Rrugëtimi historik i Bonapartizmit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kriton Kuci

 

200 vitet e vdekjes se Napoleon Baonapartit të cilat u përkujtuan gjatë javës së kaluar, siç ishte e pritshme u paraprinë nga një debat i gjerë në Francë dhe jo vetëm. Debat për rëndësinë dhe trashëgiminë e njërës prej figurave më kontroverse të historisë europiane. Debatet publike mbi historinë dhe mbi figurat historike rrallë herë mund të jenë debate thjesht për historinë, thjesht për të kaluarën. Kjo sepse e kaluara nuk është kurrë e kaluar por është një dimension i së tashmes. E shohim të kaluarën nëpërmjet lenteve me të cilat na pajis e tashmja. Lente që kanë formën e skemave të gatshme të të menduarit, besimeve, ideologjive, stereotipeve, paragjykimeve. Në këtë mënyrë mund të themi që e kaluara nuk pushon kurrë së ndikuari të tashmen përkundrazi. E kaluara ndërton të tashmen në të njëjtën mënyrë që e tashmja ndërton të kaluarën. Trashëgimia politike e Napoleon Bonapartit ka ardhur deri në ditët e sotme me termin Bonapartizëm. Me këtë term nënkuptojmë ideologjinë politike që e ka zanafillën në politikat e Napoleon Bonapartit. Si term u përdor në fillim pas grushtit të shtetit nëpërmjet të cilit Bonaparti erdhi në pushtet  dhe në vazhdim (sidomos gjatë shek. XIX) për tu referuar atyre që shpresonin të restauronin pasardhësit e Bonapartit dhe stilin e tij të qeverisjes. Bonapartist në këtë periudhë nënkuptohej dikush që mbështeste politikat konservatore dhe perandorake ne Francën e shekullit të XIX. Në një sens më të gjerë termi bonapartizëm përdoret për të përkufizuar një lëvizje politike e cila mbështet një shtet autoritar të centralizuar me në krye një lider autoritar dhe karizmatik i cili bazohet në një diskurs populist, mbi institucional, nacionalist dhe anti establishment. Por në të njëjtën kohë mund të përdoret për të përkufizuar një lider popullor, të konfirmuar nga vota popullore, i cili qëndron (ose më mirë të themi që pretendon se qëndron) mbi palët, mbi partitë politike duke promovuar progresin, barazinë dhe i mbështetur fortë në besimin te kombi si i vetmi burim legjitimiteti politik, te lavdia e kombit dhe te uniteti kombëtar si  dhe te autoriteti i centralizuar shtetëror si promotor i transformimit të shoqërisë. Një mënyrë tjetër në të cilën përdoret termi Bonapartizëm është edhe për të përshkruar zëvendësimin e një qeverisjeje civile gjatë periudhave revolucionare me një qeverisje ushtarake. Ose në tërësi për të përshkruar një regjim autokratik dhe gjerësisht të centralizuar. Pra mund të themi se Bonapartizmi si koncept është shumë elastik dhe i aftë të adoptohet në kontekste të ndryshme historike, sociale dhe politike. Sidoqoftë termi Bonapartizëm, përhapjen dhe përdorimin e gjerë në diskursin politik si dhe në hulumtimin shkencor e merr si pasojë e Karl Marksit dhe traditës marksiste në tërësi. Në veprën e tij madhështore “Brymeri i 18të i Louis Bonapartit”, termin Bonapartizëm Marksi e përdor për të përshkruar një situatë kur pushteti kalon nga revolucionarët drejt liderëve kundër-revolucionarë autoritarë ushtarakë të cilët vendosin në zbatim politika selektive reformuese në mënyrë që të amortizojnë radikalizimin e masave. Edhe Napoleon Bonaparti edhe Louis Bonaparti (pra nipi i tij për të cilin është shkruar analiza e Marksit) kishin vepruar në këtë mënyrë. Në këtë vepër madhështore Marksi përpiqet të bëjë një përshkrim të shtetit modern që nga fillimi i revolucionit industrial dhe në vazhdim duke hedhur dritë mbi shtetin jo vetëm brenda kornizës historike të ndërveprimeve sociale që i njohim si kapitalizëm por hedh dritë mbi karakteristikat e shtetit që nga shfaqja e tij. Marksi thotë se njerëzit me të vërtetë e ndërtojnë vetë historinë e tyre por e bëjnë këtë në kushte që trashëguan nga e kaluara dhe që rëndojnë si makth mbi trutë e tyre. Në të njëjtën faqe Marksi shkruan edhe shprehjen e tij (ndoshta më të kuptuar por shpesh herë në mënyrë të gabuar) se “Historia mund të përsëritet por një herë si tragjedi dhe herën tjetër si farsë”. Çdo koncept politik është produkt i ndërveprimeve sociale në një kontekst historik të caktuar, pra çdo koncept është një konstruksion social dhe si i tillë reflekton dinamika sociale të caktuara. Për të kuptuar konceptet është e nevojshme ti trajtojmë si të tilla dhe ti vendosim në historicitetin e tyre. Prandaj është e nevojshme të kuptojmë se si është ndërtuar koncepti i Bonapartizmit dhe se çfarë kuptimi ka sot ky koncept kaq shumë i përdorur.

Përmbajtja që i jepet  Bonapartizmit varet nga konteksti kohor dhe siç është e kuptueshme edhe nga këndvështrimi ideologjik. Në kulmin e sukseseve ushtarake të Bonapartit, Bonapartizmi nënkuptonte lavdi kombëtare, një regjim të fortë autoritar dhe centralizim burokratik. Pas disfatave dhe peripecive të 100 ditëve si dhe pas restaurimit te Burbonëve, shumë gjëra ndryshuan por autoritarizmi dhe korniza burokratike si trashëgimi politike e Bonapartit nuk u prek. Përveç kësaj në vitet në vazhdim Bonapartizmi mori një trajtë idilike dhe filloi të përjetohej si një lloj celebrimi romantik nga ish ushtarët e tij tashmë të dalë në pension dhe gjerësisht nga qytetarët të cilët kujtonin me nostalgjinë që kaplon shoqëritë  për një të kaluar që konsiderohet e lavdishme. Napoleoni u bë pjesë e këngëve, e gojëdhënave, e imagjinatës kolektive. U përjetësua nëpërmjet formave të ndryshme të artit, sidomos të letërsisë. Kujtimet e tij të botuara pak para vdekjes së tij në vitin 1821 kontribuuan në formësimin e termit Bonapartizëm. Bonaparti në kujtimet e tij vetëparaqitet si një hero kombëtar, si një lider i fortë dhe autoritar por njëkohësisht si një njeri i popullit dhe si dikush që u përpoq të mbushte vakumin e krijuar ndërmjet regjimit te vjetër dhe revolucionit. Në vitin 1830 Bonapartizmi vazhdonte të ushtronte një ndikimi të konsiderueshëm në Francë dhe megjithëse djali i tij u konsiderua paaftë për të qenë mbret, monarku i ri, Louis Philipe I (i ndikuar edhe nga rëndësia që Bonapartizmi kishte në shoqëri) kontribuoi në forcimin e mitit të Bonapartit duke investuar fort nga ana discursive. Këto vite koincidojnë me botimin e veprave të shkrimtarëve që sot quhen klasikë si Balzak apo Hygo etj të cilët ngritën në piedestal figurën e tij por edhe me ndërtimin e shumë monumenteve në nderim të figurës së Bonapartit (sic ishte Harku i Triumfit) dhe sigurisht edhe me kthimin e hirit të tij në Francë me solemnitetin më të madh. Në vitin 1848 ndodh akti i ripërsëritjes së historisë si farsë për të cilin me aq mjeshtëri shkruajti Marksi. Nëpërmjet revolucionit të shkurtit të vitit 1848 mbretëria përmbyset, vendoset e drejta universale e votës dhe Loui Bonaparti zgjidhet president në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1848. Kjo ishte farsa sipas Marksit dhe jo grushti i shtetit nëpërmjet të cilit republika shpërbëhet 3 vite më vonë. Ajo cka u përmbys në 2 dhjetor të 1848 thotë Marksi nuk ishte monarkia por arritjet liberale të cilat kishin ardhur pas rreth 100 vitesh betejash. Në kushtet e reja shteti u rikthye në formën e tij më autoritariste por këtë radhë i veshur me një mantel demokracie dhe legjitimiteti. Ky është që këtej e tutje kuptimi që merr Bonapartizmi dhe njëkohësisht një prej karakteristikave kryesore të tij. Kjo karakteristikë është bashkë-egzistenca e komponentëve të demokracisë me komponentë të autokracisë. Marksi arrin në këtë përfundim i ndikuar edhe nga shtypja me gjak që ju bë revoltës së punëtorëve ne qershor të 1848, të cilët kërkonin një demokraci që tu përgjigjej kërkesave dhe nevojave të tyre sociale. Masakra e punëtorëve e qershorit të 1848 ishte masakër ndaj atyre që luajtën rolin kryesor në përmbysjen e monarkisë. Kjo për Marksin tregon që demokracia borgjeze nënkupton diktaturën e një klase ndaj një klase tjetër shoqërore. E megjithatë megjithëse shteti borgjez (shteti bonapartist borgjez në këtë rast) është një shtet i një hegjemonie klasore, pra shtet i hegjemonisë së borgjezisë, ai nuk është thjesht një mekanizëm në duart e borgjezisë. Mundet që të pavarësohet prej saj dhe të shfaqet (dhe sigurisht që është shfaqur dhe vazhdon ta bëjë) si “shpëtimtar i të gjithë shoqërisë”. Edhe kjo është një karakteristikë që Bonapartizmi ka akoma edhe sot. Termi Bonapartizëm, siç përmenda më sipër, përdoret sot me kuptime të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme por disa komponentë mund të themi që janë të përbashkët në të gjitha mënyrat se si ai përdoret. Elementi kryesor i përbashkët është përzierja e komponentëve demokratikë me komponentët autoritaristë. Element tjetër i përbashkët është përdorimi i nacionalizmit. Me nacionalizëm nuk nënkuptoj thjesht një lëvizje politike dhe sociale por kryesisht nacionalizmin si ideologji, diskurs dhe narrativë. Dhe sigurisht funksionimin e nacionalizmit në nivelin e hapur (pra në kuptimin tradicional të fjalës) por ajo që është më e rëndësishmja në nivelin banal dhe në nivelin e përditshmërisë. Shpesh herë termi bonapartizëm përdoret si sinonim i termit autokraci, apo demokraci liberale. Sidoqoftë mendoj se ekziston një lloj perceptimi i gabuar në mënyrën se si kolektivisht imagjinohet sot një autokraci. Autokracitë sot nuk krijohen me tanket që dalin në rrugë (siç ndodhte rëndom gjatë periudhës së luftës së ftohtë me diktaturat ushtarake). Autokracitë sot formohen, forcohen dhe riprodhohen nëpërmjet proceseve zgjedhore. Formohen, forcohen dhe riprodhohen duke përdorur procedurat që u ofrojnë demokracitë borgjeze. Bazohen kryesisht në liderë karizmatikë dhe autoritarë të cilët shfaqen si përfaqësues të gjithë popullit, si mesia që do të ngrejë lart lavdinë e kombit dhe do ta çojë në maja të paprekura më parë. Liderët bonapartistë do të shfaqen si të pazëvendësueshëm por njëkohësisht si njerëz të popullit, si “njëri prej nesh”. Liderë të tillë Bonapartistë do ti tejkalojnë institucionet por jo deri në atë pikë sa të japin mesazhin e gabuar se në vend po instalohet diktatura. Autokracitë asnjëherë nuk duan të etiketohen si diktatura. Për ta arritur këtë edhe ndryshimet që eventualisht u bëhen institucioneve politike bëhen gjithmonë duke respektuar formalisht proceset demokratike. Mund të përmendim këtu rastin e Turqisë së periudhës së Erdoganit ku ndryshimet e sistemit politik të vendit kanë ndodhur nëpërmjet referendumeve. Për sisteme të tilla sigurisht që janë të nevojshme raporte kapitaliste të prodhimit si dhe një rritje relative ekonomike e cila do të paraqitet si një rritje nëpërmjet të cilës përfitojnë të gjitha klasat shoqërore por në të vërtetë cilado rritje ekonomike  do të shërbejë vetëm për të përjetësuar sistemin klasor egzistues. Opozitat gjithashtu janë të nevojshme për demokracitë iliberale bonapartiste por mundësitë që ato të vijnë në pushtet mbeten minimale. Sigurisht që sisteme të tilla jo vetëm që nuk ndërtohen në një vakum ideologjik, diskursiv dhe kulturor por përkundrazi ato riprodhojnë strukturat ideologjike discursive dhe kulturore ekzistuese. Pra sisteme të tilla nuk mund të ndërtohen në mungesë të një milieu të caktuar kulturor. Është pikërisht shtrati kulturor (ndër faktorëve të tjerë) që mundëson ndërtimin e sistemeve të tilla politike ku bonapartizmi mund të ushtrojë një ndikim të caktuar. Fakti që vitet e fundit kemi gjithmonë e më shumë shembuj sistemesh të tilla dhe liderësh të tillë tregon që bonapartizmi është sot më shumë se kurrë në rend të ditës. (Lektor, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë)

Të fundit

Dortmund thyen në mënyrë spektakolare Atleticon dhe kualifikohet në gjysmëfinalen

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit,...

PSG “shkelmon” Barcelonën jashtë Championsit, katalanasit nuk rezistojnë me 10-të lojtarë

Barcelona jashtë Championsit. Në Montjuic, në ndeshjen e kthimit ndaj PSG-së, ndodhi ajo që më pak pritej nga tifozët “blaugrana”. Skuadra franceze fitoi thellë...

Spotify bën ndryshimin e ri, çfarë do të ndodhë me këngët

Platforma suedeze e transmetimit të muzikës Spotify po zhvillon një veçori që do t’i lejojë përdoruesit të ‘përziejnë’ këngët drejtpërdrejt në aplikacion. Ky informacion u...

“Nuk më njihte as mua për 6 orë”/ Albano flet ‘pa dorashka’, zbulon situatën e pazakontë

Aktori Albano Bogdo ka rrëfyer si asnjëherë më parë një moment të vështirë të jetës së tij gjatë bashkëbisedimit me këngëtaren Elsa Lila.  Ai...

6 përfitime të pabesueshme të magnezit që jo të gjithë i dinë

Me siguri që ju dini disa nga përfitimet e magnezit, një prej aleatëve kryesorë të mirëqenies tonë, por ka dhe shumë të tjera që...

Lajme të tjera

Web TV