Kuvendi miratoi në seancën e së premtes ndryshimet në Kodin Rrugor, ndryshime që do të hyjnë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Pas këtij momenti, të gjithtë drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes jo vetëm se gjobat për shkeljet aktuale të këtij Kodi janë ashpërsuar, por edhe për një shkelje të re që shtohet.
Bëhet fjalë për “sjelljen agresive në rrugë”, një parashikim i shtuar në Kodin e ri. Çfarë nënkuptohet me këtë?
“Rastet kur drejtuesi i mjetit, në rrugë inter-urbane kryesore e dytësore ushtron presion, ose agresion me sistemet e ndriçimit dhe nuk ruan distancën e sigurisë, duke vënë në rrezik serioz përdoruesit e rrugës para tij”, sqaroi deputetja e PS-së, Vasilika Hysi.
Kjo do të thotë se drejtuesit duhet të bëjnë kujdes kur sinjalizojnë me drita edhe shoferët përballë, për t’i “lajmëruar” se përpara kanë një patrullë të Policisë Rrugore, pasi mund të bëhen subjekt i kësaj shkeljeje dhe të gjobiten.