Nga Adrian Civici
Milton Friedman “mbrojtësi më i zjarrtë i liberalizmit” i laureuar me cmimin Nobel në ekonomi në vitin 1976, konsiderohet si një nga ekonomistët më të spikatur dhe më influentë të shek.XX-të. Cilësohet si themeluesi i korrentit monetarist dhe shkollës monetariste të Chicagos.
Dy nga veprat e tij më të famshme janë libri “Kapitalizmi dhe liria” ku shpjegohet thelbi i teorisë së tij sipas së cilës “në një ekonomi tregu, zvogëlimi i rolit të shtetit është mjeti i vetëm për të arritur lirinë politike dhe ekonomike”; dhe një seri bisedash publike të mediatizuara në vitin 1980, gjatë të cilave u nënvizua “superioriteti i liberalizmit ekonomik mbi sistemet e tjera ekonomike”.
Milton Friedman është nga ekonomistët më të vlerësuar në shkallë ndërkombëtare. Në vitin 1951 ai nderohet me medaljen “John Bates Clark” me motivacionin “për kontribut të vecantë në mendimin dhe njohuritë ekonomike”, një cmim special që i jepej ekonomistëve të rinj amerikane; në 1976 ai merr cmimin Nobel në ekonomi, ndërkohë që në vitin 1988 vlerësohet me “Presidential Medal of Freedom” dhe po atë vit me “National Medal of Science”.
Gazeta prestigjoze britanike “The Economist” e cilëson si “ekonomisti më influent i gjysmës së dytë të shek.XX-të” , ndërkohë që Alan Greenspan, guvernatori i Fed pohon se në jetën dhe dijen e tij, “Friedmani bën pjesë në ata pak persona idetë e të cilëve janë aq origjinale sa të ndryshojnë dhe drejtimin e civilizimeve” .
“Kato Institute” e vlerëson me një cmim special për personalitetet e mëdha të jetës shoqërore e ekonomike në vitin 2001, ndërsa “Enciklopedia Britanike” duke folur për liberalizmin, nënvizon se “Friedman-i së bashku me Friedrich Hayek janë aktorët kryesorë që bënë të mundur lindjen e liberalizmit klasik të shek.XX-të .
Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzeneger, për të nderuar veprën dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Milton Friedmanit në mendimin ekonomik bashkëkohor dhe politikat publike, shpalli 27 janarin 2007 si “ditën e Milton Friedmanit”. Gjithashtu, Friedmani mban dhe një numër titujsh honoris causa të dhëna nga Universiteti Rutgers në vitin 1968, universiteti hebraik i Jeruzalemit në 1977, universiteti Francisco-Marroquin në 1978, universiteti Havard në 1979, universditeti i ekonomisë së Pragës në 1997, etj
Kapitalizmi dhe liria është një nga librat më të shquar të Milton Friedman-it i publikuar në vitin 1962. Teza kryesore e tij është se « liria ekonomike është kusht i domosdoshëm për liritë politike.
Duke ju adresuar një publiku shumë të gjerë se sa thjesht ekonomistëve, Friedmani bën në këtë vepër apologjinë e liberalizmit, duke zhvilluar akoma më tej në këtë vepër punimet dhe idetë e ekonomistëve dhe liberalëve të shquar si Frank Knight, Friedrich Hayek, George Stigler,etj.
Këtu Friedmani mbron bindjet dhe pikëpamjet e tij filozofike, politike e ekonomike. Libri u shkrua 15 vjet mbas përfundimit të luftës së dytë botërore dhe vetëm 30 vite mbas depresionit të madh që tronditi rëndë SHBA dhe botën. Në këtë kohë, klima politike e intelektuale dominohej nga idetë keynesianiste të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, tek nxitja e zhvillimit dhe punësimit nëpërmjet investimeve publike, etj. Kjo shpjegon dhe faktin se përse në këto vite libri nuk u prit me entuziazëm dhe nuk u vlerësua, ndërkohë që mbas viteve 1975 ai u bë një best seller i shumëkërkuar.
Rëndësia dhe vlera e librit u ripërtërinë në vitet 1990, kur si pasojë e shëmbjes së murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik, vendet e Europës qëndrore dhe lindore u anagzhuan në reforma drastike « nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë » duke zbatuar mjaft nga rekomandimet dhe politikat e parashtruara nga Friedmani. Libri është cilësuar si një nga 10 librat më të rëndësishëm të shek.XX-të dhe si një nga librat më influencues të shkruar mbas luftës së dytë botërore.
Elementet kryesore të trajtuara në këtë libër janë :
1) Lidhjet ndërmjet lirisë ekonomike dhe lirisë politike në të cilën Friedmani mbron lirinë ekonomike si domosdoshmëri për të patur dhe lirinë politike. Nëse mjetet e prodhimit zotërohen nga Shteti, asnjë lloj disidence nuk mund të shprehet.
2)Roli i qeverisë në një shoqëri të lirë. Për Friedmanin, në një shoqëri të lirë, Shteti duhet të garantojë respektimin e ligjit, të drejtat dhe të garantojë pronën private. Ai duhet të luftojë kundër monopoleve dhe kundër devijimeve të tregut.
3)Kontrolli i monedhës. Trajton cështjet e krijimit monetar në SHBA, vecanërisht kontrollin e ushtruar nëpërmjet Federal reserve Act të vitit 1913. Shprehet shumë kritik ndaj veprimit të Fed në gjithë veprimtarinë e tij dhe mbron idenë se masa monetare duhet të shtohet cdo vit në masën 3-5%.
4)Tregëtia ndërkombëtare dhe marrëveshjet tregëtare. Shprehet dakort me fundin e sistemit të Bretton Woods dhe zëvendësimin e tij me sistemin e këmbimit luhatës si dhe me heqjen e barrierave proteksioniste në tregëti.
5) Politika fiskale. Friedmani pozicionohet kundër rritjes së shpenzimeve publike dhe kundër justifikimit se kjo bëhet në interes të nevojave të ekonomisë. Për të, shpenzimet qeveritare veprojnë në sens të kundërt, dmth ndikojnë në destabilitetin e ekonomisë. Ai hedh mjaft dyshime mbi teorinë keynesianiste të multiplikatorit duke nënvizuar se rritja e shpenzimeve të qeverisë është në të njëjtën linjë me rritjen ekonomike.
6)Roli i qeverisë në edukim. Mbron politikën e « cekut për edukim », një shumë financiare që studentët mund ta përdorin për të financuar studimet e tyre në universitetet apo shkollat që dëshirojnë apo i vlerësojnë si më të mirat. Friedmani mendonte se një sistem demokratik, shkollimi ishte një domosdoshmëri dhe në këtë kuadër propozon disa zgjidhje se si mund të realizohet në mënyrë masive e cilësore edukimi.
7)Kapitalizmi dhe diskriminimi. Vlerëson se kapitalizmi është sistemi më i mirë për të evituar diskriminimin, sepse ai e bën « shumë të kushtueshme » sjelljen dhe veprimet diskriminuese.
8) Monopolet dhe përgjegjësia sociale e ndërrmarjeve dhe punonjësve. Friedmani dallon tre tipe monopoles : monopolet publike, private dhe ato të rregullimit publik. Monopolet me origjinë shtetërore duhet të jenë sa më të limituara, ndërkohë që doktrina e « përgjegjësisë sociale » sipas së cilës ndërrmarjet duhet të preokupohen për « shoqërinë » dhe jo për fitimin e tyre është e dëmshme sepse të con drejt totalitarizmit.
9)Profesionet e rregulluara. Mbron qëndrimin radikal kundër rregullimit të disa profesioneve pasi një veprim i tillë dëmton dhe topit konkurrencën, vecanërisht në fushën e mjekësisë.
10)Rrishpërndarja e të ardhurave. Këtu Friedmani interesohet për efektet e taksës progresive në procesin e shpërndarjes së të ardhurave duke u pozicionuar krejtësisht në favor të taksës së sheshtë.
11)Politikat e shtetit tutor. Shprehet mjaft skeptik për efektet e politikave të mbështetjes sociale dhe rolit real të tyre tek ata që kanë realisht nevoja sociale.
12) Reduktimi i varfërisë. Duke kompletuar analizat dhe komentet mbi taksën e sheshtë, Friedmani mbron idenë e « taksave negative mbi të ardhurat » në mënyrë që të përfitojnë të varfërit dhe ata me të ardhura të pakta.
13)Konkluzion : progresi vjen nga njerëzit e lirë, nga tregu i lirë dhe jo nga shteti dhe ndërhyrja qeveritare në ekonomi.