit zyrtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, koalicioni qeverisës “Aleanca e Ndryshimit” fitoi 70 mandate deputetësh, koalicioni opozitar “Bashkimi për Ndryshim” mori 66 mandate, ai “Aleanca Socialiste për Integrim” mori 4 mandate ndërsa grupimi i katërt “Poli i Lirisë” nuk arriti të ketë përfaqësim në Parlament. Lëvizja Socialiste për Integrim pranoi ftesën e Kryeministrit në detyrë Sali Berisha për të ndërtuar koalicion paszgjedhor duke përcaktuar kështu edhe fituesin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

 

Fushata elektorale 2013

 

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013 u parapri nga shpërbërja e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo e fundit, dy muaj përpara zgjedhjeve, më 1 Prill deklaroi kalimin në opozitë duke premtuar se nuk do të tërhiqte mbështetjen në Parlament për qeverinë e Partisë Demokratike deri në ditën e fundit të mandatit qeverisës, si shenjë e besnikërisë për përmbylljen e plotë të koalicionit të firmosur katër vite më parë. Partia Demokratike e Kryeministrit Sali Berisha bëri lëvizjen e vet dhe tërhoqi pranë vetes disa deputetë të opozitës socialiste, duke garantuar kështu vazhdimësinë e qeverisë në muajt e mbetur, pa qenë borxhli ndaj “besës politike” të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Koalicioni midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kaloi pa debate për shkak jo vetëm të historikut të përplasjeve midis dy forcave politike (2005, 2008, 2009).

Dy vite më parë, në 21 Janarin e vitit 2011 socialistët patën dalë në rrugë në një protestë të dhunshme e cila përfundoi me 4 protestues të pafajshëm të vrarë me armë zjarri. Tubimi opozitar vinte pak ditë pas publikimit në media të një videopërgjimi të dyshuar si aferë korruptive, në të cilin shfaqej zv.kryeministri Ilir Meta në një bisedë me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Jo vetëm kaq, por aleanca mes PD dhe LSI bëri që pak muaj pas protestës, Majin e vitit 2011, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama të humbiste mandatin e Kryebashkiakut të Tiranës në zgjedhjet lokale. Zgjedhje që u shoqëruan me shumë tension për shkak të asaj çka u cilësua nga opozita e majtë si rrëmbim në tavolinë i mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në favor të Lulzim Bashës, ish ministër në qeverisjen e Sali Berishës. Partia Demokratike u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si drejtuese e koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, pjesë e të cilit ishin 25 subjekte politike. Me sloganin “Ne jemi ndryshimi. Përpara!” demokratët kërkuan votën e shqiptarëve për mandatin e tretë qeverisës. Duke reklamuar bilancin 8 vjeçar qeverisës, Partia Demokratike synonte të bindte votuesit se ndryshimi të cilin kërkonte opozita socialiste në fakt po bëhej realitet nga mazhoranca në pushtet. Premtimet për pagat e pensionet ashtu sikurse investimet në infrastrukturën rrugore dhe veprat e gjenerimit të energjisë elektrike (hidrocentralet) mbetën shtylla e retorikës politike në fushatën e demokratëve. Partia Socialiste, si forca kryesore e opozitës regjistroi në KQZ koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, pjesë e të cilit ishin 34 forca politike, mes të cilave edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Si për t’ju përshtatur realitetit të ndryshëm politik, socialistët përqafuan sloganin “Rilindje” duke premtuar një tjetër epokë politike në vend, ndërsa LSI-ja e Ilir Metës zgjodhi si slogan “Të ecim më shpejt”, që në vetvete tentonte të ishte një justifikim për largimin nga aleanca me PD dhe afrimin me socialistët e Edi Ramës. Ndryshe nga 4 vite më parë, socialistët në programin elektoral të “Rilindjes” përfshijnë një listë të gjatë premtimesh konkrete për çdo fushë të qeverisjes. Ndërkaq, LSI fokusohet kryesisht tek tema e punësimit dhe mbështetja për të rinjtë duke dashur ti japë kësaj force politike një “bazament” të ri për mbështetje elektorale. Përtej dy koalicioneve, u shfaqën edhe dy forca politike, të cilat tentuan të çajnë rrymën për të shkundur sistemin politik: Aleanca Kuqezi e drejtuar nga Kreshnik Spahiu, ish nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Fryma e Re Demokratike e ish-Presidentit Bamir Topi, i larguar nga detyra dhe i braktisur nga lidershipi zyrtar i demokratëve. Ish-ministri socialist i financave Arben Malaj, ish-ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Dritan Prifti dhe ambientalisti Sazan Guri tentuan të garojnë të pavarur përkatësisht në Vlorë, Fier e Tiranë.

Pas votimeve të 23 Qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi rezultatin përfundimtar duke i dhënë Partisë Socialiste 66 mandate, Partisë Demokratike 49, Lëvizjes Socialiste për Integrim 16, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 4, Partisë Republikane 3, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1 dhe Partisë Kristiandemokrate 1. Koalicioni i majtë me 84 mandate deputetësh do të merrte të drejtën për të zgjedhur Kryeministrin dhe qeverisur katër vitet e ardhshme deri në 2017 duke zyrtarizuar kështu rrotacionin e pushtetit.

Lexo edhe :  E ardhmja e Turizmit Shqiptar? Apo kërcënimi me zhdukje?

 

Fushat elektorale 2017

 

Një valë protestash të opozitës në rrugë me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të çonte vendin drejt zgjedhjeve parapriu fushatën për zgjedhjet e vitit 2017. Protestat e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj kulmuan me ngritjen e asaj çka u cilësua “Çadra e lirisë” në sheshin “Skëndërbe”, poshtë zyrës së Kryeministrit Edi Rama. Kreu i mazhorancës zgjodhi partnerin e tij qeverisës, Ilir Metën në detyrën e Presidentit të Republikës duke garantuar futjen e LSI në zgjedhje. Pas përshkallëzimit të gjuhës politike dhe përpjekjeve të partnerëve ndërkombëtarë për arritjen e një konsensusi politik midis opozitës dhe mazhorancës, një takim kokë më kokë midis Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha do të çonte tek arritja e marrëveshjes mes tyre. Marrëveshja e 17 Majit do të mundësonte shtyrjen me një javë të datës së zgjedhjeve, të cilat u zhvilluan më pas në 25 Qershor. Partia Demokratike pranoi të bëhet pjesë e qeverisë me ministra teknikë duke marrë postet e zv.kryeministrit, të Ministrit të Brendshëm, të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Arsimit. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim ruante postet e Ministrit të Mjedisit, Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrit të Integrimit Evropian dhe Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. PD mori kontrollin edhe të disa institucioneve të tjera, si: OSHEE, Drejtoria e Burgjeve, Zyra e Përgjithshme e Regjistrimit të Pasurive, Avokatura e Popullit, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për herë të parë, tri forcat politike kryesore ishin pjesë e të njëjtës qeveri, ndërsa u regjistruan në zgjedhje për të konkuruar secila për llogarinë e saj, pa koalicione parazgjedhore. Me sloganin “Shqipëria Që Duam”, socialistët e Edi Ramës dolën në fushatë duke kërkuar një votë masive për të garantuar krijimin e qeverisë në mandatin e dytë pa nevojën e një koalicioni të detyruar me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Me një gjuhë të butë ndaj demokratëve dhe më agresive ndaj LSI-së, së drejtuar tashmë nga Petrit Vasili, termat kryesorë të fushatës së socialistëve do të ishin “tepsia” dhe “timoni”, që nënkuptonin tortën e pushtetit dhe drejtimin e qeverisjes e që duhet të mbaheshin sa më larg duarve të aleatit. Ndonëse socialistët hartuan programin e tyre elektoral, pak kush arriti të marrë vesh se cilat ishin premtimet dhe angazhimet politike, pasi vendin e tyre e zunë batutat. Partia Demokratike e Lulzim Bashës me daljen nga çadra dhe futjen në kabinetin qeverisës “Rama” shpalosi sloganin “Republika e Re”. E kritikuar jo pak si një përpjekje për të shkëputur Partinë Demokratike nga shenjat dhe elementët e saj tradicional politik, nisma e Bashës u përkthye më shumë si një parathënie e paktit të pashpallur të 17 Majit, që do të çonte në një bashkëqeverisje me socialistët edhe pas zgjedhjeve. Këtë e përforcoi edhe më shumë retorika politike e Bashës i cili gjithashtu zgjodhi një gjuhë të butë ndaj socialistëve të Ramës por shumë më të ashpër ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me Ilir Metën të dorëhequr, të votuar në Parlament si President, por ende të pa betuar në detyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim u drejtua nga dyshja Petrit Vasili e Monika Kryemadhi. Me sloganin “Një shans për të gjithë” duket se jo vetëm tentonte të garantonte mbështetjen e qytetarëve me vota, por edhe të jepte mesazhin se është ajo forca politike, e cila u jep shanset të mëdhenjve për të prekur apo jo pushtetin. E ndodhur përballë sulmeve të njëkohëshme nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim do të thërriste në ndihmë jo zyrtarisht edhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta, i cili nuk hezitoi të bëhej pjesë e takimeve elektorale. Edhe në këto zgjedhje, nuk do të mungonin subjektet e reja politike, të cilat synonin që të shembnin dominancën e tri partive kryesore PS, PD dhe LSI. U regjistrua dhe mori pjesë në garë Partia Libra e drejtuar nga ish-ministri socialist Ben Blushi dhe Sfida për Shqipërinë e drejtuar nga ish-zv.ministri i demokratëve Gjergj Bojaxhi.

Pas votimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi rezultatin zyrtar duke i dhënë Partisë Socialiste 74 mandate, Partisë Demokratike 43 të tilla, Lëvizjes Socialiste për Integrim 19. Ndërkaq, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet arriti të marrë 3 mandate dhe Partia Socialdemokrate mori 1. Socialistët morën kështu “tepsinë” dhe “timonin” duke fituar të drejtën për të qeverisur të vetëm në katër vitet 2017-2021.

PËRGJEGJSHMËRIA FINANCIARE E PREMTIMEVE TË POLITIKËS SHQIPTARE 2009 – 2017

Në kontekstin e zbatimit nga Qendra ALTAX të projektit “Përgjegjshmëria financiare e premtimeve të politikanëve shqiptarë, 2009 – 2017”, periudhë e cila përmbledh tri zgjedhjet politike më të fundit (2009, 2013, and 2017), tashmë në këtë kohë para fushate zgjedhore 2021 është momenti kulmor për të kontribuar me gjetjet dhe analizën e bërë mbi premtimet nga fushatat e kaluara për opinionin publik. Analiza e premtimeve zgjedhore është pjesa e projektit të mbështetur nga Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Qëllimi që synohet të arrihet me këtë studim analitik i premtimeve të tri partive kryesore në vend është mbyllur në tërësinë e tij duke marrë për bazë ecurinë e secilit premtim në raport me konsiderimin e tij, si një qasje që duhet të fitojë besueshmëri nga publiku. Analiza është orientuar duke ballafaquar premtimet elektorale, të kategorizuara sipas sektorëve ekonomikë (bazuar te ndarjet e linjave ministrore) me dokumentet kryesore strategjike sektoriale dhe programet ekonomike dhe fiskale disa vjecare, programet buxhetore afatmesme, kuadrin makroekonoik dhe fiskal, si dhe dokumente të aprovuara në nivel kombëtar lidhur me qasjen integruese të vendit (Programi Kombëtar për Integrimin Europian). Për secilën periudhë premtimesh zgjedhore janë bërë krahasimet me dokumentacionin si më lart të periudhës që përkon me fushatën elektorale, të konsideruar si informacioni që zotërohet njësoj nga të gjitha palët dhe që qëndron përmbi partitë politike për vetë rëndësinë e tyre. Në varësi të analizës është bërë edhe kategorizimi i premtimeve në (a) premtime të matshme dhe të besueshme, (b) premtime të matshme, por pjesërisht të besueshme, (c) premtime të pamatshme. Nga klasifikimi i premtimeve politike për secilën parti është vijuar me ndërtimin e rasteve ilustruese duke dhënë përgjigje nëpërmejt analizës pyetjeve dhe gjetjeve të tilla, si:

– Çfarë lloj premtimesh jepen gjatë fushatave, sipas besueshmërise dhe mundesise se matjes se tyre nga publiku, si dhe sa është raporti mes premtimeve te besueshme dhe jo te besueshme?

Rezulton se shumica e premtimeve jane jo te besueshme apo te pamatshme, per arsye se nuk kane qasje ne asnje dokument kryesor. – Analizë krahasuese në lidhje me tematika, që i kanë premtuar të dy partitë e mëdha politike, p.sh. ekonominë. Rezulton se premtimet pjesërisht të besueshme bëhen nga partitë, që janë në opozitë dhe tema e ekonomisë nuk shoqërohet asnjëherë me analize të buxhetit. Në këtë studim, ALTAX ka bërë analizë të kostove buxhetore për premtimet që lidhen me financat publike.- Çfarë ndikimi ka patur në mbajtjen e premtimeve në qeveritë e koalicionit, apo kur ka qenë parti e vetme në qeverisje?

Rezulton se aleancat kanë ndikuar pak në programet qeverisës, por për tema specifike ato kanë shërbyer për identifikimin e partive. – Çfarë referencash/analizash dhe transparence përdorin partitë politike kur hartojnë premtimet e tyre?

Rezulton se Partitë që janë në qeverisje dhe bëjnë premtime u permbahen kryesisht dokumentave strategjike të miratuara nga to, ndërsa opozita premton për qasje që nuk përkon gjithnjmonë me përmbajtjet e këtyre dokumenteve duke tentuar rifillimin e politikave sipas premtimeve. Rezulton se në asnjë parti nuk i kushtohet vëmendja, që u takon për të prezasntuar politikat e lidhura me kërkesat/çështjet nga grupe të rëndësishem interesi, si p.sh. sindikatat. Një reflektim tjetër mbi premtimet është momenti se sa ato zbatohen kur hartohet programi qeverisës duke bërë ballafaqimin e tyre me programet buxhetore dhe ndryshimet sektoriale legjislative. Në mbyllje të raportit, nëpërmjet ndjekjes së linjës së premtimit nga fillimi i fushatës deri në përfshirjen në program dhe më tej në përmbushjen ose jo të tij nga partia/të që fitojnë votëbesimin konstatohet, se niveli i përmbushjes është më pak se gjysma e premtimeve të deklaruara. Partitë i riciklojnë premtimet e papërmbushura nga programet qeverisëse, si premtime të reja në zgjedhjet e ardhshme, por pa analizuar perfromancën e tyre. Në fund të raportit jepen në formën e përmbledhjes edhe disa komente kyçe lidhur me gjithë analizën mbi përgjegjshmërinë e kostos buxhetore të premtimeve, të cilat kanë ndikim direkt në ekonomi dhe te qytetarët. Gjithë përmbajtja e analizës tenton të hapë një diskutim lidhur me sensibilizimin e njerëzve nëpërmjet analizës ekonomike dhe financiare të premtimeve të besueshme dhe atyre që nuk janë të besueshme nëse maten me dokumentet strategjike dhe buxhetore.

 

Të fundit

Ruleta e penalltive i buzëqesh Los Blancos, Real Madrid triumfon ndaj Manchester Cityt

Reali i Madridit triumfon 4-3 në ruletën e penalltive përballë Manchester City-t dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit, ku...

VIDEO/ Bayern Munich mposht minimalisht Arsenalin dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Bayerni i Mynihut ruan traditën, fiton 1-0 përballë Arsenalit në “Allianz Arena” me me rezultat të përgjithshëm 3-2 kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League....

Hemofilia, sëmundja që prek meshkujt, ja sa pacientë trajtohen në Shqipëri

250 pacientë jetojnë me hemofili në Shqipëri. Sëmundja e gjakut që trashëgohet nga nëna, shfaqet vetëm tek djemtë ndërsa vajzat janë bartëse të saj....

Aktorit Mirush Kabashi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit

Bashkia e Durrësit miratoi ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” aktorin e mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes). Sot në qytetin...

“Kërkesa për divorc është bërë nga Besi?” Gazetarja zbulon detaje për ish-çiftin

Disa ditë më parë, ishte Xhensila ajo që përmes projektit të saj muzikor, la të nënkuptohej se i kishte dhënë fund martesës së saj,...

Lajme të tjera

Web TV