Premtimet për investime të mëdha dhe monitorimi i pakët i tyre nga publiku

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduard Gjokutaj

 

Në fushatën e vitit 2009, vlera e premtimeve për infrastrukturën nga drejtuesi i PD-së llogaritet në 25 miliardë lekë/vit, ndërsa drejtuesi i PS bëri premtime për të njëjtin sektor në një vlerë të llogaritur 10 miliard lekë/vit. Në fushatën e vitit 2013, vlera e premtimeve për infrastrukturën nga drejtuesi i PD-së llogaritet në 35 miliardë lekë/vit, ndërsa drejtuesi i PS bëri premtime për të njëjtin sektor në një vlerë të llogaritur 36 miliard lekë/vit. Në fushatën e vitit 2017, vlera e premtimeve për infrastrukturën nga drejtuesi i PD-së llogaritet në 1.5 miliardë lekë/vit, ndërsa drejtuesi i PS bëri premtime për paketën 1 miliard US.Dollarë, por që për secilin nga vitet e qeverisjes ajo llogaritet të jetë 16 miliard lekë/vit. Këto fonde që në rastin e qeverisjes së PD kulmojnë me rrugën e kombit, e cila ka arritur për periudhën nga fillimi i saj deri më sot mbi 130 miliard lekë, në rastin e PS kulmojnë me paketën 1 miliard US.Dollarë që përkojnë si kundëvlerë me kulmimin e PD-së. Ndryshimi është që këto premtime përsëriten një herë në 10 vite dhe që kanë tendencën, që sa herë që buxheti arrin të mbizotërojë situatën e borxhit publik duke ulur nivelin e tij, vijnë premtime në këto dimensione që e shndërrojnë gjithë politikat dhe mundimet e ekonomisë anemike, të mos arrijë dot asnjëherë të kapërcejë nivelet e rritjes ekonomike që premtohen nga të dy partitë e mëdha Por, ndërsa partitë premtojnë dhe angazhohen lehtësisht në projekte me buxhete të mëdhenj, ajo që konstatohet nga analiza jonë është se mund të jetë e vështirë për votuesit të dinë se çfarë rezultatesh të presin nga miliardat e premtuara drejt infrastrukturës. Një buxhet i madh nuk garanton një vlerë ekonomike më të mirë për publikun.

Politikanët shqiptarë, ashtu si edhe në vende të tjera e kanë premtim kryesor, por edhe program parësor ndërtimin e një infrastrukture të re. Kjo bëhet edhe më e dukshme në rastin e vendit tonë që ka mungesa të mëdha në këtë drejtim. Por, politikanët i favorizojnë projektet e mëdha në krahasim me ato më të vogla, përveç pjesës së marketingut të punës së qeverisë edhe sepse është më lehtë të kapërcejmë kundërshtimin dhe pengesat burokratike dhe mundësia që ti shohim ato deri në realizim brenda mandatit 4 vjeçar është shumë e madhe. Megjithatë, investimet në projektet e mëdha të infrastrukturës duhet të bëhen me qëllime të qarta në mendje dhe këtu në projektet e kaluar duket se nuk është analizuar dhe vlerësuar përfitimi ekonomik i këtyre investimeve. Një provë e qartë është dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së rrugës së Kombit, e cila është një investim që përveç tejkaloi mundësitë e financimit nga buxheti jonë,në po të njëjtën vështirësi e ka vendosur gjithë këto vite edhe për mirëmbajtjen e saj. Por, kostoja për gjithë këtë investim shumë të madh për buxhetin mund të rimerret pas më shumë se 100 vitesh dhe natyrisht që ky nuk është një investim i bazuar te përfitimi ekonomik.

 

Nëse një investim nuk adreson një nevojë të qartë publike, ai mund të rezultojë në një rast dështimi të menaxhimit fiskal dhe ekonomik.

Në po të njëjtin nivel rrisku është edhe projekti i infrastrukturës brenda paketës “1 Miliard”, pasi duket se ekspertët dhe studimet e parafizibilitetit nuk rezultojnë të shfaqin rikthim të shpejtë të investimit në këto projekte. Aq më tepër kur buxheti aktualisht nuk ka asnjë mundësi të investohet në asnjë kontratë të re, pasi nuk mundet të mbajë dot pagesën e kontratave të nënshkruara (Partneritetet publike-private, PPP) në këto vite të fundit.  Nisur nga mungesa e performancës pozitive në të ardhurat buxhetore është gjetur zgjidhja duke marrë borxh në tregjet e huaja, por kjo është një temë që prek shumë më fort performancën e ekonomisë edhe për të ardhmen. Në një analizë të ndikimit të investimeve te borxhi publik shikojmë se në 2019, nga një llogaritje e vlerave të investuara në infrastrukturën rrugore nga dy burimet e buxhetit (Ministria e Transportit dhe pas 2017 Ministria e Infrastruktures, si dhe Fondi i Zhvillimit) shuma e investimeve në infrastrukturë zë 60% të kostos së borxhit publik si mesatare 10 vjeçare (shih Tabela).  Ndërkohë, për të parë kufijtë e ndikimit në rritjen e ekonomisë duke analizuar raportin midis vlerës së investimeve rrugore ndaj rritjes së PBB-së, shikohet një korrelacion jo simetrik. Ekonomia ka patur rritje më të vogël se vlera e investimeve në disa vite (2010, 2013), që tregon se në këto vite vlera e investimeve ka qenë në kurriz të vetë rritjes vjetore. Duke marrë si mesatare që norma mesatare e rimarrjes së investimeve në infrastrukturën rrugore nuk kalon më shumë se 15-20% në vit, atëherë analiza tregon se shumë nga këto investime në rrugë kanë gjeneruar më pak të ardhura sesa kostoja e tyre e huamarrjes, duke lënë humbje të mëdha.

 

 

Nisur nga kjo llogaritje e thjeshtë vetë qeveria duhet të konsiderojë edhe njëherë prioritetet e investimeve nisur nga përvoja dhe vlerat ekonomike të fituara deri më sot.

 

  1. Ecuria e Premtimeve: Shembulli i TVSH për energjinë, dëshmi e papërgjegjshmërisë së partive

 

Panorama e premtimeve elektorale të disa prej proceseve zgjedhore nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e forcave politike. Qartësisht ato marrin angazhime publike të natyrës populiste, pa u bazuar mbi një analizë të thelluar të treguesve ekonomiko-financiar. Rrjedhimisht, qasja e tyre ndaj premtimit të dhënë ndryshon rrënjësisht kur janë në opozitë dhe pasi marrin të drejtën për të qeverisur vendin. Një prej rasteve ilustruese është çmimi i energjisë elektrike. Sipas raportit zyrtar të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2004, niveli i humbjeve totale kundrejt energjisë së futur në rrjet në Shqipëri rezultonte 39.7%. PD në opozitë, premtoi në programin e saj elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të Korrikut 2005 se do të ulte TVSH për energjinë për familjarët nga 20% në 6%. PD i fitoi zgjedhjet e Korrikut 2005 ndërsa niveli i humbjeve të energjisë për këtë vit arriti në 40.9%. Në vitin 2005, çmimi ishte 4.5 lekë/kilovat për konsumin brenda fashës dhe 9 lekë/kilovat për konsumin mbi fashë. Në vitin 2006 u ndryshua çmimi duke u rritur në 7 lekë/kilovat dhe u hoq fasha mbrojtëse. Për ambientet e përbashketa u rrit si tarifë nga 4.5 në 7 lekë/kilovat. Kjo skeme funksionoi për vitet 2006 dhe 2007. Në vitin 2008 bëhet ndërhyrja e dytë duke rikthyer fashën mbrojtëse, duke mbajtur 7 lekë/kilovat konsumin brenda fashës, 7 lekë/kilovat çmimin për ndriçimin e ambienteve të përbashkëta dhe duke rritur në 12 lekë/kilovat çmimin mbi fashën mbrojtëse. Në vitin 2008 vendoset dhe një tarifë fikse 200 lekë për shërbimin e leximit zero lekë/muaj. Kjo skemë çmimi u mbajt në fuqi për vitet 2008-2009. Pavarësisht se PD ishte në kushtet e pamundësisë për të përmbushur premtimin e dhënë për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike, LSI në opozitë, në programin elektoral të vitit 2009 premton “subvencionojmë energjinë për 300 kilovat/orë në muaj për konsumatorët familjarë të varfër”. Ndërkohë humbjet totale në rrjetin elektrik për vitin 2008 rezultonin në nivelin 34%. Në vitin 2010 bëhet ndryshimi i tretë i çmimit: konsumi brenda fashës mbrojtëse rritet si çmim në 7.7 leke/kilovat, konsumi mbi fashën mbrojtëse rritet në 13.5 lekë/kilovat; tarifa për ambientet e përbashkëta rritet në 8 leke/kilovat dhe mbetet 200 lekë tarifa fikse e shërbimit për leximin zero. Ky çmim u mbajt pa prekur për vitet 2010-2014. Gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj, PD nuk mundi të mbante premtimin për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike. Në seancën parlamentare të 23 Dhjetorit 2011, Partia Socialiste në opozitë paraqiti një amendament në projektbuxhet ku propozonte mes të tjerave edhe “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ulet nga 20% që është sot, në 17%. Do të adoptohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% vetëm për furnizimet me energji elektrike”. PD rrëzoi propozimin e opozitës socialiste me pretendimin se synon goditjen e qëllimshme të qeverisë në financat publike. Niveli total i humbjeve në rrjet për vitin 2011 rezultoi të ishte 35.6%. Ndonëse humbjet në rrjetin elektrik do të rriteshin dhe në vitin 2012 do të arrinin 43.9% duke e futur sistemin në kolaps financiar ndërsa konflikti me kompaninë CEZ Shpërndarje arriti kulmin, opozita nuk do të nguronte të “peshkonte” votuesit në fushatën elektorale të Qershorit 2013 me premtimin për ulje të TVSH-së për energjinë. Në programin elektoral të “Rilindjes” parashikohej ulje e TVSH-së për energjinë elektrike në nivelin e 6 % për konsumatorët familjarë. PD në qeverisje do të mjaftohej me një premtim për subvencionim të energjisë elektrike për pensionistët. Më e çlirët në propozime dukej LSI, një forcë politike që vinte nga bashkëqeverisja me demokratët dhe rreshtohej në koalicionin opozitar 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare. LSI premtoi 400 kilovat/orë në muaj subvencionim energjie për familjet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. 100 kilovat/orë në muaj falas për familjet në nevojë dhe kryefamiljarët pensionist ndërsa për sasinë prej 100 deri 400 kilovat/orë çmimi energjisë elektrike do të ulej nga 9 lekë në 5 lekë. LSI angazhohej që të nxirreshin nga skema e subvencionimit familjet me të ardhura të larta ose ato që konsumojnë mbi 600 kilovat/orë në muaj.

 

PS bashkë me LSI i fituan zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2013 dhe krijuan një qeveri koalicioni. Niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjet në fund të vitit 2014 ishte 35.7%. Qeveria nxiti reformimin e sistemit të tarifave të energjisë elektrike. Energjia nuk do të faturohej më tej me dy fasha, por vetëm me një të tillë dhe çmimi unifikohej në 9.5 lekë/kilovat. Kjo nënkuptonte rritje të çmimit për ata klientë familjarë të cilët më herët konsumonin deri 300 kilovat orë dhe tarifoheshin me 7.5 lekë/kilovat. Pamundësia e PS për të mbajtur premtimin e dhënë për uljen e TVSH-së për energjinë nga 20% në 6% për konsumatorin familjar nuk e pengoi PD në opozitë, që në programin elektoral për vitin 2017 të rikthente premtimet populiste. PD premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe falje të kamatëvonesave dhe u angazhua se 300 kilovat energji elektrike do të paguhen nga shteti për familjet në nevojë. Ndërsa palët i drejtohen zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit dhe partitë politike i ndërrojnë rolet herë në opozitë e herë në qeverisje, TVSH për çmimin e energjisë elektrike vazhdon të jetë 20%.

 

 

  1. Shëndetësia falas dhe kostoja e premtimeve me vlerat buxhetore të alokuara në 4 vite

Premtimi i Sistemit Universal të Shëndetit të Kandidatit për Kryeministër Edi Rama ishte një risi për PS, ndërsa Kryetari i LSI, Ilir Meta e kishte artikuluar si premtim edhe më përpara pavarësisht nga emërtimi i shërbimit. Edi Rama premtoi një sistem kombëtar të kujdesit shëndetësor në ofertën e tij elektorale në zgjedhjet e vitit 2013 dhe gjatë qeverisjes së tij në 2013-2017, ai u përpoq ta zbatonte sistemin. Në procesin e zbatimit, ai u përball me një rezistencë të vetë sistemit egzistues, por edhe hezitimeve për mënyrën e financimit të refotrmës, e cila është pjesa më e rëndësishme e saj.  Por a i kushtoi politikisht Socialistëve kjo reformë në zgjedhjet e vitit 2017?

Duke e analizuar këtë pyetje nga të dhënat e tabelave të buxhetit për periudhën 2012 deri në 2017 shikohet se, në serinë e alokimeve të buxhetit për sektorin e shëndetësisë nuk ka patur në asnjerin nga vitet pas deklarimit të reformës alokime fondesh, që të mund të bëjnë ndryshimin e madh të një reforme që duhet të përfshijë gjithë popullsinë.

Lexo edhe :  Kërkesa të shumta nga të huajt për apartamente ditore/ A i rriti turizmi qiratë?

 

 

Me këto ritme të alokimit të fondeve kjo reformë nuk mundet të arrijë të krijojë një qëndrueshmëri që të vlejë për politikat shëndetësore të ardhme, për sa kohë burimet e financimit nuk shkojnë më shumë se 28% në krahasim me fillimin e reformës brenda një mandati qeverisës. Edhe pse shëndetësia në premtimet e dy forcave politike të koalicionit (PS dhe LSI) rezulton se mund të konsumonte një buxhet shtesë i propozuar nga PS dhe LSI, respektivisht me 10 deri 29 miliardë lekë më shumë. Në fakt buxheti i zbatuar përkon me një rritje në 4 vite për jo më shumë se 8.3 miliardë lekë. Në fakt, ky fakt nuk ishte një arsye më shumë për të ndikuar në vendimin e votuesve për të kërkuar llogari për mospërmbushje të premtimit të dhënë në ato nivele që u premtua. Një arsye madhore është mungesa e informacionit të detajuar dhe të qartë, si dhe analiza e kuptueshme bazuar në vlerat financiare dhe shërbimet e dhëna. Gjithsesi, mungesa e studimeve analitike, por edhe mangësia në fokus për çështje që kanë nevojë të argumentohen nga këndvështrimi ekonomik dhe financiar mbeten ende sfida në luftën politike të partive kryesore.

  1. Premtimet për të varfërit dhe përmbushja sipas vlerave buxhetore

 

Premtimet për kategoritë e njerëzve në nevojë kanë qenë të përfshira në fokusin e premtimeve kryesore në fushatat zgjedhore të kaluara. Por, nëse nisemi në krahasimin e vlerës buxhetore të alokuar për këto kategori, që i përket jo gjithë buxhetit për politikat sociale, por vetëm politikave të premtuara, sipas Tabelës 17 shikojmë një disbalancë që tregon për një performancë të përmbushjes të jo më shumë se 50% të premtimeve në të tria fushatat.

Në fushatën e vitit 2009, partitë e majta (PS dhe LSI) kanë premtuar politika sociale shtesë që përkojnë me një kosto të llogaritur në nivelin 8 miliardë lekë për 4 vite. PD, si parti e krahut të djathtë politik ka bërë premtime që shkojnë në vlerë shtesë për buxhetin sa dyfishi i secilës prej partive të majta. Në fakt, përgjatë periudhës së qeverisjes së koalicionit mes PD dhe LSI nuk u alokuan fonde buxhetore shtesë më shumë se gjysma e vlerës së premtuar. Në fushatën zgjedhore 2013, nisuar nga qëllime të përfitimeve elektorale, të tria partitë tashmë premtojnë shtim të buxhetit për realizimin e premtimeve sa dyfishi i asaj çfarë kishin premtuar në zgjedhjet e vitit 2009. Qeverisja e koalicionit të majtë megjithëse rezulton me një rritje të buxhetit në vlerë abosolute për politikat sociale nuk ka arritur dot të jetë si nivel përmbushje as në nivelin e përmbushjes së qeverisjes së kaluar. Në fushatën e vitit 2017, përsëri premtimet mbeten në nivele të larta shtimi të buxhetit, por të krahasueshme si vlera premtimesh me ato të zgjedhjeve të vitit 2013. Në qeverisjen që ende është në muajt e fundit të saj nuk shikohet shtim buxheti as në vlerë absolute, por edhe si nivel përmbushje më shumë se dy zgjedhjet e kaluara. Në gjithë këtë analizë vërejmë se premtimet nisen më së shumti nga nevojat elektorale dhe për të maksimalizuar votën e qytetarëve, por nuk kanë në bazë të tyre vlerësimin real të mundësive të përmbushjes së premtimeve që japin.

 

  1. Premtimet për uljen e taksave dhe përmbushja e tyre nga tre qeveritë e fundit

 Në premtimet e PD dhe LSI në 2009 janë edhe premtimet fiskale që zënë një pjesë të madhe të premtimeve të zgjedhjeve të vitit.  Por, si vajti fati i premtimeve dhe efekti i tyre gjatë qeverisjes Berisha 2? Në aspektin e optimizimit të ekonomisë, premtimi më i përgjithshëm por me mjaft peshë për rritjen e investimeve të huaja në ekonominë e vendit duket se nuk ka arritur të jetë më shumë se 2.8 miliard Euro në 4 vitet e qeverisjes së PD dhe LSI, ndërsa u premtuan 8 miliard Euro. Llogaritjet tona tregojnë se investimet faktike kanë dhënë një kontribut prej 4 miliard lekë në buxhet, nëpërmjet arkëtimeve të taksave të konsumit, si dhe tatimit mbi të ardhurat, përfshirë edhe taksat kombëtare dhe ato vendore. Politika fiskale e premtuar ka dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 20 miliard lekë. Shtesa vjen kryesisht nga efektet e taksave nacionale (15 miliard lekë),  kontributet e sigurimeve (10.2 miliard lekë), si dhe tatimit mbi të ardhurat personale (2.8 mld. Lekë). Por nga ana tjetër, edhe pse janë bërë përjashtime për TVSH ato nuk kanë dhënë efektet e pritshme pasi shtesa është vetëm 1.9 miliard lekë, por që më së shumti është ndikim nga rritja e konsumit nga investimet. Po kështu edhe tatim fitimi ka një rezultat negativ me minus 2 miliard lekë. Po të përfshijmë në analizën e fakteve të buxhetit edhe diskutimin lidhur me ndikimin e taksës së sheshtë vlen të thuhet se shtesa e saj është e pakët ndër gjithë nevojat që ka patur buxheti për të ardhura. Në tërësi, taksa e sheshtë ka dhënë një efekt rezultant (±) me jo më shumë se 800 milionë lekë. Kjo qeverisje nuk arriti dot të përmbushte programet lidhur me luftën ndaj informalitetit. Kjo politikë bashkë me antikorrupsionin mbeti sfidë që nuk u adresua dot sipas premtimeve të dhëna edhe pse treguesit janë më të ulët se pasardhësit.

Në zgjedhjet politike të vitit 2013 gjithashtu pati premtime të mëdha për investimet e huaja dhe zhvillimin e ekonomisë. Pas fitores së zgjedhjeve nga koalicioni i majtë dhe krijimi i Qeverisë Rama 1 rezultoi se premtimet e dhëna dhe rezultati fiskal nuk u arrit edhe në vitet 2013-2017.

Në aspektin e optimizimit të ekonomisë, premtimi me peshë për rritjen e investimeve të huaja në ekonominë e vendit duket se nuk ka arritur të jetë më shumë se 3.6 miliard Euro në 4 vitet e qeverisjes se PS dhe LSI edhe pse është 800 milion Euro më shumë. Por, disa investime janë firmosur në fund të mandatit të qeverisjes së kaluar, të tilla si: HEC e Devoll dhe projekti TAP dhe vijojnë për inerci zbatimin në qeverisjen e koalicionit të majtë. Llogaritjet tona tregojnë se ato kanë një ndikim në të ardhurat e buxhetit që ka arritur deri në 7.5 miliard lekë nëpërmjet arkëtimeve të taksave të konsumit nga efekti zinxhir i qarkullimit, si dhe tatimit mbi të ardhurat, përfshirë edhe taksat kombëtare dhe ato vendore. Politika fiskale e premtuar ka dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 63 miliard lekë. Ky kontribut, dukshëm më i madh gati 2.5 herë se qeverisja e kaluar vjen më së shumti nga efektet e taksave të konsumit, ku TVSH ka shtuar me 15.8 miliard lekë në fund mandati dhe akciza ka shtuar me 4.3 miliard lekë. Ndikim në këtë rritje të të ardhurave fiskale kanë edhe tatimet mbi të ardhurat, ku tatimi mbi fitimin ka një hyrje shtesë me 10.1 miliard lekë dhe tatimi mbi të ardhurat ka një hyrje shtesë me 3.3 miliard lekë. Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat në këndvështrimin e efekteve nga aplikimi i taksës progresive, shihet se shtesën buxhetore më të madhe e ka dhënë rritja e normës së tatimit të fitimit (nga 10% u rrit në 15%). Tatimi progresiv, i cili u zbatua mbi pagat e sektorit privat dhe publik dha një shtesë në të hyrat buxhetore me vetëm 14 përqind më shumë se i njëjti tatim mbi pagat në qeverinë e kaluar. Ndërkohë, taksat nacionale dhe taksat e tjera bashkë me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kanë dhënë një të ardhur shtesë me 28.5 miliard lekë. Nisur nga fakti që tatimet mbi konsumin kanë një rritje të dukshme më të mirë se në qeverisjen e kaluar (+13.9 miliard lekë) edhe pse janë bërë përjashtime për TVSH dhe një ritëm rimbursimesh më i lartë, kjo tregon për një rritje të konsumit për arsye të investimeve më të mëdha, por edhe nga formalizimi i punonjësve informalë, të cilët tashmë legalizuan konsumin e tyre në ekonominë formale. Edhe për këtë qeverisje lufta ndaj informalitetit mbeti sfidë që nuk u adresua dot sipas premtimeve të dhëna bashkë me antikorrupsionin, i cili ka shënuar rritje më të madhe se në qeverinë paraardhëse.

 

Në zgjedhjet e fundit politike, të mbajtura në vitin 2017 vijuan nga të gjithë palët premtime dhe programe të pjesshme për politikat ekonomike dhe fiskale, si dhe për ndryshimin e disa taksave. Në fakt pas qeverisjes së një partie të vetme u formua Qeveria Rama 2, e cila vijon të mos i ketë mbajtur premtimet e dhëna, sipas edhe gjetjeve si më poshtë. Treguesi i zhvillimit ekonomik nuk u rrit sipas premtimeve të dhëna, por edhe te niveli i njëjtë i investimeve të huaja nëse krahasohen me qeverisjen e kaluar. Nga referencat studimore, rezulton se investimet e huaja për 4 vitet e qeverisjes nuk mundet të kalojnë përtej 3.9 miliard Euro. Këto investime llogaritet të kenë dhënë një efekt pozitiv në buxhet me të paktën 7.5 miliard lekë, duke patur parasysh sektorët ku është investuar dhe efektin zinxhir në të ardhurat tatimore. Politika fiskale e premtuar në analizën është kufizuar në dy vitet fiskalë, 2018 dhe 2019 duke marrë në konsideratë situatën e jashtëzakonshme të ndikuar prej bllokimit të ekoonmisë nga pandemia. Për periudhën e analizuar rezulton se politikat e zbatuara sipas premtimeve të vitit 2017 kanë dhënë një efekt shtesë në të ardhurat e buxhetit me 6.9 miliard lekë. Ky kontribut, është ndikuar nga rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale me 9.6 miliard lekë. Në këtë rritje të lartë ka ndikuar efekti i uljes së tatimit mbi dividentin, i cili ka favorizuar pagesat nga kompanitë e mëdha që janë rezidente në Shqipëri në kontribut vjetor prej 7.8 miliard lekë. Kjo rritje e të hyrave nga ky tatim ka mbuluar deficitet edhe për TVSH dhe tatim fitimin. Gjithashtu edhe sigurimet shoqëerore dhe shëndetësore kanë dhënë një vlerë të shtuar në buxhet me 5.3 miliard lekë. Nëse analizojmë tatimin mbi të ardhurat personale pas më shumë se 6 vitesh nga fillimi i zbatimit të mekanizmit fiskal të taksimit progresiv shikojmë se efekti në buxhet është 16.5 miliard lekë, ku 8 miliard lekë është kontributi vetëm nga tatimi mbi pagat. Nisur nga ky fakt buxhetor, progresiviteti është bazuar dhe rënduar mbi pagat e punonjësve, ku më i rënduari është pjesa e pagave të larta nga sektori privat. Natyrshëm, që ky efekt është i rëndësishëm për të hyrat e buxhetit, por momenti që një taksë rëndon mbi një kategori apo segment taksapaguesish dhe nuk takson gjithë kategoritë e tjera nevojitet të rishikohet për një shpërndarje të re dhe të drejtë të barrës fiskale. Ndërsa diskutojmë për besueshmërinë e premtimeve zgjedhore si dhe përmbushjen e tyre nga qeveria ne vërejmë se partitë politike nuk marrin në konsideratë në mënyrë të qartë dhe transparente problemin e informalitetit në ekonomi dhe të vjedhjes apo blerjes së votave, të cilat janë faktorë ndikuesë në hartimin e premtimeve. Ky fakt shikohet nga numri i madh i premtimeve të pamatshme, por edhe atyre që janë të matshme por pjesërisht të besueshme nisur nga mos patja e një reference afatgjatë ku ato të mbështeten.

 

Të fundit

Çështja Beleri, zbardhen pjesë nga vendimi i gjykatës

Në dosjen e GJKKO, thuhet se Fredi Beleri ka hapur një grup WhatsApp, ku kërkon që ta ndihmojnë për...

Eksperimenti interesant në qytetet shqiptare, çfarë zbuloi Banka Botërore

Banka Botërore ka kryer nje eksperiment shume interesant ne qytetet shqiptare. Vullnetarët e saj vendosën sensorë të temperaturës dhe lagështisë në automjete dhe udhëtuan nëpër...

Rreth 150,000 njerëz do të mirëpresin flakën olimpike në Marsejë

Më 8 maj, rreth 150 mijë njerëz pritet të mirëpresin flakën olimpike, e cila do të mbërrijë në Belem nga Greqia me një lundrim...

Merr fund dilema, zbulohet italiani që i ka rrëmbyer zemrën Eglës

Prej ditësh po përflitet për partnerin e aktores Egla Ceno e cila siç tashmë e dimë është një nga konkurrentet më të forta të...

Media spanjolle jehonë Shqipërisë, nga Thethi në Berat: Vendi më i lirë për të udhëtuar!

Nga Cristina Blanco Vázquez/ El Debate I quajtur Karaibet Evropiane, Shqipëri është vendi bregdetar më i përballueshëm për sa i përket çmimeve, ushqime dhe udhëtime rreth...

Lajme të tjera

Web TV