Përpjekjet dëshpëruese të Shqipërisë për t’u bërë bisht i Evropës

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Fituesi nuk gjykohet. Kështu thuhet në një nga sentencat fort të përdorura, ku flitet për gara e ndeshje për titull. Sepse thjesht fituesi ka fituar. Ndërsa humbësit po, atij i bëhet analiza, ku ka çaluar puna e ku mund të përmirësohet. Dhe me humbësin kanë të drejtë të merren të gjithë për ta kryqëzuar sipas dëshirës.

Italia, përfaqësuar nga “Maneskin” një grup “hard” është fituese e Eurovizionit për vitin 2021. Pas 31 vitesh, prej çastit kur Toto Kotunjo u shpall fitues në Zagreb me këngën: Insieme.

Shqipëria ka dalë gjithmonë e zhgënjyer nga Eurovizioni edhe pse ka 17 vjet që pretendon në vazhdimësi. Në fakt Italia kishte dyfishin e saj. Dhe ç’është e vërteta, në skenën e këngës evropiane Shqipëria ka dërguar nga këngëtarët më të mirë të vendit.

Herën e parë, në vitin 2004, kur Shqipëria mori pjesë në Eurovizion, Anjeza Shahini u rendit e 7-ta në top-listë. Një rreshtim dinjitoz, sidomos për një vend që debutonte për herë të parë në Eurosong.

Për së fundi, në vitin 2021, Shqipëria u rendit në vendin 21, duke marrë vetëm 22 pikë nga juritë profesionale dhe 35 pikë nga publiku.

Është bërë e njohur tanimë se juritë e Evropës ia japin shifrat e mëdha të pikëve, vendeve me të cilat kanë marrëdhënie më të mira apo të ndërsjella. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se bëhet gjeopolitikë edhe në një festival kënge. Fjala vjen: Ukraina ia jep pikët Rusisë meqenëse kanë qenë në vasalitet, Belgjika Francës, Austria Gjermanisë, Shqipëria… Greqisë.

Zakonisht ka ndodhur që Shqipëria i ka dhënë pikët maksimale Greqisë, dhe ajo ia ka kthyer me gjysmën e shifrës. Por sa pa gjë…

Këtë herë Greqia s’na dha asnjë pikë, megjithëse jemi gati t’i falim dhe detin për ta marrë me të mira. Ndërsa pikët maksimale nuk ia kurseu Qipros. Dhe ky flirt ka vite e vite që ka rënë në sy.

Këtë herë asnjë pikë nuk na dha edhe Italia, me të cilën kemi qenë nën një kurorë, atë të perandorit August Viktor Emanuelit III. Por duket se dhe strategjia e Italisë synon diku më larg se sa të shpenzojë pikë me Shqipërinë e vogël.

Ja që edhe kjo puna e vasalitetit nuk qenka gjë.

Por Italia doli fituese në këtë betejë dhe fituesit nuk i gjykohet as teksti, as muzika dhe as juria që jep pikët. Sepse edhe pa ndonjë pretendim fillimisht, Italia doli fituese pasi rezultati u përmbys në mënyrë të befasishme nga pikët që kishte dhënë publiku.

Anxhela Peristeri është një këngëtare me potencial të madh, po aq sa dhe Elhaida Dani, Rona Nishliu apo Juliana Pasha, të cilat gjithashtu kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer në edicionet e mëparshme të Eurosongut. Dhe po aq ka shkëlqyer si këngëtar mashkull dhe Eugent Bushpepa.

Në historikun e rasteve kur Shqipëria është munduar me shumë zell të bënte një performancë maksimale në skenën e festivalit, ka gabuar. Ajo ka qenë gjithmonë një hap prapa. Sepse kur në Eurovizion shpërthente moda “folk”, Shqipëria paraqitej me balada. Kur baladat zotëronin skenën, Shqipëria paraqitej me folk, e kur në skenë triumfonin këngët ritmike, Shqipëria delegonte një këngë vaji. Ndaj dhe në disa raste as që jemi marrë në konsideratë për të performuar në natën finale të këtij eventi.

Lexo edhe :  Çfarë tregojnë përplasjet e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë

Eurovizioni vazhdon të jetë një spektakël pa ndonjë reputacion të madh. Por megjithëse eventit në fjalë i ka rënë reputacioni ndjeshëm, sërish mbetet një pikë referimi. Për më tepër në 65 vite jetë e mbijetesë, Eurovizioni e ka bërë historinë e tij.

 

Eurovizioni sot e gjithë ditën është dhe një barometër ku secili ndjekës kupton se nga fryn era e vlerave, por dhe antivlerave që na shiten për vlera… Mbresëlënëse padyshim janë kartolinat që përgatiten për çdo interpretues, e ku Evropa shpalos bukuritë e saj mahnitëse, të cilat i kanë ndërtuar evropianët e vjetër, të cilët arritën ta kthenin kontinentin plakë në një vatër të iluminizmit.

Ndërsa sot, në vitet e shpërthimit kibernetik, Evropa duket krejt provinciale që pikët e një spektakli muzikor i ndan ashtu… fshatçe.

E megjithatë, me reputacion të lartë apo në rënie të lirë, Shqipëria e ka të vështirë të marrë vendin e parë në Eurovizion e të bëhet së paku një herë të vetme organizatore e spektaklit të radhës. Për ta realizuar një gjë të tillë duhet bërë lobing më shumë se sa ajo që po bëhet për çeljen e negociatave.

Shqipëria mbeti e zhgënjyer edhe këtë herë. Të gjitha përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e Evropës, herë me politikë, herë me sport e herë me këngë, nuk ia kanë dalë dot. Dhe shqiptarët janë kaq të pasionuar për t’i treguar Evropës se janë pjesë integrale e tyre, sa janë gati të sakrifikojnë diçka më shumë nga vetja, duke i rënë fort kambanave se pikërisht ky vend ka qenë pjesë e Perandorisë së Romës e më pas e Kostandinopojës. Ndërkohë që mentaliteti lë ca si shumë për të dëshiruar. Prandaj ka mbetur dhe në bisht të perandorisë së re Evropiane që në termat aktualë quhet: Bashkim.

Eurosongu i ka zhgënjyer në vazhdimësi shqiptarët, po aq sa dhe Kampionati Evropian i Futbollit, ku sentenca klishe është: Përfaqësuesja luajti në mënyrë të shkëlqyer, por u ndëshkua në minutën e fundit.

Në fakt, duke e kuptuar se tentativat për një çmim që të na rikthejë nderin është pa vlerë, gjithçka tjetër duhet marrë me zbritje. Duhet shijuar si festë. Pavarësish se kur futesh në garë, kërkon të fitosh e jo të humbësh.

Në këtë edicion të Eurosongut, Shqipëria u mbështet vetëm nga katër shtete, Malta, që dha 12 pikët maksimale të saj, Danimarka që dha 7 pikë, San Marino që kontribuoi me 2 pikë dhe Holanda që e bëri zemrën me 1 pikë. “Miqtë e vjetër” nuk u panë në horizont. Madje as Maqedonia e Veriut me aq shumë shqiptarë brenda saj.

Por nëse mund të ngushëllohemi, do përmendim Britaninë Madhe dhe Gjermaninë, shtetet më të fuqishme të kontinentit, që dolën me zero pikë, qoftë nga juritë profesionale, qoftë dhe nga votat e publikut.

Këtu po, kemi dalë me fitim.

Prandaj, çështja e performancës në Festivalin Evropian të Këngës duhet marrë më me sportivitet, po aq sa dhe ëndrra tjetër e madhe e shqiptarëve për të luajtur futboll në një Kampionat Evropian.


Të fundit

Situata në veri të Kosovës/ Borrell thirrje palëve: Të ulen menjëherë tensionet

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka reaguar mbi situatën  e tensionuar në...

Gjermani/ Nuk ka rrogë gjatë karantinës për të pavaksinuarit

Nga 1 nëntori, në Gjermani do futet në fuqi masa e re që është marrë si një mënyrë për të ‘ndëshkuar’ qytetarët që nuk...

Atentati ndaj “krahut të djathë” të presidentit ukrainas, Zelensky zotohet të përgjigjet

Ndihmësi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka shpëtuar një atentati. Zelensky ka premtuar përgjigje të fortë pasi ndihmësit e tij i lartë i...

SHBA dhe Franca ulin tensionet, ja për çfarë ra dakord Macron pas telefonatës me Biden

Presidenti francez Emmanuel Macron do ta dërgojë sërish javën e ardhshme ambasadorin e këtij vendi në Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti Joe Biden ra...

Juventus përmbys gjithçka dhe arrin fitoren e parë në kampionat, debuton Manaj me Spezian (Video)

Më në fund ka dritë në fund të tunelit për Juventusin. Bardhezinjtë kanë mposhtur 2-3 në transfertë Specian duke siguruar fitoren e parë në...

Lajme të tjera

Web TV