Nga Dajti plot oksigjen, ku shihet Tirana mes smogut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është e thënë të shkosh në majën e tij, si alpinistët. Por mund të ndalosh në kuotën e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës”.

 

Nga Leonard Veizi

 

Kur je në Dajt, tek mbushesh me oksigjen dhe lëshon pas vetes dioksidin e karbonit, të duket sikur ajo masë ajri e papërfillshme rrëshket poshtë nëpër rrëpira natyrale e shkëmbinj të “kafshuar” prej dorës njerëzore, për të shkuar në ultësirën ku ngrihet Tirana vetëm 110 metra mbi nivelin e detit, e ku bashkohet me furinë e madhe të smogut që ndot qytetin në një vazhdimësi të pandërprerë…

 

…Dajti është mali më i afërt me kryeqytetin, i cili kap një kuotë prej 1613 metra lartësi. Por atje në majë të këtij mali kanë punë vetëm teknikët e antenave, dhe padyshim kafshët e egra, nëse kanë mbetur akoma në ato anë.

Gjithsesi, që të kalosh një fundjavë interesante në Dajt, nuk është e thënë të shkosh në majën e tij, si eksploruesit, alpinistët apo… gjeologët. Mund të ndalosh në kuotën e 1200 metrave atje ku cilësohet si “Ballkoni natyror i Tiranës” dhe sërish të quhet se je ngjitur në Dajt. Për më tej, duhet ta kishe bërë në mend që në fillim, të visheshe si boy scout me tuta sporti, këpucë alpine e çantë shpine ku duhet të ngresh 30 kilogram peshë me gjithfarë gjërash të domosdoshme për një udhëtim, që nga çadra portative, tek konservat, po pa harruar bidonin e ujit.

Terreni përreth është fort mbresëlënës, ndërsa pamja poshtë, sa më lart të ngjitesh aq më e trishtueshme bëhet. E megjithatë edhe kjo e ka njëfarë bukurie. Dikur, prej malit të Dajtit mund të dalloje 15-katëshin por dhe godina të tjera të rëndësishme të kryeqytetit. Por sot të duhen dylbi që të mund të shquash diçka. Sepse tymnaja gri që qëndron mbi qytet të pengon shikimin. Dhe kjo ta prish krejt qejfin.

Po qe se mushkëritë të janë mbushur me grimca kancerogjene nga tymi i makinave dhe ai i duhanit, në Dajt mund të pushosh ca ditë në ndonjë prej viletave që gjen andej rrotull pa shumë vështirësi. Dhe kur të kthehesh në Tiranë do të ndjedh veten më të lehtë, sigurisht.

Por nëse gjatë rrugës kthen mendje, sepse të duket e mundimshme ngjitja, mund ta ndalësh makinën tek ndonjë lokal, të pish një kafe e një gotë të madhe ujë burimi që zbret drejtpërdrejt nga mali, e si ta kesh marrë veten nga kthesat dhe veshët të të jenë zhbllokuar nga presioni i ajrit, i hipën sërish makinës për të mbërritur në destinacionin e zakonshëm, Tiranën, në rastin më të afërt.

Ka nga ata që nuk duan të lodhen e as ta sforcojnë motorin e makinës në të përpjetat e kthesat e forta, ndaj gjejnë një rrugë tjetër, shumë më komode, i hipin një teleferiku.

Por ka dhe nga ata që ia marrin në këmbë dhe nuk pyesin nga lodhja dhe lartësia.

Vite më parë, shkollat e Tiranës e kanë pasur si një formë detyrimi, që nxënësit e klasës së 8-të e sipër t’i çonin për ekskursion në malin e Dajtit, e të flinin një natë tek Kampi i Pioniereve. Udhëtimi bëhej në dy etapa. Prej shkollës përkatëse deri tek vendi që quhej “gurorja” të çonte një autobus “Skoda” i prenotuar, ku secili paguante një kuotë prej 10 lekësh të vjetra. Prej gurores e deri tek Kampi i Pionierëve rruga bëhej në këmbë. Ishte një udhëtim prej dy a  tre orësh nëpër një terren tepër të thyer e mbushur me shkurrina. Në darkë organizohej një mbrëmje e përbashkët vallëzimi, ku përgjithësisht shkriheshin brezat e ndryshëm, atë të 8-vjeçares, me gjimnazistët dhe jo rrallë herë dhe me studentët e universitetit. Ahengu me muzikë live ia linte vendin zhurmës së vazhdueshme në dhomat e gjumit dhe vetëm afër mëngjesit gjithçka binte në qetësi. Por e nesërmja ishte po ashtu aq lodhëse, sepse zbritja gjithashtu bëhej në këmbë deri tek stacioni i Kinostudios, ku nxënësit e rraskapitur e të pagjumë, paguanin nga tre lekë të vjetra biletën e autobusit urban për të shkuar më pranë shtëpive. Gjithsesi këto ishin ditë që priteshin me ovacion të lartë, pavarësisht peripecive.

Lexo edhe :  “Kisha vetëm 3 euro të fundit, mami po qante”, si mbyti varfërinë Olen Çezari në Itali

Gjithsesi Dajti kishte dalë nga vëmendja për shkak të njohjes së terrenit e meqenëse shpesh të duket “si i shtëpisë”. Ndaj kam qenë në kërkim të njohjeve të tjera të cilat nuk kam pasur mundësi t’i vizitoja më parë. Por gjithmonë ka një kthim tek dashuria e vjetër, sidomos kur periudha e largimit bëhet disavjeçare.

Një pjesë e rrugës është e mirë, që udhëtohet lehtë nëpër të. Gjithsesi, pas postbllokut ku të vihet në dukje se je duke hyrë në Parkun Kombëtar, do të të duhet të paguash një tarifë, 50 lekë të reja për person dhe 100 lekë po të reja për makinën. Prej postbllokut rruga është e ngushtë, e me mure përforcuese në kthesa të forta që duket sikur është ndërtuar prej Luftës së Dytë Botërore e prej atëherë nuk është vënë më dorë. Dhe ndoshta me të drejtë, sepse një urbanizim i tërë i zonës do të thotë të humbasë një pjesë e origjinalitetit të saj. Gjithsesi asaj rruge detyrimisht në kryqëzim me një tjetër makinë do të të duhet të dalësh jashtë asfaltit. Por gjithsesi kjo nuk përbën ndonjë problem të madh aq sa për ta ngritur si çështje.

Rrugës, aty-këtu do të gjesh resorte interesante dhe shtëpiza të vogla druri. Panorama mes pyllit gjithsesi në një ditë pranvere është e bukur, por shumë më tepër është në një ditë dimri mbuluar me dëborë.

Në ballkonin e Dajtit mund të qëndrosh për të bërë fotografi dhe të shohësh qytetin nga sipër. Por zhgënjimi është i madh sigurisht. Sepse gjëja e parë që mendon është se 40 minuta më parë je nisur prej atij pellgu të mbuluar nga smogu gri, dhe nja dy a tri orë më vonë sërish do të jesh pjesë e saj. Dhe terapia disaorëshe me oksigjen e Dajtit nuk të bën derman.

Gjithsesi, Dajti ka qenë dhe mbetet një nga pikat më të frekuentuara turistike, dhe boy scout nuk mungojnë asnjëherë t’i futen aventurës për t’u ngjitur deri në majën e tij e të kalojnë përtej.

Të fundit

Bienalja ndriçon ‘natën’ e të burgosurve femra

Pavioni i Selisë së Shenjtë në shtëpinë e burgut femëror Guidecca Nga Roberto Nardi Dy këmbë të stërmëdha dhe të ndotura...

Përkthimi psikologjik i magjisë së eventit Miss & Mister Durrësi 2024

Nga Fatmir Minguli     Të shkruash për ngjarjen e natës së 5 prillit 2024 që u zhvillua në Pallatin e sportit ‘Ramazan Njala” në Durrës  nuk...

Ramazan Hushi me një libër që të vë në mendime

(Rreth romanit “Përmendorja e Djallit”) Shpendi Topollaj Po të nisesh nga ngjarjet që rrokin jo vetëm një qytet tonin pas rënies së komunizmit, por krejt Shqipërinë...

Një “Engjëll” vdekje, ylli argjentinas që vriste gjithkënd me gjakftohtësi

Nga Leonard Veizi Atij i pëlqente aq shumë rreziku, sa mund të rrezikonte deri në fund pa iu dhimbsur asgjë. Nuk ish në peshore as...

20 Prill 1775/ Lind Philippe Pinel, themeluesi i psikiastrisë moderne

Për shkak të kontributeve të rëndësishme në klasifikimin e çrregullimeve mendore, mjeku francez është përshkruar nga disa si “babai i psikiatrisë moderne”.  Philippe Pinel,...

Lajme të tjera

Web TV