Një lajm i hidhur për skenën politike shqiptare. Ndahet nga jeta në moshën 59-vjeçare deputeti socialist, ish-kryeministri i Shqipërisë Bashkim Fino. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.
Lajmin e ka bërë me dije zëvendës kryeministri Erion Braçe. Në një postim në rrjete sociale shkruan “Tani je në qiell shoku im”.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.