Vera e re në fuçinë e vjetër/ 10 pasoja në politikën shqiptare pas shpalljes së Berishës “non grata” nga SHBA

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku

 

Shpallja “non grata” e Sali Berishës nga SHBA, konkretisht nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken më 19 maj, ishte bomba atomike që ra në politikën shqiptare. Por më shumë se një “Little boy” siç quhej ndryshe bomba e vërtetë, kjo që “ra” në Shqipëri ka vlerën e ndarjes se epokave. Nuk është çudi që një ditë për politikën tonë do themi: periudha para asaj që SHBA shpalli Berishën “non grata” dhe periudha pas asaj që SHBA shpalli Berishën non grata. Ky vendim pritet të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në shumë ngjarje dhe fenomene politike në Shqipëri dhe jo vetëm. Janë të paktën 10 pasoja që besohet të kemi në politikën shqiptare pas këtij vendimi, një politikë nuk na ka bërë shpesh krenarë dhe që tani i duhet të vuajë pasojat negative që ka lënë pas.

  1. Steka e lartë ndaj Berishës, nuk pyetet për poshtë tij

Ajo që ka lënë më shumë gjurmë në të gjithë vendimin e sekretarit Antony Blinken lidhet me faktin se SHBA goditi figurën më të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 30 vite që pas rrëzimit të komunizmit. Nuk ka asnjë vendim të rëndësishëm të marrë në Shqipëri që nga viti 1990 e deri më sot që të mos ketë patur ndikimin e Sali Berishës. Nëse do ta perifrazonim me këtë periudhë, nuk e teprojmë ta themi se këto 30 vite i quajmë epoka e Sali Berishës. Lider i Lëvizjes së Dhjetorit 1990, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare që pas Luftës së Dytë Botërore, në cilësinë e kryetarit të kësaj partie fitues i katër zgjedhjeve parlamentare, president i Republikës i zgjedhur dy herë, kryeministër i zgjedhur dy herë, ai padyshim e ka dominuar jetën politike shqiptare në këto tre dekada. Por me këtë vendim duket se Blinken e shuajti të gjithë këtë super karrierë. Atëherë a mund të ketë pas këtij vendimi një politikan të paprekshëm në Shqipëri? Kurrë jo. Steka e goditjes është ngritur aq lart saqë tashmë i paprekshëm nuk është asnjë, të majtë e të djathtë. Kryeministra, ministra, aktualë dhe të dikurshëm pritet të jenë shënjestra e drejtësisë për të shkuar më pas te deputetë e ish deputetë, drejtorë e ish-drejtorë që fryheshin si kaponj dhe nuk u hynte gjë në këmbë. Tani nuk ka më model kaposhi. Politikanë të sigurtë që dikur nuk i ndëshkonte kush, por bënin garë se kush kishte vjedhur më shumë, nuk pritet të ketë më.

  1. Reforma në drejtësi tani nisi prej vërteti

Në fakt një dy ditë përpara vendimit të DASH dhe Sekretarit Antony Blinken ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim deklaroi se reforma në drejtësi shumë shpejt do nisë të japë frutet e veta. “Pas 3 vitesh paralizimi, Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020. Deri më tani, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 100 çështje dhe ka marrë 25 vendime. Çështjet e vështira po vijnë. Reforma në Drejtësi është e vërtetë. SHBA do të jetë me ju, derisa sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht funksional”, tha ambasadorja Kim në një intervistë për Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. U duk si një retorikë dhe fjalë të thënë klishe. Por vendimi i 19 majit ishte pika e kthesës. Ky vendim i hapi rrugën çdo vendimi tjetër të drejtësisë dhe SPAK. Në fakt dukej sikur institucioni më i rëndësishëm i dalë nga reforma në drejtësisë deri tani i kishte duart e lidhura. Po bënte shumë punë, kishte hapur shumë çështje, por në rrjetën e tij nuk kishte rënë asnjë peshk i madh. Dhe shoqëria shqiptare quan peshk të madh një politikan të rangut të lartë që ka abuzuar me financat e shtetit dhe  arrestohet për këtë arsye. Por edhe ndonjë personazh publik apo privat i vënë nën akuzë nga ky institucion dukej përsëri mbështetur nga krahe të ndryshëm të politikës. Madje një takëm që dukeshin se do ishin target të SPAK mezi prisnin të ndërrohej pushteti më 25 prill që tu hiqej ky dyshim. Por me vendimin e sekretarin Blinken SPAK duket më i fortë. Të dhënat flasin se shumë shpejt do ketë vendime të forta, arrestime dhe goditje edhe atje ku nuk e mendonte kush. Ky është produkti real i reformës në drejtësi, asaj që tani fillon prej vërteti.

 

  1. Frikë në qeveri dhe mazhorancë

Nuk janë të paktë ata që mendojnë se goditja ndaj Sali Berishës është bërë më shumë për të goditur mazhorancën dhe përfaqësues të saj që kanë abuzuar me fondet e shtetit. Në fakt, ka një rregull lufta ndaj korrupsionit: Quhet fitore ndaj tij kur goditet i korruptuari qeveritar dhe jo ai që ka rënë nga pushteti. Si e tillë, nuk është çudi që goditjet e para të jenë ndaj përfaqësuesve të mazhorancës. Ministra aktualë ose që nuk janë më në detyrë kanë qenë pjesë e qeverisë Rama që nga vitit 2013 kur PS erdhi në pushtet mund të përfundojnë matanë hekurave. Në këtë listë janë deputetë dhe ish-deputetë, drejtorë aktualë dhe ish-drejtorë, e gjithfarësoj që ia kanë nxirë faqen Shqipërisë duke e kthye në një vend që korrupsioni është ulur këmbëkryq. Por më e rëndë se kjo pandëshkueshmëria është bërë normë. Prandaj vendimi i sekretarit Blinken për të shpallur Berishën non grata në SHBA ka sjellë shqetësim në radhët e mazhorancës me arsyetimin kur nuk pati dilema për Berishën imagjinoni se çmund të ndodhë me këdo tjetër, edhe në mazhorancën socialiste.

 

  1. Frikë në Partinë Demokratike

Sigurisht që goditja ndaj Sali Berishës duke e shpallur non grata për SHBA e ka tulatur Partinë Demokratike. Në selinë e saj ka një heshtje varri. Asnjë politikan i saj nuk prononcohet publikisht dhe të gjithë refuzojnë ftesat në studio televizive për debat politik. Aktivë janë vetëm në rrjetet sociale. Aty disa e mbrojnë Berishën duke e nisur me fjalët keqardhje dhe të tjerë duke shfrenuar fantazinë me gogolin Soros. I pari që reagoi ishte kandidati për kryetar i PD Fatbardh Kadilli i cili pas më pak se dyrë nga vendimi i Blinken, në faqen e tij në facebook mbajti një qëndrim aspak mbrojtës por parimor duke kërkuar ndarjen e çështjes me Partinë Demokratike: “Sot, në një situatë krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë. Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i komprometojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë” shkroi Kadilli. Aq shokues ka qenë vendimi I Blinken saqë statusi i Kadillit ka marrë vetëm 38 likes, asnjë share dhe vetëm 5 komente, nga këta 3 kundër dhe 2 pro. Dy orë pas deklaratës së Kadillit ishte kryetari aktual Lulzim Basha i cili shkroi në faqen e tij zyrtare në facebook: “Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”. Kjo deklaratë cilësohet më e dobëta në mbrojtje të Berishës. Deklarata u shoqërua me 4800 shikime, 1100 komente dhe 426 shares. Shumica e komentatorëve nuk merreshin fare me deklaratën e Bashës dhe kontekstin e saj por mbronin dhe lavdëronin Berishën. Deklarata e Bashës u pasua me të tjera shumë herë më të drejtpërdrejta në mbrojtje të Berishës. Në fakt 100 mijë anëtarëve u është goditur simboli i Partisë Demokratike dhe kjo është më shumë se sa humbja tre herë radhazi e zgjedhjeve parlamentare. E pritshme por shumë me e fortë nga çfarë pritej ishte deklarata e presidentit Ilir Meta: “Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”, shkroi Meta në faqen e tij, deklaratë nga e cila mori 2600 likes, 1000 komente dhe 318 shares. Por më shumë se kaq në Partinë Demokratike ka një frikë, sipas të cilës, derisa është goditur Sali Berisha asnjë politikan tjetër nga baza deri në majë nuk është i imunizuar. Ish-ministra, ish-deputetë, ish-drejtorë të qeverisjes së Partisë Demokratike që kanë abuzuar me fondet e shtetit janë ata më të frikësuarit.

  1. Pas goditjes së Berishës nuk ka më ujëra të qeta në PD
Lexo edhe :  “Investimet e huaja janë rritur”/ Rama: Ekonomia shqiptare ka marrë një vlerësim të mirë

Përveç frikës për arrestime dhe procese një frikë tjetër madhore po e shkund Partinë Demokratike. Në këtë parti më 13 qershor do zgjidhet kryetari i ri. Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj, Ibsen Elezi, Edith Harxhi janë deri tani kandidatët, por ishte krijuar perceptimi i sigurtë se Lulzim Basha të jetë përsëri shefi i partisë. Ai ka strukturat dhe ka nën kontroll gjithçka. Por me vendimin e sekretarit Blinken duket se edhe Bashës i janë dobësuar fuqitë politike brenda partisë së vet. Shpallja e kandidaturës së Agron Shehajt për kryetar që është edhe një nga të promovuarit e Bashës në partinë Demokratike më shumë duket si një dobësim i kryetarit aktual pas shpalljes non grata të Berishës se sa një projekt i menduar që më parë. Prandaj nga ky moment PD po kalon tallaze dhe furtuna edhe pse moti është kthjelluar dhe po i afrohemi stinës së verës. Besohet se edhe pas 13 qershorit, Partia Demokratike nuk do të notojë në ujëra të qeta.

  1. Interesi i lartë i SHBA-së në Shqipëri

Disa vite më parë u krijua një perceptim që SHBA nuk kishte më interesa në Shqipëri dhe ishte larguar shumë nga ne. Ishte i zymtë ky konkluzion po të mendoje se që nga viti i largët 1922 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, SHBA nuk ka reshtur së investuari jo vetëm politikë në Shqipëri. Mjafton të përmendim se SHBA e ka shpallur Shqipërinë më 28 korrik 1922 me statusin e kombit më të favorizuar kur marrëdhëniet mes dy vendeve në fakt u bënë zyrtare më 28 gusht 1922. Nuk ka vend për të bërë histori për 45 vjet që nga 1946 deri në 1991 kur marrëdhëniet mes dy shteteve u ndërprenë. Por pas rivendosjes së tyre SHBA ka qenë për Shqipërinë jo vetëm aleati ynë strategjik por shteti mentor në të gjitha zhvillimet politike, cilësinë e demokracisë, shtetit të së drejtës por edhe raportet tona ndërkombëtare dhe më e rëndësishme se kaq zgjidhja e çështjes kombëtare të shqiptarëve. Rrëzimi i komunizmit, vendosja e shtetit demokratik, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe krijimi i një shteti të pavarur, janë vepër ose më saktë kryevepra të SHBA. Ky interes që pati fuqinë e një zbarkimi amerikan në tokën e shqiponjave ka qenë i vazhdueshëm duke u konfirmuar edhe me fjalën e mbajtur në parlamentin shqiptar nga sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, më 8 nëntor 2012 kur mes të tjerave tha: “Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme dhe për 100 të tjera pas tyre dhe ato 100 pas këtyre”. Më saktë, më bukur, më troç, nuk ka. Interesi i lartë i SHBA në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë.

 

 

  1. Lobet antishqiptare në tërheqje

Ky vendim simbolik dhe domethënia e tij pritet të sjellë një tërheqje të qarqeve antishqiptare që dukeshin si në ofensivë kohët e fundit. Për një periudhë disa vjeçare dukej sikur kishte një rizgjim të tyre deri në penetrime të financimeve në parti apo edhe grupe individësh. Lobi rus arriti të ndikojë deri në atë që sot ende vazhdon si debat për ndryshimin e kufijve që duhet theksuar se do ishte në dëm të shqiptarëve. Por me vendimin e sekretarit Blinken që tregon interes të lartë të Shqipërisë duket qartë se politika dhe diplomacia amerikane ka ngulur rrënjë në Shqipëri. Rrjedhimisht, qarqet ruso-serbe-sllave kundër shqiptarëve nuk do ta kenë të lehtë të investojnë skenarë kundër Shqipërisë. Ky vendim pritet të shoqërohet jo vetëm me stepje të tyre, por një tërheqje nga çdo skenar, jo vetëm për ndryshime kufijsh por edhe për të penetruar në politikën shqiptare dhe jetën shoqërore këtu.

  1. Nuk ka më frikë ndaj të fortëve

Shteti shqiptar pas këtij vendimi nuk do ketë më frikë ndaj politikanëve dhe të inkriminuarve, ose siç quhen në zhargonin e ulët “të fortët”. Ai që deri dje sfidonte shtetin, sot nuk ndjehet më i tillë. Edhe më i dobët do ndjehet ai në vijim. Tashmë filmi holliwood-ian “Untouchables” (Të paprekshmit) mund të luhen edhe në versionin shqiptar. Më 23 mars 2016 ambasadori amerikan I asaj kohe Donald Lu në një aktivitet ndërqeveritar tha: Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit). Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pa korruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane”. Tashmë që kjo njësi është krijuar duket se gjërat janë gati. Por vendimi i sekretarit Antony Blinken është një motivim më shumë për BKH se në Shqipëri nuk do ketë më frikë ndaj të fortëve. Kjo është një bindje tashmë.

  1. Në Shqipëri do ketë stabilitet politik dhe social

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare i ka perifrazuar këto 3 dekada me frazën e artë se Shqipëria i ngjan trupit që nuk i ikin ethet. Kanë ndodhur shumë ngjarje në këto 30 vjet që e kanë shoqëruar Shqipërinë me plot energji, por fatkeqësisht në shumë raste ato kanë qenë negative. Më shumë se çdo gjë Shqipëria për SHBA duhet të ketë stabilitet. Dhe si e tillë mentori ynë kërkon krijimin e kushteve për ta arritur këtë. Në radhë të parë kjo bëhet duke sunduar me të drejtën e ligjit dhe në radhë të dytë me aleanca politike. Një pjesë e opinionit mendon se termi stabilitet politik i shkon për shtat kryeministrit Edi Rama që pasi fitoi edhe mandatin e tretë mund të kthehet në një autokrat në qeverisjen e tij. Kjo është një teori diletante sepse të mendosh që SHBA investon për konsolidimin e demokracisë nëpërmjet reformës në drejtësi dhe në të njëjtën kohë krijon një autokrat si edi Rama, nuk shkon. Synimi i SHBA për të patur stabilitet në Shqipëri vjen duke krijuar një klimë jokonfliktuale që kemi parë deri më sot. Por një politikë ndryshe, të paqtë, pse jo edhe bashkëpunuese sidomos për çështjet madhore si integrimi në BE.

  1. Lamtumirë media e inkriminuar!

Në një nga intervistat e saj ambasadores Kim foli edhe për mediat shqiptare. Disa herë ajo ka shigjetuar gazeta, portale dhe televizione e deri gazetarë që sipas saj trajtojnë çështje të krimit sipas interesave të veta. Janë hedhur dyshime për financime dhe me këtë krijojnë opinion se me para që rrjedhin nga krimi mund të krijosh media. Mjafton të themi se në Shqipëri ka rreth 800 portale mediatike dhe mbi 100 televizione që në një vend me 3 milionë banorë është një dukuri inflacioniste dhe që janë ngritur për qëllime aspak profesionale. Duket se me vendimin e fundit të Antony Blinken kjo gjë merr fund. Media nuk mund të përdoret më në Shqipëri si mburojë për veprimtari kriminale. Kjo pritet ti takojë një kohe të shkuar.

Të fundit

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Lajme të tjera

Web TV