Pasi mjeku i hapi kartelën për shtrim, krejt papritur Aleksandër Hoxha u largua në orën 10 të paradites, të datës 26 maj. Nuk dihen në çfarë rrethanash është larguar, pasi u ka shpëtuar nga sytë edhe familjarëve. Ai jetonte në qytetin e Lushnjës dhe kohët e fundit kishte shfaqur probleme të theksuara të shëndetit mendor, duke u bërë i dhunshëm edhe për fqinjët. Një aksident që i ndodhi në Greqi vite më parë, e la me pasoja në kokë, ndërsa ra nga kati i 5-të i një pallati. Divorci me bashkëshorten dhe shkëputja e marrëdhënieve me fëmijët, që jetojnë me nënën e tyre në Greqi rëndoi edhe më shumë gjendjen psikologjike të Aleksandrit.
Vëllai i tij Ferdinand Hoxha, nga ekrani i Report TV bën thirrje për ndihmë, në emisionin ’Pa Gjurmë’.
“Sapo i plotësuam kartelën për shtrim në Spitalin Psikiatrik, ai gjeti momentin që doktorrit i erdhi një person tjetër dhe u largua me shpejtësi. Aleksandri jeton në Lushnjë dhe ka probleme. Kunati e solli në Tiranë për ta kuruar. Ai nuk e duronte dot spitalin. Ne donim ta nxirrnim sërish në komision, pasi gjendja e tij u rëndua dhe u bë I rrezikshëm. Aleksandri ka nevojë për kurime dhe medikamente, as kemp nuk merr më. Kohët e fundit kishte shfaqur shenja të dhunës, pasi kishte bërë sherr me një fqinj të tijin. Aleksandri ka pësuar një aksident, kur punonte në Greqi. Ai ra nga nja lartësi e madhe e një pallati dhe pësoi dëmtime. Nga gruaja është i divorcuar dhe nuk kontakte as me fëmijët që jetojnë me nënën. Kur erdhi në Shqipëri mbeti papunë. E kemi operuar në kokë pasi aksidenti e la me hematoma. Për humbjen e tij kemi bërë denoncimin në rajonin nr 4 në Tiranë.” /shqiptarja.com/