Presidenti i 8-të i Republikës, Bamir Topi, në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, komentoi zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve. Cili do jetë fati i opozitës sipas ish-presidentit dhe çfarë duhet të bëjë kreu demokrat Lulzim Basha pas disa humbjeve radhazi.
Nuk kthehet në PD dhe për të zgjedhjet e 25 prillit thotë se kanë përfunduar derisa ndërkombëtarët i kanë përshëndetur. Ish-presidenti Bamir Topi parashikon se Lulzim Basha do zgjidhet sërish kryetar i Partisë Demokratike në korrik kur do mbahen gara në këtë parti. I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Topi nuk shikon ndonjë ndikim të fortë nga grupi i PD që kërkojnë largimin e Bashës dhe këtë e lidh edhe me ndikimin e Sali Berishës. Topi përsërit që pa u larguar Berisha PD nuk mund të ndryshojë. Topi bën një kritikë edhe për Bujar Nishanin duke thënë se duhet të jepte dorëheqjen si kryetar i Këshillit Kombëtar në momentin kur nuk u miratuan listat në këtë institucion. Topi ka edhe një kritikë edhe për Jozefina Topallin si mbështetësen më të fortë të Berishës sidomos me ndryshimet kushtetuese në 2008 por që u bë edhe vetë viktimë.
Zoti Topi, zgjedhjet e 25 prillit ishin të 10-tat parlamentare të tranzicionit dhe të 28-ta në historinë e shtetit shqiptar. A ishin këto zgjedhje më të mirat në krahasim me zgjedhjet e tjera të zhvilluara pas tranzicionit?
Më kujtohen zgjedhjet e 31 marsit 1991 kur në një takim me politikanin dhe ish-senatorin italian Panela pyetjes së tij se si të duket situata i thashë që Partia Demokratike ka frymën, ndërsa komunistët kanë rezultatin në xhep. Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Më 31 mars 1991 kështu ndodhi. Nga çfarë pritej Partia e Punës fitoi zgjedhjet. Jemi ekzaktësisht 30 vite prapa. Sigurisht që shumë gjëra kanë ndryshuar. Por më duket sikur me zgjedhjet politike por edhe ato lokale jemi futur në një shtrat kronik. Në një organizëm me probleme dhe asnjëherë nuk dolëm nga këto probleme. Herë shfaqet një simptomë dhe herë shfaqet një simptomë tjetër. Por tek e fundit ky organizëm mbetet një i sëmur kronik. Që do të thotë që zgjedhjet sigurisht mbaruan. Kishin problemet e tyre, pra askush nuk mund të thotë dhe ta mbulojë me tis lavdie. Nga ana tjetër askush nuk mund të japë një vlerësim negativisht për gjithçka. Zgjedhjet kaluan. Zgjedhjet kishin problemet e veta. Por dua ta mbyll këtë koment që të gjitha problemet vinë nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Megjithatë në momentin që flasin ndërkombëtarët të paktën sipas përvojës sime, zgjedhjet kanë përfunduar. Do ketë kontestime por në fund nuk do dilet në ndonjë përfundim pozitiv për opozitën.
Në të gjithë karrierën tuaj, a di ti ktheheshit edhe një herë të bënit të njëjta gjëra apo do ndryshonit diçka?
Duket se ka një rregull në politikë lidhur me kontributet. Vjen i fundit dhe i merr të tëra. A do ti kthehesha? Pse jo. Të njëjtën gjë do bëja. Ka qenë rrugë pasionante. Askush nuk më futi me zor. Kam njohur shumë njerëz, me karakter dhe pa karakter. Me kauza apo profitator. Por kam bërë atë që kam dëshiruar vetë.
Zoti president a do ktheheshit në këto momente në Partinë Demokratike edhe për faktin që PD po kalon një situatë delikate pas tre humbjesh radhas në zgjedhjet parlamentare?
Unë mund të flas me interes me pasion dhe me prekupacion. Por nuk e kam këtë ndjenjë që ju më pyetët.
Një grup anëtarësh dhe personalitetesh të rëndësishëm mund t’ju afrojë juve të ktheheshit. A do pranonit?
Jo domosdoshmërish që të jesh në një strukturë mund të konsiderohesh sikur je atje. Jo. Unë jam këtu. Ne po flasim për këtë punë. Unë e kam zgjedhur të jetoj këtu. Dhe imagjinoni fëmijët e mi i kam shkolluar këtu.
Cili është mendimi juaj për zotin Basha në këto momente?
Në vitin 2013 kur Basha u zgjodh në krye të PD unë kam thënë: Për aq sa unë e njoh PD-në, për aq sa unë njoh raportin e kryetarit me ish-kryetarin, mënyrën e sjelljes së kryetarit të ri, që për hir të vërtetës që përveç një buzëqeshje karakteristike, ka në vetvete shumë hipokrizi. Pra kam thënë që ka ardhur dhe do iki pa trofe. Jemi në vitin 2021. Që nga 2013 kanë kaluar 8 vjet dhe nuk ka asnjë trofe. Megjithatë ajo që më bëjnë përshtypje është një nxitim i disa personave të rëndësishëm të asaj partie për t’i thënë Bashës ik. Dhe askush nuk ka prekur atë që është dominant në atë parti. Dominanti ka qenë është dhe do të jetë Sali Berisha. Por që nuk nxjerr nga përgjegjësia Lulzim Bashën.
Cili është mendimi juaj për dorëheqjen ne Bashës nga drejtimi i PD?
Për mendimin tim dorëheqja është një akt personal. Ata që e kërkojnë kanë parë atë që pikërisht zoti Basha nuk e ka, kurajën guximin që të mbajnë një qëndrim për dështimet e vazhdueshme. Nxitimi për t’i kërkuar zoti Basha dorëheqjen ndërkohë që zgjedhjet janë në korrik dhe korriku është shumë afër dëshmon fobinë dhe atë çka të gjithë njohin brenda PD. Atje mund të kesh shumë të drejtë. Mund të jesh shumë racional, por rezultatin e dikton lidershipi.
Domethënë ke shumë të drejtë, por nuk ke të drejtë.
Sigurisht. A e dini ku nuk jap të drejtë këtyre njerëzve? Sepse të gjithë ata që u larguan nga lista në vitin 2017 nuk pati një njeri të vetëm të kishte kurajën të thotë se këtu është dora e Sali Berishës.
Çduhet të bëjë Basha?
Basha duhet të dalë nga hipokrizia. Hipokrizia ka dëmtuar PD-në, ka dëmtuar të djathtën dhe po dëmton atë vetë. Vazhdojmë të jemi në kushtet e një hipokrizisë dhe të një situate që kërkon të mbahet me çdo kusht.
Zoti Topi, ju edhe thoni që ai duhet të japë dorëheqjen, por duhet të bëhen zgjedhjet në korrik. Pse?
Nuk thashë këtë. Dorëheqje është një akt personal.
A duhet ta japë apo jo?
Unë them se derisa ai nuk e jep, të gjithë të tjerët duhet ta kthejnë vëmendjen në zgjedhjet e korrikut por parashikimi im është që nuk kanë për të ndryshuar gjë.
Po ka një kontradiktë këtu. Ku humbi Sali Berisha ku. Pse Basha mos të bëjë të njëjtën gjë?
Unë jam dakord që Basha të japë dorëheqjen. Por kjo është një çështje e një akti personal.
Po ai nuk e jep ai dorëheqjen.
Atëherë të gjithë të tjerët duhet t’i drejtohen me një probabilitet të ulët për ta zëvendësuar në korrik të këtij viti.
Po Basha strukturat i ka ngritur vetë. Këshillin Kombëtar e ka vetë. Zoti Nishani deklaroi se nuk është mbledhur Këshilli Kombëtar për të miratuar listat. Atëherë?
Atëherë i pari që duhet të jepte dorëheqjen duhet të ishte Bujar Nishani me gjithë respektin. Në momentin kur Basha bën listën dhe kryetari i Këshillit Kombëtar nuk ka dijeni, atëherë jep dorëheqjen. Urdhëro. Për çfarë je ti? E para nuk mund të pranohet që kryetari i Këshillit Kombëtar të mos jetë kandidat për deputet. Unë nuk mund ta pranoj. Për çfarë je aty? Honoris causa? Por PD duhet të rithemelohet. Ka nevojë për njerëz të tjerë. PD duhet të purifikohet për të mos shkuar në disfatën e radhës.
Si mund të bëhet kjo?
Po përtej të tjerave unë kam teorinë e dominantit. I pari që duhet të largohet është Sali Berisha më gjithë kontributin. Unë i njoh kontributin. Berisha duhet ta lërë PD-në në rrugë të lirë.
Berisha është larguar. Statuse në facebook bën dhe intervista jep. Unë kam një teori që Basha e ka krijuar këtë perceptim sikur Berisha dominon.
Unë e njoh mirë atë parti nga brenda. Berisha e drejton.
Cili është mendimi juaj për Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin? A duhet të kthehen ata në PD?
Ndryshojnë. Topalli është bashkëautore dhe mbështetëse e flaktë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe ra viktimë vetë e asaj që mbështeti. Ndryshe është Patozi. Nuk ka analogji.
Zoti Topi cila është arsyeja që ju dhatë dorëheqjen nga Fryma e re Demokratike. A lidhej kjo me faktin se Sali Shehu firmosi një aleancë me Lulzim Bashën? Për të shkuar më pas te incidenti që ishte edhe zoti Meta në zyrat tuaja.
Përgjigjen e kësaj pyetje do ta bëj publike në një libër që del shumë shpejt në botim.
Si e komentoni ofertën e Ramës për bashkëpunim me PD-në?
Është normale deri në momentin që duhen ligje që i shërbejnë integrimit në BE. Por do theksoja që çdo hap tjetër që do tentojë në bashkëqeverisje do ishte asgjësim i demokracisë. Të bësh opozitë do të thotë ta lësh kryeministrin pa gjumë.
Si ka qenë Rama me gjumin sipas jush?
Unë nuk kam fjetur me Ramën.
Cili është mendimi juaj për nismën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Meta?
E kam thënë në një moment kur mazhoranca ka të gjitha pushtetet Ilir Meta është i vetmi që mund të bëjë bllokadë këtij superpushteti.