Në Vlorë ku gjen këngë me portokalle, por jo me palma

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

-Ja Vlora.
-Vlora çuna, Vlora.
Për t’i dhënë një vlerë artistike regjisorët Kujtim Çashku e Piro Milkani, vendosën që kamionët tip ZIS, e shkronjën “T” në karroceri, ngarkuar me detarë, – ku i vetmi civil ishte Belul Gjonomadhi, – të bënin rrugën nga Orikumi në drejtim të Vlorës dhe jo anasjelltas, ajo që i çonte rekrutët e Tiranës në drejtim të bazës ushtarako detare të Pashalimanit, që asokohe ishte një zonë e përbashkët shqiptaro-ruse. Dhe sapo kamioni i batalionit të Transportit del nga tuneli i Ujit të Ftohtë, pamja të befason.
-Shikojeni Vlorën djema, shikojeni, – u drejtohet gjithë krenari labi, Belul Gjonomadhi, veshur me opinga lëkure, çorape leshi, hedhur krahëve një gunë çobani e një qylaf me majë mbi kokë
Sepse Vlora ka qenë e bukur, atëherë kur “mbrojtja e atdheut ishte detyrë mbi detyrat”, dhe tani kur për atdheun nuk para pyet njeri.
-Ushtarakë jemi të gjithë ne tani, – do t’i përgjigjej Beluli, çunakërve që vinin nga kryeqyteti e që kërkonin t’i jepnin mend: Po ky është kamion ushtarak mor xhaxha.
Flitet për filmin artistik “Ballë për Ballë”, një realizim i vitit 1979 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, dhe mbështetur mbi romanin “Dimri i Madh” shkruar prej Ismail Kadaresë.
Pasi u fut në “radën” e Vlorës, Belul Gjonomadhi, i cili i kishte zët telefonat e radarët, ia mori këngës labçe, shoqëruar në polifoni nga detarët e rinj 19-vjeçarë që Dega Ushtarake i rekrutuar në kryeqytet.
Moj Vlorë e bukur në gropë,
Skelë e parë në Evropë.
Kjo vlente sa për hyrje të këtij reportazhi.

***
Sot për të hyrë në Vlorë do të marrësh autostradën që fillon andej nga Fieri, dhe që është pagëzuar me emrin “100 vjetori i Pavarësisë” e cila si asnjë rrugë tjetër në Shqipëri, të sinjalizon me tabela njëra pas tjetrës, që mund ta mbash gazin te 110 kilometrat në orë. Natyrisht, kjo nuk vlen shumë për vendalinjtë, që duke e bërë përditë atë rrugë, nuk u shkon fare këmba te pedali i frenave.
-E kam parë diellin para teje unë, – i shkrehej një herë një shofer furgoni taksi, një djaloshi të ri që guxoi ta parakalonte. Po a mund të parakalohet një taksist nga Vlora. Edhe maune të kishte nuk do ndalej në garën e tij për të dalë i pari. Kot nuk ka dalë fjala se burrat nga ajo zonë e kanë gjoksin gropë. Epo… po i re shumë gjoksit, gropë do bëhet i shkreti.

***
Vlora vlen për një fundjavë në fillim të sezonit turistik, por dhe për pushime më të gjata, sigurisht. Sepse përveç plazheve pa fund, – nga Plazhi i Vjetër e për të përfunduar në Orikum, – mund të vizitosh edhe shumë vende muzeale e arkeologjike. Mund të vizitosh qendrën historike të qytetit, por edhe Kaninën në kodër. Dhe po të të hapet më shumë oreksi, ke mundësi të shkosh me anije deri në Sazan, për t’u njohur me qytezën e dikurshme të ushtarakëve të ishullit, që mbahej si një nga distriktet më të fortifikuara në Shqipëri.
Nga Tirana, Vlora është 158 kilometra larg, që sipas “google maps” bëhet për një kohë prej 2 orësh e 11 minutash. Kjo është rruga nëse do të marrësh autostradën e Durrësit. Por ka dhe një rrugë tjetër, që merr autostradën e Elbasanit. Në këtë version rruga zgjatet në 162 kilometra e barabartë me 2 orë e 16 minuta. Pra flitet për një shtesë prej 4 kilometrash që në kohë vlen vetëm 4 minuta vonesë.
Për të mbërritur në Kaninë harta satelitore tregon se rrugëtimi zgjat 2 orë e 21 minuta në një trase rruge prej 162 kilometrash.
Po qe se destinacioni do të jetë Radhima, rrugëtimi zgjat 2 orë e 38 minuta, të barabarta me 171 kilometra.
Ndërsa për të pirë një kafe në Orikum, do të duhet të bësh 18 kilometra nga Vlora, ose 174 kilometra nga Tirana, por që prej Radhimës janë vetëm 4-5 minuta jo më shumë. Dhe vetëm një kilometër nga qendra e Orikumit shtrihet plazhi, fundi i të cilit kufizohet me postobllokun e Bazës Detare “Pashaliman”, emëruar përndryshe dhe “Naval Base – Pashaliman”.
Veç, që të bësh një guidë të plotë, duhet të nisesh pak herët nga Tirana, që edhe të shmangësh trafikun për aq sa mundesh, por edhe të kesh më shumë mundësi kohore nga orët me pikatore të pushimit fundjavor.

***
Vlora është rregulluar për së mbari këto vitet e fundit. Duket se qeveria e ka parë me sy të mirë e ka derdhur pa hesap fonde nga të publikut. Bashkë me investimet private, Vlora tanimë duket si tjetër gjë. Hyrja për në qytet është e gjatë, e gjerë, e drejtë dhe herë pas herë ndeshesh me rotonda të zbukuruara. Por gjithsesi, ka nevojë edhe për ca tabela më shumë që të marrë kornizën e plotë të sinjalistikës rrugore. Por me sa duket, jo çdo gjë quhet “e mbyllur”. Punimet vazhdojnë.
Si e ke lënë pas hyrjen me emrin “Gjergj Kastrioti” – apo Transballkaniken, siç njihet më gjerësisht, – je futur në rrugën “Kosova”. Pasi ke kaluar dhe sheshin “Pavarësia”, futesh në “Lungomare”-n e famshme, e cila zyrtarisht një segment i saj mban emrin “Çamëria” dhe segmenti tjetër “Murat Tërbaçi”.
Palma në të dyja anët e rrugës. Kësaj radhe ia vlen t’ia marrësh këngës:
Nën një portokalle moj
Të ndala unë ty.
Epo… këngë për palmat nuk ka nga këto anë.

Lexo edhe :  Rama në Budapest: Për bashkëpunimin dypalësh dhe ecurinë në integrimit europian

***
Është rruga “Aleksandër Moisiu” ajo që të nxjerr nga Lungomare tek Uji i Ftohtë. Në kapërcim të Tunelit, do të ndeshesh me fadroma, skeptera e makina të rënda transporti, të cilët kanë nisur punën për Lungomaren nr-2.

Vlora është e bukur, deri në detaj. Për të bërë adetin, duhet të bësh një vizitë në qendrën historike të saj. Një foto te baballarët e kombit, një te Shtiza e Flamurit, por dhe një tek një objekt kulti fort i vjetër i qytetit, 500-vjeçar, Xhamia e Muradies apo Xhamia e Plumbit, siç quhet ndryshe. Përballë Sheshit të Flamurit ndodhen varrezat e dëshmorëve. Por shumë më e famshme mbetet “Kuzum Baba” dhe Teqeja, e cila është një pikë sa turistike aq edhe pelegrinazhi.
Pa u munduar shumë, vetëm për 6 kilometra rrugë, mbërrin në Kaninë, një qendër historike e arkeologjike, ku bashkëjetojnë mbetjet nga antikiteti dhe kështjella mesjetare. Kalaja ngrihet në anë të malit Shushicë, në një lartësi prej 380 metrash mbi nivelin e detit. Prej Kaninës pamja e Gjiut të Vlorës është edhe më mahnitëse. Sazani, ndodhet si një gamile në të djathtë të kepit të Karaburunit, me dy “gungat” e tij, maja më e lartë e të cilit kap një kuotë prej 342 metrash mbi nivelin e detit. Nëse i afrohesh portit të Vlorës, apo “triportit” do të gjesh agjentë turistikë që të ofrojnë bileta udhëtimi për në Sazan. Zakonisht ndodh që udhëtimi ka si pjesë të guidës një vizitë në Karaburun, një ndalesë në Sazan dhe vizitë në shpellën e Haxhi Alisë.

***
Mundësitë për të drekuar janë pa fund, por unë vet preferoj natyrën e Radhimës, ku djem të veshur me kostumin karakteristik të zonës të ofrojnë të konsumosh diçka në lokalin e tyre. Dhe meqë relievi është i thyer, sa det e mal po aty, edhe ushqimi i përfshin të gjitha mundësitë, peshk e fruta deti, si dhe mishra në hell e djathë nape.
Në rrugë makinat nuk rreshtin së lëvizuri. Pjesa më e madhe e tyre mbajnë për nga Llogaraja. Por shumë të tjera vazhdojnë të zbarkojnë nëpër hotelet e zonës për të bërë qoftë dhe disa orë plazh. Uji është kristal aq sa të vjen të futesh me gjithë rroba brenda në det.

***
Por për nostalgji, – jo vetëm të filmit Ballë për Ballë, por sepse edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kam kryer në Bazën e Pashalimanit, – nga Vlora nuk mund të shkulem pa shkuar deri në Orikum. Ushtarakët që janë në postobllok, kontrollojnë imtësisht çdo makinë që futet brenda, me leje të posaçme sigurisht. Nuk bëj gabimin trashanik e të lutem që të më fusin brenda, meqenëse një herë e një kohë kam shërbyer në “Gjuajtësin Detar”, dhe njoh vrimat e Bazës më mirë se ato të shtëpisë time. Një punonjës civil, me të cilin kontaktoj aty pranë, më shpjegon gjëra të zakonshme mbi ecurinë bazës dhe në fund më thotë:
-Në bazë është nëndetësja 105, e kthyer në muze tanimë. Veç nuk e kuptoj se si mund të jetë muze, një objekt që nuk i ofrohet kujt për ta parë?
Qesh me të madhe. Pastaj u mendova ca.
-E drejtë, – ia kthej. – Nëndetësja duhet të qëndrojë në një bankinë e cila të jetë e aksesueshme nga vizitorët.
Epo ja, punë Shqipërie, mendoj së fundi. Ka që shumë gjëra që nuk shkojnë saqë vizita në një nëndetëse lufte është e fundit gjë që mund të të shkojë në mendje. Edhe po nuk e pe nuk humbet ndonjë gjë të madhe.
Në Orikum, monumenti më i njohur është teatri antik, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958. Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë.
-Unë jam arkeollog. Ne po zbulojmë një nga teatrot më të vjetra të botës. Në atë teatër ndoshta është luajtur Prometeu i Eskilit. Kurse ju kërkoni që ne të largohemi. Sa turp.
Kështu do t’i drejtohej gjeneralit rus Zheleznov, tek filmi “Ballë për Ballë”, shefi i arkeologëve, pasi kishte marrë urdhër për të lënë në mes gërmimet në zonën antike të Orikumit, sepse ajo përfshihej në territorin e Bazës së Pashalimanit.
Shumë vite më vonë, gërmimet në këtë zonë vazhduan përmes një ekspedite të përbashkët shqiptaro-franceze, nga ku kanë dalë mjaft artefakte të rëndësishme dhe interesante.

***
Me Vlorën mund të mos ngopesh asnjëherë. Për më tepër që zona e Nartës u la jashtë vëmendjes së kësaj fundjave. Por vera është e gjatë e ka ditë të nxehta plot.
Mbrëmja është gati në të rënë. Janë vetëm 175 kilometra në kthim. Rruga duket më e lehtë, pa ndalesa.


Të fundit

Sot votohet në Kuvend/ Meta mund të bëhet Presidenti i parë i shkarkuar në historinë e shtetit shqiptar

Sot mund të jetë një ditë e rëndësishme për historinë politike të Shqipërisë. Ilir Meta mund të bëhet Presidenti...

Në Vlorë ku gjen këngë me portokalle, por jo me palma

Nga Leonard Veizi -Ja Vlora. -Vlora çuna, Vlora. Për t’i dhënë një vlerë artistike regjisorët Kujtim Çashku e Piro Milkani, vendosën që kamionët tip ZIS, e shkronjën...

E shkuara nis nesër

Nga Frrok Çupi Nesër, domethënë vërtet nesër- e mërkurë, 9 qershor, Parlamenti i Shqipërisë ‘i merr hov’ edhe një herë të dytë punës për shkarkimin...

Procesi Berlinit dhe negociatat për në BE

Nga Plator Nesturi Vështirë të mendohet gjatë presidencës portugeze po gjatë marrjes së kryesimit të BE nga Sllovenia besohet se do të hapen Konferencat Ndërqeveritare...

“Non grata”, Berisha bëhet çështje në Uashingon

Nga Fernada Cenko Një muaj pasi ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, ka ardhur reagimi i parë nga Uashingtoni....

Lajme të tjera

Web TV