Të mobilizuar në luftë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Jemi apo s’jemi në luftë. Të gjithë të mobilizuar, si një trup i vetëm, për të mundur armikun. Drejt fitoreve të reja…

Vamë ku vamë dhe sërish u ndalëm te sloganet që mësuam në kohën e xhaxhit. Menduam se na vajtën dëm, por jo, ja që u dashkan. Rasti në fjalë është specifik.

Vaksinimi po ecën me ritme të shpejta. 70-vjeçarët janë vënë në radhë të marrin një dozë të paktën. Por edhe Covidi ama, s’po i lë gjë mangët. I shpejtë si veriu. Këtë na e bëri të ditur doktor Fauçi prej Amerike. “Ekziston rreziku i një vale të re”, ka theksuar ai së fundmi. Madje ka këmbëngulur. Kështu thonë axhanset të paktën.

Heu bre…

Demek të mos i heqim armët nga supi ne, as kundërgazet. Se vala tw merr e tw hedh tutje. Siklet i madh për besë. S’na lanë të gëzoheshim as tani që magazinat i kemi dëng me “Sinovac”. Po ne akoma s’kemi mbyllur këtë valë, që e kemi nëpër duar, dhe që është e treta në radhë. Kjo do të thotë se do të ketë një valë të katërt?

Sipas të dhënave, po. Mjafton që u hap thesi…

Vëlla, sikur e kishim llafin vetëm me tre valë. Kaq na u tha se mbante kjo punë. Sipas epidemiologëve, sigurisht. Sipas statistikave. Se po nisi kështu, i bie që pas të katërtës të vijë e pesta e me radhë. Si dihet ku e ka fundin pastaj.

-Epo hë more shoku Salë… ndonjë punë të tretë nuk kishe?

-Edhe atë do ta rregullojmë, do ta rregullojmë!

Nuk po përmbahet hiç virusi. “Ç’të bën Covidi nuk ta bën as Perëndia”. Ky është formulimi i ri i sentencës, edhe pse modeli i mëparshëm, për shkak të rimës ka më shumë muzikalitet.

Kjo puna e valëve që nuk kanë ndërmend të mbarojnë duket si ato të bombës atomike. Meqenëse jemi në luftë edhe krahasimet me armë lufte më dalin.

Jemi futur në llogoret tona, si në betejën e Stalingradit, të rrethuar nga armiku. Përderisa Antoni Fauçi, – si eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, – flet për një valë të katërt pandemie…??? Po pse çfarë u bë virusi, si divizionet e sulmit të Vermahtit që s’kishin të sosur?!

A mos është ca si shumë abuzuese? Domethënë, do t’i vijë fundi kësaj pune, apo do vazhdojmë të jetojmë me frikë në zemër e gjak të ngrirë… dhe me maska në fytyrë sigurisht. Se maskës nuk i shpëtojmë dot. As gjobave.

-Stuhi xha Jaho, stuhi. S’ke ç’bën, sot nuk do shkarkojmë çimento.

-I dhe ujë gomarit…

Kë të besosh mor aman. Se kryeministri ynë na ka dhënë shpresë, që nga vera nuk do të ketë kufizime. Që do të thotë se, virusit do i japim dërrmën e do jetojmë si më parë.

Lexo edhe :  Zinxhiri i drejtësisë që mbron zyrtarët e akuzuar për korrupsion

-Thonë, zoti doktor, se nga behari do shporret dushmani. Do çlirohemi.

-Ashtu qoftë moj nënë, ashtu qoftë!

Jo mo po ku i ke besë virusit. Thonë se është virus inteligjent. Kudo që vetem merr nga një pasaportë të re: virusi kinez, ai britanik… le po ka dhe virus brazilian. Sa valë do kalojnë. Ehu… E gjashta… e shtata… S’ke ku ia sheh fundin. Kot nuk na u thanë nja dy-tre gjëra që në fillim të pandemisë: “është luftë”, “do vazhdojë gjatë”,  “do ndryshojë sjelljen e njerëzve”.

S’keni parë gjë akoma.

Nëse është fjala për për përdorimin masiv të sapunit dhe alkoolit, ky nuk është ndonjë ndryshim i madh. Nëse ndryshimi nuk është bërë evident atëherë na duhet të presim derisa të ndryshojë. Kjo do të thotë se valët do të vazhdojmë t’i numërojmë.

Edhe po shpëtuam nga Covidi, një tjetër pandemi na pret. Këtë e lajmëroi vetë Bill Gejts. Pandemi pas pandemie. O do shkojë atje ku është planifikuar o do bëjë “bum”. Edhe për Covidin na kishte dalë borxhit Billi, por ne s’e dëgjuam. Na tani… paguaj faturat.

Tregu i vaksinave është bërë si tregu i gjësë së gjallë në pazarin e Roskovecit. Ose si ai i Korçës të paktën. Sepse aty shitej gjithçka, nga kuajt, dhitë e gomerët e deri tek drithi.

-Shtrenjtë the? Po nuk e di ti ç’mundime heqim për ta rritur këtë grurë? Flori. Na kanë rënë thonjtë. Pastaj, ai që ka për të blerë nuk pyet në është shtrenjtë a lirë. Nuk ia kemi ngenë e llafit.

-Vërtet nuk ia ke ngenë se të mbyti puna e spekulimit…

Lepe? Mos do të thuash se po spekulohet me vaksinat, zotërote? Flitet për jetë njerëzore, për kujdes human.

Vaksina në kushte emergjence, sot ka prodhuar Amerika dhe Anglia. Ka prodhuar Kina dhe Rusia. Janë gati ta prodhojnë Italia dhe Turqia. Turli vaksinash, aq sa të bëhet koka si lavjerrës orësh. Emergjencë e rrallë. Ashtu si në çdo rast lufte. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për një kohë të shkurtër u hodhën në front shumë armë të reja, tanke, avionë, nëndetëse madje dhe raketa shumëgrukëshe tip “Katjusha”. S’lanë kusur.

Por vaksinën nuk ta lë kush ta marrësh si të duash. Pse u lirua gjë… Vetëm në kushte lufte, kur ka mungesa, një ushtar merr pushkën bosh, tjetri një krehër me fishekë, por pa pushkë. Dhe pastaj duhet të luftosh.

Në Tiranë vaksinimi po ecën me një intensitet të paparë. Tek sheshi “Skënderbej” janë ngritur çadrat. Por ndryshe nga ato të ekspeditave ndëshkimore prej ushtrisë osmane, madje ndryshe dhe nga ato të partive politike që ngrihen sa herë ka ndonjë ngërç për t’u ç’koklavitur, kësaj radhe çadrat kanë karakter humanitar. Epo shyqyr.

“Shqipëria po buzëqesh”!


Të fundit

E rëndë/ 17-vjeçarja vritet me thikë nga një 15-vjeçar, konflikti nisi në rrjetet sociale

Një vajzë 17-vjeçare humbi jetën, pasi u godit me thikë dje në Ivry-sur-Seine, një zonë në jug të Parisit....

“300 euro për person”/ 21-vjeçari nga Bangladeshi arrestohet në Kakavijë

Një 21-vjeçar nga Bangladeshi është arrestuar nga policia nga afërsi të Kakavijës, pasi u kap se po ndihmonte për kalimin kufitar 7 emigrantë të...

Kryeministri Rama publikon videon: Ja pamjet e terminalit të ri në Korçë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamjet nga terminali i ri i autobusëve dhe taksive në Korçë. Teksa ka postuar videon në fjalë, kreu i...

A e vranë shqiptarët nënën 20-vjeçare? Mediat britanike artikull plot urrejtje: Njihen për lidhjet me krimin

I veshur me një kostum të zi dhe me vajzën në krahë, 33-vjeçari Charalambos Anagnostopoulos i ka dhënë lamtumirën e fundit 20-vjeçares me origjinë...

Ndahet nga jeta legjenda e boksit shqiptar

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, legjenda e boksit shqiptar Ahmet Golemi. Golemi i cili ka qenë kampion boksi, është dënuar me 5 vite...

Lajme të tjera

Web TV