Opinione dhe qëndrime të publikut mbi funksionimin e sistemit ekonomik dhe rolin e shtetit në shoqëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Selami Xhepa dhe Adrian Civici

 

Qëllimi i këtij raporti studimor organizuar dhe mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, është analiza e perceptimeve të publikut mbi mënyrën e funksionimit të sistemit ekonomik e shoqëror, raportet ndërmjet shtetit dhe tregut, ndryshimet në sistemin e vlerave shoqërore që mund të jenë ravijëzuar gjatë tri dekadave të tranzicionit drejt një sistemi demokratik dhe ekonomisë së tregut, si dhe vlerësimet e publikut lidhur me proceset integruese në të cilat është angazhuar vendi.

Tashmë Shqipëria ka hyrë në dekadën e katërt të përpjekjeve të saj për të ndërtuar një shoqëri të lirë demokratike, bazuar në shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut të lirë. Arritjet e derisotme janë të dukshme dhe i dedikohen kryesisht iniciativës së lirë dhe punës së qytetarëve të vendit, të mbështetura nga reformat transformuese të ndërmarra nga lidershipi politik i vendit.

Nga ana tjetër, dështimet e tregut janë të natyrshme edhe në kontekstin e një shoqërie me institucione demokratike funksionale, prandaj dhe lind nevoja e rishikimit të politikave, praktikave dhe institucioneve, me objektivin që të ndërtohet një shoqëri më kohezive dhe e shëndetshme, nëpërmjet një rritjeje dhe zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe cilësor.

Prej kohësh në Shqipëri është hapur një debat për «modelin e ri ekonomik të zhvillimit», por deri më sot ky debat është kufizuar thjesht në aspektin sektorial të rritjes, një qasje që është kryesisht pozitiviste dhe që nënvizon përmirësimin e ritmeve të rritjes nëpërmjet alokimeve të burimeve në sektorë të caktuar (për shembull, eksportet). Ky material propozon një qasje tjetër në orientimin e debatit publik, atë mbi mënyrën se si mund të reformohet sistemi i sotëm ekonomik, në mënyrë që të jetë më i balancuar nga pikëpamja e interesave sociale, pra një qasje normative.

 

  • Shumica e të anketuarve, me një përfaqësim prej 66% të totalit (2 në 3 banorë), janë përgjigjur se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme.
  • Gjithashtu, opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave te sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Pra, sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.
  • Edhe pse më shumë se 40% e popullatës besojnë se individët duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, përsëri vetëm rreth 30% e tyre mbështetin një shoqëri të bazuar mbi individualizmin. Nevoja për ndërhyrje shtetërore në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen dhe në investimet publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukurë mbështetet në mënyrë masive.
  • Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. Pra, rreziku i perceptuar vjen në rritje.
  • Shoqëria i mbështet fuqimisht proceset e integrimit të vendit dhe shumica (mbi 65%) vlerësojnë se efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë kanë qenë me avantazhe pozitive. Por qytetarët vlerësojnë se, pavarësisht nga thellimi i proceseve të integrimit, politika lokale duhet gjithashtu të ketë kontroll mbi legjislacionin e vendit.
  • Të gjitha konkluzionet e mësipërme ndahen njësoj nga të gjitha kategoritë e popullsisë. Nuk shfaqen dallime thelbësore midis grupeve të ndryshme të popullsisë të klasifikuara sipas gjinisë, grupmoshave, nivelit të të ardhurave dhe vendbanimeve të tyre. Diferenca të lehta shfaqen ndërmjet dy grupmoshave në skajet e piramidës moshore, të moshave 18–29 vjeç dhe mbi 60 vjeç, të cilat mund të reflektojnë kontekstet e ndryshme ekonomike e sociale të zhvillimit të personalitetit të tyre dhe të sistemeve të vlerave që kanë karakterizuar dy regjime të ndryshme në të cilat ato janë zhvilluar.

 

Që ekonomia e nesërme të mos jetë një ekonomi e normave të ulëta të rritjes, produktivitetit të ulët, pabarazive të larta dhe një mjedisi të degraduar, duke lexuar me vëmendje mendimet e publikut dhe mësimet e nxjerra nga provat empirike, studimi ofron rekomandime për reformat e nevojshme nga politikëbërësit.

Ndërhyrjet politike të synuara janë strukturuar përgjatë dy akseve: (1) Politika për kontrollin e proceseve që prodhojnë pabarazi dhe rritje ekonomike jopërfshirëse dhe (2) Politika për korrektimin e rezultateve që krijohen nga shpërndarja ekonomike. Ndërsa reformat e grupit të parë synojnë përmirësimin e qeverisjes ekonomike në mënyrë që rezultatet ekonomike të krijohen sipas proceseve të ndershme të ligjësive të tregut të lirë dhe konkurrues, reformat e grupit të dytë synojë të krijojnë mekanizma të korrektimit të deformimeve që mund të manifestohen në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare.

 

Rritja ekonomike, varfëria dhe pabarazia

Përshpejtimi i procesit të rritjes ekonomike përbën një ndër çështjet politike më të rëndësishme të teorisë së ekonomisë. Arsyeja është se rritja ekonomike kushtëzon zhvillimin ekonomik të një vendi dhe bashkë me të, standardin e jetesës së popullsisë. Por jo gjithmonë rritja ekonomike përkthehet në zhvilim ekonomik dhe standard më të lartë mirëqenieje. Janë jo të pakta rastet në historinë e ekonomisë ku rritja ekonomike nuk ka çuar edhe në progres ekonomik e shoqëror, dhe kjo për shkak të cilësisë së kësaj rritjeje.

Pra, e rëndësishme është që vendi të gëzojë jo vetëm rritje ekonomike, por dhe që kjo të jetë cilësore, një rritje nga e cila përfitojnë të gjitha grupet shoqërore, një rritje që i ngushton pabarazitë sociale dhe e zbut varfërinë. Pabarazia dhe varfëria janë parë si mallkimi binjak që shpeshherë fajësohet si shkaktari i së keqes që kontribuon jo vetëm në përkeqësimin e treguesve të shëndetit, por edhe minon qeverisjen demokratike, gërryen besimin dhe kënaqësinë e shoqërisë, madje bëhet shkas edhe për obezitetin në rritje të popullsisë .

Problemet e pabarazisë ekonomike për shoqërinë janë serioze dhe afatgjata. Një shikim i shpejtë në historinë e shkuar na tregon se pabarazitë në rritje kanë çuar në rënien e kombeve të zhvilluara, ku mund të përmendim episodet historike të Amsterdamit në shekullin XVIII dhe të Venecies në shekullin XVII. Një historian madje do të konkludonte se, pasi krijohen, pabarazitë mund të zhbëhen vetëm me një tronditje të fortë e të dhunshme sociale. Në fakt, eksperienca e Britanisë së Madhe gjatë Revolucionit të Parë Industrial tregon për një skenar jo kaq pesimist; reformimi i institucioneve dhe ndërtimi i një shoqërie më kohezive mund të realizohen edhe me metoda jorevolucionare.

Pabarazia ekonomike, veçanërisht ajo ekstreme, mund të rezultojë në privim kronik të të drejtave të njeriut. Studime të shumta kanë provuar se ajo është një ndër shkaqet kryesore që pengon funksionimin e shtetit të së drejtës – duke favorizuar kapjen e shtetit dhe të vendimmarrjes, pabarazia ekonomike pengon zhvillimin ekonomik të vendeve dhe kthehet në burim konfliktesh civile dhe paqëndrueshmërish sociale.

Debati mbi pabarazitë është një temë qendrore në debatin e sotëm politik global. Ka një ndjesi gjithnjë në rritje se të varfërit po lihen pas nga të pasurit, të moshuarit nga të rinjtë, periferitë nga metropolet, individët pa shkollë nga ata me shkollime të mira, vendet e varfra nga vendet e pasura. Hendeku ekonomik dhe social ndërmjet kombeve, rajoneve dhe grupeve sociale po thellohet.

Ky problem ndeshet gjerësisht edhe në vendin tonë, dhe debatet mbi pabarazitë në rritje dhe varfërinë janë shumë të pranishme në shoqëri. Edhe ky studim konfirmon se publiku ka qartazi një perceptim se shpërndarja e pasurisë dhe e të ardhurave ka krijuar pabarazi të mëdha dhe se kjo përbën një shqetësim serioz për kohezionin social.

Pyetjes «A po bëhet shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë?», rreth 70% e të intervistuarve i janë përgjigjur se «pajtohen plotësisht» dhe 92% i janë përgjigjur «po dhe më shumë po». Përgjigjet e dhëna nuk shfaqin dallime të rëndësishme sipas gjinisë, nivelit të të ardhurave, grupmoshave apo vendbanimit. Ky nivel kaq i lartë perceptimi mbi asimetrinë e shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë është realisht shqetësues.

Por, a është çështja e varfërisë dhe pabarazisë thjesht një problem perceptimesh, apo një realitet që provohet dhe nga të dhënat empirike? Si ka lindur pabarazia në Shqipëri?

Nga një vend egalitarian dhe me pabarazi të papërfillshme në fillimet e tranzicionit, pabarazitë kanë ardhur duke u thelluar. Në veçanti, procesi i krijimit të pasurisë, ka sjellë formimin e grupeve të polarizuara shoqërore për sa i përket përqendrimit të pasurisë. E matur me diferencat e konsumit midis kuantileve dhe decileve të poshtme dhe të larta në shpërndarjen e të ardhurave, rezulton se kjo diferencë ka mbetur e stabilizuar në nivele relativisht të larta për një periudhë relativisht të gjatë kohe. Po kështu, edhe indeksi i koeficientit Gini , që mat pabarazinë në të ardhura, ka një vlerë të lartë, në rreth 33%.

10% e popullsisë marrin rreth 1/4 e së ardhurës kombëtare të krijuar dhe 20% e saj marrin rreth 41% të gjithë të ardhurave të ekonomisë. Ndërsa 10% e popullsisë që ndodhet në fundin e piramidës së shpërndarjes së të ardhurave marrin vetëm rreth 3% të të ardhurave, ose rreth 8 herë më pak se 10% që është në majë të piramidës; rreth 1/5 e popullsisë që ndodhet në shtresën e fundit të piramidës së shpërndarjes së të ardhurave merr vetëm 7.5% të së ardhurës kombëtare të krijuar gjatë vitit.

E parë në një kontekst krahasues, kjo vlerë e indeksit të koeficientit Gini, e rendit Shqipërinë ndër vendet me nivele të larta pabarazie, krahas vendeve si Britania e Madhe apo Spanja. Problemi në Shqipëri bëhet edhe më i mprehtë pasi kontrastet sociale bëhen shumë të dukshme në kuadrin e një varfërie gjerësisht të përhapur.

Kur ekonomia shënon rritje të lartë, a përkthehet ajo në më shumë mirëqenie për individin?

 

Me fjalë të tjera, nëse vendi do të siguronte norma të larta rritjeje ekonomike, a do të kontribuonte kjo në reduktimin e varfërisë nëpërmjet krjimit të mundësive për punësim dhe aktivitet ekonomik për individin? Sipas rezultateve të pyetësorit, 1 në 3 persona beson se rritja ekonomike krijon përfitime për shoqërinë, çka është një tregues shumë pozitiv për cilësinë e rritjes.

Në veçanti grupmosha 30–44 vjeç shprehet më optimiste, ndërsa dy grupmoshat ekstreme, ato në intervalet 18–24 vjeç dhe mbi 60 vjeç, janë më pak optimiste. Kjo mund t’i atribuohet faktit se në grupmoshën 30–44 vjeç individi arrin të maksimizojë të ardhurat e tij, qoftë për shkak të arsimimit, por dhe të eksperiencave të fituara, ndërsa te të rinjtë që sapo i bashkohen tregut të punës apo te moshat e larta, kurba e të ardhurave nga njëra anë niset nga një pikë e ulët dhe vjen në ngjitje teksa i afrohen grupmoshës 30-vjeçare dhe në anën tjetër vjen në rënie teksa grupmosha mbi 60 vjeç përgatitet të dalë nga tregu i punës.

Përtej këtyre dallimeve sipas grupmoshave, duhet theksuar se perceptimi në tërësi mund të konsiderohet si pozitiv. Ky perceptim pozitiv për rolin e rritjes ekonomike në mirëqenien e shoqërisë merr gjithashtu mbështetje nga të dhënat empirike. Një paraqitje e thjeshtë grafike midis rritjes ekonomike gjatë viteve dhe reduktimit/shtimit të popullsisë së varfër, tregon për një lidhje negative, me një koeficient korrelacioni -0.12, që do të thotë se periudhat e rritjes ekonomike janë shoqëruar me reduktim të varfërisë në vend.

Trendet janë veçanërisht të qarta pas vitit 2002, kur vendi zbatoi për herë të parë politika publike të fokusuara në trajtimin e këtij problemi, në kuadër të strategjisë së reduktimit të varfërisë sipas Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.

Lexo edhe :  Kanye West sulmon fizikisht një burrë, sepse i ngacmoi të shoqen

Ajo që duket shqetësuese është se rënia e normave të rritjes ekonomike shoqërohet me rritje të varfërisë. Kjo do të thotë se për të ruajtur objektivat e reduktimit të varfërisë, vendi duhet të arrijë norma të larta rritjeje. Sipas një studimi të Bankës Botërore mbi punësimin në vendet e rajonit të Ballkanit, rritja ekonomike përkthehet në më shumë vende pune dhe të ardhura kur norma e rritjes është mbi 6%.

Varfëria vazhdon të mbetet një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë tonë dhe, në një kontekst të tillë, pabarazitë sociale bëhen edhe më shqetësuese. Sikurse duket dhe nga grafiku 10, dekada e parë e tranzicionit, edhe pse shënoi nivelet më të larta të rritjes ekonomike , nivelet e varfërisë ishin tepër të larta, ku më shumë se 50% e popullsisë jetonin në varfëri (duke përdorur vijën e varfërisë së Bankës Botërore).

Raporti vjetor i tranzicionit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i vitit 1999, që iu dedikua politikave të ekuitetit të tranzicionit, mënyrës se si u ndanë humbjet dhe përfitimet nga politikat transformuese të dekadës së parë. Shqetësimi mbi përhapjen e gjerë të varfërisë kërkonte trajtim me politika specifike dhe Shqipëria, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të FMN-së, hartoi një Strategji të Reduktimit të Varfërisë.

Duket qartë se përpjekjet ishin të suksesshme, duke e reduktuar ndjeshëm nivelin alarmant të saj. Megjithatë, duket sikur treguesi i varfërisë është stabilizuar diku në fashën e 35%–40%, dhe për një periudhë të gjatë kohe rritja ekonomike nuk ka arritur të përkthehet në mirëqenie për më shumë qytetarë.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës Botërore, varfëria në vitin 2018 u vërejt në 38.7% të popullsisë, ose 487 mijë qytetarë jetonin në varfëri. Goditjet e fundit negative ekonomike të shkaktuara nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe nga pandemia e COVID-19-s, kanë ndikuar në një shtim edhe më të madh të numrit të familjeve në prag të varfërisë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, varfëria në Shqipëri mund të rritet në 44% të popullsisë në bazë vjetore, duke e shtuar numrin e personave në varfëri me 115–230 mijë individë.

Problemi i varfërisë në Shqipëri nuk është një çështje thjesht e perceptimit publik, por një fenomen me përhapje të gjerë dhe një shqetësim që vjen në rritje edhe për shkak të goditjeve serioze negative që ka marrë jeta ekonomike e sociale në vend gjatë dy viteve të fundit.

Faktorët kryesorë të pabarazisë që thekson literatura akademike dhe që artikulohen në debatin publik, si progresi teknologjik, globalizimi dhe ndryshimet demografike, nuk mund të ndahen nga faktorët specifikë të një vendi, të zgjedhjeve që qeveritë bëjnë lidhur me taksimin dhe programet e mirëqenies sociale . Përtej këtyre faktorëve tipikë që lidhen me pabarazitë në ekonomi, në kontekstin e një ekonomie në tranzicion, problemi i pabarazisë lidhet edhe me mënyrën e krijimit të pasurisë nëpërmjet reformave liberalizuese dhe privatizimit të pasurisë publike. Kjo është një nga temat shumë të debatuara sidomos në dekadën e viteve ’90, kur këto procese u vunë në zbatim, dhe perceptimi i publikut, i konfirmuar edhe nga pyetësorë, nënvizon se ky ka qenë një proces i padrejtë.

Në veçanti, politikat e taksimit dhe rregullat e kontabilitetit, kanë mbështetur përqendrimin e pasurive dhe të aktiviteteve ekonomike dhe nuk kanë favorizuar investimet në përmirësim teknologjik dhe investime në kapitalin njerëzor brenda firmës. Për shembull, përjashtimi nga detyrimi i tatimit mbi fitimin në rast riinvestimi të fitimeve, që është zbatuar shpeshherë nga politikat tona fiskale, nuk është shoqëruar me kushtin që riinvestimi të kryhej brenda firmës dhe në aktivitete që lidhen me transferimin e teknologjive më të përparuara, të adoptimit të patentave dhe pasaportave teknologjike miqësore ndaj mjedisit, investimit te fuqia punëtore nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës, rritjes së pagave dhe shpërblimeve, trajnimit dhe kualifikimeve të personelit, zbatimit të mënyrave moderne të menaxhimit dhe të organizimit të prodhimit dhe sistemeve të tregtimit etj.

Duke mos vendosur kushtëzime të tilla, firmat i kanë përdorur fitimet e pa-tatuara për të shtënë në dorë biznese të tjera, me kosto shumë më të ulëta se konkurrentët e tyre. Në këtë mënyrë, edhe kredia bankare është përqendruar në pak biznese të mëdha, të cilat, nëpërmjet edhe favoreve të tilla, janë stimuluar të bëhen gjithnjë e më të mëdha. Po kjo lloj politike, ka favorizuar edhe përqendrimin e kredisë bankare. Duke rritur vlerën e tyre të kolateralit dhe duke disponuar likuiditet të mirë nga aktivitetet e tyre ekzistuese, këto biznese kanë tërhequr edhe më shumë kredi. Një përqendrim i tillë i shfaqi mangësitë e tij serioze kur problemi i kredive joperformuese u shndërrua në problemin më shqetësues për sistemin bankar në vitet 2010 e në vazhdim. Sipas informacioneve mediatike, përgjegjëse për gati 2/3 e totalit të kredisë me probleme ishin vetëm rreth 30 biznese private të mëdha.

Struktura e punësimit sipas nivelit të pagave – Zhvillimet në sektorin e pagave pas karantinës së parë tregojnë se pesha e punonjësve me pagë të ulët ndaj totalit të të punësuarve me pagë është rritur.

Sipas të dhënave të INSTAT-it (2020), personat me pagë deri në 30 mijë lekë përbënin 38.7% të të punësuarve gjithsej në tremujorin e tretë të 2020-s, nga 37.1% në tremujorin e dytë.

Në të kundërt, kanë pësuar rënie grupet me paga të larta. Të dhënat tregojnë se grupi i të punësuarve me pagë nga 40 mijë deri në 50 mijë lekë përbën 11.4% të totalit të të punësuarve nga 11.7% të totalit në tremujorin e dytë.

Rënie e peshës në punësim u vu re edhe në grupet e tjera të pagave të larta. Të punësuarit me pagë 50 mijë deri në 60 mijë shënuan një rënie të peshës me 0.9 pikë përqindje, ata me pagë 60 mijë deri në 95 mijë shënuan rënie me 0.5 pikë përqindje dhe ata me paga mbi 120 mijë lekë zunë 4.5% të totalit të të punësuarve në tremujorin e tretë, nga 4.6% në tremujorin e dytë.

Të dhënat mbi pagat tregojnë modelin në të cilin po zhvillohet ekonomia shqiptare, ku gati 40% e të punësuarve marrin nivelin më të ulët të pagës, rreth 300 mijë lekë në muaj, ndërsa 26.8% e të punësuarve marrin vetëm pagën minimale prej 26 mijë lekësh në muaj.

Burimi: Monitor, 2020

Në mënyrë të ngjashme, edhe politikat e taksimit progresiv, të cilat pritet që teorikisht të ndikojnë në zbutjen e pabarazisë në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare, në fakt, janë zbatuar vetëm për punëmarrësit, atë pjesë të popullatës që jeton me pagën nga puna. Ndërsa, në të vërtetë, pjesa e popullsisë me të ardhura të larta (ose të pasurit, siç emërtohen në gjuhën popullore), e marrin të ardhurën vjetore të krijuar nga biznesi nëpërmjet dividendëve, fitimeve kapitale etj.

Kështu, dividendi është e ardhura personale vjetore, pasi gjatë vitit, kjo kategori e popullsisë jeton me transfertat që kryhen nga veprimtaria normale e biznesit dhe që konsiderohen si shpenzime të veprimtarisë së firmës. Në fakt, dividendi trajtohet me një normë tatimore (8%) shumë më të favorshme se tatimi mbi të ardhurat nga paga, ku niveli maksimal i taksës marzhinale është 23%.

Por, thjesht politikat e taksimit arrijnë të korrektojnë vetëm rezultatet finale të ndarjes së të ardhurave, ato nuk mund të trajtojnë korrektimin e proceseve që e gjenerojnë pabarazinë. Çka do të thotë se, nëse korporatat kanë pozita dominuese në treg dhe rrjedhimisht mund të vendosin çmime më të larta nga sa do të ishin në kushtet e një tregu konkurrues, atëherë këto fitime të pamerituara do të çojnë në një përqendrim gjithnjë në rritje të pabarazive edhe në afat të gjatë.

Për pasojë, duhet që procesi ligjbërës të vendosë në një ekuilibër më të shëndetshëm përqendrimin e pushtetit dhe të tregut nga kapitali drejt punës, që deri tani perceptohet gjerësisht si i anuar fort nga kapitali. Një shqyrtim i thelluar i legjislacionit sektor për sektor, do të ishte një pikë nisjeje e dobishme. Po kaq me rëndësi është edhe rishqyrtimi i raporteve debitor-kreditor, që deri tani mund të konsiderohen si gjerësisht në favor të kreditorëve, ose e thënë më qartë, në mbrojtje të bankierëve dhe në disfavor të industrisë.

Duke hetuar më tej në shkaqet e varfërisë, përveç problemeve që lidhen me rritjen përgjithësisht të dobët ekonomike dhe në rënie nga njëra dekadë në tjetrën, ajo është ngushtësisht e lidhur me nivelin e pagave. Ndonëse më e paktë për vendet e Ballkanit, literatura mbi lidhjet ndërmjet nivelit të pagave, pabarazisë dhe varfërisë është mjaft e pasur.

Në një studim të FMN-së (2016)  mbi vendet e Ballkanit, nënvizohet se niveli i të ardhurave ka një efekt domethënës si në varfëri, dhe në pabarazi. Mund të nënkuptohet ndikimi i papunësisë në këtë marrëdhënie shkakësie, por kërkimi duhet përqendruar te dinamikat e pagave, si forma kryesore e të ardhurave të familjeve shqiptare, dhe fenomeni i varfërisë ndeshet gjerësisht edhe midis të punësuarve.

Pra, varfëria dhe mungesa e të ardhurave nuk vijnë vetëm si pasojë e papunësisë, por dhe për arsye të cilësisë së punësimit. Në fund të vitit 2019, paga mesatare në ekonominë e Shqipërisë ishte rreth 30% më e ulët se paga mesatare më e ulët e rajonit – e Kosovës, dhe rreth 46% më e ulët se paga më e lartë në rajon – e Malit të Zi.

Një pyetje shqetësuese që rezulton nga kjo analizë është nëse ky nivel i lartë i varfërisë dhe i pabarazive sociale mund të përbëjë një kërcënim për stabilitetin e sistemit kapitalist, si dhe të vetë demokracisë. Nuk është vetë pabarazia e pandershme, të tilla janë kryesisht proceset që e gjenerojnë atë.

Siç e treguan perceptimet e publikut, vetëm 2.5% e popullsisë besojnë se sistemi po funksionon mirë në aspektin e shpërndarjes së të ardhurës kombëtare. Kjo ndoshta mund të mos përbënte kërcënim për sistemin nëse publiku sërish do të besonte se kjo pasuri është krijuar në mënyrë të merituar, se tregu ka shpërblyer riskmarrësit dhe individët që kanë investuar më shumë në rritjen e aftësive profesionale. Ky testim i opinionit publik tregoi se pothuajse gjysma e popullsisë (45%) e besojnë parimin e individualizmit dhe faktin se shoqëria funksionon më mirë kur individi mendon fillimisht për veten.

Kjo do të thotë se, nëse sistemi funksionon sipas meritës, pabarazitë janë përgjithësisht të pranueshme nga shoqëria.

Por, nuk është ky rasti në Shqipëri: pyetjes nëse të pasurit e kanë krijuar pasurinë me meritë, vetëm 8.8% i janë përgjigjur pozivitisht, më pak se 1 ndër 10 persona. Grupmoshat e ndryshme shfaqin qëndrime lehtësisht të ndryshme midis tyre. Kështu, grupmoshat e reja (18–24 vjeç) shfaqin më shumë tolerancë ndaj procesit të krijimit të pasurisë krahasuar me moshat mbi 60-vjeçare. Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur pozitivisht 11% e kohortës së grupmoshës 18–24 vjeç dhe vetëm 5% e grupmoshës mbi 60 vjeç.

Këto diferenca, të cilat duhet theksuar se janë të lehta pasi janë në numra shumë të vegjël, mund t’u atribuohen edhe diferencave në mentalitetin e dy regjimeve të ndryshme në të cilat këto grupmosha kanë krijuar sistemet e vlerave dhe të besimeve të tyre.

Pavarësisht nga këto diferenca, konkluzioni në këtë rast është mjaft i qartë dhe i fortë: të bësh para pa sakrificë, pa mund dhe djersë, është diçka e gabuar, dhe se pabarazia në pasuri e krijuar në këtë mënyrë, është e padrejtë.

 

 

Vijon …….

Të fundit

Presidenciale në SHBA, qëndrimi i kandidatëve për president mbi armëmbajtjen

Dy kandidatët kryesorë për president të Shteteve të Bashkuara vazhduan fushatën këtë javë. Presidenti Joe Biden vizitoi një qytet...

Leipzig nuk gabon në transfertën e Heidenheim dhe ruan vendin e katërt ndaj Dortmund

Leipzig nuk gaboi në transfertë ndaj Heidenheim me miqtë që triumfuan me shifrat 1-2. Leipzig hapi llogaritë e sfidës në minutën e 42 me...

Sipas stinës, këto janë lista e ushqimeve që pastrojnë enët e gjakut

Enët e gjakut luajnë një rol shumë të rëndësishëm në organizëm. Ato transportojnë ushqyesit dhe oksigjenin nga zemra drejt organeve të tjera. Në disa raste, enët...

Cili nga qytetet e Shqipërisë do të ketë rritjen më të madhe të të nxehtit deri në 2040-n

Deri në vitin 2040, Durrësi do të jetë qyteti me rritjen më të madhe të valës së të nxehtit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Është...

Operacionet e Policisë, reagon Balla: Po gjurmohen personat me precedentë kriminalë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar gjatë ditës së sotme në lidhje me operacionet e fundit të policisë së shtetit, ku janë arrestuar...

Lajme të tjera

Web TV