Indeksi i Besimit Konsumator

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

BAROMETRI EKONOMIK SCAN

Nga Roel Korkuti

 

SCAN Media, nëpërmjet SCAN Intelligence Unit dhe Idra Research & Consulting ka sjellë për herë të pare në treg një instrument të pavarur për të matur mbarëvajtjen ekonomike, përmes një prej segmenteve më të rëndësishme të saj, konsumatorin/familjarin. Tashmë është publikuar “Barometri Ekonomik dhe Indeksi i Besimit Konsumator SCAN” për tremujorin e parë të vitit. Barometri Ekonomik, me Indeksin e Besimit Konsumator SCAN, si produkti kryesor i këtij raporti, është realisht një barometër, pra një matës i familjeve shqiptare dhe situatës së tyre ekonomike, problematikave kryesore të tyre, pritshmëritë për të ardhmen, etj. Ky është i pari në serinë e shumë edicioneve të tjera që do të vijojnë nga kjo seri, me një frekuencë publikimi, çdo tremujor. Ky publikim është i pari dhe i takon pikërisht tremujorit të parë të këtij viti. Qëllimi i kësaj serie publikimesh është që të ofrojë në treg një produkt të ri, disi të pavarur nga institucionet e tjera shtetërore që bëjnë publikime të ngjashme, si “INSTAT” apo Banka e Shqipërisë, dhe mbi të gjitha të jetë më pak teknik, pra i kuptueshëm nga të gjithë. Kjo është hera e parë që nëj instrument me një rëndësi të tillë vjen nga një bashkëpunim i enteve private. Pa vënë aspak në mëdyshje saktësinë e instrumenteve të ngjashëm që publikojnë këto institucione shtetërore, SCAN mendon se duhet të luajë me patjetër një rol kyç si media në diversifikimin e “portofolit” të instrumenteve të cilët masin ecurinë e ekonomisë. Në këtë drejtim, Shqipëria është ende shumë mbrapa vendeve të zhvilluara, ku instrumente të tillë, dhe sidomos ato me peshë, janë nën udhëheqjen e enteve private. Metodologjia e indeksimit të IBKS është marrë ajo që përdorin “MARKIT” me Indeksin “PMI” apo “Bloomberg Nano”, pra ku niveli i 50 pikëve ndaj rritjen nga kontraktimi. Një tjetër risi që kjo seri sjell në treg është edhe indeksi i privimit material, pra matja që i bëhet familjeve shqiptare në formë anketimi për mundësinë që kanë për të përballuar disa produkte apo shërbime të caktuara, jo domosdoshmërish bazike. Ky indikator është një ndër më të rëndësishmit e Eurostat, dhe në të, Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk përfshihet.

Pas një diskutimi të gjerë që ne bëmë me IDRA Research & Consulting në lidhje me pyetësorin, menduam se ky indikator do të ishte një vlerë e shtuar në treg, i cili do të ofrojë bazë krahasimore jo vetëm çdo tremujor, por edhe me vendet e tjera të Europës dhe rajonit, duke qenë se metodologjia e përdorur është e njëjtë me atë të Eurostat. Ekonomia në tërësinë e saj bazohet te perceptimi, te emocionet, duke qenë se shifrat nuk e tregojnë dot të gjithë panoramën, dhe të pasurit në dorë mjete të tilla, si ky barometër bashkë me Indeksin e Besimit Konsumator SCAN (IBKS), patjetër shihet si një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të “portofolit” të këtyre instrumenteve që masin sjelljen konsumatore, perceptimin e tyre për gjendjen dhe fenomenet që i rrethon, që nga financat personale, e deri te dëshira për të emigruar. Çdo tremujor, disa prej pyetjeve të anketës do të zëvendësohen me të tjera, në bazë ta aktualitetit ekonomik/shoqëror të vendit.

Anketimi është kryer mbi 1 mijë individë dhe si metodologji anketimi janë përdorur dy metoda; ajo online (CAWI), nëpërmjet Idra Poll, si dhe ajo nëpërmjet telefonatave, (CATI), me një raport 70% me 30% respektivisht. Sa i përket anketimit online, nëpërmjet platformës IDRA Poll, ai bëhet mbi një grup të përzgjedhur sipas kampionimit paraprak të të anketuarve. Këta të fundit pasi kryejnë anketën shpërblehen për opinionin e tyre, çka e ndihmon edhe më shumë procesin e intervistimit. Pjesa tjetër, pra 30% e intervistimeve janë bërë nëpërmjet telefonatave rastësore, por sërish duke respektuar kuotat e kampionimit. Në të dyja rastet, i anketuari, në fillim apo në fund të intervistës pyetet mbi elemente si, mosha, vendbanimi, gjinia, etj. Në rast se nuk i përmbush kuotat e paravendosura të kampionimit, ajo anketë nuk vlen dhe nuk merret parasysh. Sa i përket kampionimit, ai është bërë në respekt të plotë të kuotave gjinore, moshore, gjeografike, etj, pra duke respektuar një gjithëpërfshirje për një anketim të kësaj natyre. Në drejtim të saktësisë së përgjigjeve, metodologjia e IDRA Research për anketimin ka një mekanizëm mbikëqyrës, pra që ngre një flamur të kuq në rast se vihet re se i njëjti anketues ka inkoherencë mes përgjigjeve të tij.

Indeksi kryesor rezulton në 39 pikë, optimizëm për të ardhmen

Indeksi i Besimit konsumator SCAN, si produkti kryesor i barometrit ekonomik, për tremujorin e parë të këtij viti, rezulton pranë nivelit të 39 pikëve, ku niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 6 pyetjeve, ku tre prej tyre i referohen situatës aktuale, dhe tre të tjerat, pritshmërive për të ardhmen. Ndër 6 pyetjet, ai i pritshmërive për situatën financiare merr vlerësimin më të lartë, me 53 pikë. E dyta renditet pritshmëria për situatën e përgjithshme ekonomike të vendit në 12 muajt e ardhshëm (50 pikë nga 100), pasuar nga pritshmëritë e nivelit të papunësisë gjatë vitit në vazhdim, me 47 pikë nga 100. Kur analizojmë situatën aktuale, atë financiare të familjes por edhe situatën e përgjithshme të vendit krahasuar me 12 muaj më parë, shikojmë një indeks më të ulët. Respektivisht 39 pikë për situatën financiare aktuale të familjes dhe 31 pikë për situatën e përgjithshme të vendit aktualisht, krahasuar me 12 muaj më parë. Kur pyeten nëse tani është momenti i duhur për të bërë blerje të mëdha, ky indeks arrin vlerësimin me vetëm 15 pikë nga 100 të mundshme, duke regjistruar kështu edhe rezultatin më të ulët nga pyetjet e përfshira në indeks.

Indeksi i Besimit Konsumator SCAN mund të analizohet në dy nënkategori të tij; indeksin e situatës aktuale dhe indeksin e pritjeve në 12 muajt e ardhshëm. Nëse i krahasojmë këta dy indekse, vihet re se indeksi i pritjes në 12 muajt e ardhshëm të situatës financiare të familjes, situatës ekonomike dhe nivelit të papunësisë, prej 50 pikësh, është në nivel të konsiderueshëm më i lartë se situata aktuale (financiare e familjes, ekonomike, dhe blerjet shtëpiake të mëdha) që arrin të marrë një vlerësim prej vetëm 28 pikësh nga 100 të mundshme.

Lexo edhe :  U kap me 1 kg kokainë, zbardhet dëshmia e efektivit të RENEA-s

Ajo që vihet re nga indeksi është fakti se ka një diferencë të ndjeshme dhe graduale nëse e vlerësojmë atë sipas nivelit të të ardhurave. Kështu, për familjet me të ardhura mbi 100 mijë lekë në muaj, indeksi ngjitet në 46 pikë, ndërkohë që zbret në 34 pikë për ato familje që i kanë të ardhurat deri në 30 mijë lekë në muaj.

Sa i përket ndryshimit gjeografik të indeksit, vihet re se në jug zbret në 38 pikë, dhe në qendër ngjitet pranë 41 pikëve, ndërkohë që në veri të vendit është pranë mesatares kombëtare.

 

44% e shqiptarëve duan të emigrojnë

Një tjetër gjetje e anketës për tremujorin e parë të vitit është edhe dëshira për të emigruar. 44% e të anketuarve shprehen se duan të largohen nga vendi, ndërkohë që vetëm 56% prej tyre nuk e konsiderojnë një opsion të tillë. Madje, për 2% të të anketuarve, “valixhet” janë bërë gati, pra ata e kanë përfunduar dokumentacionin dhe presin vetëm të largohen. Nga ana tjetër mbi një në tre të anketuar ose 36% janë shprehur se po e mendojnë të emigrojnë dhe rreth 6% kanë një plan konkret për të emigruar. Këto të dhëna nuk duhen nxjerrë nga konteksti i kohës që është kryer anketimi, pra në tremujorin e parë të vitit, periudhë kur vala e pandemisë preku pikën kulmore në vendin tonë, si dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, dy element këta të lidhur ngushtë me perceptimin e njerëzve për situatën aktuale dhe të ardhmen e tyre.

 

62% e shqiptarëve të pakënaqur me jetën e tyre

Nga analiza e të dhënave të anketës ajo që vihet re është se 62% e të anketuarve, pra më shumë se gjysma deklarojnë se janë të pakënaqur nga niveli i tyre i jetesës. Më konkretisht 27% e tyre shprehen se janë plotësisht të pakënaqur dhe 35% janë më së shumti të pakënaqur. Rreth 33% e familjeve të pyetura shprehen të kënaqur ku 29% janë më së shumti të kënaqur dhe 4% e tyre janë plotësisht të kënaqur.

Pra, sipas kësaj ankete rezulton se familjet shqiptare janë të pakënaqura lidhur me standardet e tyre të jetesës. Kjo padyshim mund të jetë edhe një nga arsyet sepse 44% e shqiptarëve duan të emigrojnë, siç e tregojnë dhe të dhënat e kësaj ankete mbi emigrimin. Kjo situatë patjetër tregon për nevojën e përmirësimit të standardeve jetësore si dhe hartimin e zbatimin e politikave të reja për individët dhe familjet në përgjithësi.

 

A mund të kursejnë shqiptarët?

Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me situatën financiare të familjeve. Sa janë në gjendje të kursejnë shqiptarët? Nga të dhënat e anketës shohim se një përqindje e lartë e të anketuarve nuk kanë mundësi të kursejnë, madje nga përgjigjet e tyre shihet që jo vetëm nuk kursejnë dot, por disa po tërheqin kursimet e tyre të mëparshme ose po marrin kredi për të përballuar jetesën. 47% e familjeve janë shprehur se nuk po kursejnë aspak, por po e përballojnë jetesën me të ardhurat që kanë. 9% e të anketuarve u është dashur të prekin kursimet e mëparshme pasi të ardhurat nuk u mjaftojnë për të plotësuar nevojat e tyre. Për 12% të të anketuarve kredia shihet si zgjidhje për të përballuar shpenzimet e nevojshme, pra për ta nuk ekziston mundësia për të kursyer. Nga ana tjetër 24% munden të kursejnë pak, tregojnë të dhënat dhe vetëm 7% e familjeve të pyetura po kursejnë shumë

Nëse do flisnim për pritshmëritë e të anketuarve për të kursyer gjatë 12 muajve të ardhshëm 42% deklarojnë se nuk ka gjasa të kursejnë. 39% kanë thënë se ka pak gjasa që të kursejnë dhe rreth 14% e të anketuarve deklarojnë se ka shumë gjasa të kursejnë për muajt e ardhshëm.

 

Indeksi i privimit material, çfarë mund të përballojnë familjet shqiptare?

Një tjetër rezultat i cili ja vlen të analizohet gjerësisht është ai indeksit të privimit material. I cili rezulton në 40% në tremujorin e parë të vitit, çka do të thotë se, 40% e familjeve shqiptare nuk mund të përballojnë dot të paktën 4 ndër 9 kategoritë e provimit material, ku përfshihet aftësia për të bërë pushime larg shtëpisë të paktën një herë në vit, përballimi i mbajtjes së temperaturës së shtëpisë në kushte të përshtatshme, përballimi i një makine, një vakti me mish një herë në dy ditë, etj, etj. Vetëm 35% e familjeve shqiptare mund të përballojnë një herë në vit pushime një javore larg shtëpisë së tyre. Vetëm 27% e familjeve ndërkohë arrijnë të përballojnë që ta mbajnë gjithmonë temperaturën e shtëpisë së tyre në kushtet që dëshirojnë.

Barometri Ekonomik SCAN radhit edhe problematikat kryesore të familjeve shqiptare. Të anketuarve i është kërkuar që të japin një vlerësim për disa çështje aktuale dhe sa problematike do t`i konsideronin ato për familjen e tyre. Vlerësimi është kryer në një shkallë nga 1 në 10, ku 1 do të thotë aspak problem dhe 10 do të thotë shumë problematike. Situata e COVID-19 është cilësuar si problematika më e madhe aktualisht për familjet, e vlerësuar me 7.6 pikë nga 10 që është maksimumi. Problemi i dytë renditet korrupsioni me 7.2 pikë, pasuar nga taksat dhe papunësia po me të njëjtin vlerësim prej 7.2 pikësh. Situata politike dhe efikasiteti i gjyqësorit ndërkohë, vlerësohen si më pak problematiket nga lista e problematikave të parashtruara, me respektivisht 6.0 dhe 6.1 pikë. Pjesë e renditjes janë edhe problematika si informaliteti, kriminaliteti si dhe sundimi i ligjit.

Kështu, 6 në 10 të anketuar shprehen se covid-19 ka pasur ndikim në financat e familjes së tyre, më saktësisht, 59%. Për 32% të të anketuarve COVID-19 ka ndikuar shumë në financat familjare, për 27% ka pasur ndikim, dhe për 40% ka ndikuar pak ose aspak ndikim, respektivisht 20% për secilën kategori përgjigje.


Të fundit

Policia jep detaje për vrasjen e Delon Troqes: Humbi jetën në spital, dyshohet se autorët…

Një 38-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri të premten në darkë në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës. Burimet nga...

“Një snajperist duke qëlluar”/ Video që bëri bujë rinis hetimet për krime lufte në Sarajevë

Prokurorët për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, kanë nisur hetime pas publikimit të një videoje, në të cilën supozohet se një snajperist shihet duke gjuajtur...

U ekzekutua me 15 plumba, familjarët e Delon Troqes dhunojnë me grushte mjekun e Reanimacionit

Pas ekzekutimit me 15 plumba të 38-vjeçarit Delon Troqe mbrëmjen e sotme në Vlorë, familjarët e tij kanë dhunuar një mjek reanimacioni. Viktima u dërgua...

“Do të na bëjnë presion për çështjen e Kosovës”, flasin mediat serbe: Vuçiç i frikësuar për takimin me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur frikën se në periudhën e ardhshme do të ketë presione të ndryshme politike për çështjen e Kosovës. Siç...

“Jam zhveshur për Mozzik-un”, Loredana habit me deklaratën

Çifti i njohur i reperëve, Loredana Zefi dhe Mozzik, janë në prag të publikimit të albumit të tyre më të ri. Të gjithë kishim menduar...

Lajme të tjera

Web TV