Intervistë/ Ethem Aga, emigrant që nga viti 1990: Shqipëria është rikthyer aty ku e lashë 31 vite më parë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Kandidati i Partisë Demokratike Ethem Aga, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Fjala”, tregon arsyet se përse vendosi të kthehen në Shqipëri dhe të angazhohej politikisht, duke pranuar të renditet i 36-ti në listën e Qarkut Tiranë. Eksperienca në Francë me sfidën mes emigrantit që shkoi vetëm më një diplomë në xhep, karrierës akademike, biznesit dhe nëpunësit të lartë në ministrinë franceze. Lidhjet me PD-në dhe bindja se vendi ka nevojë jo vetëm për rrotacion politik, por mbi të gjitha për ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Nga Aurela Xhika

Prej vitesh ju nuk jetoni në Shqipëri, cilat kanë qënë arsyet që ju shtynë për të emigruar?

Arsyeja kryesore e largimit tim nga Shqipëria ka qenë kryesisht politike. Duke marrë prasysh faktin që Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist në vitin në të cilin unë vendosa të largohesha,pra në vitin 1990, mund të them që si një i sapo diplomuar nuk shikoja kurrëfarë perspektive për të ardhmen. Sigurisht që isha një ndër shumë të tjerë që ëndërronin për një jetë më të mirë, por për mua mirëqenia nuk lidhej vetëm me aspektin ekonomik, mbi të gjitha ëndërroja ato që komunizmi na i kishte kufizuar për vite me rradhë, liritë themelore të njeriut.

 Janë të shumta vështirësitë më të cilat përballët një shqiptar që tenton të kalojë kufijtë e vendit, cilat janë disa nga peripetë tuaja?

Largimi nuk ka qënë i thjeshtë, përkundrazi është një ndër përjetimet e mia më të vështira dhe më të dhimbshme. Tentativat për tu larguar kanë qënë të shumta, por vetëm kjo e fundit rezultoi e suksesshme. Fillimisht i jam drejtuar ambasadës italiane, por nuk kisha marrë me vete diplomën dhe u detyrova të kthehesha. Prindërit e mi ishin kundër largim tim dhe e pata të vështirë të merrja edhe diplomën, pasi im atë e kishte fshehur. Ky ka qënë një ndër momentet më të vështira pasi aty e kuptova dhimbjen që ata po përjetonin duke e lënë birin e tyre të niset drejt të panjohurës me vetëm një diplomë me vete. Nga pamundësia për tu futur në ambasadën Italiane, një miku im më tregoi një rrugë të fshehtë për të hyrë në ambasadën Franceze. Atje ishte një kaos i vërtetë, ishte tmerrësisht shumë vapë dhe më kujtohet se kishin marrë një zjarrëfikëse e cila na hidhte ujë që të freskoheshim. Pas një jave, në orën 12 të natës erdhën disa autobusa të cilët do na transportonin drejt portit të Durrësit. Para se të mbërrimin aty patëm një kontroll nga policia, na kishte kapluar ankthi dhe frika, por për fat të mirë arritën të kalonim dhe u nisëm me anije drejt Francës. Kur kam shkelur në tokën franceze isha këmbëzbathur sepse më kishin vjedhur këpucët dhe e vetmja gjë që kisha ishte diploma të cilën e shtrëngoja fort në kraharor. Fillimisht na dërguan në një kamp në Ramboulliet ku na ndanë sipas grupmoshave. Gjatë kohës që isha aty kërkova që tu ofroja ndihmën time ushtarëve që shërbenin ushqimin dhe sigurisht ata pranuan. Aty mësova edhe fjalët e para në frëngjisht që lidheshin me kuzhinën dhe ushqimet.

Megjithatë, jeta juaj në Francë nuk ka qënë e njënjtë me atë të një emigranti të zakonshëm. Çfarë këni arritur ju në Francë?

Pas largimit nga kampi bëra menjëherë përkthimin dhe ekuivalencën e diplomës, e cila njihej në Francë. Disa muaj më vonë u regjistrova në shkollë dhe kalova nga agronom në një inxhinier agronomie. Më pas punova si profesor në një shkollë ku jepja mësime mbi hapësirat e gjelbërta. Dhe më pas si asistent menaxher në një fushë golfi, që është dhe një ndër pasionet mia. Pas vitit 1995 kam punuar thujase vetëm në këtë sektor si menaxher, drejtor i përgjithshëm dhe së fundmi kam ndërtuar ndërmarrjen time dhe menaxhoj disa fusha golfi. Kam punuar gjithashtu edhe një periudhë 2-vjeçare si këshilltar në Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve, por fokusi im ka qënë biznesi.

Pavarësisht gjithe këtyre arritjeve, ju keni vendosur të riktheni në Shqipëri. Pse ky vendim?

Arsyeja përse vendosa të rikthem është sepse dua vërtetë të jap kontributin tim për këtë vend. Duke patur parasysh arsyet përse u largova 31 vite më parë dhe duke parë që ky eksod vazhdon dhe përsëritet, prekem dhe mendoj se vitet kanë ecur vetëm në aspektin kohor, por Shqipëria është rikthyer aty ku ka qënë 31 vite më parë, në një vend që nuk të jep shpresë. Kjo është ajo që un nuk dua, që të rinjtë të largohen dhe që Shqipëria të mbetet vendi që nuk të ofron të ardhme. Un dua që eksperiencën time në Europë ta shfrytëzoj për t’i sjellë të rinjve në Shqipëri atë që ata kërkojnë jashtë kufijve.

Lexo edhe :  Gazeta Fjala, e mërkurë 5 maj 2021

Pse keni vendosur t’i futeni politkës?

Politika është fusha që i jep mundësinë njerëzve me një vizion dhe frymë të re të sjellin ndryshimin, prandaj dhe unë zgjogja të investohem dhe të futem në këtë fushë, sepse besoj në vlerën që mund t’i shtoj këtij vendi. Të qënurit i djathtë, lidhet me faktin që un jam sipërmarrës dhe i besoj politikkave të djathta. Kam vënë re se në Shqipëri ekziston një frymë armiqësie mes biznesit dhe qeverisë, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta, mes tyre duhet një frymë bashkëpunimi pasi të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe për të krijuar kushte dhe mirëqënie.

Si e komentoni programin e partisë Demokratike dhe nga ndryshon nga ai i partive të tjera?

Partia Demokratike është një pjesë e partive popullore europiane dhe hartimi i programit është bërë në bashkëpunim me specialistët europianë dhe domosdoshmërisht ka ngjashmëri me atë të partive demokratike europiane. Është një program i thjeshtë dhe i realizueshëm që fokusohet në krijimin e kushteve të favorshme për krijim dhe mbarëvajtjen e bizneseve dhe rrjedhimisht hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike.

Si një emigrant shqiptar, cila është përkrahja që mendoni t’i jepni kësaj shtrese? Sa e rëndësishme është vota e tyre?

Një tjetër arsye e futjes sime në politkë dhe një pikë e rëndësishme të cilën unë dua ta mbroj fort në parlamentin shqiptar është edhe vota e diasporës. Mendoj dhe besoj fort se emigrantët, të cilët përfaqësojnë 40% të popullsisë së vendit, duhet të ndihen të përfaqësuar dhe të kenë të drejtë të votojnë për të ardhmen e atdheut dhe familjarët e tyre rezidentë në Shqipëri. Duke marrë parasysh se për vite me radhë emigrantët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit, mendoj se duhet të kenë në parlament disa deputetë që përfaqësojnë këtë kategori.

Si e shihni marrëdhënien midis Francës dhe Shqipërisë, kujtojmë se presidenti Macron ka qënë një pengesë për intergrimin europian të vendit tonë?

Aktualisht duhet thënë se Shqipëria ka marrëdhënie të mira ndërkombëtare sidomos me shtetet e Bashkimit Europian. Unë personalisht kam qenë gjithmonë i angazhuar, mbase në mënyrë modeste, në krijimin e urave lidhëse mes Francës dhe Shqipërisë. Kam ardhur disa herë me grupin parlamentar francez në Shqipëri. Ndër vite kam krijuar miqësi shumë të mira me deputetë dhe donatorë francezë. Sekretari i grupit të miqësisë Francë-Shqipëri zoti Thierry Bongeandre është një mik i ngushtë i imi edhe sot, gjithashtu kryetari i grupit të miqësisë zoti Christian Menar. Pra nëse nese unë shkoj në Francë gjatë negociatave mund të kem një impakt të rëndësishëm duke marrë parasysh lidhjet që kam krijuar.Shqipëria ka si destinacion final Europën, Partia Demokratike nuk është partia më e mirë në botë, por është partia më e mirë për Shqipërinë sepse është ajo që e ka sjellë demokracinë në Shqipëri është ajo që e ka futur Shqipërinë në Nato, është ajo që ka hequr vizat dhe kam besim dhe bindje që është ajo që do ta cojë Shqipërinë në Europë.

Ju renditeni i 36-i në listën e kandidatëve për deputetë të partisë demokratike në Tiranë. Sa i rrezikuar ndiheni për të siguruar mandatin?

Si pozicion në listë jam i 36-i, pra praktikisht emri i fundit në listën e qarkut të Tiranës, por duke marrë parasysh formulën e re të kodit zgjedhor, renditja në listë nuk ka më të njëjtën rëndësi si vitet e mëparshme. Nëqoftë se arrijmë të marrim herësin (plus 1), pra mbi 10 mijë vota, kemi mundësi të barabarta për të hyrë në parlament. Strukturat e Partisë Demokratike më kanë deleguar tek zona 12 dhe 14 që përbën pjesën juglindore të Tiranës që fillon nga Zallherri dhe mbaron në Vrap, por unë pres dhe shpresoj të marr mbështetje nga i gjithë qarku i Tiranës. Me datë 25 prill Shqipëria fiton, jam i bindur që tashmë shqiptarët më së paku kanë kuptuar çfarë nuk i duhet këtij vendi dhe kështu aleanca për ndyshim do të fitojë bindshëm këto zgjedhje. Për sa më përket mua kam bindjen se elektorati do të më mbështesë duke më mundësuar një vënd në parlament dhe duke më dhënë mundësinë të sjell në jetë gjithë idetë dhe projektet e mija.


Të fundit

E rëndë/ Bombë në një shkollë për vajza, të paktën 40 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Shpërthime të shumta në një shkollë në kryeqytetin e Afganistanit vranë të paktën 40 njerëz dhe plagosën dhjetëra të...

Lufta kundër Covid/ Deri tani 596.766 vaksinime në të gjithë vendin, vetëm sot 11.073 të vaksinuar

Ka shkuar në 596.766 numri total i vaksinimeve të kryera në vend që prej fillimisht të fushatës. Vetëm 24 orët e fundit janë kryer...

Mero Baze: Nëse procesi është realist, Fatmir Mediu shkon në burg dhe shkakton tërmet në familjen Berisha

Edi Rama ndjehet i fituar pasi do të vazhdojë qeverisjen. Lulëzim Basha ndjehet i fituar sepse do të vazhdojë të drejtojë Partinë Demokratike. Ilir...

Kryeministri Edi Rama uron besimtarët myslimanë për Natën e Kadrit

Kryeministri Edi Rama ka uruar sonte Natën e Kadrit për të gjithë besimtarët myslimanë. Një natë e shenjtë agjërimi, një natë që vlen sa një...

E ndjek nga pas dhe qëllon me breshëri/ Ky është momenti kur Koço Buzo vret gruan në Elbasan (Video)

Kanë dalë pamjet e vrasjes së rëndë në Elbasan, ku 58-vjeçari, Koço Buzo, ekzekutoi me kallashnikov bashkëshorten e tij Liljana Buzo, 54 vjeç, menjëherë...

Lajme të tjera

Web TV