Heronjtë mitikë të një kinemaje spektakolare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Leonard Veizi

 

Ka ndodhur jo pak herë që një vepër letrare, apo një prodhim kinematografik me cilësi të lartë, t’i japë vlerën e munguar një ngjarjeje të caktuar apo një personazhi të caktuar gjithashtu. Por një gjë e tillë vlen edhe kur vepra në fjalë jep më shumë se çfarë meriton kjo ngjarje apo personazh i caktuar.

Mos duket si lojë fjalësh…?

Është thënë kaherë se krahasimet apo paralelizmat përgjithësisht çalojnë. Dhe në rastin konkret, për atë çfarë kërkoj të parashtroj, me gjasa mund të çalojë më shumë nga sa duhet. Por gjithsesi e provojmë…

Nisem nga një film i parë së fundi në ekranin e televizionit publik shqiptar, dhe pse prodhimi në vetvete mund të quhet demode tashmë, pasi i përket pelikulës së 7-të vite më parë.

Flitet për një produksion amerikan, i cili ka hedhur 70 milion dollarë për të realizuar një film të titulluar “Dracula Untold” dhe që në shqip është përshtatur si “Drakula, një histori e patreguar”. Dhe flitej për një luftëtar real, që në përpjekjen e madhe për të mbrojtur territoret e veta nga një pushtues i huaj  u kthye në një vampir ireal. Pra një film që futet në zhanrin e fantazisë së errët, pse jo dhe të horrorit. Si shpërblim “Universal Pictures” arkëtoi prej “Dracula Untold” 217 milion dollarë në të gjithë botën, edhe pse mori kritika të ndryshme nga specialistët e kinemasë.

Po çfarë rëndësie ka kjo, sepse në një ndërmarrje fitimprurëse vlerë kanë arkëtimet jo mesazhet.

E rëndësishme është se ngjarja flitet të ketë ndodhur në Transilvaninë e dikurshme, pjesë e shtetit rumun sot. Në shekullin e XV princi i Vllahisë ishte Vlad III Tepes, i cili njihet sot e kësaj dite si Vlad Drakula, për shkak të urdhrit të Dragonit që mendohet se ai mbante. Historia e njeh Vlad Drakulën për mënyrat e pamëshirshme me të cilën ai ekzekutonte armiqtë, gjë që e ktheu dhe në legjendë. Historia e mbështetur mbi fakte konkrete thotë se Vladi III është vrarë në fushën e betejës, kundër ushtrisë osmane të Mehmetit II, në vitin 1476 në moshën 45-vjeçare.

Kjo i përket historisë. Mitizimin e bëjnë tregimet gojore që vijnë nga thellësia e kohës dhe letërsia që i jep penelatën e fundit.

Dhe ndodhi që dikush e zbuloi këtë histori dhe e ngriti në art atë.

Gjithçka nisi pasi shkrimtari irlandez Bram Stoket, në vitin 1897 shkroi romanin “Dracula”. Pra u desh një vepër letrare, që Kontin Drakula e njehsonte me një vampir, e që kështjella e cila ka qenë nën zotërimin e tij, koduar nën emrin “Bran”, e që ndodhet 150 kilometra larg kryeqytetit Bukuresht në Rumaninë e sotme, të kthehet në një vend atraktiv të cilin shkojnë dhe e vizitojnë me mijëra turistë.

Për Drakulën ka mbi 15 produksione kinematografike. Dhe prodhimi i parë filmik i përket vitit 1931.  Ndërkohë edhe vetë turqit që në vitin 1953 kanë prodhuar një film me titullin “Drakula İstanbul’da”. Kjo do të thotë se Konti Vlad është kthyer në një hero të vërtetë filmik, i cili zhvendoset në kohë, sepse edhe qenësia e tij ka një vazhdimësi 500-vjeçare për shkak të kthimit në pavdekësinë e një vampiri.

Historia e Vlad III Tepes ka në themel qëndresën që ky kont e fisnik i Transilvanisë i ka bërë pushtimit osman. Flitet për vitet 1460-1470 edhe pse në vitin 1462 Sulltan Mehmet II pushtoi Vllahinë.

Kjo do të thotë se Vladi III Tepes ishte bashkëkohës me Janosh Huniadin, gjithashtu i biri i një familjeje fisnike me origjinë rumune, por që ishte një udhëheqës i ushtrisë hungarez, i cili njihet për qëndresën e tij ndaj pushtimit osman. Dhe po aq bashkëkohës ishte edhe Gjergj Kastrioti që udhëhiqte shqiptarët në po të njëjtin qëllim qëndrese.

Lexo edhe :  Qerrata Gjekmarkaj

Po çfarë nuk shkon në këtë mes???

Jo ndonjë gjë e madhe. Nuk do të grindemi se kush ishte më i lavdishëm në këtë mes. Edhe pse ne si shqiptarë duam që në vend të parë të jetë ai që meritoi emrin e Aleksandrit të Madh.

Por nuk mund të jemi aq ziliqarë sa të mos e pranojmë Vladin III si një star kinemaje dhe pse këtë magji filmike nuk e ka Gjergji ynë. Sepse edhe pse kanë një pikë të përbashkët, atë të qëndresës ndaj pushtimit osman, mënyrat e luftës së Drakulës dhe Skënderbeut janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Skënderbeu nuk ishte mizor që të ngulte kokat e jeniçerëve nëpër hunj e të trembte dynjanë me to. Ai njihet si një strateg, i cili nuk i dha mundësinë armikut të tij të gëzonte asnjë fitore ndaj ushtrisë së bashkuar të shqiptarëve.

Skënderbeu, pati 24 përballje me ekspeditat e ushtrisë osmane nga të cilat tre herë në rrethimin e kryeqendrës së tij, Krujës. Vdiq në shtratin e tij 8-të vite më parë nga vrasja në fushën e betejës së Vlad Drakulës. Janosh Huniadi gjithashtu pati një histori të lavdishme luftimesh, dhe gjithashtu vdiq në shtratin e tij 20 vite para Kontit Drakula. Megjithëse raporti në histori dhe letërsi i dy gjeneralëve, Kastriotit dhe Huniadit është për t’u marrë në konsideratë, në kinematografi Vlad Drakula ka bërë një hop cilësor përpara, duke marrë edhe vëmendjen e Hollivudit.

Në këtë kuadër, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka mbetur vetëm me bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”, një produksion i cili për hir të së vërtetës nuk mbetet pas në asnjë nga elementët: lojë aktoriale, fotografi e realizim të skenave masive.

Gjithsesi, një fakt i tillë historik nuk e ka zgjuar vëmendjen e producentëve amerikanë, të cilët hedhin para për të bërë filma spektakli, e ku terreni shqiptar vlen si në rastin e filmit “The Brave” apo ndryshe “Të guximshmit”, ku rrethimi i Lazaratit nga policia përshkruhet me një luftë spektakolare, në të cilën mbetën të vrarë më shumë dëshmorë se sa deklaroi Enver Hoxha në konferencën e Paqes në Paris pas Luftës së Dytë Botërore.

Heroi kombëtar i shqiptarëve, i zhveshur nga çdo mit e legjendë, e duke qenë fort tokësor, ka mbetur si “jetim” përsa i përket pelikulës. Kështjella e Krujës, e cila rezistoi në tri rrethime të furishme përballë ushtrisë më të madhe të kohës, mund të ishte kthyer në një vend shumë herë më atraktiv për turistët se sa është aktualisht, qoftë dhe nëse një vepër letrare si “Kështjella” e Ismail Kadaresë do të ishte realizuar në një film me distribucion ndërkombëtar. Padyshim, një film me skena masive nuk është një mundësi për Albafilmin. Por duket se lobimet e shqiptarëve, për të pasur një “Skënderbe” amerikan, përveç atij sovjetik nuk kanë rezultuar të suksesshme. Ndërsa kështjella e Krujës nuk e ka shkëlqimin e kështjellës Bran në afërsi të Brashovit.

Pa lobim, në mënyrë lineare apo alternative, figura e Gjergj Kastriotit si “Atlet i Krishtit” e mbrojtës i Evropës, ka mbetur shumë më pas Drakulës së pamëshirshëm e gjakatar. Një fat më të mirë nuk është se ka pasur dhe figura e Janosh Huniadit.

Tanimë, një “Skënderbe” hollivudian duket edhe më i largët, kur mundësia që në realizimin e tij të ishte regjisori me origjinë shqiptare Sten Dragoti, është zhbërë.

Referuar asaj çfarë thamë më sipër, mbetemi ende në shpresën e vakët se një produksion i madh Hollivudi, – që do të merrte në konsideratë luftën e heroit tonë kombëtar, – do të na marrë me të mirë ne shqiptarëve, për të lançuar në tregun ndërkombëtar vëmendjen e munguar, atë vëmendje që e ka kthyer në mit Vladin III të Transilvanisë.

Të fundit

Tensionet në Himarë/ Rama: Zgjedhja e Blerina Balajt, zhvillim pozitiv

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zgjdhjen e Blerian Balajt për drejtimin e Bashkisë Himarë. Në një postim në rrjetet...

Mënyra për të përfituar pension për të moshuarit që nuk figurojnë në regjistra

Indeksimi i pensioneve këtë vit pritet që të bëhet në muajin tetor. Në tetor pensionistët do të marrin ca para më tepër në pagesën...

Studimi: Qentë mund të lidhin fjalët me objektet

Qentë janë në gjendje të kuptojnë disa fjalë që iu referohen objekteve në mënyrë të ngjashme sikurse njerëzit, gjeti një studim që ka analizuar...

Rriten temperaturat në vend, në fundjavë rikthehen grimcat e pluhurit nga Saharaja

Gjatë ditëve të ardhshme vendi ynë do të jetë nën mbizotërimin e masave ajrore të ngrohta që vijnë nga Afrika veriore. Në një lidhje “skype”...

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ Nisin punimet në Lezhë për ndërtimin e kampit

Marrëveshja Shqiptari-Itali e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia Giorgia Meloni, burime bëjnë me dije se kanë nisur punimet e para të ndërtimit...

Lajme të tjera

Web TV