Rilindja e Voskopojës, pas rrënimit të skajshëm

113 563 lexime

120,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Në ditë dimri me dëborë, por dhe në verën e nxehtë që bëhet më e freskët, Voskopoja ka turistë pa fund. Dhe kjo është shenja e rilindjes së ish-kryeqendrës së kulturës.

 

Voskopoja ka nisur të marrë shkëlqimin e harruar prej kohësh. Jo atë të hershmin sigurisht. Nuk ka shtypshkronjë, as akademi, po gjithsesi po del nga zymtësia që e kishte pllakosur prej 250 vitesh…

 

…Nuk është më një qendër urbane, ku të rrihen mendimet filozofike dhe të merren vendime me largpamësi, por është një fshat i vogël që po zgjerohet dita-ditës duke na befasuar me atë çka ofron.

 

***

Për një fundjavë pranvere, Voskopoja shihet një destinacion turistik që ia vlen ta prenotosh në mendje e të mos e anulosh për teka të kota, si fjala vjen: rrugë e gjatë e me shpenzime. Por edhe dimrit mbushur me dëborë, Voskopoja është po aq turistike, padyshim. Ka njerëz, që meqenëse e kanë ndërtuar nga një shtëpi në fshatin dikur të shkretuar, nuk përtojnë ta bëjnë çdo fundjavë këtë rrugë, madje me makina që kanë motor të madh e të shuajnë nga karburanti. Janë 176 kilometra vajtje dhe po aq kthim, e barabartë me 352 kilometra, po qe se rrugës nuk të del dhe ndonjë yçkël tjetër. Në Shqipërinë e vogël, duket se 352 kilometra janë shumë, edhe pse në perëndim të Evropës, apo më mirë në Amerikë të themi, kaq kilometra i duhen çdo njeriu për të shkuar çdo ditë në punë. Sipas vendit bëhet Kuvendi, thotë një fjalë e urtë. Vitet e fundit Shqipëria të ofron rrugë përgjithësisht të mira, por ku nuk ia shkel dot me 180 në orë e të mbërrish atje ku do vetëm në 60 minuta. Në rrugë e sipër do të të vonojnë ca kthesat e Librazhdit, sidomos po të doli ndonjë trajler përpara e s’gjen segment ku ta parakalosh, por dhe Qafa e Thanës, ajo e Plloçës si dhe vetë ngjitja deri në kuotën e 1000 metrave e kacafiu… mbi nivelin e Adriatikut e të Jonit.

 

***

Voskopoja është ndërtuar mbi një pllajë që është mbi nivelin e detit në kuotën e 1160 metrave. Goxha lart, jo shaka. Për korçarët destinacioni është vetëm 20 km larg nga qendra e qytetit të tyre, dhe mbërrijnë në mes të Voskopojës për më pak se 30 minuta, vetëm ngaqë rruga është e përpjetë e me kthesa. Por nëse do të nisesh nga Tirana, guida thotë se do të duhet të udhëtosh 176 kilometra, me një mesatare kohe prej 3 orë e 20 minuta, pa ndalesa. Por nëse do të pish një kafe në të dalë të Elbasanit, apo në Librazhd, të hash për mëngjes një paçe-pilaf andej nga Hotolishti, e të pish një kafe të dytë në buzë të gjolit të Pogradecit, padyshim që do të të duhen 5 orë në mos më tepër që të mbërrish në metropolin e dikurshëm të 24 kishave, i cili tanimë është vetëm një qendër komune me 8 të tilla që kanë arritur t’i mbijetojnë flakëve të zjarrit, sherreve, hakmarrjeve si dhe predhave të dy luftërave botërore.

 

*

Meqenëse nuk na ndiqte kush, duke respektuar të gjitha vaktet e mundshme e duke soditur panoramën që të ofron relievi shqiptar sapo del nga Tirana e tymosur, për drekë mbërrijmë në Voskopojë. Natyra është përrallë, ndërtesat dhe rrugët gjithashtu. Shumica dërmuese në gur, dhe tek-tuk ka ndonjë të suvatuar, që e prish sistemin. Sepse në Voskopojë nuk shkohet për të gjetur elemente kozmopolitanë të një qyteti modern. Larg qoftë po qe se ndonjërit do t’i ngrihej mendja e të ndërtonte ndonjë kullë 30-katëshe, me hekur e beton, në mes të shtëpive dykatëshe prej guri e druri. Në fakt, në Voskopojë shkohet për të gjetur Voskopojën, atë që është e vështirë tanimë ta gjesh nëpër qytetet e mëdha e të zhurmshme që po na ofron Shqipëria moderne e fillim mijëvjeçarit të tretë, që nga lindja e Krishtit.

Epo… u modernizuam dhe ne.

Tanimë Tirana quhet metropol, sepse nuk ka më një qendër të vetme, sheshin te kali i Skënderbeut, por qendër është bërë dhe Astiri, që para ca vitesh ishte toka bujqësore e një fshati përkarshi, dhe Komuna e Parisit, ku dikur ishte mbushur me sera për të kultivuar domatet, kastravecët e patëllxhanët, por edhe Fresku, që jarebi…

 

***

Makinën e parkojmë në hyrje të fshatit, sepse duam të bëjmë dhe ca rrugë në këmbë, ndonjë foto familjare, ndonjë selfie duke u zgërdhirë para kamerës dhe ndonjë video sigurisht, me qëllim që ta hedhim në Facebook a Instagram, e të vëmë tellallin: E morët vesh, jam në Voskopojë unë!

-E o mirë, se nuk ke mbërritur në Honolulu. Ja ku është Voskopoja, një vrap pele…

Meqenëse është fundjavë, edhe mundësia për të gjetur një tavolinë të lirë është ca e vështirë. Se në Voskopojë, taverna e bujtina ka plot, por ka njerëz shumë më tepër nga sa mund të mbajë fshati. Ndaj dhe ritmi i ndërtimeve vazhdon. E nëse do të ecë kështu në vijimësi, shumë shpejt statusi i Voskopojës ka për të ndryshuar, e do të quhet “kaza”, apo “bashki” siç i themi me fjalorin kontemporan.

Voskopoja është zaptuar nga të huajt. Vijnë gjithfarë, shqiptarë, grekë, bullgarë, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, por dhe më tej. Makina të prodhimeve të fundit rreshtohen aty, në çdo rrugë të gjerë e rrugicë kalldrëmi. Por dhe ca autobusë 60 vendesh që kanë sjellë fëmijë shkollash, sikur i zinin frymën “qytezës”.

Diku na hapin vend dhe tavolina jonë mbushet me gjithë të mirat e zonës. E megjithatë, nuk ia vlen të hash as mishin e viçit, as të përbrendshmet e qengjit, dhe as sallaturina gjithëllojesh, përpara një kulaçi të ngrohtë me gjalpë bio, të cilit ia kemi harruar erën prej 20 vitesh. Në këtë pikë, Voskopoja është shndërruar në një vend shërbimesh. Nuk ka kuptim t’i thuash fshat një vendi fort të pastër e pa bajga lopësh nëpër të, që nuk mban as dhen e dhi, as mushka e gomarë, as pula e zogj dhe as qen roje për bagëtinë. Voskopoja nuk bie erë fshat edhe pse në terminologjinë e sotme është një fshat.

Lexo edhe :  13 maj 1917 - Portugali/ Zonja e Fatimas, mesazhi që u dha virgjëresha tre barinjve

 

***

Në qendër të Voskopojës një lapidar na kujton Luftën e Dytë Botërore dhe dëshmorët e saj. Nuk është shkatërruar dhe as dëmtuar siç ka ndodhur në ndonjë vend tjetër, por vazhdon të lartohet po aty për të na kujtuar se në 28 dhjetor të vitit 1943 në Voskopojë, me partizanë nga Korça, Devolli, Kolonja etj., u formua Brigada IV Sulmuese me komandant Nexhip Vinçanin.

Pak më tutje ndodhet Kisha Katedrale “Fjetja e Shën Marisë”. Historiku thotë se kjo kishë është pikturuar më 1712 nga tre piktorë nga krahina e Agrafas në Greqi, Theodhori, Anagnosti dhe Steriani. Por në kishat e Voskopojës, ca të rrënuara plotësisht e ca fort të dëmtuara ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm mjeshtri i madh David Selenica, për stilin e të cilit specialistët thonë se i përkiste shkollës tradicionale të artit të Paleologëve. Për këtë ikonograf të shquar, Kinostudio Shqipëria e Re, dhe regjisori Spartak Pecani, në vitin 1983 realizuan filmin artistik “Kohë e largët” sipas motiveve të novelës “David Selenicasi” që shkrimtari Sotir Andoni si autor i saj e përshtati dhe për skenar. Aktori i njohur Ndriçim Xhepa ka mundur të transmetojë me mjeshtëri figurën e ikonografit të shquar shqiptar David Selenica. Mjafton të shohësh atë film për të kuptuar se sa shumë i ka dhënë Voskopoja iluminizmit shqiptar dhe gjuhës shqipe. Si u ngrit Akademia, një nga shkollat e rralla nën perandorinë osmane, bashkë me shtypshkronjën që në shqipen e kohës quhet “radhua”. Po Voskopoja si rrallëkund ndër qytetet evropiane të kohës, kishte dhe jetimore e spital. Jo vetëm këto por dhe shpirti tregtar i voskopojarëve e bëri qytetin një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, tregtare, kulturore dhe shoqërore pikërisht në kohën kur viset shqiptare kishin rënë tërësisht nën sundimin osman të Portës së Lartë.

 

***

Voskopoja është djegur të paktën tre herë, sepse me gjasa ka dhe një djegie të katërt të saj. Në këtë mënyrë qyteti dhe banorët e tij paguan një haraç shumë më të rëndë nga sa mund të mendohej. Sepse për inate të akumuluara, mospagesa taksash a detyrimesh, – por dhe të tjera si këto që historianët na i servirin herë sipas dokumenteve e herë sipas këndvështrimit të tyre, – sherrxhinjtë që u sulën nëpër sokakë mbi kuaj e ura zjarri në duar, do të mjaftoheshin me një ndëshkim. Por qyteti nuk do të gjente qetësi. Ai do të digjej në vazhdimësi. Dhe kështu do të shkëputeshin hallkat e një zinxhiri që do ta mbante gjithë trevën dhe më gjerë në errësirën osmane dhe për shumë vite të tjera. Ndërkohë që mund të kishte ndodhur e kundërta.

Do thoni ju: është djegur dhe Roma. E vërtetë, dhe Roma është djegur, megjithëse ishte kryeqendra e perandorisë më të madhe në kohë. Nuk është se djegia e një qyteti dhe e qytetërimit bashkë me të është shenjë mençurie dhe triumfi bashkë. Do të ishte shumë më mirë që Voskopoja të mos ishte djegura asnjëherë. Sepse sot padyshim, siç mburremi me Beratin 2400 vjeçar, Shkodrën e përmbi 2000 viteve, do të mburreshim fort dhe me qytetërimin voskopojar – krahas atij të Korçës më pas – historia e të cilit nisi të shkruhej të paktën 700 vite më parë, sepse mendohet që themelimi i qytetit daton diku në vitet 1330.

 

***

Voskopoja e humbi shkëlqimin që pas djegies së parë. Djegia e dytë e ish-qytetit me shtypshkronjë e akademi e ktheu në një fshat të humbur e pa perspektivë. Dy djegiet e tjera nuk është se kishin çfarë t’i prishnin një vend që ishte kthyer prej kohësh në gërmadhë. Vetëm 100 vitet e fundit Voskopoja ka gjetur një qetësi relative.

 

***

Para viteve ‘90 Voskopoja njihej më së shumti si një vend pushimi me ndërtesa ku ishin Kampi i Pionierëve dhe ai i Punëtorëve. Po aq Voskopoja kishte një emër të mirë dhe për shkak të një piste natyrale dëbore ku stërviteshin djemtë e institutit të fizkulturës “Vojo Kushi”. Dhe kaq.

Në vitet e demokracisë Voskopoja po njeh investime të mëdha. Vendasit kanë punuar për vite të gjata në emigracion, më së shumti në Greqinë fqinje. Dhe janë rikthyer ne vendin e tyre, jo për të prishur paratë e mbledhura, por për të investuar.

Në ditë dimri me dëborë, por dhe në verën e nxehtë që bëhet më e freskët, Voskopoja ka turistë pa fund. Dhe kjo është shenja e rilindjes së ish-kryeqendrës së kulturës.

Pasdite vonë marrim rrugën poshtë. Nuk duhet të qëndrosh doemos një javë për të shijuar Voskopojën. Ndonjëherë mjaftojnë edhe pak orë. Makina merr tatëpjetën, ndërsa herë pas here ndeshemi me autobusë e mikrobusë që vazhdojnë të ngjiten sipër me turistë të rinj brenda tyre. Në çdo kthesë të tatëpjetës shfaqej Korça, e ndërtuar në fushë. Një tjetër vlerë e rrallë e kulturës shqiptare.


Të fundit

Startojnë zgjedhjet e reja në PS, Rama: Arsyeja themelore për ta zhvilluar këtë proces…

Startojnë zgjedhjet e reja në strukturat e Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka folur sot në takimin e Këshillit...

100 vjet më parë: Çekrezi dhe njohja e Shqipërisë nga SHBA

Nga Ilir Ikonomi Në fillim të vitit 1920, Kostandin Çekrezi nga Ziçishti, njeri i shkolluar në Harvard, nuk linte rast pa ndërhyrë pranë Departamentit të...

Një portë në Mars? Fotoja e roverit të NASA-s që po çmend rrjetin!

Nuk është hera e parë që imazhet nga Marsi ngjallin kureshtje të madhe, por një foto e realizuar këto ditë nga roveri Curiosity i...

Bombardimet ruse i marrin jetën 10 civilëve në Ukrainë

Bombardimet ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Sievierodonetsk, kanë vrarë 10 civilë, sipas guvernatorit rajonal. Krahu lindor i Ukrainës është përballur me bombardime të vazhdueshme...

Covid në Shqipëri/ Ja sa raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë: 453 testime, 6 qytetarë të infektuar, asnjë humbje jete dhe 78 të shëruar në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë i...

Lajme të tjera

Web TV