Vera e re në fuçinë e vjetër/ Përse hapja e fushatës tregoi shumë për 25 prillin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Me 21 minuta fjalim të mbajtur nga Lulzim Basha dhe 53 minuta fjalim të mbajtur nga Edi Rama. Me dy skenografi të mirëmenduara nga të dy partitë PD e PS, e të përgatitura non stop për dy ditë. Me zaptimin e dy shesheve më të mëdhenj të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, “Nënë Tereza” dhe “Skënderbej”. Me 3200 shikime në Real time të Lulzim Bashës dhe 11.400 shikime në Real time të Edi Ramës në faqet e tyre në facebook. Me regjitë qendrore që ndërprenë çdo programacion dhe transmetuan live për të gjitha televizionet për rreth 1 orë e gjysmë, gjithçka për atë që u servir nga spektakli zgjedhor, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste zhvilluan të enjten e 25 marsit në Tiranë “raundin” e parë të garës elektorale. Ishte një betejë se kush do dilte më mirë. Kush do kishte spektaklin më të mirë, kush do mbante fjalimin më të mirë dhe cila parti do kishte impaktin më të madh te zgjedhësit më 25 prill. Por çfarë solli hapja e fushatës? Cilat ishin pikat e forta dhe të dobta të dy dinosaurve të politikës shqiptare dhe sa do ndikojë kjo hapje në rezultatin e 25 prillit? Ti marrim me radhë.

PARTIA DEMOKRATIKE

Dikush duhet ta sqarojë opinionin publik përse ardhja e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha u vonua me më shumë se 1 orë. Ndërsa ishte planifikuar dhe lajmëruar se do niste në orën 17.00. ai nisi në 18.05. Çfarëdo justifikimi të jepet nuk i shkon opozitës të ketë luksin negativ për të realizuar diçka me vonesë. Aq më tepër hapja e fushatës. Një media sqaronte se kjo ndodhi ngaqë pritej që të binte errësira në mënyrë që të shfaqeshin më të qarta pamjet në ekranet e instaluar në murin e godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës. Nëse është kështu, kjo është për të qeshur dhe për të qarë për organizatorët, a thua se këtë nuk e dinin një ditë më parë. E megjithatë, çdo vonesë nuk ka justifikim. Të na thotë dikush nëse kjo mund të ndodhte me Sali Berishën kryetar të PD. Nuk kishte shans të ndodhte. Më pas gjithçka i ngjau një skenari të shkruar në letër por të parealizuar dhe të pazbatuar. Qindra makina që vërshuan në sheshin “Nënë Tereza për të kopjuar skenografinë e mbylljes së fushatës së Joe Biden në SHBA, por që në fakt u duk sikur ishte një paradë makinash me turmë kaotike njerëzish që ndiqnin luksin. Personazhi i asaj kohe boshe ishte një moderator në skenën gjigande që u ngjir të mbante rregull, të improvizonte dhe të mbante për rreth një orë turmën me makina që nuk po interesohej shumë se çfarë ai bërtiste. Ndërkohë ishte gjetje që fjalimin hapës e mbajti shkrimtarja Flutura Açka. “Nuk mbahem dot, nis më merret goja kur flas për gjëra të dashura dhe një nga gjërat e dashura është fakti që jam këtu sottha me fjalë zemre Açka dhe befas na u kujtua një “kërpëratë” që arriti të zërë vendin në parlament, ndërsa gra si Flutura janë lënë larg vendimmarrjes.

Neritan Liçaj pothuajse luajti një rol si në teatër në fjalimin e tij. Një aktor profesionist tregoi ekstremisht përballjen me qeverinë sepse sipas tij “ne jemi pasardhësit e Akilit dhe të Hektorit, të Aleksandrit të madh të Piros së Epirit, të Teutës, të Glaukut, të Klitit, të Skënderbeut”. Liçajt nuk bëri syri tërr të sulmonte dhe të lëshonte thirrje për kryeministrin Rama me fjalët: “Vetëm një thirrje, Rama ik, Rama ik, Rama ik, Rama ik”. Ylli figurativ i fushatës së Partisë Demokratike, Floriana Garo, e mori lehtë atë që do fliste në mitingun e hapjes. As dhënia e motit e as emisionin “Jo vetëm modë” nuk ishin përvojë e mjaftueshme dhe që i vlente në ato momente kur e mbylli duke ngritur në qiell Lulzim Bashën:

“Muajt e fundit e kam parë Bashën duke punuar deri në orët e vona të natës duke u konsultuar me ekspertë për të sjellë në jetë plane për Shqipërinë. Nuk e kam parë asnjëherë të lodhur, përherë të gatshëm për të sjellë ndryshimin dhe e kam parë Bashën të takohet me qytetarët e Shqipërisë, e kam parë se si i sheh në sy dhe i dëgjon problemet e tyre dhe nga këto takime e vlerësoj edhe më shumë. I vetmi person që mund ta sjellë këtë ndryshim është ai”, tha Garo. Dhe kur çdokush mendonte se në vitin 2021 fushatat elektorale në Shqipëri janë po aq moderne sa në Perëndim, në sfondin blu u dëgjua thirrja me slang “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru”! Kjo ishte e tepërt. Mu faneps fushata e vitit 2000 e Tiranës në zgjedhjet lokale dhe e vitit 2001 në zgjedhjet parlamentare. Djem dhe burra që pasi lanin këpucët nga balta me ujin e shatërvanit në sheshin “Skënderbej” protestonin duke mbajtur në buzë këtë lajmotiv. Ndërroi vetëm emri. Atë kohë thërrisnin “Fatos Nano ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru”. Sot “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”. Ishte vërtetë një kthim pas. Nuk vihet në pushtet me thirrje në dy dekadave më parë. Përfundimisht, PD ka shumë dëshirë të vijë në pushtet, por ende i mungon fryma. PD ka bindjen se Lulzim Basha do jetë kryeministër më 26 prill, por ende kryetari i saj nuk u ndjell besim. Nuk dihet nëse këtë do ta ndryshojë në muajin e fushatës. E fortë fare do ishte nëse e arrin. Dhe nëse e arrin, do të ishte përmbysje e madhe. Ndryshe PD do futej në anale të tjera të historisë politike të këtyre tre dekadave duke prishur çdo rregull të shkruar dhe të pashkruar. E tregoi shumë hapja e fushatës.

FJALIMI I LULZIM BASHËS

Me golf blu e errët dhe pallto të zbërthyer po në atë ngjyrë, me gishtat Victory dhe me qeshjen e zakonshme, Lulzim Basha më në fund shkoi te vendi i caktuar. Dukej më shumë një fjalim fitoreje se sa hapjeje fushate. Fiks 1330 fjalë të artikuluara në 21 minuta ishin një minimanifest i asaj që ka proklamuar në këto ditë përgatitje për fushatën dhe kjo ishte njëkohësisht prova gjenerale e një fitoreje që sipas tij do ndodhte për 31 ditë. Sigurisht që fjalimi u drejtohej kandidatëve, por pjesa më e bukur e tij ishin kur ai iu drejtua të rinjve. Nga e gjithë ajo që Basha tha, ky paragraf ia vlen të veçohet: “Miqtë e mi, të rinj dhe të reja studentë dhe studente, lulja e kombit tonë, energjia shpirti dhe forca e këtij vendi, bij dhe bija të Shqipërisë mbushini zemrat me shpresë, bashkohuni me ne për të ndryshuar këtë vend dhe për ta bërë atë si gjithë Europa. Rini shqiptare, çdo gjë e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, gjithçka që ka ndryshuar për mirë në këtë vend mban vulën tuaj, ka fytyrën tuaj. Ndaj edhe kësaj herë vendi ka nevojë ju, ndryshimi kërkon mbështetjen tuaj që e keni derdhur në këtë shesh e anembanë Shqipërisë”. Dhe pjesa e dytë më e rëndëishme e fjalimit ishte ajo që iu drejtua familjes: “Dashuria për fëmijët, për familjet, për njeri-tjetrin, dashuria për Shqipërinë është forca që na mbush zemrat dhe na ushqen mendjen. Dhe dua që këtë dashuri të mos e përflasë në erë, por t’jua dëshmoj duke u shërbyer drejt rrugës së ndryshimit”. Dhe pas kësaj rrodhën vetëm fjalët e mbylljes. Shpërthyen fishekzjarrjet blu dhe në skenë u ngjitën bashkëshortja dhe dy vajzat si simbolikë e një pike të fortt të atij që opozita e quan kryeministri i ardhshëm. Por a frymëzoi dhe a krijoi frymë ky fjalim? Nëse pyet demokratët, të thonë po. Nëse pyet socialistët, të thonë jo. Në fakt më e rëndësishmja e saj është çfarë mendon pjesa gri. Çfarë mendojnë intelektualët që nuk zënë kohë televizive? Ata që shikojnë punën e tyre dhe nuk bërtasin “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru”. Nuk duken dhe nuk kanë mundësi të thonë fjalën publikisht. Dhe Lulzim Bashës i duhet shumë të bëjë për vete këtë kategori. E rëndësishme është të dish çfarë mendojnë përfaqësueist e medias, gazetarët e vërtetë dhe jo militantët? Sepse gazetarët janë letra e lakmuesit nëse Basha ka krijuar apo jo frymë. Zor se gazetarët mendojnë kështu. Shikoni se çfarë raporte ka ai me intervistat e dhëna. Jep fjalën, por nuk shkon në emisione. Dhe atje ku shkon, ka raste që edhe stafi i tij nuk e di që është. Bën selektime duke bërë pjesë disa që më pas i vendos në listë për kandidatë për deputetë dhe përjashton të tjerë. Dhe së fundi, ka stradegjinë të shkojë te emisionet që e ka të sigurtë që nuk i thonë e ke gabim këtë që the. Epo kjo nuk është frymë! Kjo është ta mbash frymën.

Lexo edhe :  Pse Europa i dha shuplakë Athinës për Fredi Belerin?

PARTIA SOCIALISTE

Sigurisht që pas 8 viteve në pushtet qetësia e socialistëve më shumë dukej si lodhje se sa sa qytetari. Pavarësisht rregullit të zbatimit të skenarit dhe të regjisë, ishte qesharake në disa raste që ndërsa kryeministri Edi Rama fliste, nga të ftohtët disa kandidatë të ulur në karrige fusnin duart në xhepa dhe disa të tjerë fërkonin këmbët po nga e njëjta arsye. Të ndarë në “skuadra” me 10 vetë. askush nuk do të donte të ishte atje nën efektet e erës dhe temperatuarve që mbrëmjen e 25 marsit u ulën deri në 7-8 gradë celsius. Spektakli i heshtur nisi me himnin kombëtar i kënduar kinse live nga Vikena Kamenica dhe që për të cilin mjeshtri Gjergj Leka shkroi në faqen e tij në facebook: “Himni i flamurit, a capella dhe playback??!! Po pse o Vikena….”!?

Ndërkohë 152 kandidatë të ulur 10 e nga 10 duke ruajtur distancën sipas Komitetit Teknik anticovid, krijuan imazhin e trendafilit simbol të PS. Këta ishin të vetmit aktorë të hapjes së fushtës. Nuk kishte spektatorë, militantë apo ithtarë, e gjithë kjo në zbatimin rigoroz të rregullave të këtij Komiteti. Edhe për PS të parët folën kandidatët dhe në fund kryetari Edi Rama. Edona Bilali, e Shkodrës foli si shkodrane puro duke bërë një kritikë puro që në start të futjes së saj në politikë: “Unë e pranova sfidën, sepse e dua Shkodrën dhe kam dashur që politika të sillej më mirë me Shkodrën, e kam fjalën edhe për PS, sepse edhe ajo ka pjesën e saj të borxhit për këtë qytet.,. Shkodra është unike, i ka të tëra, lumin, liqenin, detin dhe malin. Ka ardhur koha të besojmë PS, për t’u bërë edhe Shkodra, si Korça, Vlora, që janë transformuar. Ndaj miqtë e mi shkodranë, ju them kurajo sepse e keni vetë në dorë të bëni Shkodrën të ardhmen tonë, ashtu siç e gjithë Shqipëria”, tha Bilali.

Në foltore u ngjit aktori i njohur Petrit Malaj, kandidat për deputet i Tropojës dhe i Kukësit e ka provën e dytë për tu ulur në parlament. Të dy herët në vitin e tetë të mandatit të dytë të PS. Më pas në foltore u ngjitën Lindita Nikolla që fliste për herë të parë në publik që nga protesta e studentëve. Pas saj Milva Ekonomi që PS-së i duhet shumë imazhi i saj sidomos në moment të tilla. Dhe në fund ministrja e Arsimit Evis Kushi që përmendi Lindita Nikollën për punën e mirë, por jo Besa Shahinin që pas gjashtë muajve që është larguar nuk e mban mend njeri që ka qenë ministre. Të gjithë treguan qetësi, por jo siguri. Besim në vetëvete, por jo të bindur te rezultati më 25 prill. Të gjithë e dinë se si Edona Bilali, Petrit Malaj, Milva Ekonomi dhe Evis Kushi janë pjesa më e mirë e Partisë Socialiste. Të ndershëm, të papërfolur dhe të impenjuar në punën e tyre. Por problemi në mazhorancë nuk janë pikërisht këta. Problemi janë ata deputetë, ministra e drejtorë që “kanë ende në mendje turkun”, siç ua thoshte vetë kryeministri Edi Rama në vitin 2015. Të gjithë kemi në mendje një listë me emra. Janë ata që janë shkëputur aq shumë nga realiteti saqë nuk dinë më as si të përgjigjen. Që janë majmur në këto 8 vjet dhe që janë pjesa më e keqe e PS por edhe e gjithë politikës shqiptare. Dhe stonojnë aq shumë në daljet publike dhe janë bërë aq qesharakë saqë më lehtë zgjedhin të jenë pjesë e spektakleve të humorit se sa përballjet në emisionet politike. E keni vënë re që edhe kur janë në këto spektakle bëjnë si humoristë? Në fakt, ata janë humoristë të pavetëdijshëm siç thoshte Konica i madh për fodullët dhe të sigurtët që janë në pushtet. Dhe të kërkosh një mandat të tretë në emër të tyre kjo do ishte vrasje politike për Partinë Socialiste por edhe për Shqipërinë. Prandaj, jo vetëm kryetari Edi Rama, por shumica e lidershipit të PS këtë e di mirë. Pikërisht kjo është pika më e dobët e kësaj mazhorance që nëse nuk e përmbys në këto 30 ditë fushatë duke mos i cilësuar ata yje të qeverisë, nuk ka për të patur rezultatin që vetë PS pret.

FJALIMI I EDI RAMËS

Me 3653 fjalë në një fjalim prej 53 minutash Edi Rama u duk qartë se doli nga skenari. Për ata që qëmtojnë fjalimet dhe i analizojnë thellë ato nuk ishte vështirë të kuptoje se ai që mbajti ishte një fjalim tjetër. Pothuajse gjatë gjithë kohës përmbajtja e tij lidhej me kundërshtarët që në të njëtën kohë kishin hapjen e fushatës 800 metra larg aq sa është distanca e bulevardit nga sheshi “Skënderbej” te Universiteti Politeknik i Tiranës. Ishte një ndryshim i minutës së fundit dhe një top i ngritur përpara rrjetës së volejbollit i gatshëm për ta shoot-uar. “Sot, ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina në një ekran televizori të ndarë. Mjafton të shikosh dy kartolinat për të kuptuar dhe padëgjuar shumë, ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, këtu ka respekt për ligjin, këtu ka respekt për rregullat që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar dhe mbi të gjitha, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës sonë. Fytyra e fushtës së tyre është krejt tjetër”, tha Rama. Dhe më tej vijoi duke kritikuar rënd klithmat dhe pasthirrmat në vitin 2021 a thua se nuk ka qenë Rama mjeshtri i tyre. Dhe si përherë në këtë fushatë dhe para fushate sqaroi përse e kërkon mandatin e tretë: “Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është një qëllim në vetvete. Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është një inerci në nevojën apo dëshirën për pushtet. Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është për Partinë Socialiste dhe për ata që PS-në e përfaqësojnë si deputetë, si ministra, si kryetar bashkish, si anëtarë të këshillave bashkiakë. Mandati i tretë i PS-së nuk është për karrigen e askujt, përfshirë edhe timen. Mandati i tretë i PS-së është që Shqipëria të mos kthehet kurrë mbrapa”. Rama ka si eksperiencë pikërisht tre mandate që fitoi si kryetar i bashkisë së Tiranës. Por nuk ka me vete kushtet në të cilat ai u zgjodh këto tre herë. Dhe pasi i renditi ato që ai i quan punë si asnjëherë tjetër fjalimin e mbylli me një pyetje të gjatë: “Kush do i bëjë këto? Kush tjetër mund t’i bëjë këto, përveç nesh dhe si mund të bëhen këto ndryshe, përveçse me mandatin e tretë?” Përgjigja e të vetmes pyetje të bërë në fund të një fjalimi në hapje të një fushate do jepet më 25 prill.

Të fundit

“Në maj do mbërrijnë emigrantët e parë”/ Publikon detaje nga tenderi me vlerë 34 mln euro

Që nga 20 maji 2024, kampet në Shqipëri që do të përpunojnë kërkesat për azil të individëve të shpëtuar...

Skema e re për vitet e punës/ Vështirësitë e pagesave me bankën për pensionet

Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër. Por...

“Të bashkojmë forcat”/ Rama: Procesi i integrimit në BE kërkon dije të reja

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar që po mbahet këtë të enjte theksoi se procesi i integrimit në BE kërkon dije...

Instagram me ndryshime të reja, fillon të kufizojë “përmbajtjen politike”

Kompania Meta ka nisur të praktikojë një opsion të ri në Instagram dhe Treads, i cili është kufizimi i “përmbajtjes politike”. Firma njoftoi lançimin e...

Meta jep lajmin e mirë: Do rriten pagat për sektorin publik, ja kategoritë që përfitojnë

Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Kjo gjë...

Lajme të tjera

Web TV