Fātiḥ-u ripushton Prishtinën

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Xhemal Ahmeti

Politikani injorant është po aq kanosës për një shoqëri sa ai i korruptuari. Nëse ndonjë kastë është fuzion i të dy këtyre – dëmi del kolosal!  Këta tipa [a]social, të korruptuar dhe të paditur janë uzina e shumicës së konflikteve ndër grupet përbërëse të shoqërive shqiptare. Tipin e parë [injorantin] e mashtron çdo agjenturë qëllimkeqe, të dytin [korruptin] e blen edhe banditi më i prapambetur i këtij dhéu. Në cilën kategori prej këtyre bëjnë pjesë politikanët shqiptarë? Në cilën prej këtyre dy shkallëve brenda hierarkisë së çdo kulle morale të mundshme mund tua gravojmë emrat këshilltarëve dhe kryesisë së komunës së Prishtinës, zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe vetë pushteteve kosovare deri sot? Ku është problemi? Le t’i sqarojmë paraprakisht pandehjet tona ndaj tyre. Së pari, në politikat e tyre identifikojmë një autoracizëm kulturor; së dyti paragjykojmë këtë ta bëjnë ngase të korruptuar strukturalisht dhe materialisht; së treti i konsiderojmë si fabrika të krijimit të pakënaqësisë dhe konflikteve në shoqëri; së katërti i pandehim si destruktorë të qëllimshëm politik të miteve, historisë dhe identitetit etnokulturor shqiptar; së pesti përpiqemi të lokalizojmë motivet që i shtynë gjithë këta njerëz deri tek degradimi në njësi kanosëse të demokracisë dhe lirisë së një kulture të veçantë.

 

Tash le të sqarojmë terminologjinë e pandehjeve tona ndaj tyre

 

[1]Racizëm kulturor praktik – duke përjashtuar këtu qëllimisht gjitha zarzavatet dhe referencat teorike – është të veprosh në favor të një kulture që ti e konsideron superiore në dëm të atyre që ti i trajton si të pavlera. Ky tip racizmi u mbarështua si teori pasi ekspansionistët e mbijetuar, pas cofjes së perandorive dhe diskreditimit të politikave eugjenike të racave, konfiguruan luftën e tyre të pushtimit si kulturore e jo më në bazë të popujve me simpatinë e zotave apo superior ngase gjenial për nga zgjuarsia, fuqia ushtarake e ekonomike. Historia e ditëve të sotme edhe kodet si «American Way of Life», «Njeriun e ri sovjetik», «Revolucionarin kinez të Maos», «islamikun neoosman», apo atë saudit, iranian, i ekzaminon me instrumentet e kësaj metode shkencore, nga kjo perspektivë. Rezultatet e deritashme janë të qarta: bëhet fjalë për një ideologji politike pushtimi nëpërmjet homogjenizimit kulturor të sferave në favor të ekonomisë, fuqisë dhe primatit të një [pu]shteti që beson se ia vlen ta sundojë botën ose së paku copa të saja.

[2]Korrupsion strukturor bën njeriu ose ushtrojnë grupet kur raportet e tyre me qendrën korruptuese bazohen në plane afatgjate, subtile dhe që për bazë kanë një ideologji të qartë. Veprimet e të dyja palëve kanë sistemin merre-jep që nis me dhurata simbolike, asistim në realizim planesh private [bursë për fëmijët, kredi nga bankat nën kontroll të shtetit përkatës, gjerdanë për gruan e të llojit], individuale [mbështetje politike, bashkëfinancim projektesh të ideuara nga primati], pastaj në fund kërkohen shërbime zyrtare – varësisht nga pozita e të korruptuarit – në favor të politikave të sponsorit moral e material të personit apo grupit. Sistemin, autorë të ndryshëm eminentë të disiplinës  [Wolf, 2014; Litzke et al. 2012; Priddat & Schmid, 2011], e kanë përshkruar detajisht si më të efektshmin në kriminalizimin e shtetit ligjor, sidomos në vendet dhe shtetet si këto shqiptaret.

[3] Projektet si fabrikë konfliktesh – Vendimet si korrigjimi i Historisë sipas kërkesave turke; ndërtimi i xhamisë së Prishtinës sipas modelit dhe kërkesave turke; presioni për të mos vendosur ambasadën në Jerusalem; synimi i deformimit të “hamamit” në muze për Mehmet Pushtuesin dhe dhjetëra dukuri e projekte si këto kanë shkaktuar polemika dhe tensione të mëdha në agorat shqiptare. Me një fjalë kanë përvetësuar diskursin duke spostuar vëmendjen e publikut nga problemet e shumta sociale politike me shkaktarë konkret drejt një çarje të shoqërisë në pole të kundërta.

[4] Destruktorë të një etnokulture janë ata njerëz, të cilët në thelb pranojnë pluralizmin etnokulturor, mirëpo me hierarki. Në krye gjithmonë duhet të qëndrojnë mitet primare të suprakulturës ideologjike [Lenini para Skënderbeut] që kanë zgjedhur. Gjuha, traditat, historia e etnisë deklasohen si sekondare edhe nëse shumica e popullatës brenda pushtetit të kësaj kategorie politikanësh prioritete i kanë ato «lokalet» [të garantuara me kushtetutë. Neni 9: Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë SË VET kulturore dhe fetar] e jo ato «universalet»[islame, komuniste, neoosmane, amerikane, ruse] e kastës politike. Detyrimisht këta – nëse janë të përkatësisë së etnisë sekondare – me veprimet e tyre ushtrojnë autoracizëm kulturor. E në këtë rast edhe antikushtetutar.

[5] Cilat janë motivet e këtyre njerëzve të veprojnë kështu. Pse heshtë Albin Kurti ndaj presionit turk rreh ambasadës në Jerusalem? Pse Shpend Ahmeti lejon diktatin turk se si duhet të duket xhamia e myslimanëve të Kosovës në Prishtinë? Pse ky dhe komuna e Prishtinës falsifikojnë një monument kulturor duke ia veshur dimensionin ideologjik të neoosmanizmit erdoganesk? Vetëm pse jep para? Jo vetëm, ngase kësaj radhe Ankaraja i jep vetëm gjysmat e tjerat i paguajnë ata që s’janë pyetur fare dhe që u shkatërrohen monumentet në favor të një ideologjie politike të huaj? Pse pikërisht Turqia e bën këtë presion e jo ta zëmë SHBA-të: përmbysjen e historisë, identitetit, miteve shqiptare? Sepse mitet e tyre humbën luftërat kundër atyre të shqiptarëve?

  1. TURQIA SOT DHE DJE
Lexo edhe :  Frrok Çupi: Opozita ndodhet në minutën ‘lum kush të rrojë... Pas kësaj'

Njerëzit e kategorisë, që ne i pandehim si të korruptuar strukturor dhe material publikisht të vetmet mantra kur mbrojnë punëdhënësin e tyre i kanë: a) Turqia ishte ndër të parat që njohu Republikën e Kosovës b) Turqia ka marrë pjesë në NATO c) Ne na duhen miq e jo armiq. Dhe? Ka më argumente. Jo. Turqia ka marrë pjesë në NATO me dy aksione, dy aeroplanë (2%) në bombardimin e caqeve serbe [se ku i ka lëshuar bombat nuk dihet] dhe jo në çlirimin e Kosovës si projekt amerikano-britanik. Në të njëjtën kohë gjersa aeroplanët e saj merrnin pjesë në NATO shërbimet turke bënin çmos në koordinim me ato arabet për të mbrojtur Jugosllavinë [atë të Millosheviqit] nga zhbërja totale. Këto janë fakte që askush nuk i demanton dot. Nga ana tjetër, ajo e dukshmja, Turqia ishte atëbotë nën regjinë perëndimore e të NATO-s patjetër se do ta njihte Kosovën. Shumë e vërtetë se Kosovës i duhen miq – të atillë që nuk janë në aleancë me rusët, serbët dhe iranianët, të cilët po të mundeshin nuk do ta zhduknin vetëm Kosovën nga harta, por edhe Shqipërinë. Kosovës i duhen miq por jo armiq të përbetuar dhe në konflikt me sponsorët e tyre siç janë SHBA-të, NATO dhe organizatat tjera supranacionale. Turqia është sot armike e këtyre. Mos duan kosovarët t’i pajtojnë këta ndërmjet veti? Turqia zhvat të gjitha resurset kryesore të ekonomisë kosovare që nga transporti, energjia, infrastruktura e deri tek shkollat. Turqia është banka (Halk e tjera) ku e gjithë primateria shqiptare e kosovare fshehin apo lajnë paratë e vjedhura nga shtetet e tyre. Fabrikat për punësim, mirëpo nuk i ndërton aty por diku tjetër. A mundet dikush t’i përgënjeshtrojë faktet e listuara deri këtu? Vetëm me zhurmë, ndryshe jo! Ja deri këtu nuk pyetëm se pse Turqia e lufton kujtesën, historinë dhe figurat konstitutive shqiptare në favor të epokës osmane dhe nuk bazohet në miqësi aktuale, madje duke anuluar «marrëveshjet famëkeqe me jugosllavët për deportimin  me dhunë të shqiptarëve»? Ja as presion nuk i bënë shqiptarët që të kërkojë ndjesë për këto krime të Turqisë moderne (jo asaj osmane). Pse sillet Turqia ndaj shteteve shqiptare atëherë sikur të ishin sanxhaqe të pashpëtueshme e që duhet të paguajnë haraçin me fëmijë e të rinj që i dërgon kampeve për trajnim ideologjik anembanë vendit të saj?

III. INJORANCA E KAMUFLUAR

Tash pasi vërtet nuk ekziston asnjë mundësi logjike arsyetimi të sjelljes së këtyre njerëzve karshi një ekspansioni agresiv turk ndaj Kosovës, pyesim edhe njëherë: pse hamami të quhet me emrin e pushtuesit kundër të cilit luftoi Gjergj Kastrioti, alias Skënderbeu, alias Aleksandri apo Leka i Ri? Për ta zëvendësuar mitin e tij me atë të Fatihut, krimet e të cilit ndaj kulturosferës shqiptare janë po aq të dëshmuara si për gjithë ato të pasardhësve të tij? Dakord ja e pranojnë se janë injorantë dhe ua dërgojmë një përmbledhje të shkrimeve të Cassirer, Straus, Eliade, Barthes, Frye, McLuhan, Burke, Campbell e deri tek librat voluminoz të Monika Flacke-s dhe duos Jan dhe Aleida Assmann për të mësuar se ç’ done të thotë Skënderbeu për kulturën dhe identitetin shqiptar. Megjithatë nuk jemi të sigurt se me këtë aksion tonin do të ndryshonte situata. Nuk ndez kjo ide e jona ngase edhe po qenë të paditur [sa u përket fakteve historike, miteve, identitetit e të llojit ], Albini, Shpendi dhe gjithë politikanët tjerë, faktet që riradhitëm lartë i kanë dëgjuar, i dinë [Kurti i luftonte retorikisht ne Parlament], janë dëshmitar okular të zhvillimeve, tash e shumë vite. Pra padija është e kamufluar dhe nuk buron nga injoranca siç e lamë si mundësi të hapur në fillim të këtij teksti. Ky tip politikanësh, njerëzish të angazhuar gjithandej, universiteteve, shkollave, ministrive, mediave përbëjnë kategorinë të korruptuarve material për të ushtruar autoracizëm kulturor ndaj etnokulturës shqiptare në favor të neo-osmanizmit  turk – për pare, për privilegje! Asgjë tjetër s’ka këtu; madje as injorancë. Ka thjeshtë vullnet për t’i shërbyer dikujt që si duket paguan mirë. Asgjë tjetër nuk arsyeton veprimet e tyre. Gjithçka tjetër është kundër çdo logjike.


Të fundit

E rëndë/ 17-vjeçarja vritet me thikë nga një 15-vjeçar, konflikti nisi në rrjetet sociale

Një vajzë 17-vjeçare humbi jetën, pasi u godit me thikë dje në Ivry-sur-Seine, një zonë në jug të Parisit....

“300 euro për person”/ 21-vjeçari nga Bangladeshi arrestohet në Kakavijë

Një 21-vjeçar nga Bangladeshi është arrestuar nga policia nga afërsi të Kakavijës, pasi u kap se po ndihmonte për kalimin kufitar 7 emigrantë të...

Kryeministri Rama publikon videon: Ja pamjet e terminalit të ri në Korçë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamjet nga terminali i ri i autobusëve dhe taksive në Korçë. Teksa ka postuar videon në fjalë, kreu i...

A e vranë shqiptarët nënën 20-vjeçare? Mediat britanike artikull plot urrejtje: Njihen për lidhjet me krimin

I veshur me një kostum të zi dhe me vajzën në krahë, 33-vjeçari Charalambos Anagnostopoulos i ka dhënë lamtumirën e fundit 20-vjeçares me origjinë...

Ndahet nga jeta legjenda e boksit shqiptar

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, legjenda e boksit shqiptar Ahmet Golemi. Golemi i cili ka qenë kampion boksi, është dënuar me 5 vite...

Lajme të tjera

Web TV