Nga Plator Nesturi
Pas zgjedhjeve të 25 prillit duket se ka një angazhim dhe vëmendje të BE nga Shqipëria. Komisioneri i Jashtëm, Borrel ishte i qartë në deklaratën e tij për angazhimine dyanshëm dhe për vijimin e precedurave për hapjen e negociatave midis BE dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Madje Borrel shprehu angazhim dhe vëmendje të shtuar dhe për Ballkanin Perëndimor ku gjithçka duhet të hyjë në një proces analizash dhe ndërveprimi për të ardhmen e rajonit. Por kjo nuk ish një rrufe në qiell të hapur. Disa ditë pas zgjedhjeve, në Tiranë mbërriti Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili pas takimit me kryeministrin Rama deklaroi se Shqipëria nuk duhet të humbë kohë dhe pa një parlament të plotë dhe fuksional në Shtator, nuk mund të bëhet përparim drejt BE-së. Ky ishte dhe sinjali i parë i vlerësimit për Shqipërinë dhe për organizimin e mirë të zgjedhjeve, çka ishte kalim i provës për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Rama mori pjesë gjithashtu në konferencën mbi BE në Itali “The State of the Union”, ku parashtroi se synimi i vetëm i Shqipërisë mbetet BE. Për këtë synim Rama u shpreh se i ka bërë dhe një ftesë opozitës që energjitë e politikës të mos harxhohen në betejën e koniukturave të ditës por të bashken si kontribut për integrimin e vendit. Kjo ftesë për opozitën, që diskutohet dhe në vend, përfshin një bashkëpunim të gjerë deri në një bashkëqeverisje. Ka sinjale pozitive nga drejtues të BE për thirrjen e Konferences Ndërqeveritare për hapjen e negociatave, e cila mund të vendoset gjatë vjeshtës. Gjithashtu ka patur sugjerime që Shqipëria të ndahej si çështje nga Maqedonia e Veriut, kur dihet qëndrimi bllokues i Bullgarisë ndaj saj, dhe që vendimi të jetë i veçantë për Shqipërinë. Në të gjitha rastet, mendohet se vendimi i BE do të ndërvaret nga shumë faktorë si të brendshëm të saj, ashtu dhe nga raporti që do të dalë për zgjedhjet në Shqipëri. E rëndësishme është që Shqipëria sidoqoftë ka të hapur mundësinë për të avancuar dhe në këtë aspekt dhe një zbutje e tensionit artificial politik, do e ndihmojë këtë rrugëtim.